Mësime nga surja Jasijn – ajetet 28-32

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Mos u bëj i pavëmendshëm ndaj leximit të Kur’anit, sepse Kur’ani ringjall zemrën dhe ndalon nga të këqijat dhe imoraliteti.”

Prijësi i besimtarëve, Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), ka thënë: “Kushdo që ulet me këtë Kur’an, do ngrihet prej tij me shtim ose me mangësi. Shtim në udhëzim, ose mangësi në verbëri”.

Për sot do të flasim për mësimet që përmbajnë ajetet 28-32 në të cilat Allahu i Madhëruar thotë:

وَمَا أَنزَلْنَا عَلَى قَوْمِهِ مِن بَعْدِهِ مِنْ جُندٍ مِّنَ السَّمَاء وَمَا كُنَّا مُنزِلِينَ  إِن كَانَتْ إِلاَّ صَيْحَةً وَاحِدَةً فَإِذَا هُمْ خَامِدُونَ  يَا حَسْرَةً عَلَى الْعِبَادِ مَا يَأْتِيهِم مِّن رَّسُولٍ إِلاَّ كَانُوا بِهِ يَسْتَهْزِؤُون أَلَمْ يَرَوْا كَمْ أَهْلَكْنَا قَبْلَهُم مِّنْ الْقُرُونِ أَنَّهُمْ إِلَيْهِمْ لاَ يَرْجِعُونَ وَإِن كُلٌّ لَّمَّا جَمِيعٌ لَّدَيْنَا مُحْضَرُونَ

28. Por pas (vdekjes së) tij, Ne nuk i dërguam kurrfarë ushtrie nga qielli (si dënim) popullit të tij dhe as që kishte nevojë për të dërguar.

29. (Mjaftoi për t’i dënuar ata) vetëm një zë i tmerrshëm, pas të cilit u shuan përnjëherësh.

30. Ah, sa mjerim për ata njerëz! Kurdo që u vinte ndonjë i dërguar, ata nuk bënin tjetër, por vetëm talleshin me të.

31. Vallë, a nuk e kishin parë ata se sa e sa brezni para tyre që kishim shkatërruar nuk u kthyen më?!

32. Të gjithë ata do të paraqiten bashkërisht te Ne.

Ajete e mëparshme flisnin për përpjekjet e besimtarit për të ndihmuar të Dërguarit e Allahut derisa u martirizua nga dora e jobesimtarëve kokëfortë. Ajetet në falë flasin për shkatërrimin dhe fundin e hidhur të jobesimtarëve. 

NGA KËTO AJETE MËSOJMË:

1-  Melekët (Engjujt) janë të urdhëruar ose për ndëshkim ose për mëshirë. Zbritja dhe ngritja e tyre është me urdhër të Allahut. Në ajetin 6 të sures Tahrim thuhet: “… kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.“

2- Ndëshkimi i Allahut vjen papritmas, prandaj duhet të mos jemi të pavëmendshëm. Në ajetin 47 të sures En’am thuhet: Thuaj: “Më thoni, nëse ju vjen dënimi i Allahut papritmas ose sheshazi, a do të zhdukej kush përveç popullit zullumqar?”

3- Ka mundësi që një vend të shkatërrohet e të zhduket përshkak të vrasjes së një besimtari të pafajshëm, apo të një predikuesi të sinqertë të fesë së Allahut apo të një sakrifikuesi në rrugën e Allahut.  

4- Ata të fuqishëm jobesimtarë, të cilët më parë thoshin: “Nëse nuk tërhiqeni, do t’ju gurëzojmë dhe me siguri do t’ju godasë një dënim i dhembshëm prej nesh”, vetëm me një britmë u shuan përnjëherësh. Allahu është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Ai vetëm sa i thotë diçkaje Bëhu dhe ajo bëhet, siç thotë ajeti 82 i sures Jasin: “Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është që t’i thotë asaj “Bëhu!” – dhe ajo bëhet.”

