Mësime nga Ajetet e Kur’anit, ajetet 65-66 të sures Bekare

Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَقَدْ يَسَّرْنَا ٱلْقُرْءَانَ لِلذِّكْرِ فَهَلْ مِن مُّدَّكِرٍۢ

“Vërtet, Ne e kemi bërë Kuranin të lehtë për t’u kuptuar dhe kujtuar, prandaj, a ka ndonjë që të marrë këshillë?!”

Që nga koha e krijimit të babait tonë, hazreti Ademit (paqja qoftë mbi të!) e deri në fund të kësaj jete, njeriu kurrë nuk ka lexuar e nuk do të lexojë libër më të lartë e më të begatë se Kur’ani i shenjtë. Ai ka qenë është dhe do të jetë më i larti i librave. Ai është Libri i Allahut dhe vula e mesazheve qiellorë. Ai është sqarues i gjithçaje dhe nuk është i veçantë për një grup të caktuar njerëzish por, është Libri i të gjithë njerëzve dhe i lehtë për t’u kuptuar.

  Prej madhështisë së Kur’anit është se ai nuk ka qenë e as nuk do të jetë libër i një dijeje të veçantë, apo i disa temave të caktuara por, ai është Libër i njeriut i shoqërisë dhe i qytetërimit. Është libër i legjislacionit qiellor dhe i udhëzimit më të drejtë. Në të flitet për moralin, besimin, ekonominë, politikën, shoqërinë, dijen, etj. Me një fjalë, Kur’ani është Libri i jetës. Ajetet e tij janë të qarta. Ato janë si dielli, i cili çdo ditë që lind ai e vesh gjithësinë me një petkt të ri me rrezet e tij të arta. Sa herë që lexohet Kur’ani gjendet kuptim i ri dhe zbulohen horizonte që nuk mendoheshin apo të përfytyroheshin.

 Ai gjithmonë është Libër i gjallë dhe kurrë nuk shterron sepse, është i  ardhur nga i Plotfuqishmi dhe i Përjetshmi që nuk e kaplon as dremitja e as gjumi.

  Duke qenë i tillë, është detyrë e jona që ta studiojmë dhe ta kuptojmë Kur’anin. Ta zbatojmë atë dhe ta bëjmë prijësin tonë në çdo fushë të jetës tonë. Të përfitojmë sa më shumë prej tij, me qëllim që të ndërtojmë një personalitet të fortë. Të zbatojmë këshillat dhe porositë e tij. Duhet që të kapemi pas Kur’anit sepse, ajo është e vetmja rrugë që na siguron jetë të këndshme e të lumtur në këtë dunja dhe në Jetën Tjetër. 

Në vazhdim të temës mësime nga ajetet e Kur’anit, sot do të flas për mësimet që përmbajnë ajetet 65-66 të sures Bekare.

Allahu i Madhëruar thotë:

وَلَقَدْ عَلِمْتُمُ الَّذِينَ اعْتَدَواْ مِنكُمْ فِي السَّبْتِ فَقُلْنَا لَهُمْ كُونُواْ قِرَدَةً خَاسِئِينَ فَجَعَلْنَٰهَا نَكَٰلًۭا لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهَا وَمَا  خَلْفَهَا وَمَوْعِظَةًۭ لِّلْمُتَّقِينَ﴿٦٦﴾

“Sigurisht që ju keni dëgjuar për ata prej jush që shkelën Sabatin dhe të cilëve Ne u thamë: “Bëhuni majmunë të përçmuar e të urryer!”

“Këtë dënim e bëmë paralajmërim për bashkëkohësit dhe për brezat e tyre pasardhës, si dhe këshillë për ata që i frikësohen Allahut.”

Këto dy ajete të bekuara, ashtu si edhe ajetet para tyre, flasin për mëkatin dhe pabindshmërinë që vëlonin në shpirtin e bijëve të Izraelit dhe dhënia e tyre pas çështjeve materiale. 

Kur’ani nuk është libër tregimesh por në të gjenden tregime të popujve të shkuar. Prej historive që përmenden në Kur’an është edhe historia e “Njerëzve të ditës së Shtunë”, As’habu Sebti e cila është një histori e mbushur me këshilla dhe mësime për mbarë njerëzimin. Të gjitha tregimet dhe histroitë kur’anore janë zgjim, kujtim, paralajmërim, këshillë dhe edukim për njerëzit sepse kur vjen ndonjë sprovë, nuk shihet selektim tek sprova por ajo i përfshin të gjithë.

Përmbledhja e ndodhisë që tregon ajeti është: Allahu i Madhëruar i urdhëroi bijtë e izrelit, jahudijtë, që të ndërprisnin punët e tyre në ditën e shtunë. Pra të bënin pushim. Ky urdhër, po ashtu, përfshin edhe ata jahudinj që jetonin pranë detit dhe merreshin me gjuetinë e peshkut. 

