Namazi te Profetët dhe të Dërguarit e Allahut sipas Kur’anit

Allahu i Madhëruar në Suren “Muhamed”, ajeti 24) thotë: 

أَفَلَا يَتَدَبَّرُونَ الْقُرْآنَ أَمْ عَلَىٰ قُلُوبٍ أَقْفَالُهَا

“Vallë, a nuk përsiatin ata për Kuranin apo i kanë zemrat të kyçura?!” 

Allahu i Madhëruar e krijoi dritën dhe e ndau në dy pjesë. Të parën e vendosi te njeriu dhe e quajti mendje, intelekt. Me pjesën e dytë krijoi një libër, që e quajti Kur’an. Kur’ani është libri që Allahu e ka programuar me gjuhën e njeriut dhe e zbriti nga lart që njeriu, krijesa më e nderuar e Krijuesit, ta kuptojë. 

Pa dyshim që gjendet përputhshmëri mes mendjes dhe Kur’anit. Kjo përputhshmëri e çon njeriun tek e vërteta. Sa më shumë të ndriçohet mendja me ajetet e Kur’anit dhe sa më shumë të zbatohet Kur’ani, aq më shumë kuptohet. 

Kur’ani nuk mund të kuptohet pa një mendje të shëndoshë. Gjithashtu, as mendja nuk mund të jetë e shëndoshë pa Kur’anin. Ura lidhëse mes Kur’anit dhe mendjes është studimi, arsyetimi i ajeteve të tij e përsiatja mbi to.

Një prej çështjeve që përmend Kur’ani është çështja e namazit te Profetët dhe të dërguarit e Allahut sepse shumë njeëz mund të pyesin se a ekzistonte namazit te profetët dhe të dërguarit e Allahut që ishin para vulës së profetëve, Profetit Muhamed (s)?

Po të mendojmë thellë në këtë obligim të madh, namazi, do të zbulojmë se ai zë një vend të madh në Islam, madje  në të gjitha Mesazhet. Sepse çdo profet është urdhëruar për faljen e namazit dhe çdo Shpallje përmban urdhrin për faljen e namazit, ashtu siç gjendet urdhri për Njëtimin e Allahut të Plotfuqishëm.

Namazi është një adhurim i përbashkët për të gjitha kombet e tokës, sepse është porosi dhe urdhër i Allahut për profetët, të dërguarit dhe pasuesit e tyre deri në Ditën e Gjykimit. 

Allahu i Madhëruar në suren Merjem, ajeti 58 thotë:

أُولَئِكَ الَّذِينَ أَنْعَمَ اللَّهُ عَلَيْهِمْ مِنَ النَّبِيِّينَ مِنْ ذُرِّيَّةِ آدَمَ وَمِمَّنْ حَمَلْنَا مَعَ نُوحٍ وَمِنْ ذُرِّيَّةِ إِبْرَاهِيمَ وَإِسْرَائِيلَ وَمِمَّنْ هَدَيْنَا وَاجْتَبَيْنَا إِذَا تُتْلَى عَلَيْهِمْ آيَاتُ الرَّحْمَنِ خَرُّوا سُجَّدًا وَبُكِيًّا ﴾ 

“Këta janë ata, të cilët Allahu i begatoi nga profetët pasardhës të Ademit, të atyre që Ne i mbartëm me Nuhun, nga pasardhësit e Ibrahimit dhe të Izraelit dhe nga ata që Ne i udhëzuam dhe i zgjodhëm. Kur iu lexoheshin ajetet e të Gjithëmëshirshmit, binin duke bërë sexhde dhe qanin.”

Namazi është adhurimi më i rëndësishëm. Ai është adhurimi i parë që profetët (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta!) i thirrën popujt e tyre, pas Njëtimit (tehijdit) të Allahut të Madhëruar dhe ai ishte i pranishëm në legjislacionet e tyre, pavarësisht metodës dhe formës së namazit. Duhet theksuar se në gjuhësi fjala “salatu” do të thotë dua. Kurse në terminologji ka kuptimin e adhurimit të posaçëm që përbëhet nga rregulla e kushte të posaçme. Kur’ani përmend shembuj nga namazet e profetëve dhe të dërguarve, (Paqja dhe bdkimi i Allahut qofshin mbi ta!):

1- Namazi i Profetit Ibrahimit (as)

Ai e vendosin bashkëshorten e tij Haxher dhe djalin e tij Ismailin në një vend pa ujë e pa të mbjella mirëpo ai i porositi ata të falnin namaz sepse në të gjendet shpëtimi i tyre.

