Mësime nga surja Ikhllas

Në suren En’am, ajeti 155 Allahu i Madhëruar thotë:

 ﴿وَهذا كِتابٌ أَنْزَلْناهُ مُبارَكٌ فَاتَّبِعُوهُ واتَّقُوا لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ﴾

“Ky Libër që kemi shpallur, është i bekuar, prandaj ndiqeni dhe frikësojuni kundërshtimit, në mënyrë që të mëshiroheni.”

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Alahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i ka thënë Selamn Farisiut: “O Selman, lexoje Kur’anin, sepse leximi i tij është shlyerje e mëkateve, mbulesë në Xhehenem dhe siguri nga mundimi. ” 

Burimi: Kenzul Umma; i Mutekij El Hindij, vëll. 1, f. 510.

Kur’ani i Shenjtë është themeli i fesë dhe porta e Islamit. Është Libri i Krijuesit në të cilin Ai ka vendosur ligjet e Tij dhe të vërtetat e fesë së Tij dhe ua ka zbritur njerëzve si udhërrëfyes dhe pishtar ndriçues për t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat në dritë. Allahu urdhëron që t’i përmbahemi Kur’anit, sepse ajo është Fjala dhe vullneti i Tij i plotë për njerëzimin në çdo kohë dhe vend. Kushdo që dëshiron të arrijë te Allahu, le të ndjekë rrugën e Tij dhe të udhëzohet me udhëzimin e Tij. Kush është i udhëzuar është i udhëzuar prej Tij, e kush humbet është ai që i largohet Allahut.

Sot do të flasim për mësimet që përmban surja Ikhlas ose siç njihet ndryshe surja Kul Huvalla’llahu ehad.  Kjo është surja e 112-të e Kur’anit dhe ka katër (4) ajete.

Në këtë sure Allahu i Madhëruar thotë:

بسم الله الرحمن الرحيم

قُلْ هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ  اللَّهُ الصَّمَدُ  لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ  وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَد

Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm

1. Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm!

2. Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim.

3. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur.

4. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!”

Kjo sure e begatë flet për Njëshmërinë e Allahut. Në katër ajete të shkurtra është përshkruar në mënyrën më të përsosur Njëshmëria e All’llahut.

Në një hadith të Imam Sadikut (Paqja e Zotit qoftë mbi të!) përmendet shkaku i zbritjes së sures Ikhllas. Në hadith thuhet se një jahudi i kërkoi të Dërguarit të All’llahut (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) që t’i përshkruajë Alahun. Profeti Muhammed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) qëndroi tri ditë në heshtje dhe nuk i ktheu përgjigje, deri sa zbriti kjo sure.”

MIRËSITË E LEXIMIT TË SURES IKHLAS

Janë transmetuar shumë hadithe për sa u përket mirësive të leximit të kësaj sureje. Në një prej haditheve të Profetit Muhammed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) lexojmë: “Kush prej jush është i pamundur që të lexojë një të tretën e Kur’anit në një natë?!”.

– O i Dërguari i All’llahut! Po kush mund të bëjë një punë të tillë, në një natë?! – tha një prej të pranishmëve.

– Lexoni suren “Kulhu’uall’llahu e had”, – tha Profeti Muhammed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!).

NGA KJO SURE MËSOJMË:

1- Profetët janë besnikë të shpalljes këtë e vërtetën edhe thënia Thuaj. është jashtë logjike që një njeri i ngarkuar me mision udhëzimi, edukimi e pastrimi shpirtëror të jetë tradhëtar, mëkatar dhe i shthurur. Të urdhërojë të tjerët në të mira dhe vetë të mos i veprojë. Apo t’i ndalojë të tjerët nga e keqja dhe vetë ai ta veprojë. 

2-Allahu është një i Vetëm i Pashoq. Në ajetin 22 të sures Enbija thuhet:

لَوْ كَانَ فِيهِمَآ ءَالِهَةٌ إِلَّا ٱللَّهُ لَفَسَدَتَا ۚ فَسُبْحَٰنَ ٱللَّهِ رَبِّ ٱلْعَرْشِ عَمَّا يَصِفُونَ

“Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar Allahu, Zoti i Fronit dhe i lartësuar mbi çka i përshkruajnë Atij!”

