I urojmë ditën e Flamurit dhe ditën e çlirimit të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen
Në suren Bekare, ajeti 126, Allahu i Madhëruar thotë:
وَإِذْ قَالَ إِبْرَاهِيمُ رَبِّ اجْعَلْ هَذَا بَلَداً آمِناً وَارْزُقْ أَهْلَهُ مِنَ الثَّمَرَاتِ مَنْ آمَنَ مِنْهُمْ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الْآخِرِ قَالَ وَمَنْ كَفَرَ فَأُمَتِّعُهُ قَلِيلاً ثُمَّ أَضْطَرُّهُ إِلَى عَذَابِ النَّارِ وَبِئْسَ الْمَصِيرُ
“Kur Ibrahimi u lut e tha: ‘Zoti Im, bëje këtë vend qytet të sigurt dhe furnizoji me prodhime banorët e tij, ata që besojnë në Allahun dhe në Jetën Tjetër! – Allahu tha: ‘Atë që nuk beson, për pak kohë do ta bëj që të kënaqet e pastaj do ta hedh në dënimin e zjarrit.’ Eh, sa vendbanim i keq që është ai!”
Në këtë ajeti profeti Ibrahim i drejtohet Allahut me dy kërkesa: E para që ta bëjë të sigurtë atë vend (Mekë) dhe e dyta t’i furnizojë me prodhime). Këto dy kërkesa të profetit Ibrahim sqarojnë se fetë monoteiste interesohen për vatanin dhe për banorët e tyre.
Është transmetuar se: “Dashuria për atdheun është pjesë e besimit.” (Mustedrek Sefinetul Bihar: vëll. 1, f. 72.)
Allahu ka vendosur tek njeriu shumë instinkte që janë të nevojshme për jetën e tij dhe për kryerjen e rolit të tij në këtë jetë. Ndër këto instinkte është instinkti i tij për dashurinë ndaj atdheut. Njeriu për nga natyra e do atdheun e tij, të baballarëve dhe gjyshërve të tij. Ai e don tokën në të cilën është rritur dhe edukuar, ka thithur ajrin e saj, ka pirë nga uji i saj, ka ngrënë nga të mirat e saj dhe ka thurur në të marrëdhëniet e tij me ata që jetojnë me të në atë tokë.
Për shkak të kësaj dashurie, gjen njerëz të etur për ta ndërtuar dhe për ta mbrojtur atdheun e tyre. Janë të për të sakrifikuar çdo gjë të shtrenjtë e të çmuar për vatani e tyre.
Duhet theksuar se Islami porosit për forcimin e dashurisë për vatanin dhe porosit që brezat të edukohen me këtë dashuri. Kjo dashuri, për të cilën interesohet Islami, nuk mund të jetë dashuri e paqëllimshme dhe pa dobi. Po ashtu, ajo dashuri për atdheun nuk duhet të jetë në kundërshtim me parimet e Islamit. Përkundrazi, ajo dashuri duhet të jetë në përputhje me qëllimet më të larta të Islamit i cili ka si qëllim që në çdo vatan të mbizotërojë besimi, sinqeriteti, paqja, drejtësia, harmonia, solidaritetit, dashuria, mirëkuptimi, respekti. Pra, në vatan të mbizotërojë vetëm e mira
Islami nuk e mohon kombësinë. Këtë e dëshmon ajeti 13 i sures Huxhurat i cili thotë:
يَٰٓأَيُّهَا ٱلنَّاسُ إِنَّا خَلَقْنَٰكُم مِّن ذَكَرٍۢ وَأُنثَىٰ وَجَعَلْنَٰكُمْ شُعُوبًا وَقَبَآئِلَ لِتَعَارَفُوٓاْ ۚ إِنَّ أَكْرَمَكُمْ عِندَ ٱللَّهِ أَتْقَىٰكُمْ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٌ
“O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë.”
Ndërsa në suren Beled, ajeti 1 dhe 2, Allahu betohet në vendlindjen e Profetit Muhamed, Mekën dhe thotë: Betohem për këtë vend, në të cilin ti je i lirë (o Muhamed),”
Në historinë islame lexojmë se i Dërguari i Allahut, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e donte Mekën, në të cilën u lind e u rrit dhe ishte një nga mbrojtësit më të vendosur të Shtëpisë së Shenjtë të Allahut të Madhëruar. Nëse nuk do të ishte detyruar të dilte prej saj, ai kurrë nuk do ta braktiste Mekën.
Është transmetuar se i Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë për Mekën: “Për Allah! Ti je më e mira tokë e Allahut dhe më e dashura tokë te Allahu. Po të mos u dëboja nga ty, nuk do të isha larguar.” (Mijzanul Hikmeti: 4/3566.)
Gjithashtu është transmetuar se kur i Dërguari i Allahut mbërriti në Medine dhe u vendos atje, lutja e tij ishte: “O Zot, na e bëj Medinën të dashur si dashuria për Mekën.”
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dashuria për atdheun është dëshmi e besimit dhe vendet nuk banohen veçse me dashurinë për atdheun.“ Burimi: Tuhful Ukuli, f. 207).
Besimtarët që i duan vendet e tyre, janë të lumtur, pavarësisht nga gjendja e vendit të tyre, i pasur i varfër. Ata jetojnë me të në paqe e në luftë dhe nëse largohen prej tij, i merr malli për vatanin e tyre.
Transmetohet nga Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Prej fisnikërisë së njeriut është e qara e tij për të kaluarën e kohës së tij, dashuria e tij për atdheun e tij dhe ruajtja e vëllezërve të shkuar të tij.” (Biharul Anuar, vëll. 71, f. 246.)
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nuk ka mirësi në atdhe, veçse me siguri dhe lumturi.” Kjo arrihet me besim, vepra të mira, me bashkëpunim me mirësi dhe duke zbatuar urdhërin në të mira dhe të ndaluarit nga e keqja.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më i keqi i vataneve është ai në të cilin banorët e tij nuk janë të sigurtë.”
Imam Aliun (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Pasuria në mërgim është atdhe, kurse varfëria në atdhe është mërgim”.
Në një hadith thuhet: “Nuk është prej fanatizmit që njeriu ta dojë kombin e tij, por prej fanatizmit është që ai t’i shohë të keqijtë e popullit të tij më të mirë se të mirët e njerëzve të tjerë.”
Do ta mbyll këtë temë me leximin e disa vargjeve të vjershës së Teologut, patriotit dhe mësuesit të madh shqiptar Hafiz Ibrahim Dalliu (Allahu e mëshiroftë!) të mbajtur në Ditën e Flamurit:
Flamur shqipe me dy krenë
Që mbanë mbi krye Fatimenë
Të bijën e Muhamet Mustafasë
Të shoqen e Alijyj Myrtezasë
Nanën e Hasan Myxhtebasë
Dhe t’Hysejnit të Qerbelasë
Sa t’kesh për mbrojtës këto të pesë
Valë, valë plot me shpresë!
Urojmë që vatani ynë të jetë i mbushur me siguri e lumturi! Allahu i Plotfuqishëm e ruajtë Shqipërinë dhe i begatoftë shqiptarët kudo që ndodhen! https://youtu.be/OJFA2nyjd-U