Për këtë suren Ibrahim, ajeti 37 thuhet: 

{رَبَّنَا إِنِّي أَسْكَنْتُ مِنْ ذُرِّيَّتِي بِوَادٍ غَيْرِ ذِي زَرْعٍ عِنْدَ بَيْتِكَ الْمُحَرَّمِ رَبَّنَا لِيُقِيمُوا الصَّلَاةَ فَاجْعَلْ  أَفْئِدَةً مِنَ النَّاسِ تَهْوِي إِلَيْهِمْ وَارْزُقْهُمْ مِنَ الثَّمَرَاتِ لَعَلَّهُمْ يَشْكُرُونَ}

“O Zoti ynë, unë kam vendosur disa nga pasardhësit e mi, në një luginë që nuk mbillet, afër Shtëpisë Tënde të Shenjtë, që të falin namazin. Prandaj, bëj që zemrat e njerëzve të ndiejnë dashamirësi për ata dhe jepu fruta, me qëllim që ata të të falënderojnë.”

Kur e falën namazin, Allahu i Madhëruar i bëri zemrat e njerëzve të mallëngjyer për ta duke ndërtuar shtëpinë e Tij atje, i furnizoi me fruta dhe i siguroi nga frika. Nuk ka asnjë çudi në këtë sepse ky është ndikimi i namazit të cilin fatkeqësisht shumica e njerëzve nuk e kuptojnë. Ky është shkaku që besimtari i sinqertë dhe namazfalës respektohet në mesin e njerëzve.

2- Namazi i Profetit Shuajib as

Profeti Shuajib e thirri popullin e tij në monoteizëm, pastaj i urdhëroi ata të braktisin mangësinënë masë dhe në peshë. Ai (Paqja qoftë mbi të!) falej shumë dhe populli i tij ia mohonte namazin dhe nuk e pranoni thirrjen e tij në besim. Kur e shihnin Profetin Shuajib duke u falur ata talleshin me atë. Në ajetin 87 të sures Hud thuhet: 

﴿ قَالُوا يَا شُعَيْبُ أَصَلَاتُكَ تَأْمُرُكَ أَنْ نَتْرُكَ مَا يَعْبُدُ آبَاؤُنَا أَوْ أَنْ نَفْعَلَ فِي أَمْوَالِنَا مَا نَشَاءُ إِنَّكَ  لَأَنْتَ الْحَلِيمُ الرَّشِيدُ ﴾

Ata thanë: “O Shuajb, a mos vallë namazi yt urdhëron që ne t’i lëmë ato që i kanë adhuruar të parët tanë ose që të mos bëjmë me pasurinë tonë çfarë të duam? Qenke njëmend i butë dhe i drejtë ti!”

Ajeti fisnik tregon se Profeti i Allahut, Shuajbi (Paqja qoftë mbi të!) kujdesej shumë për namazin, por populli i tij talleshin me namazin e tij, pasi nuk donin që namazi të sundonte zakonet e tyre shoqërore dhe ekonomike. Këtë gjë e shohim edhe sot. 

3- Namazi i Profetit Musait as

Në ajetin 14 të sures Ta Ha, Allahu e urdhëron Profetin Musa (as) dhe i thotë: 

وَأَقِمِ الصَّلَاةَ لِذِكْرِي)

“Fale namazin për të më kujtuar Mua.”

4- Namazi i Profetit Daud as

Profeti Daud (Paqja qoftë mbi të!) i afrohej Allahut me vepra të mira. Për shkak të fkërkimit të shumtë të faljes dhe adhurimit të shpeshtë, Allahu i Madhëruar e lavdëroi atë, siç thotë ajeti 24 i sures Sad:

 ﴿ قَالَ لَقَدْ ظَلَمَكَ بِسُؤَالِ نَعْجَتِكَ إِلَى نِعَاجِهِ وَإِنَّ كَثِيرًا مِنَ الْخُلَطَاءِ لَيَبْغِي بَعْضُهُمْ عَلَى بَعْضٍ إِلَّا  الَّذِينَ آمَنُوا وَعَمِلُوا الصَّالِحَاتِ وَقَلِيلٌ مَا هُمْ وَظَنَّ دَاوُودُ أَنَّمَا فَتَنَّاهُ فَاسْتَغْفَرَ رَبَّهُ وَخَرَّ رَاكِعًا  وَأَنَابَ ﴾ 

Daudi tha: “Vërtet, ai të ka bërë padrejtësi që të ka kërkuar delen tënde të vetme, për ta bashkuar me delet e veta. Shumë bashkëpronarë i bëjnë padrejtësi njëri-tjetrit, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira, por ata janë pak”. Daudi e kuptoi, se në të vërtetë Ne e kishim vënë në provë atë, prandaj kërkoi falje nga Zoti i vet, ra në gjunjë dhe u përul, duke u penduar.”