Çdo gjë në këtë ekzistencë dëshmon se nuk zot tjetër përveç Allahut. Në ajetin 53 të sures Fusilet thuhet: “Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se Ai është e vërteta… “

3- Allahu është gjithmonë me ne (ue huue makum ejne ma kuntum, ajeti 4 sure hadijd) edhe pse nuk e shohin sytë. Në suren En’am, ajeti 103 thuhet: 

لَّا تُدْرِكُهُ الْأَبْصَارُ وَهُوَ يُدْرِكُ الْأَبْصَارَ ۖ وَهُوَ اللَّطِيفُ الْخَبِيرُ 

“Shikimet njerëzore nuk mund ta arrijnë Atë, ndërkohë që Ai i arrin shikimet e të gjithëve. Ai është Bamirës i pakufi dhe di çdo gjë.” 

4- Allahu është Një në çdo gjë: në Qenie, në atribute, në dije, në jetë në fuqi. 

5- T’i drejtohemi Allahut për gjithçka dhe t’i mbështetemi Atij. Të gjitha krijesat ia kanë nevojën Krijuesit. Vetëm Allahu e meriton që t’i drejtohemi. Ijake na’bud ue ijake nesteijn. 

6- Ai është i Pasuri i vërtetë dhe absolut dhe gjithçka përveç Tij është nevojtare. Në suren Fatir ajeti 15 thuhet: 

يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ أَنتُمُ ٱلْفُقَرَآءُ إِلَى ٱللَّهِ ۖ وَٱللَّهُ هُوَ ٱلْغَنِىُّ ٱلْحَمِيدُ

“O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd.”

7- Pyetje u duhet dhënë përgjigje. Duhet shfaqur besimi i drejtë tek të tjerët. 

8- Meqenëse Allahu është Ai që i drejtohen dhe i mbështeten krijesat dhe përderia Ai është i Vetmjaftueshëm, kjo tregon se Ai nuk ka nevojë as për fëmijë e as për prindër dhe nuk është i lindur nga askush. Në ajetin 111 të sures Isra thuhet: 

وَقُلِ ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ ٱلَّذِى لَمْ يَتَّخِذْ وَلَدًا وَلَمْ يَكُن لَّهُۥ شَرِيكٌ فِى ٱلْمُلْكِ وَلَمْ يَكُن لَّهُۥ وَلِىٌّ مِّنَ ٱلذُّلِّ ۖ وَكَبِّرْهُ تَكْبِيرًۢا

Thuaj: “Çdo lavd e falënderim i përket Allahut, i Cili nuk ka fëmijë, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës. Madhëroje Atë, duke ngritur lart madhështinë Tij!”

Ndërsa në ajetin 3 të sures Xhin thuhet:

وَأَنَّهُ تَعَالَى جَدُّ رَبِّنَا مَا اتَّخَذَ صَاحِبَةً وَلا وَلَدًا 

“Qoftë lartësuar Madhëria e Zotit tonë! Ai nuk ka zgjedhur as bashkëshorte, as fëmijë.”

9- I linduri nuk mund të jetë kurrë Zot, Krijues. 

10- Askush dhe asgjë nuk i ngjason Allahut. Në ajetin 11 të sures Shura thuhet: 

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ

“Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha.”

Në ligjëratën 286 në Nehxhul Belaga imam Aliu (as) thotë: “Ai nuk ka lindur kënd, që të jetë edhe Vetë i lindur. Nuk është i lindur prej askujt, që të jetë i kufizuar. Nuk ka të ngjashëm me Të, që të krahasohet me kënd. Nuk mund të imagjinohet asgjë apo të ketë ngjashmëri me gjë apo të jetë i barabartë me kënd.”.

Do ta mbyll temën e sotme me fjalët e imam Aliut i cili në ligjëratën e parë në librin Nehxhul Belaga, thotë: 

“Qoftë lavdëruar Allahu, të Cilit nuk ia përshkruan dot vlerat asnjë gojëtar, të Cilit s’mund t’ia numërojë të mirat asnjë numërues, të Cilit s’mund t’ia njohin kurrë hakun (të drejtën) siç i takon njohja ata që përpiqen t’ia njohin, dhe të Cilin s’mund ta kuptojë e ta vlerësojë asnjë mendje e mençuri, sado e ndritur. Lëvduar qoftë Ai, për cilësitë e të Cilit nuk ka asnjë ckufi, nuk bëhet asnjë përshkrim, nuk ekziston asnjë lëvdatë e denjë sa duhet për Të, nuk ekziston asnjë kohë fillimi dhe nuk është caktuar asnjë kohë mbarimi. Ai i krijoi krijesat përmes fuqisë së Tij, i lëshoi erërat mea mëshirën e Tij dhe forcoi nëpërmjet shkëmbenjve mejdanin e tokës së Tij.”  https://fb.watch/vH2gsjS2Io/