Ishte dëshira e All’llahut që t’i sprovonte ata. Gjuetia e peshkut ishte një burim fitimi për banorët e bregut të detit dhe për ushqyerjen e tyre. Për shkak të ndalimit të peshkimit në ditën e Shtunë, peshqit shfaqeshin në sipërfaqen e detit turma-turma atë ditë, ndërkohë që iknin në thellësi gjatë ditëve të tjera. Në të vërtetë, ky fenomen, ishte një mënyrë për ta sprovuar këtë bashkësi njerëzish. Ata e kundërshtuan urdhërin e Allahut për të mos gjuajtur peshq në ditën e shtunë. Për këtë mëkat, All’llahu i dënoi dhe i shndërroi në majmunë.”

Historia e njerëzve të ditës së shtunë  përmendet edhe në ajetet 163-166 të sures “A’raf” që thonë:

“Pyeti ata për qytetin që gjendej në bregdet dhe për çfarë i gjeti banorët e tij kur thyen urdhëresën e Sebtit (së shtunës)! Atë ditë u vinin peshqit me shumicë, ndërsa ditëve tjera që nuk i kremtonin, nuk u vinin. Kështu, Ne i vumë në provë, sepse bënin punë të mbrapshta.” “Kur disa prej tyre thanë: „Përse këshilloni, kur e dini se All’llahu do t‟na zhdukë ose do të na ndëshkojë ashpër?!‟

Këshilltarët u përgjigjën: „Për t‟u arsyetuar para Zotit tuaj dhe që ju të mund të ruheni nga gjynahet‟.” “Por, kur e harruan atë për të cilën ishin paralajmëruar, Ne i shpëtuam ata që këshillonin, kurse i ndëshkuam ashpër keqbërësit, për shkak të mosbindjes së tyre.” “Kur ata ngulmuan me mendjemadhësi të bënin atë që u ishte ndaluar, Ne u thamë: „Bëhuni majmunë të përbuzur.‟”

Sipas këtyre dy ajeteve të sures A’raf, kur Beni Israilët u përballën me këtë sprovë, ata u ndanë në tre grupe: 

“Grupi i parë”, që përbënin shumicën, ishin ata që e kundërshtuan urdhrin e Allahut. 

“Grupi i dytë”, ishin ata të rrugës së drejtë e që përbënin pakicën. Ata u ngritën kundër grupit të parë, me synimin për të urdhëruar në të mirë e për të ndaluar nga e keqja.

 “Grupi i tretë” ishin asnjanësit; ata as nuk ishin dakort me mëkatarët, e as nuk urdhëronin në të mirë e të ndalonin nga e keqja. 

Është Transmetuar nga imamët, Bakir dhe Sadik (paqja e All’llahut qoftë mbi ta!) që flet për tefsijrin e thënies së All’llahut të Madhëruar: “Këtë dënim e bëmë paralajmërim për bashkëkohësit dhe për brezat e tyre pasardhës, si dhe këshillë për ata që i frikësohen All’llahut.” Imamët kanë thënë: “Për ata që ndodhën mes tyre, ka kuptimin të shohin ata nga vendet (në kohën e atij populli) dhe për ata që do të vijnë pas tyre, ka kuptimin për ne myslimanët.” Në këtë ndodhi ka këshilla edhe për ne.

MËSIMET NGA KËTO AJETE:

1- Në kryerjen e urdhrave të Zotit nuk duhet të përdorim dinakëri duke ruajtur vetëm anën sipërfaqësore të urdhrave por duhet të ndryshojmë anën e brendshme që është esenca e tyre, sepse ndryshimi i imazhit të fesë rezulton me ndryshimin e imazhit të njeriut. Kjo u ndodhi beni izraelitëve të cilët në ditën e shtunë gjuanin peshq dhe shkelën urdhrin e Zotit, siç thotë ajeti për bijtë e izraelit: “që shkelën Sabatin dhe të cilëve Ne u thamë: “Bëhuni majmunë të përçmuar e të urryer!”

2- Dënimet e Zotit nuk janë caktuar vetëm për në Ditën e Gjykimit, por Zoti disa mëkate i dënon edhe në këtë botë në mënyrë që njerëzit e asaj epoke dhe gjeneratat e ardhshme të marrin mësim nga ajo ngjarje.

3- Le të marrim mësim e këshillë nga historia. 

4- Shndërrimi i njeriut në kafshë është shenjë e zemërimit të Allahut të Madhëruar. “Bëhuni majmunë të përçmuar e të urryer!”

5- Duhet që mposhtja dhe triumfi të jenë mësim për njerëzit. 

6- Kushti i përfitmit nga këshilla është që te njeriu të jetë i pranishëm shpirti i tekuasë (frikës ndaj Allahut).

7- Ajetet na mësojnë fuqinë absolute të Allahut. Kjo kuptohet qartë nga thënia e ajetit: “Bëhuni majmunë të përçmuar e të urryer!”, tregon për menjëhershmërinë e shndërrimit, i cili u plotësua me urdhërin e All’llahut të Plotfuqishëm mbi çdo gjë i Cili kur dëshiron të diçka vetëm se i thotë: Bëhu dhe ajo menjëherë bëhet.

Kushdo dhe kudo që kundërshtohen urdhërat dhe porositë e Allahut, aty do të zbresë ndëshkimi i Allahut, qoftë i menjëhershëm apo i vonuar. https://fb.watch/vEpnig21Qp/