Pozita e Imam Husejnit (paqja qoftë mbi të) në Islam

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) është personalitet i shquar dhe i nderuar dhe mbartës i cilësive të larta. Ai është i biri i imam Aliut (prijësi i besimtarëve), i biri i Ebi Talibit. Nëna e tij është Fatime Zahraja, e bija e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Gjyshi i tij është Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!). Gjyshja e tij është nëna e besimtarëve hazreti Hatixheja (Paqja qoftë mbi të!). 

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) lindi më 3 Shaban në vitin e katërt të Hixhrit. Familja e Profetit e pritën me gëzim dhe me lumturi lindjen e tij. Po ashtu, Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të cilit sapo i mbërriti lajmi se Fatimeja lindi djalë, shkoi si era në shtëpinë e saj për ta uruar për vogëlushin e lindur dhe e quajti Husejn. 

Imam Husejni u rrit në prehrin e gjyshit të tij, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe në mesin e Aliut dhe Fatimesë (Paqja qoftë mbi ta!). Ai u ushqye me moralin e profetësisë dhe u edukua me parimet e larta islame, me parimet e Drejtësisë e të së Vërtetës. 

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) kujdesej shumë për imam Husejnin kur ishte i vogël. Ai e mbante në krahë atë së bashku me vëllain e tij, imam Hasanin (Paqja qoftë mbi të!) dhe thoshte në prani të shokëve të tij: “O Zot, unë i dua këto dy djem dhe e dua atë që i do ata.” 

Në disa thënie të tjera Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dashurinë për Hasanin dhe Husejnin e shfaqte duke thënë: “Këto dy djemtë e mi janë gjëja më e shtrenjtë për mua në këtë botë.” 

I Dërguari i Allahut ka thënë: “Hasani dhe Husejni janë dy borzilokët e mi prej borzilokëve të dunjasë.”

Po ashtu, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush e do Hasanin dhe Husejnin, më do mua dhe kush i urren ata, më urren mua.”(Muhibudijn Et Tabarij në librin e tij “Dhehairul Ukba”, f. 124.)

Një ditë, Profeti po falej dhe Hasani dhe Husejni u ngjitën në shpinën e tij. Njerëzit i larguan ata dhe ai (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi failjen e tij!) i tha atyre: “Lërini ata, se ata janë të shtrenjtë për mua. Ai që më do mua, le të dojë këta të dy.” (Muhibudijn Tabari në librin e tij “Dhehairul Ukba”, f.124. Po ashtu në f. 129.) 

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush dëshiron të shohë një prej banorëve të Xhenetit, le të shikojë Husejnin.” 

Ebu Bekri ka thënë: “Unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, i cili thoshte: ‘Hasani dhe Husejni janë zotërinjtë e banorëve të Xhenetit.’” (Muhibudijn Tabari në librin e tij “Dhehairul Ukba”, f. 124. Po ashtu në f. 129.) 

Në “Sahihun” e Tirmidhiut ka një hadith të transmetuar nga Ja’la El Amirij, i cili thotë se Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Husejni është prej meje dhe unë jam prej Husejnit. Allahu e do atë që e do Husejnin. Husejni është prej degëve të asaj peme.” 

Selman El Farisij ka thënë: “Unë dëgjova Profetin Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili tha: ‘Hasani dhe Husejni janë bijtë e mi, e kush i do ata të dy, më do mua dhe kush më do mua, e do Zotin e Madhëruar dhe atë që Zoti e do, e fut në Xhenet. Kush i urren ata të dy, më ka urryer mua dhe kush më urren mua, ka urryer Zotin dhe atë që Zoti e urren, e fut në Xhehenem’.” (“I’lamul Uara”, f. 219.).

Ky është Husejni në zemrën e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili u rrit në shtëpinë më bujare, më fisnike, më famëlartë dhe ajo është shtëpia e Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), dielli ndriçues i mendjeve të njerëzisë dhe vula e të gjithë Profetëve të Allahut të Madhëruar. 

Me atë personalitet të lartë që kishte, me pozitën e lartë që zinte në shoqëri, Husejni u bë fuqi ndikuese në ndërgjegjen e historisë islame. 

Vërtet, myslimanët besojnë në dashurinë për Ehli Bejtin në përgjithësi dhe në dashurinë për imam Husejnin. Ata e donin Husejnin, e duan dhe do të vazhdojnë ta duan atë, sepse ai është prej imamëve me prejardhje nga Ehli Bejti i pastër i Profetit Muhamed. 

Prandaj, vrasja e tij është fatkeqësi dhe humbje për të gjithë ymetin islam dhe jo vetëm për një pjesë të myslimanëve. Për këtë, është detyrë e të gjithë myslimanëve që ta kujtojnë imam Husejnin, sepse imam Husejni nuk është pronë private e askujt. 

Dashuria dhe respekti që kishin, kanë dhe do të kenë myslimanët për imam Husejnin (Paqja qoftë mbi të!) e ka fillesën në Kur’an, sepse Allahu i Madhëruar udhëroi për dashurinë e Ehli Bejtit dhe imam Husejni është njëri prej tyre.

Allahu i Madhëruar, në Kur’anin e Shenjtë thotë: “Thuaj: ‘Unë nuk kërkoj prej jush ndonjë shpërblim për thirrjen Time, por vetëm respektin e dashurinë për hir të të afërmëve (akraballëkut)…” (Sure “Shura”, ajeti 23.) 

Imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!) rrjedh nga Ehli Bejti, të cilët Allahu i ka pastruar prej ndytësive të gjynaheve, ku thotë: “Allahu ka për qëllim që nga ju, o familje e shtëpisë së Pejgamberit, të largojë ndytësitë e gjynaheve dhe t’ju pastrojë deri në skaj.” (Sure “Ahzab”, ajeti 33.)

  Imam Husejni është ai, me të cilin, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) së bashku me imam Aliun, Fatime Zahranë dhe imam Hasanin (Paqja qoftë mbi ta!) ai ishte pjestar i ndodhisë së Mubaheles me të krishterët e Nexhranit dhe për këtë ngjarje zbriti ajeti: “E kush të kundërshton ty në çështjen e Isait pasi të është bërë e ditur e Vërteta, ti thuaj: ‘Ejani të ftojmë bijtë tanë dhe bijtë tuaj, gratë tona dhe gratë tuaja, vetet tona dhe vetet tuaja, pastaj, sinqerisht, të lutemi për mallkim dhe mallkimin nga ana e Allahut ta hedhim kundër gënjeshtarëve.” (Sure “Ali Imran”, ajeti 61.) 

Por ama, është për të ardhur keq se të gjitha këto thënie që u përmendën, e shumë e shumë thënie të tjera që gjenden në literaturat islame, u harruan dhe përfundimi ishte ndodhia e masakrës së Kerbelasë, e cila nuk ka të ngjashme në historinë e njerëzimit.

Paqja qoftë mbi imam Husejnin!

Paqja qoftë mbi Aliun, i biri i imam Husejnit!

Paqja qoftë mbi fëmijtë e imam Husejnit!

Paqja qoftë mbi vëllanë e imam Husejnit, Ebul Fadlil Abas!

Paqja qoftë mbi motrën e imam Husejnit, Zejnebja e Madhe!

Paqja qoftë mbi Shokët e imam Husejnit!

Paqja qoftë mbi dashamirësit dhe ndjekësit e imam Husejnit! https://youtu.be/ys3Lh_zxAD4