Prej qëllimeve të larta të njeriut në këtë jetë është sigurimi i Xhennetit në Jetën Tjetër. Në Xhennet është lumturia e vërtetë.
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë:
وَأَمَّا ٱلَّذِينَ سُعِدُواْ فَفِى ٱلْجَنَّةِ خَٰلِدِينَ فِيهَا مَا دَامَتِ ٱلسَّمَٰوَٰتُ وَٱلْأَرْضُ إِلَّا مَا شَآءَ رَبُّكَ ۖ عَطَآءً غَيْرَ مَجْذُوذٍۢ
“Kurse fatlumët, do të hyjnë në Xhennet, ku do të qëndrojnë përherë, derisa të jenë qiejt dhe Toka, veç si të dojë Zoti yt. Kjo është dhuratë e pandërprerë.” (Sure “Hud”, ajeti 108).
Në Kur’anin e Shenjtë Xhenneti përmendet 66 herë dhe bashkë me fjalët që formohen prej së njëjtës rrënjë, përmendet 147 herë. Xhenneti është vendbanim i përhershëm dhe begatitë e tij janë të pandërprera. Aty do të banojnë punëmirët. Në Xhennet nuk ka as fatkeqësi, as shqetësim e mërzitje. Banorët e Xhennetit do të kënaqen me mirësitë që Allahu u ka përgatitur, të cilat janë të pashoqe për nga pamja dhe nga shija. Të gjitha fetë e pranojnë ekzistencën e Xhennetit (Parajsës).
Allahu e përshkruan Xhennetin me emra të ndryshëm: Firdeus, Xhennatu Adnin, Xhennatu Naijm, El Husna, El Gurfetu, Xhennatul Khuld, Xhennatun Alijeh, Darul Akhireh, Darul Karari, Daru Selam, Darul Mutelijn, Darul Mukameti.
Është prej urtësisë dhe drejtësisë së Allahut të Madhëruar që punëmirët t’i shpërblejë në Jetën e Tjetër me Xhennet, në të cilin gjenden mirësi e kënaqësi. Ky është premtim i Allahut, i Cili thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhennet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.” (Sure “Nisa”, ajeti 124).
Hyrja në Xhennet është e kushtëzuar. Kushtet e hyrjes në Xhennet i përmend edhe Kur’ani i Shenjtë. Ato kushte janë:
Kushti i parë: Besimi dhe puna e mirë
Në shumë ajete besimi dhe puna e mirë përmenden së bashku. Në Kur’an thuhet: “Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, gëzoji me Xhennetet, nëpër të cilat rrjedhin lumenj… (Sure “Bekare”, ajeti 25).
Dhe: “Sa për ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, Ne do t’i shpiem në Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë…” (Sure “Nisa”, ajeti 57).
Dhe: “Ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë Xhennetin, si shpërblim për punët (e mira) që kanë bërë.” (Sure “Sexhde”, ajeti 19).
Në këto ajete të përmendura, e në ajete të tjera të Kur’anit që flasin për këtë tematikë, duket qartë se Xhenneti fitohet me besimin se Allahu është Një i Vetëm dhe i Pashoq dhe Ai është Krijuesi i gjithçkaje. Po ashtu, Xhenneti fitohet me punë të mira, të cilat i pëlqen Allahu i Madhëruar.
Besimi pa punën e mirë nuk ka asnjë vlerë.
Kushti i dytë: Bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij
Bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij ka kuptimin e zbatimit të urdhrave dhe të porosive të tyre. Problemet, vuatjet dhe fatkeqësitë e përhapura sot janë për shkak të mosbindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit të tij. Bindja ndaj Allahut dhe të Dërguarit të Tij është shkak i fitimit të Xhennetit. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani i Shenjtë, i cili thotë: “…Atë që i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, Ai e shpie në Xhennete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku do të qëndrojë përherë. Kjo është fitorja e madhe.” (Sure “Nisa”, ajeti 13).
Në një ajet tjetër thuhet: “Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të shkojë në Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, kurse ai që shmanget, do të ndëshkohet me dënim të dhembshëm.” (Sure “Fet’h”, ajeti 17).
