Ndalimi i pjesëmarrjes në tubimet, ku i bëhet mëkat Allahut

Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë: “Ai jua ka shpallur në Libër: Kur të dëgjoni se mohohen fjalët e Allahut dhe bëhet tallje me to, atëherë mos rrini me ata (njerëz që veprojnë kështu), derisa të ndërrojnë bisedë, përndryshe do të ishit si ata. Allahu do t’i tubojë në Xhehennem të gjithë hipokritët dhe mohuesit.” Sure “Nisa”, ajeti 140 Në ajetin 68 të sures “El En’am” përmendet një urdhër i qartë i Pejgamberit (Paqja dhe bekimet e All’llahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) që të largohet nga ata njerëz të cilët tallen me ajetet e Kur’anit dhe flasin për to fjalë që nuk u ka hije. Natyrisht që ky rregull nuk është i kufizuar vetëm për Profetin, por konsiderohet rregull dhe urdhër i përgjithshëm dhe duhet që të gjithë myslimanët ta zbatojnë atë. Ky rregull ka ardhur në formë bisede që i drejtohet Profetit dhe filozofia e tij është shumë e qartë. Ky ajet e përsërit rregullin e cekur më lart për të dytën herë dhe i paralajmëron myslimanët duke u kujtuar atyre rregullin e mëparshëm në Kur’an që i ndalon ata të marrin pjesë në tubimet ku tallet dhe mohohet Kur’ani, me qëllim që organizatorët e këtyre tubimeve të ndalojnë fyerjet dhe të bisedojnë për diçka tjetër: “Ai jua ka shpallur në Libër: Kur të dëgjoni se mohohen fjalët e
Allahut dhe bëhet tallje me to, atëherë mos rrini me ata (njerëz që veprojnë kështu), derisa të ndërrojnë bisedë…” Pas kësaj ajeti na sqaron rezultatin e kësaj vepre dhe përforcon se kush merr pjesë në tubimet ku tallet Kur’ani, ai është si pjesëmarrësit e tjerë dhe e ardhmja e tij do të jetë si e ardhmja e atyre që tallen. Ajeti thotë: “…përndryshe do të ishit si ata…”Pastaj ajeti e përsërit përforcimin duke thënë se pjesëmarrja në tubimet e përmendura tregon shpirtin e hipokrizisë, të cilën e mbartin pjesëmarrësit dhe me të vërtetë Allahu i bashkon hipokritët dhe jobesimtarët në Xhehenem, në të cilin ka ndëshkim
të dhimbshëm. Ajeti thotë: Allahu do t’i tubojë në Xhehenem të gjithë hipokritët dhe mohuesit.” Gjithashtu, ajeti na lajmëron edhe për disa çështje tjera:


1- Me të vërtetë, pjesëmarrja në tubimet e mëkatarëve është si pjesëmarrja në mëkat, edhe nëse pjesëmarrësi rri në heshtje dhe nuk merr pjesë në talljet me fjalë, sepse heshtja në këto raste është argument se personi që hesht është i kënaqur me mëkatin e bërë.
2- Nëse ndalimi nga e keqja është i vështirë të bëhet në një formë pozitive, patjetër ndalimi duhet të realizohet qoftë edhe në formë negative, siç mund të jetë largimi dhe mosprania në ato tubime.
3- Ata që i nxisin mëkatarët me heshtjen e tyre dhe me praninë e tyre në këto tubimet mëkatare, në të vërtetë, ata do të ndëshkohen siç do të ndëshkohen mëkatarët.
4- Nuk është problem pjesëmarrja në tubimin e jobesimtarëve, nëse ata nuk tallen dhe nuk i mohojnë ajetet e Allahut dhe ky tubim nuk mbart ndonjë rrezik tjetër. Ai tregon për lejimin e pjesëmarrjes në tubimin e jobesimtarëve, të cilët nuk i bëjnë mëkat Allahut në to, ku thotë: “…derisa të ndërrojnë
bisedë…”.
5- Në të vërtetë, lajkatimi dhe komplimentet me mëkatarët tregojnë ekzistencën e shpirtit të hipokrizisë te personi lajkatar. Kjo sepse myslimani i vërtetë e realist nuk mund të marrë pjesë në tubimet në të cilat i bëhet mëkat Allahut dhe tallen në të ajetet dhe rregullat e Tij madhështore. Ai nuk rri duarkryq kur dëgjon talljet dhe mohimet, por i kundërshton ato ose nuk merr pjesë fare në ato tubime. Përzgjedhur nga “Komentimi i Përsosur i Kur’anit”, i autorit Shejh Nasr Mekarim Shirazi.