Profeti Muhamed (s.a.a.s) dritë e pashuar

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është I Gjithëdijshëm për çdo gjë.” (Sure “Ahzab”, ajeti 40)

Askush nuk ka personalitet më të lartë se ai i burrit më të madh e më të përkryer, profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). 

Në të gjitha kohët nuk është dukur si ky personalitet i lartë, i cili bëri ndryshime rrënjësore e të gjëra në historinë e njerëzimit. Qytetërimi që solli profeti vazhdon të ushqejë mbarë botën me njohje dhe dije për shekuj të tërë dhe do të vazhdojë deri në fund të kësaj bote. 

Asnjë njeri nuk është në gjendje që të sqarojë në mënyrë të plotë dimensionet e personalitetit të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ajo sasi njohjeje për profetin nga ana e myslimanëve është e mjaftueshme që ata të sigurojnë vazhdimësinë e lëvizjes së tyre drejt përsosurisë dhe unitetit islam. I porosis të gjithë myslimanët në mbarë botën që të punojnë sa më shumë në njohjen e dimensioneve të personalitetit të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), të ecin në gjurmët e jetës së tij, të moralit të tij dhe sipas mësimeve të tij madhështore.

Doktor Maikëll Hart, profesor i matematikës, astronomisë dhe fizikës në Universietin amerikan si dhe specialist në grupin kozmik amerikan thotë: “E zgjodha Muhamedin të parin në listë dhe shumë njerëz kanë të drejtë të çuditen me këtë zgjedhje. Mirëpo Muhamedi është njeriu i vetëm në histori i cili korri sukses të plotë qoftë nga ana fetare ashtu edhe ajo jetësore. Ai ftoi në Islam dhe e përhapi atë si një ndër fetë më madhështore. Ai ishte udhëheqës politik, ushtarak dhe fetar. Pas kalimit të 13 shekujve nga vdekja e tij, gjurmët dhe ndikimet e Muhamedit vazhdojnë të jenë të forta dhe ringjallëse.” 

Madhështia e profetit Muhamed duket shumë qartë në ndryshimin e madh që bëri në Gadishullin Arabik duke e nxjerrë atë nga skëterrat e injorancës dhe paganizmit në dritën e monoteizmit. 

Historia e jetës së Profetit tonë të dashur, Muhamedit është më e qartë se historitë e profetëve paraardhës. Nga profetët e mëparshëm kanë mbetur ato gjurmë të vërteta që ka ruajtur Islami nëpërmjet Librit të tij, Kur’anit të Shenjtë. 

Mesazhi i profetit Muhamed  është shumë i lehtë dhe përmban kuptime të ndritura, që e pasurojnë dhe e ndriçojnë mendjen dhe zemrën e shëndoshë të çdo njeriu. 

Mesazhi që solli profeti Muhamed është i pastër nga legjendat dhe paganizmat. 

Mesazhi që shpalli profeti Muhamed  sjell qetësi, ngrohtësi dhe paqe në shpirtra, sepse përmendet Allahu. Në Kur’an thuhet: “Sigurisht, me përmendjen e Allahut qetësohen zemrat.” (Sure “Rra’ad”, ajeti 28.)

Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Sure “Ahzab”, ajeti 21)

Prej çështjeve të rëndësishme të njeriut në rrugëtimin e tij në këtë jetë është që të dijë se cilin ndjek dhe pason. Të njihet me virtytet e atij që ndjek dhe pason. Nëse njeriu nuk e njeh atë ndjek dhe pason, padyshim që do të përballet me pasoja në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër.

Ne muslimanët e njohim mirë ndjekësin tonë dhe jemi krenarë që jemi prej bashkësisë së tij. Ndjekësi, mësuesi, udhëzuesi dhe udhërëfyesi ynë është profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). 

Profeti ynë i dashur është profeti i mëshirës, siç na thotë Kur’ani i shenjtë: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (Sure “Enbija”, ajeti 107).

Ai është shembulli më i mirë për mbarë njerëzimin dhe jo vetëm për muslimanët. Allahu i Madhëruar thotë: “Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Sure Ahzab”, ajeti 21.)

Allahu e dërgoi Profetin Muhamed dëshmitarë,  përgëzues dhe paralajmërues. Në Kur’anin e shenjtë thuhet: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues.” (Sure “Ahzab”, ajeti 45) 

Profeti ynë i dashur ftoi në rrugën e Allahut, të paqes e të mirësisë. Është pishtar ndriçues. Allahu i Madhëruar thotë: “njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues.” (Sure “Ahzab”, ajeti 46)

Me moralin e tij, me dijen e tij, me urtësinë e tij dhe me sjelljen e tij ai ndriçoi gjithësinë. Drita e tij nuk ndriçonte vetëm kur shkonte në xhami apo kur kryente adhurimet, por drita e tij ndriçonte në çdo vend që ai shkonte dhe në çdo punë që ai bënte. Drita e tij është e pashuar, sepse drita e ti është e lidhur me dritën e Allahut, i Cili është drita e qiejve dhe e Tokës.

Përkujtimi i ditëlindjes së profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk duhet të jetë ceremoni formale. Ajo është një kohë shumë e volitshme për të muslimanët që të jenë të bashkuar. Bota islame sot ka shumë nevojë për ringjalljen e kujtimit të lindjes së profetit më të ndëruar, profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Gjithashtu, e gjithë njerëzia ka nevojë për këtë emër të bekuar dhe për këto ceremony të begata dhe për mësimet e tij udhëzuese. Duhet që bota islame në veçanti dhe e mbarë njerëzia në përgjithësi të njihen me këtë xhevahir.

Dijetarët muslimanë, intelektualët, shkrimtarët, poetët dhe artistët në të gjitha vendet islame duhet të zbulojnë dhe të përhapin imazhin e vërtetë të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). 

3- I Dërguari i Allahut (S) ka thënë: Zoti im më ka dhënë shtatë porosi të cilat pu jua përcjell juve:

1- Më këshilloi të jem i sinqertë në fshehtësi dhe haptasi.

2- Të bëj drejtësi në kënaqësi dhe në zemërim.

3- Balancim në pasuri dhe varfëri.

4- Ta fal atë që më bën mua padrejtësi.

5- T’u jap atyre që më privojnë.

6- Të mbaj lidhje me ata që i prenë lidhjet me mua.

7- Që heshtja ime të jetë mendim, e folura ime të jetë përmendje (dhikr) dhe shikimi im të jetë mësim”.

I Dërguari i Allahut (S) ka thënë:

1- Ruhu nga gjërat e ndaluara dhe do të jesh më i devotshmi i njerëzve.

2. Bëhu i kënaqur me atë që Zoti ka ndarë për ty dhe do të jesh më i pasuri i njerëzve.

3. Bëhu i mirë me fqinjin tënd dhe do të jesh besimtar.

4. Duaje për njerëzit atë që do për vete dhe do të jesh musliman.

5. Mos qesh shumë, sepse e qeshura e tepërt e vret zemrën.”

Allahu na bëftë prej të dashurve të Profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe na mbarësoftë që të jemi në rrugën e tij në këtë jetë dhe na bashkoftë me profetin në Jetën Tjetër! https://youtu.be/66Gm-Jmz6lM