5- Namazi i Profetit Zekeria as

Ai nuk pushoi së luturi dhe së kërkuari nga Allahu që ta gëzonte me fëmijë. Nuk e ndërpreu adhurimin dhe të drejtuarit kah Zoti i tij. Si shkak i kësaj atij i erdhi lajmi i gëzuar në kohën që ishte në mihrabin e namazit. Në ajetin 39 të Sures Ali Imran thuhet:  

﴿ فَنَادَتْهُ الْمَلَائِكَةُ وَهُوَ قَائِمٌ يُصَلِّي فِي الْمِحْرَابِ ﴾، 

“E ndërsa lutej në këmbë, në faltore, engjëjt e thirrën (Zekerijan): “Allahu të jep lajmin e mirë për Jahjain, i cili do të vërtetojë Fjalën e Allahut (Isain a.s.), do të jetë një fisnik, i dëlirë dhe profet, një prej të mirëve”.

Engjëjt i folën dhe ia dhanë lajmin e gëzueshëm profetit Zekeria kur ai po qëndronte duke u falur në mihrabin e adhurimit të tij, në vendin e vetmisë, të lutjeve dhe përgjërimeve të tij.

Një nga shkaqet e përgjigjes së lutjes është përgjërimi ndaj Allahut të Madhëruar në pozicionin e sexhdes apo në çdo pozicioni tjetër në namaz, sepse Allahu i Madhëruar e përmendi përgjigjen e Tij ndaj disa prej profetëve në lutjet e tyre, duke përfshirë edhe Profetin e tij Zekerija, paqja qoftë mbi të, ndërsa ai ishte duke qëndruar në mihrab duke u falur.

6- Namazi i Profetit Isa as

Allahu i Madhëruar në Kur’an përmend thënien e Isait i biri i Merjemes  (Paqja qoftë mbi ata të dy!): 

 ﴿وَجَعَلَنِي مُبَارَكًا أَيْنَ مَا كُنتُ وَأَوْصَانِي بِالصَّلَاةِ وَالزَّكَاةِ مَا دُمْتُ حَيًّا﴾[1]، 

“dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zeqat sa të jem gjallë.” (Sure Merjem, ajeti 31.) 

7- Namazi i Profetit Muhamed saas

Allahu e urdhëroi të zgjedhurin e Tij të dashur, Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) duke thënë: 

﴿أَقِمِ الصَّلاَةَ لِدُلُوكِ الشَّمْسِ إِلَى غَسَقِ اللَّيْلِ وَقُرْآنَ الْفَجْرِ إِنَّ قُرْآنَ الْفَجْرِ كَانَ مَشْهُودًا * وَمِنَ اللَّيْلِ فَتَهَجَّدْ بِهِ نَافِلَةً لَّكَ عَسَى أَن يَبْعَثَكَ رَبُّكَ مَقَامًا مَّحْمُودًا﴾[2]، 

“Kryeje namazin prej kthimit të Diellit (nga gjysma e qiellit) deri në errësirën e natës dhe këndo Kuran në agim; me të vërtetë, Kur’ani i mëngjesit është i dëshmuar (nga engjëjt).”

79. Kaloje një pjesë të natës, si falje shtesë për ty (Muhamed)! Është e vërtetë se Zoti yt do të të vendosë ty në një vend të lavdëruar.” (Sure Isra, ajetet 78-79). 

Dhe: 

﴿وَأَقِمِ الصَّلاَةَ طَرَفَيِ النَّهَارِ وَزُلَفًا مِّنَ اللَّيْلِ إِنَّ الْحَسَنَاتِ يُذْهِبْنَ السَّيِّئَاتِ﴾[3].

“Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija…” (Sure Hud, ajeti 114.)

Kushdo që e studion me vëmendje jetën e të Dërguarve (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta!) do të vërejë tek ata besimin e fortë në Allahun e Plotfuqishëm dhe gjithashtu do të vërejë në të pajisjen për t’i rezistuar gjendjeve të dëshpërimit dhe pesimizmit.

Është obligim për ne që të ndjekim shembullin e të Dërguarve (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta!) në besimin, adhurimin dhe sjelljen e tyre. Sepse ata janë njerëzit më të mëdhenj në besimin dhe njohjen e Zotit të Madhëruar, dhe më adhuruesit e Zotit të Madhëruar, dhe më të frikësuarit ndaj Tij dhe të mbështetur tek Ai.

Në ajetin 6 të sures Mumtehine Allahu i Madhëruar thotë:

 لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِيهِمْ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِمَنْ كَانَ يَرْجُو اللَّهَ وَالْيَوْمَ الْآخِرَ ۚ

“Vërtet, ata njerëz janë një shembull i mirë për ju e për këdo që shpreson në Allahun dhe në Ditën e Fundit” https://youtu.be/MoRdOeJanww