Mësime nga ajetet e Kur’anit – Sure Humeze

Tema për sot do të jetë mësime nga Surja Humeze. Kjo është surja e 104 e Kur’anit të Shenjtë dhe ka 9 ajete. Ndodhet në xhuzin e 30 të Kur’anit.

وَيْلٌ لِّكُلِّ هُمَزَةٍ لُّمَزَةٍالَّذِي جَمَعَ مَالا وَعَدَّدَهُيَحْسَبُ أَنَّ مَالَهُ أَخْلَدَهُكَلاَّ لَيُنبَذَنَّ فِي الْحُطَمَةِوَمَا أَدْرَاكَ مَا الْحُطَمَةُنَارُ اللَّهِ الْمُوقَدَةُالَّتِي تَطَّلِعُ عَلَى الأَفْئِدَةِإِنَّهَا عَلَيْهِم مُّؤْصَدَةٌفِي عَمَدٍ مُّمَدَّدَةٍ

Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm

1. Mjerë për çdo përqeshës – shpifës,

2. i cili grumbullon pasuri dhe e ruan,

3. duke menduar se ajo pasuri do ta bëjë të pavdekshëm!

4. Jo, aspak! Në të vërtetë, ai do të hidhet në torturën shkatërruese.

5. E kush mund të ta shpjegojë ty se çfarë është tortura

shkatërruese?

6. Ajo është zjarri i Allahut i ndezur fort,

7. i cili depërton deri në zemrën e njeriut.

8. Ai do t’i rrethojë ata nga çdo anë,

9. në shtylla të gjata flakëruese.

Sipas komentuesve kuptimi i fjalës Humeze dhe Lumeze është Thyerje personaliteti, Fyerje, shpije dhe kërkim i të metave (tek të tjerët).

Kjo sure përmban: Qortim për ata njerëz që vetëm grumbullojnë pasuri dhe pasurinë e konsiderojnë më të rëndësishme dhe që tallin e përqeshin të tjerët. Përmban qortim për pasanikët të egër, egositë e hileqarë, të cilët kënaqen dhe argëtohen duke tallur, përbuzur dhe përqeshur të tjerët.

Në hadithe të ardhura nga Profeti dhe familja e tij e pastër flitet për mirësitë e leximit të sureve të Kur’anit. Për mirësitë e leximit të sures Humeze Imam Xhafer Sadiku (a.s) ka thënë: “Atij, që e lexon (a e këndon) Humeze në namazet farz, i largohet varfëria, i shtohet risku dhe pasuria dhe nuk do të ketë vdekje të shëmtuar.”

NGA KJO SURE MËSOJMË:

1- Feja islame e konsideron shumë të rëndësishme personalitetin dhe nderin e personave. Ndaj edhe përgojimin dhe ofendimin e njerëzve e konsideron si një mëkat shumë të madh. Në një hadith të Profetit Muhammed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: “Njerëzit më të ulët janë ata njerëz që shpifin për të tjerët.”.

2- Tallja dhe përqeshja e të tjerëve, çon në mjerim, siç thotë ajeti i parë i kësaj surje: Mjerë për ata që përqeshin dhe tallin! Pra, mjerë për ata që me gjuhën e tyre thumbojnë dhe me lëvizjen e duarve, të syve dhe të vetullave përqeshin e ofendojnë nga prapa të tjerët apo shpifin e tallin. Mjerë ata që kanë qëllim talljen dhe shpifjen në fjalë e në veprime.

3- Tallja dhe përqeshja e të tjerëve janë prej mëkateve të mëdhaja dhe mëkatet e mëdhaja të çojnë në dënimin më të rëndë. 

4- Prej rrezikut të posedimit të pasurisë është poshtërimi i të tjerëve. Ka shumë të pasur të cilët poshtërojnë të tjerët i ofendojnë, o dhunojnë, i përçmojnë të tjerët. Profeti Muhammed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “A dëshironi t’ju flas për njerëzit më ngatërrestarë?” – Po, o i Dërguari i All’llahut! – iu përgjigjën. Ai u tha: Janë ata që merren me thashetheme në mesin e miqve, krijojnë ndasi dhe kërkojnë të gjejnë një mangësi për njerëzit e pastër dhe të pamëkatë.”

5- Çështjet e moralit janë pjesë e fesë dhe për këtë duhet që besimari të sundojë të shikuarit dhe gjuhën e tij. 

6- Duhet të ruhemi nga mashtirmi i dynjasë dhe të mos ndryshojmë përshkak të pasurisë. Të mos shkelim kufijtë e caktuar nga Allahu, si thuhet në suren Alak, ajetet 6-7: “Por vërtet që njeriu shkel çdo cak, 7. kur mendon se është i vetëmjaftueshëm.”

7- Disa njerëz kënaqen me numërimin e parave të tyre dhe krekosen me ato duke menduar se kjon pasuri do jetë përherë me ata dhe se ajo do ti bëjë të përjetshëm në këtë dynja dhe nuk do ti prekë as sëmundja dhe as vdekja. Sa mendim i gabuar dhe sa imagjinatë boshe! Edhe Karuni kishte aq shumë mall e pasuri, saqë edhe çelësat e thesareve ishin në dorën e tij. Por ato nuk shërbyen për asgjë, nuk mundën ta vononin vdekjen e tij. All’llahu i Madhëruar e zhduku pasurinë e tij me një tërmet: “Ne bëmë që Karunin dhe shtëpinë e tij t’i gëlltiste toka dhe askush nuk arriti që ta mbronte nga dënimi i All’llahut, madje as ai vetë nuk mund ta mbronte veten.” 

8- Asgjë nuk është e përjetshme në këtë dynja sado që të hamendësojë njeriu se është i pavdekshëm. Në suren Rrahman ajetet 26-27 thuhet:  “Çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, 27. e do të mbetet vetëm Fytyra (Qenia) e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.” 

Në një hadith thuhet: “Bëhu në këtë botë si një i huaj, si të jesh kalimtar dhe llogarite veten në mesin e të vdekurve.”

9- Ata që grumbullojnë pasuri dhe nuk shpenzojnë le të presin dënimin e rëndë të Allahut. 

10- Dënimi në Jetën Tjetër është i pashmangshëm për ata që bëjnë gjynahe, mëkate e krime. 

11- Allahu nuk dënon vetëm trupat por dënimi i Tij depërton deri në thellësi të shpritrave e të zemrave të gjynahqarëve e mëkatarëve. i cili depërton deri në zemrën e njeriut.

12- Në fundin e kësaj sureje thuhet për tallësit dhe përqeshësit do të jenë në Xhehenem me dyer të bllokuara. Dhe ky është një dënim i posaçëm për jobesimtarët. Shtyllat e zjarrit ia bllokojnë rrugën banorëve të zjarrit dhe nuk mund të ikin prej Zjarrit. siç thotë ajeti i 9 i kësaj sureje të begatë: në shtylla të gjata flakëruese. https://fb.watch/vP1ioIlPd7/