Kushti i tretë: Sinqeriteti
Sinqeriteti është prej virtyteve të larta. Ai ka kuptimin që çdo gjë ta bëjmë për hir të Allahut dhe vetëm për Allahun. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “…Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!” (Sure “Kehf”, ajeti 110). Pra, çdo vepër të bëhet me sinqeritet për hir të Allahut dhe jo për hir të njeriut, sado i lartë të jetë në pozitë, pushtet e dije. Sinqeriteti është kusht për pranimin e punëve dhe të veprave. Sinqeriteti është shpirti i adhurimit. Sinqeriteti është shkaku i fitimit të Xhennetit. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Allahu thotë: ‘Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë Xhennetet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është fitorja e madhe!’” (Sure “Maide”, ajeti 119).
Kushti i katërt: Devotshmëria
Ka shumë njerëz, të cilët e kanë të lehtë të bëjnë punë të mira, por e kanë të vështirë t’i ruajnë ato. Kjo, për faktin se gjatë gjithë jetës së tij njeriu përballet me dy armiq. Armiku i jashtëm është shejtani dhe armiku i brendshëm, egoja e tij. Të dy këta armiq përpiqen ta largojnë njeriun nga Rruga e Allahut dhe ta çojnë në devijim e humbje. Mirëpo, Allahu i Gjithëditur dhe i Gjithmëshirshëm, e ka pajisur njeriun me një parzmore shumë të fuqishme: me devotshmërinë. Devotshmëria, jo vetëm që e mbron njeriun nga cytjet e shejtanit e të egos, por ajo është shkak i fitimit të Xhennetit. Të devotshmit do të jenë banorë të Xhennetit. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani i Shenjtë: “Nxitoni drejt faljes së gjynaheve nga Zoti juaj dhe i Xhennetit, hapësira e të cilit është sa qiejt e Toka dhe që është përgatitur për të devotshmit, të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi; e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” (Sure “Ali Imran”, ajetet 133-134).
Dhe: “Vërtet, të devotshmit do të jenë në kopshtet e Xhennetit dhe në lumturi.” (Sure “Tur”, ajeti 17).
Devotshmëria të çon në udhëzim dhe në rrugën e shpëtimit në këtë jetë dhe në fitimin e Xhennetit në Jetën Tjetër.
Kushti i pestë: Përmendja e Allahut dhe të menduarit rreth krijimit
Edhe ky është prej shkaqeve të fitimit të Xhennetit. Përmendja e Allahut e mban gjithmonë njeriun pranë Krijuesit të Tij. Kur’ani i Shenjtë na urdhëron që ta përmendim sa më shumë Allahun e Madhëruar: “O ju që keni besuar! Përmendeni shpesh Allahun dhe lavdërojeni Atë në mëngjes dhe në mbrëmje! (Sure “Ahzab”, ajetet 41 -42).
Përmendja e Allahut është ilaçi më i mirë për qetësimin e zemrave në këtë jetë. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’an: “…Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!” (Sure “Rra’d”, ajeti 28). Sigurisht, përmendja e Allahut ka ndikim të madh në jetën e njeriut. Ajo përmendet në treqind ajete të Kur’anit të Shenjtë. Përmendja e Allahut është ibadeti i zemrës, ashtu sikurse namazi është ibadeti i gjymtyrëve. Madje edhe namazi falet për të përmedur Allahun: “Fale namazin për të më përmendur Mua!” (Sure “Ta Ha”, ajeti 14).
Kushti i gjashtë: Frika ndaj Allahut
Edhe kjo është një shkak i fitimit të Xhennetit. Kjo e bën njeriun të vetëdijshëm se është i mbikëqyrur nga Krijuesi i tij në çdo vepër që bën, në çdo fjalë që thotë, në çdo qëndrim që mban dhe madje edhe kur mendon. Frika ndaj Allahut përmban dashuri, madhështim, përulje ndaj Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Kurse ai që i është frikësuar madhërisë së Zotit të tij dhe e ka frenuar veten nga dëshirat, pa dyshim që do të ketë për strehë Xhennetin.” (Sure “Naziat”, ajetet 40-41).
Dhe: “Ndërsa ata që i janë frikësuar Zotit të tyre, do të çohen grupe-grupe në Xhennet.” (Sure “Zumer”, ajeti 73).
