قَدْ جَاءَكُمْ بَصَائِرُ مِنْ رَبِّكُمْ ۖ فَمَنْ أَبْصَرَ فَلِنَفْسِهِ ۖ وَمَنْ عَمِيَ فَعَلَيْهَا ۚ وَمَا أَنَا عَلَيْكُمْ بِحَفِيظٍ
(Thuaju o Muhamed): “Tashmë ju kanë ardhur nga Zoti juaj prova të qarta. Ai që i sheh ato, i sjell dobi vetes, ndërsa ai që i mbyll sytë para tyre, i bën dëm vetes. Unë nuk jam rojtari juaj.” (Sure “En’am”, ajeti 104)
Jeta në këtë botë është e shkurtër. Errësirat e kësaj jete janë të shumta. Kështu që njeriu ka nevojë për udhëzues që ta udhëzojë në ligjet e jetës, në natyrën e saj, në sistemin e saj dhe në krijesat rreth tij. Gjithashtu, ka nevojë për mësues që ta mësojë se si të bashkëpunojë me veten dhe me të tjerët. Kur’ani është udhëzuesi, mësuesi, drita dhe ndriçuesi i përkryer. Allahu Thotë: “Në të vërtetë, ky Kur’an udhëzon drejt asaj që është më e mira…” (Sure “Isra”, ajeti 9) Ai është e vërteta.
Është e vëtetë se pa Kur’anin, pa udhëzimin e tij, pa dijen e tij dhe pa urtësinë e tij, njerëzit nuk mund të udhëzohen.
Sot do të flasim për mësimet që përmbajnë ajetet 75-77 të sures Bekare.
Ajetet thonë:
أَفَتَطْمَعُونَ أَنْ يُؤْمِنُوا لَكُمْ وَ قَدْ كانَ فَرِيقٌ مِنْهُمْ يَسْمَعُونَ كَلامَ اللَّهِ ثُمَّ يُحَرِّفُونَهُ مِنْ بَعْدِ ما عَقَلُوهُ وَ هُمْ يَعْلَمُونَ (۷٥) وَ إِذا لَقُوا الَّذِينَ آمَنُوا قالُوا آمَنَّا وَ إِذا خَلا بَعْضُهُمْ إِلى بَعْضٍ قالُوا أَتُحَدِّثُونَهُمْ بِما فَتَحَ اللَّهُ عَلَيْكُمْ لِيُحَاجُّوكُمْ بِهِ عِنْدَ رَبِّكُمْ أَفَلا تَعْقِلُونَ (۷٦) أَوَ لا يَعْلَمُونَ أَنَّ اللَّهَ يَعْلَمُ ما يُسِرُّونَ وَ ما يُعْلِنُونَ (77)
75- Vërtet shpresoni ju (besimtarë) se ata (hebrenjtë) do t‟ju besonin ju, ndërkohë që disa prej tyre i dëgjonin fjalët e Allahut dhe, pasi i kuptonin, me vetëdije i shtrembëronin ato?!”
76- “Kur takohen me besimtarët, ata thonë: “Ne besojmë”, e kur ngelin vetëm me njëri-tjetrin, ata thonë: “A u tregoni atyre, atë që ua ka shpallur Allahu (në Teurat), për ta përdorur si argument kundër jush te Zoti juaj? A nuk po mendoni?”
77- “A nuk e dinë ata se Allahu di çfarë fshehin dhe çfarë shpallin?!”
Për zbritjen e këtyre ajeteve ka një shkak i cili është: Trasmetohet nga imam Ebu Xhafer Muhamed ibn Ali El-Bakir (paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Një grup njerëzish nga jahudijtë nuk ishin kokëfortë e mendjemëdhenj. Kur ata takoheshin me myslimanët u flitnin atyre për cilësitë e Profetit Muhamed që ndodheshin në Teurat. Të mëdhenjtë e tyre i ndaluan ata nga ky veprim dhe thanë: “Mos i lajmëroni ata për cilësitë e Muhamedit që ndodhen në Teurat, sepse do t’i kenë argument ndaj jush te Zoti juaj.” Pastaj zbriti ky ajet.
NGA KËTO AJETE MËSOJMË:
1- Të shpresuarit për mirë është e pëlqyeshme. E tillë është edhe të shpresuarit që njerëzit të bëhen besimtarë, mirëpo të pakët janë ata që e fitojnë këtë nderim. Në ajete të tjera Kur’ani na thotë shumica e tyre nuk besojnë.
2- Nuk ka shpresë në ndreqjen e një shoqërie ku në të ndodhen persona që i shtrembërojnë të vërtetat e veçanërisht ata që hiqen apo vetëquhen dijetarë.
3- Duhet të jemi të drejtë dhe të kujdesshëm në kritika. Ajeti na thotë se jo të gjithë jahudijtë ishin shtremërues: “…ndërkohë që disa prej tyre i dëgjonin fjalët e Allahut dhe, pasi i kuptonin, me vetëdije i shtrembëronin ato?!”
4- Njohja e të vërtetës nuk është si pranimi i saj sepse ka shumë që e njohin të vërtetën por nuk janë të gatshëm ta pranojnë atë.
5- Shtrembërimi më i rrezikshëm është ai që bëhet me vetëdije.
6- Kërcënimet vijnë nga i padituri i qëllimshëm dhe jo nga i padituri i shkujdesur.
7- Shtrembërimi i të vërtetës është mëkat vetëm për dijetarët. “…ndërkohë që disa prej tyre i dëgjonin fjalët e Allahut dhe, pasi i kuptonin, me vetëdije i shtrembëronin ato?!”
8- Shkaku i mosnënshtrimit të atij populli para mrekullive kur’anore dhe mrekullive të Profetëve të tjerë është pabindshmëria e tyre e ngulitur, që e trashëgojnë nga baballarët e vet, të cilët i dëgjuan fjalët e All’llahut në malin “Tur” e më pas i ndryshuan ato, kur u kthyen nga mali.
9- Është detyrë e njeriut që të ndjekë të vërtetën dhe të mos ia kthejë shpinën asaj prej kërcënimeve dhe presioneve të ndryshme.
10- Shtrembëruesit e të vërtetës besojnë se hipokrizia dhe fshehja e të vërtetës për arsye të ruajtes së pozitës është çështje logjike dhe tregon urtësi, ndërkohë që kjo është totalisht në kundërshtim me intelektin.
11- Manipulimi dhe tjetërsimi i të vërtetës është një tradhti e cila i privon brezat e ardhshëm nga kuptimi i të vërtetës dhe shkakton devijimin e shoqërisë.
12- Distancimi i ndjekësve të feve nga librat qiellore dhe sidomos nga Kur’ani krijon kushtet për zgjerimin e besëtytnive dhe të paragjykimeve të kota. Kështu që padituria është burimi i këtij problemi të madh.
13- Besimi në Allahun dhe se Ai është i Gjithditur për gjithçka e mbron njeriun nga rënia në humerën e mëkateve. “A nuk e dinë ata se Allahu di çfarë fshehin dhe çfarë shpallin?!”
14- E fshehta dhe e dukshmja janë një te Allahu Fuqiplotë.
15- Abuzimi dhe shitja e fesë nga ana e dijetarëve është një rrezik i madh për popullin, prandaj njerëzit duhet të kenë kujdes dhe të mospranojnë çdo fjalë që u thuhet edhe nëse oratori është veshur me rrobat e fesë.