5- Ai njeri që ka mundësi të ftojë te e vërteta, të qëndrojë në krah të së vërtetës apo të fitojë lumturinë duke ndjekur udhëzimet e të Dërguarve, ai kurrë nuk çon veten e tij në dënim duke ndjekur kokëforcinë dhe mosbesimin?!  

6- Kokëforcia është shkak i verbimit ndaj të vërtetës, ndaj rrugës së përsosmërisë dhe është premisë e mjerimit. 

7- Njohja e ndodhive të hidhura historike janë mësim dhe garanci për njeriun.

8- Tallja me të dërguarit dhe përgënjeshtrimi i tyre ishte një zakon i jobesimtarëve përgjatë historisë.  

9- Gjatë gjithë historisë të dërguarit u përballen me tallje, ofendime, kërcënime. Prandaj, është e mundur që edhe predikuesit e fesë së Allahut, të përballen me tallje, ofendime e kërcënime siç u përballën të Dërguarit e Allahut dhe Profetët. 

10- Duhet që historia të lexohet me vëmendje e arsyetim dhe të merren në konsideratë fundi i të mëparshmëve. Leximi i saj nuk duhet të jetë lexim kalimthi. 

11- Ndëshkimi i Allahut për popujt mëkatarë është konstant përgjatë historisë. Mirëpo mënyra e ndëshkimit ndryshon, siç thotë edhe ajeti 40 i sures Ankebut: “Ne të gjithë i dënuam për gjynahun e vet: disave u dërguam furtunë, disa syresh i goditi një zë i tmerrshëm, disa prej tyre i gëlltiti toka dhe të tjerët i përmbyti uji. Allahu nuk u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.”

12- Fundi i atyre që tallen me të Dërguarit dhe Profetët është shkatërrimi dhe mjerimi, siç thotë ajeti 30 I ajeteve në fjalë: Ah, sa mjerim për ata njerëz! Kurdo që u vinte ndonjë i dërguar, ata nuk bënin tjetër, por vetëm talleshin me të.

13- Pas zbritjes së ndëshkimit të Allahut nuk është mundësia e kthimit dhe e kompensimit të asaj që shkoi. Njeriu e humb vetë mundësinë e përmirësimit e të rrugëtimit në rrugën e vërtetë e të drejtë. Sa bukur flasin ajetet 99 dhe 100 të sures Mu’minun për këtë: Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, 100. që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen.”  Imam Aliu (as) ka thënë: “Mundësia kalon si retë, ndaj përfitoni nga mundësitë e mira.”

الفرصة تمر مر السحاب، فانتهزوا فرص الخير 

14- Shuarja e jobesimtarëve nga kjo jetë nuk është fundi i tyre, por është fillimi i dënimit të tyre. Të gjithë ata do të paraqiten bashkërisht te Ne.

15- Të gjithë njerëzit në Ditën e Ringjalljes do të tubohen në një vend të përbashkët. Në ajetin 48 të sures Ibrahim thuhet:  

يَوْمَ تُبَدَّلُ ٱلْأَرْضُ غَيْرَ ٱلْأَرْضِ وَٱلسَّمَٰوَٰتُ ۖ وَبَرَزُواْ لِلَّهِ ٱلْوَٰحِدِ ٱلْقَهَّارِ

“Ditën, kur Toka do të ndërrohet me tokë tjetër, por edhe qiejt, të gjithë do të dalin para të Vetmit dhe Ngadhënjyesit Allah.”

Të dashur vëllezër dhe motra! Këto ishin disa nga mësimet e shumta të këtyre ajeteve të begata të sures Jasijn. Në suren Tekuir ajeti 26 -27 thuhet: “Prandaj, nga po shkoni? Ai (Kur’ani) është veçse këshillë për botët.” https://fb.watch/vH4yCtU5aQ/