Shkaku i shtatë: Kërkimi i faljes për gjynahet
Allahu dëshiron që ne të qëndrojmë larg gjynaheve. Ai do që ne të jemi të pastër shpirtërisht. Për të hequr papastërtitë e trupit, ne lahemi. Për të hequr papastëritë e brendshme (shpirtërore), Allahu ka caktuar kërkimin e faljes (istigfarin). Të gjithë të Dërguarit e Allahut i urdhëronin popujt e tyre që t’i kërkonin falje Allahut. Çdo njeri gabon, harron dhe vepron ndonjë vepër të keqe. Të kërkuarit falje Allahut për veprat e këqija, të vogla apo të mëdha, është detyrë e çdo njeriu. Të kërkuarit falje Allahut është shkak i fitimit të Xhennetit, sepse njeriu e lan zemrën e tij me ujin e istigfarit, i cili i largon të gjitha papastërtitë e zemrës. Efekti më i mirë i istigfarit duket tek mosrikthimi në veprat e këqija. Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e Shenjtë: “Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe Xhennetin e gjerë sa qielli dhe Toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafund.” (Sure “Hadijd”, ajeti 21).
Kushti i tetë: Të urdhëruarit në të mirë, të ndaluarit nga e keqja, falja e namazit dhe dhënia e zekatit
Këtë e dëshmon thënia e Allahut të Madhëruar: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Allahu u ka premtuar besimtarëve dhe besimtareve Xhennete, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë, si dhe pallate të mrekullueshme në Xhennetin e Adnit. Por kënaqësia prej Allahut është shpërblimi më i madh. Kjo është fitorja madhështore.” (Sure “Teube”, ajetet 71-72). Duhet që këto veti të gjenden te çdo besimtar, me qëllim që të fitojë Xhennetin.
Kushti i nëntë: Emigrimi dhe xhihadi në Rrugën e Allahut me pasuri e me shpirt
Emigrimi dhe xhihadi në rrugën e Allahut janë prej veprave të pëlqyera në Islam. Besimtari i vërtetë i kryen këto për hir të Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. Allahu i Madhëruar thotë: “Ata që besojnë, mërgojnë dhe luftojnë në rrugën e Allahut me pasurinë e tyre dhe jetën e tyre, janë në shkallë më të lartë tek Allahu. Pikërisht këta janë të fituarit. Zoti i tyre u jep lajmin e mirë për mëshirën dhe miratimin e Tij, si dhe për Xhennetet ku do të ketë kënaqësi të përhershme për ta dhe ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Me të vërtetë, vetëm tek Allahu është shpërblimi i madh. (Sure “Teube”, ajetet 71-72).
Kushti i dhjetë: Palëkundshmëria në Rrugën e Allahut (Istikame)
Kuptimi i saj është ecja në Rrugën e Drejtë. Është kapja pas fesë, zbatimi i dispozitave të saj dhe përhapja e saj në mesin e njerëzve. Allahu thotë në Kur’an: “Prandaj qëndro i patundur në udhën e drejtë, ashtu siç je i urdhëruar! Ashtu le të veprojnë edhe besimtarët që janë me ty, e mos i kaloni kufijtë, se Ai, me të vërtetë, i sheh mirë ato që punoni ju.” (Sure “Hud”, ajeti 112).
Në ajet duket qartë urdhri i Allahut për istikamet për të gjithë besimtarët. Kushdo që është i palëkundur në fenë e tij, ai do të jetë prej banorëve të Xhennetit. Kur’ani i shenjtë thotë: “Me të vërtetë, atyre që thonë: ‘Zoti ynë është Allahu’, e pastaj vazhdojnë të palëkundur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin melekët (para vdekjes) e do t’u thonë: ‘Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhennetit që ju është premtuar!’” (Sure “Fusilet”, ajeti 30).
Dhe: “Pa dyshim, ata që thonë: ‘Zoti ynë është Allahu!’ dhe pastaj qëndrojnë në rrugën e drejtë, nuk do të kenë arsye për t’u frikësuar e as për t’u dëshpëruar (kur t’u vijë vdekja). Ata do të jenë banorë të Xhennetit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, si shpërblim për atë që kanë punuar.” (Sure “Ahkaf”, ajetet 13-14).
Sigurisht që shkaqet e fitimit të Xhennetit, përveç këtyre që përmenda, janë të shumta në fenë e pastër islame si: morali i mirë, kujdesja ndaj jetimit, mirësjellja ndaj prindërve, ndërtimi i xhamive, agjërimi, Haxhi e të tjera vepra.
Allahu na bëftë prej banorëve të Xhennetit! https://youtu.be/us4ZnXm12b4

