Në sure “Ahzab”, ajeti 21 thuhet:
لَقَدْ كَانَ لَكُمْ فِيهِمْ أُسْوَةٌ حَسَنَةٌ لِّمَن كَانَ يَرْجُواْ ٱللَّهَ وَٱلْيَوْمَ ٱلْءَاخِرَ ۚ وَمَن يَتَوَلَّ فَإِنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلْغَنِىُّ ٱلْحَمِيدُ
“Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe tek Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.”
Ai është drita e pashuar, edukuesi i përkryer dhe udhëheqësi më i drejtë. Prandaj, ai ka qënë, është dhe do të mbetet shembull për të gjithë njerëzit e çdo kohe dhe të çdo vendi pa dallim kombi, race, gjuhe e ngjyre.
Ta duash profetin, do të thotë të zbatosh porositë, këshillat, urdhëresat dhe ndalesat që ai ka urdhëruar. Zbatimi i Synetit të profetit Muhamed është argumenti më i madh dhe më i fuqishëm i dashurisë për të. Prandaj, është detyrë e të gjithë myslimanëve që të njihen dhe ta zbatojnë Synetin (fjala, vepra, çfarë ka bërë e çfarë nuk ka bërë Profeti) e Profetit. Prej thënieve madhështore e brilante të Profetit Muhamed (s) është edhe Hytba e Lamtumirës të cilën e ka mbajtur në Haxhin e Lamtumirës. Kjo hytbe brilante përmban mësime të ndritura e të dobishme për çdo popull dhe për çdo kohë. Në emisionin e kaluar përmendëm 14 mësime nga pjesa e parë e Hytbes. Sot do të përmendim edhe 14 mësime të tjera që përmban Hytbja e Lamtumirës.
Mësimi i parë: Largimi nga përgojimi: O njerëz, iu largoni ngatërresave dhe përgojimit!
Mësimi i dytë: Pasojat e atij që shpif: Le të jenë të mallkuar në të dyja botët ata që u bëjnë shpifje grave të ndershme! Ata që i akuzojnë gratë e ndershme për tradhti në martesë ose për imoralitet, e për këtë nuk mund të sjellin katër dëshmitarë të besueshëm, dënojini me tetëdhjetë goditje (shkopinj) dhe mos u besoni më asnjëherë, sepse janë të ulët dhe të këqinj! Nëse e ndjeni se ndaj grave tuaja ju është dobësuar dashuria, mos nxitoni (në shkurorëzim) por mendohuni mirë, sepse nëpërmjet këtij sprovimi, All’llahu ju udhëzon në rrugët e së ardhmes së re dhe të madhe me të cilën dëshiron t’ju përgëzojë.
Mësimi i tretë: Shkurorëzimi pa shkaqe. Mos kërkoni shkurorëzim pa shkaqe të arsyeshme, sepse prej të gjitha gjërave që ka ndaluar All’llahu është shkurorëzimi. Gratë tuaja janë amanet i Zotit; prandaj respektojeni këtë amanet të Zotit!
Mësimi i katërt: Mosndjekja e djallit: O njerëz, sot, djalli i mallkuar është i dëshpëruar, sepse ka pësuar humbje dhe nuk mundet të ndikojë te ju. Megjithatë, gjithnjë bëhuni të kujdesshëm, që ai i mallkuari të mos ju largojë as në gjërat më të vogla!
Mësimi i pestë: Testamenti dhe trashëgimia. O njerëz, kur e caktoni dhe e ndani ndërmjet vetes trashëgiminë, bëhuni të drejtë dhe përmbajuni Librit të Zotit (Kur’anit)! Ruajeni pasurinë e të miturve, të të paaftëve dhe të të marrëve. Zoti ia ka dhënë gjithkujt të drejtën e vet. Nuk i lejohet gruas të japë nga pasuria e burrit të vet pa lejen e tij. Borxhi duhet paguar, ndërsa sendi i huajtuar duhet kthyer.
Mësimi i gjashtë: Mirësjellja me robërit. Me robërit dhe shërbëtorët silluni njerëzisht! Ushqejini ata sikurse ushqeheni vetë, dhe vishini ata sikurse visheni vetë. Mos guxoni t’u bëni keq e t’i keqtrajtoni. Edhe ata janë njerëz, edhe ata janë shërbëtorë të Zotit.
