Në ajetin 82 të sures Isra Allahu i Madhëruar thotë:
وَنُنَزِّلُ مِنَ الْقُرْآنِ مَا هُوَ شِفَاءٌ وَرَحْمَةٌ لِلْمُؤْمِنِينَ ۙ وَلَا يَزِيدُ الظَّالِمِينَ إِلَّا خَسَارًا
“Ne shpallim nga Kurani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët e që të padrejtëve u shton vetëm humbje.”
Libri i Allahut, Kur’ani i shenjtë, është libër i njohjes, i moralit, i udhëzimit, i lumturisë dhe i përsosmërisë. Ai është i pandryshuar dhe i tillë do të vazhdojë deri në fund të kësaj jete. Në ajetin 41 dhe 42 të sures Fusilet thuhet:
وَإِنَّهُ لَكِتَابٌ عَزِيزٌ لَّا يَأْتِيهِ ٱلْبَٰطِلُ مِنۢ بَيْنِ يَدَيْهِ وَلَا مِنْ خَلْفِهِۦ ۖ تَنزِيلٌ مِّنْ حَكِيمٍ حَمِيدٍۢ
“Ai është vërtet një Libër i madhërueshëm. 42. Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Kjo është shpallje prej një të Urti që meriton të gjitha lavdet.
Islami dhe Kur’ani kanë ardhur për të ndërtuar njeriun e vërtetë dhe për edukimin e drejtë të tij. Qëllimi i zbritjes së këtij libri të shenjtë është që prej tij të përfitojnë të gjithë njerëzit sipas mundësive të tyre
Sot do të flasim për mësimet nga surja Nasr. Kjo është surja e 110-të e Kur’anit dhe ka 3 ajete: Në këtë sure Allahu i Madhëruar thotë:
بسم الله الرحمن الرحيم
إِذَا جَاءَ نَصْرُ اللَّهِ وَالْفَتْحُ وَرَأَيْتَ النَّاسَ يَدْخُلُونَ فِي دِينِ اللَّهِ أَفْوَاجًا فَسَبِّحْ بِحَمْدِ رَبِّكَ وَاسْتَغْفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا
Bismil-lâhirr Rrahmânirr Rrahîm
1. Kur të vijë ndihma e Allahut dhe çlirimi (i Mekës)
2. dhe t’i shohësh njerëzit duke hyrë në fenë e Allahut grupegrupe,
3. atëherë madhëroje me falënderim Zotin tënd dhe kërko falje nga Ai; se Ai është vërtet Pranues i madh i pendimeve.
Mirësia e leximit të kësaj sureje
Në një hadith të Profetit Muhammed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), për mirësitë e leximit të kësaj sureje, thuhet: “Ai që e lexon suren ‘Nasr’, është sikur ka qenë së bashku me Profetin Muhamed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) në çlirimin e Mekës.”
Është e qartë se gjithë kjo krenari dhe mirësi është për atë që e lexon këtë sure dhe ecën në Rrugën e Profetit të All’llahut dhe e vë në zbatim çdo synet të tij, nuk mjaftohet vetëm me thënien të tyre.
NGA KJO SURE MËSOJMË:
1- Triumfi arrihet me ndihmën e Allahut. Nuk duhet mburrur e krekosur për triumfin, sepse fillimisht, çdo gjë vjen nga Allahu i Plotfuqishëm. Në ajetin 126 të sures Ali Imran thuhet: “…Vërtet, fitorja është vetëm nga Allahu, i Plotfuqishmi dhe i Urti.” Ka raste që mundësitë njerëzore dhe ushtarake janë të pranishme, mirëpo nuk arrihet fitorja. Në ajetin 249 të sures Bekare thuhet: “Sa herë, me ndihmën e Allahut, një ushtri e vogël ka triumfuar mbi një ushtri të madhe!…”
2- Dita e çlirimit të Mekës shpresa e idhujtarë u shndërrua në zemërim. Qendra e idhujtarisë u shndërrua në qendër Teuhijdi. Në atë ditë madhështore të gjitha pengesat u shkatërruan para besimtarëve dhe Islami u përhap dhe u forcua më shumë. Dita e çlirimit të Mekës ishte dita e mëshirës dhe jo dita e masakrës. Në këtë ditë madhështore Profeti u tha atyre që e shanë, e ofenduan, e lënduan dhe e dëbuan: Shkoni ju jeni të lirë. A ka mëshirë më të madhe?!
3- Sipas mundësisë së tyre myslimanët e kanë detyrë që të përpiqen dhe të krijojnë shkaqe e arsye që njerëzit të hyjnë në Islam. Nuk duhet të krijojnë mure ndarëse por të krijojnë kopshte me lule shumëngjyrshe me aromën e besimit, paqes, respektit dashurisë, mirëkuptimit, harmonisë. Të veprojnë siç veproi Profeti Muhamed, familja e tij e pastër dhe shokët e tij të zgjedhur.
4- Kur largohen pengesat para fesë, njerëzit hyjnë turma-turma në të. Pengesa më e madhe sot është islamofobia dhe padituria ndaj Islamit. Ima Aliu as ka thënë: Njeriu është armik i asaj që nuk e njeh.
5- Para çlirimit të Mekës njerëzit hynin një nga një në Islam. Por pas çlirimit të Mekës ata filluan të hyjnë turma-turma në të. Kjo tregon madhështinë e fesë së pastër islame dhe se ajo është në përputhje të plotë me natyrën e njeriut dhe me nevojat e tij.
6- Kur të lartësohet e të pastrohet Allahu nga çdo e metë, nga padrejtësia e nga të tjera sifate të krijesave, duhet që kjo të shoqërohet me falenderim e lëvdata për mirësitë e Tij.
7- Lëvdata, falenderimi dhe lartësimi i Allahut janë premisë për kërkimin e faljes. Kërkimi i faljes nganjëherë është për ndriçimin më shumë të zemrës, nganjëherë dhe herë tjetër për faljen e gjynaheve të ummeti.
8- Kur punëdrejtët e të devotëshmit arrijnë në pushtet ata e aromatizojnë shpirtin e tyre me përmendjen e Allahut në vend të mendjemadhësisë.
9- Ndihma e Allahut është e kushtëzuar me ndihmën e njerëzve për fenë e Tij. Në ajetin 7 të sures Muhamed thuhet: “O ju që keni besuar, nëse e ndihmoni Allahun (fenë e Tij), edhe Ai do t’ju ndihmojë dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.”
10- Çdo njeri, deri edhe Profeti, duhet të kërkojë falje pasi e falenderon dhe e lartëson Allahun. Profeti ka thënë: Kërkojini falje Allahut sepse unë i kërkoj falje Atij shtatëdhjetë herë në ditë.”
11- Allahu është Pranues i pendimit. Fjala Teuuab përmendet 11 herë në Kuran. Në nëtë vende kjo fjalë shoqërohet me fjalën rahmetun, mëshirë. (Teuuaben Rrahijmen). Një herë shoqërohet me urtësinë dhe një herë përmendet në formë përgjithësuese dhe kjo përmendet në këtë sure (Nasr). Në ajetin 8 të sures Tahrijm thuhet:
“O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”. https://fb.watch/vMGQS63EtE/

