Në suren Ali Imran, ajeti 31 thuhet:
قُلْ إِن كُنتُمْ تُحِبُّونَ ٱللَّهَ فَٱتَّبِعُونِى يُحْبِبْكُمُ ٱللَّهُ وَيَغْفِرْ لَكُمْ ذُنُوبَكُمْ ۗ وَٱللَّهُ غَفُورٌ رَّحِيمٌ
“Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”.
Prania e profetit tonë të dashur ka qenë, është dhe do të mbetet themeli më i fortë i unitetit të myslimanëve. Ashtu si s’ka kuptim jeta pa dritë, pa qetësi e pa paqe, po ashtu, ajo nuk ka kuptim pa praninë e profetit Muhamed. Sepse besimi i myslimanëve në Profetin shoqërohet e bashkohet me dashurinë dhe përmallimin për të. Ai është strumbullari i dashurisë dhe i bashkimit të mbarë myslimanëve. Prania e tij është i zbut zemrat e myslimanëve, e i bashkon ata me njëri-tjetrin.
Dashuria për profetin Muhamed është rruga drejt Xhennetit dhe porta e dashurisë së Allahut të Madhëruar. Dashuria për profetin (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është dashuri dhe sinqeritet për Allahun Fuqiplotë.
Profeti (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka qenë vetë Kur’ani, sepse i gjithë Kur’ani ishte kristalizuar në vetë qenien e tij. Kur ecte, e kur fliste, e ndriçonte çdo gjë me dritën e Kur’anit.
Ta duash profetin, do të thotë të zbatosh porositë, këshillat, urdhëresat dhe ndalesat që ai ka urdhëruar. Zbatimi i Synetit të profetit Muhamed është argumenti më i madh dhe më i fuqishëm i dashurisë për të. Prandaj, është detyrë e të gjithë myslimanëve që të njihen dhe ta zbatojnë Synetin (fjala, vepra, çfarë ka bërë e çfarë nuk ka bërë Profeti) e Profetit. Syneti i Profetit është (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) shpallje e shpallur, siç thotë Kur’ani: “Ai nuk flet sipas dëshirës së vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje e shpallur, që i vjen atij. Atë ia ka mësuar atij një (melek) shumë i fuqishëm (Xhebraili).” (Sure “Nexhm”, ajetet 3-5.)
Për sot kam përzgjedhur dhjetë mësime të ndryshme nga hadithet e Profetit Muhamed (s).
1- Rëndësia e namazit
Transmetohet nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Sigurisht që shtylla e fesë është namazi. Ai do të jetë i pari që do të shihet prej punëve të birit të Ademit. Nëse ai është i rregullt do të shihen edhe punët e tjera të tij. Nëse nuk është i rregullt nuk do të shihen punet e tjera të tij.”
2- Juristët dhe Prijësit
I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)ka thënë: “Nëse dy lloje njerëzish prej ummetit tim janë të ndrequr i gjithë ummeti është i ndrequr. Nëse ata prishen i gjithë ummeti prishet. E pyetën: Kush janë ata të dy o i Dërguari i Allahut? Ai u përgjigj: Juristët (el fukahau) dhe prijësit (el umerau).”
3- Mirësia e dërgimit të salavatit
I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)ka thënë: “Kush më dërgon mua salavat Allahu do t’i veshë atij rrobën e shëndetit.”
4- Fytyra e qeshur dhe fjala e mirë
Profeti Muhammed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ju nuk do t’i bëni të lumtur njerëzit me pasurit tuaja, prandaj takojini ata me fytyrë të qeshur dhe me fjalë të mira.”
5- Turpi
Transmetohet nga i Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij!) se ka thënë: “Ai që nuk ka turp në jetën e tij nuk do të hyjë në Xhennet.”. Në një hadith tjetër Profeti ka thënë se ai që nuk ka turp bën cdo gjë.
6- Pasoja e shikimit frikësues
Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush e shikon besimtarin me një shikim frikësues, Allahu do ta frikësojë atë (shikuesin) në Ditën që nuk gjendet veçse hija e Tij.”
7- Sytë që nuk lotojnë në Ditën e Kijametit
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O Ali: Të gjithë sytë do të lotojnë në Ditën e Kijametit me përjashtim të tre syve: syri i cili qëndron zgjuar në rrugën e Allahut, syri i cili i shmanget atyre që i ka ndaluar Allahu dhe syri i cili loton nga frika e Allahut.”
8- Tradhëtia e muslimanit
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nuk është prej nesh kush e tradhëton muslimanin në familjen e tij dhe në pasurinë e tij.”
9- Shkatërrueset e shtëpisë
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Katër cilësi kur hyjnë në një shtëpi e shkatërrojnë atë dhe nuk ka bereqet në të. Ato janë: tradhëtia, vjedhja, pirja e alkoolit dhe kurvëria.”
10- Të urdhëruarit për mirë dhe të ndaluarit nga e keqja
Transmetohet nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Umeti im do të vazhdojë të jetë në mirësi, përderisa ata urdhërojnë për të bërë mirë dhe ndalojnë nga e keqja, bashkëpunojnë me mirësi dhe devotshmëri. Nëse nuk veprojnë kështu, prej tyre do të largohen bereqetet dhe do të jenë sundues të njëri-tjetrit. Për ata nuk do të gjendet përkrahës as në tokë e as në qiell”. https://youtu.be/e_Qs35Z_-So