Mësimi i shtatë: Vëllazëria myslimane. O njerëz, dijeni dhe mos harroni se të gjithë myslimanët janë vëllezër. Ju jeni plotësisht të barabartë në të drejta dhe në detyra. Arabi ndaj joarabit nuk ka kurrfarë përparësie e kjo vlen edhe për të ziun ndaj të bardhit, përveçse në devotshmëri. Të gjithë ju jeni pasardhësit e Ademit e Ademi është krijuar nga dheu.
Mësimi i tetë: Dashuria dhe respekti për njëri-tjetrin. O njerëz, kujdesuni për njëri-tjetrin, duajeni dhe ndihmojeni njëri-tjetrin! Mos guxoni ta fyeni apo ta grabitni njëri-tjetrin. Këto janë gjynahe të rënda. Merrni vetëm atë që ju jepet me dëshirë!
Mësimi i nëntë: Respektimi i pasurisë së tjetrit. Respektojeni pacënueshmërinë e pasurive tuaja, derisa të jeni në frymën e Ligjeve të Zotit. Islami dhe interesi i përgjithshëm le të jetë mbi ju dhe mbi interesin tuaj!
Mësimi i dhjetë: Interesimi për Islamin. Përkushtojani Islamit jetën tuaj dhe në punën për Islamin jepni prej vetes gjithçka që mundeni!
Mësimi i njëmbëdhjetë: Respektimi i të drejtave. Kurrë mos e shkelni të drejtën dhe nderin e tjetrit! Mos i bëni dhunë vetes! Mos harroni se mëshira është një ndër themelet e Islamit!
Mësimi i Dymbëdhjetë: Kur’ani dhe Ehli Bejti. O njerëz, dëgjoni se ç’po ju them dhe mbajeni mend mirë! Po ju lë dy gjëra me vlerë të madhe. Nëse kapeni pas tyre ju kurrë nuk do të humbisni. Ato janë Libri i Allahut dhe gjeneza ime, Ehli Bejti im, (në disa transmetime thuhet sunetin e profetit tuaj). Kur’ani është libër i qartë dhe i shenjtë, vepër e vërtetë e All’llahut dhe fjala e Tij, në vërtetësinë e të cilit nuk ka asnjë dyshim. Para vetes e keni tërë jetën time, të gjitha fjalët dhe veprat e mia, gjithçka që kam folur dhe punuar. Jam përpjekur të jenë në përputhje të plotë me urdhrat e All’llahut, vërtet nuk do të gaboni, nëse i përmbaheni Kur’anit (Librit të Zotit) dhe familjes time.
Mësimi i trembëdhjetë: Përmbyllja e profecisë me profecinë e Profetit Muhamed. O njerëz, pas meje nuk do të vijë më i Dërguar tjetër nga Zoti dhe pas jush populli nuk do të ketë më Pejgamber! Pra, bëni ibadet dhe adhuroni Zotin; agjëroni muajin e Ramazanit; jepni zekatin me zemër të plotë dhe të kënaqur dhe kryejeni haxhin. Kështu, do të hyni në Xhennetin e Zotit të Madhëruar!
Mësimi i katërmbëdhjetë: Thënia e së vërtetës, largimi nga urrejtja. O njerëz, thoni gjithnjë të vërtetën e pastër! Asnjëherë të mos ju largojë urrejtja nga rruga e drejtë. Drejtësia është motra e devotshmërisë. Frikësojuni All’llahut se Ai i sheh mirë veprimet tuaja!
O njerëz, e dëgjuat porosinë time. Atëherë, futeni atë në zemrën tuaj dhe në jetën tuaj! Të gjithë ata që i dëgjuan fjalët e mia, le t’ua përcjellin atyre që nuk i kanë dëgjuar se ndodh që ata i kuptojnë më mirë.
O Zoti im, a e përmbusha detyrën dhe misionin e besuar?” Mbi njëqind mijë haxhinj folën njëzëri: O i Dërguari i Zotit, ti e përmbushe misionin tënd besnikërisht dhe na e komunikove atë që të urdhëroi Zoti… Atëherë, Profeti Muhammed (Paqja dhe bekimet e All’llahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) tha: “O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo! O Zot, dëshmo!” I pranishmi të lajmërojë jo të pranishmin.
Në suren suren “Ali Imran”, ajeti 31 Allahu thotë:
قُلْ إِنْ کُنْتُمْ تُحِبُّونَ اللّهَ فَاتَّبِعُونی یُحْبِبْکُمُ اللّهُ وَ یَغْفِرْ لَکُمْ ذُنُوبَکُمْ وَ اللّهُ غَفُورٌ رَحیمٌ
“Thuaju (o Muhamed): Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë.”

