Allahu i Madhërura në Kur’an thotë: “Ata përgjojnë se çfarë do të bëhet me ju. Kështu, nëse ju vjen fitorja nga Allahu, ata thonë: ‘A nuk ishim vallë ne me ju?’ E, nëse mohuesit arrijnë fitore, hipokritët u thonë: ’A thua nuk ju ndihmuam deri në fitore dhe ju mbrojtëm prej besimtarëve të vërtetë?’ Allahu do të gjykojë ndërmjet jush në Ditën e Kiametit. Allahu nuk do t’iu japë kurrë rast mohuesve që t’i shkatërrojnë besimtarët.” Sure “Nisa”, ajeti141.Në këtë ajet, tregohet një pjesë tjetër e cilësive të hipokritëve dhe të mendimeve të tyre konfuze e të sëmura. Ajeti dëshmon dhe përforcon se hipokritët gjithmonë garojnë për të shfrytëzuar çdo ndodhi apo ngjarje në dobi të tyre. Kur triumfonin myslimanët, hipokritët mundoheshin që të hynin në rreshtat e besimtarëve duke pretenduar se ata morën pjesë me besimtarët në realizimin e fitores dhe pretendonin se u kanë dhënë ndihmesë besimtarëve në këtë fushë. Me këtë kërkonin shoqërimin e besimtarëve në frytet shpirtërore e materiale për fitoren. Ajeti thotë: “Ata përgjojnë se çfarë do të bëhet me ju. Kështu, nëse ju vjen fitorja nga Allahu, ata thonë: “A nuk ishim vallë ne me ju?” Kur fitorja e jashtme u takon armiqve të Islami, hipokritët i ndryshojnë faqet e tyre dhe u afrohen atyre armiqëve duke u shfaqur atyre kënaqësi dhe u thonë se ishin ata që i nxitën për të luftuar me myslimanët dhe të mos u dorëzoheshin atyre. Ata pretendojnë se janë partnerë në fitoren që realizuan armiqtë e Islamit. Ajeti thotë: “E, nëse mohuesit arrijnë fitore, hipokritët u thonë: ‘A thua nuk ju ndihmuam deri në fitore dhe ju mbrojtëm prej besimtarëve të vërtetë?’” Me këtë formë hipokritët u munduan ta shfrytëzonin momentin e fitores së myslimanëve që edhe ata të kenë pjesë nga kjo fitore dhe të merrnin pjesë në ndarjen e plaçkave të luftës dhe për t’iu mburrur myslimanëve. Ndërsa, në rastin e humbjes së myslimanëve, ky grup shfaqte kënaqësinë dhe gëzimin tek jobesimtarët dhe i nxisin ata që të këmbëngulnin në mosbesimin e tyre, spiunonin për interesat e tyre dhe u pregatisin atyre shkaqet e fitores materiale. Pra, ata herë bëhen shoqërues me jobesimtarët dhe herë tjetër bëhen partnerë të tyre në krim. Në këtë mënyrë ata e kalojnë jetën e tyre me ngjyrosje, hipokrizi dhe lojë me litarë të ndryshëm. Por, Kur’ani i Shenjtë me një shprehje të vetme sqaron të ardhmen e tyre dhe përfundimin e tyre të zymtë. Ai sqaron se për ata, padyshim, do të vijë ajo ditë në të cilën do të hiqen perdet dhe do të zbulohen krimet e tyre dhe do të çirret maska nga fytyrat e tyre të urryera. Në atë ditë, që është Dita e Kijametit, Allahu do të jetë Gjykuesi i tyre dhe Ai është Gjykuesi më i mirë. Ajeti thotë: “…Allahu do të gjykojë ndërmjet jush në Ditën e Kiametit…” Me qëllim që Kur’ani t’i qetësojë besimtarët e vërtetë nga rreziku i atyre, ky ajet përforcon në fund të tij se Allahu nuk do t’i mundësojë kurrë jobesimtarët që të truimfojnë apo të sundojnë mbi myslimanët ku thotë: “…Allahu nuk do t’iu japë kurrë rast mohuesve që t’i shkatërrojnë besimtarët.” Meqenëse fjala “sebijl” është e pashquar dhe ka ardhur në kontekstin mohues, ajo përçon një kuptim të përgjithshëm. Për këtë, nga ajeti kuptohet se mohuesit, jo vetëm që nuk triumfojnë logjikisht ndaj besimtarëve, por ata kurrë nuk do të triumfojnë e nuk do t’i sundojnë besimtarët në asnjë fushë ushtarake, politike, kulturore, ekonomike etj. Nëse shohim triumf të mohuesve ndaj myslimanëve në disa fusha të ndryshme, shkaku është se ata myslimanë kanë harruar etikën dhe traditat e tyre të besimit, kanë harruar përgjegjësinë dhe detyrat e tyre dhe nuk i kryejnë detyrimet fetare. Nuk ka fjalë për bashkim, unitet dhe vllazërim islam ndërmjet tyre dhe as ata nuk e kryejnë detyrën e xhihadit me kuptimin e tij. Gjithashtu, nuk interesohen për ta kërkuar e përfituar diturinë, të cilën u ka detyruar Islami dhe e ka bërë atë detyrë për çdo mysliman dhe myslimane. Ai fton në kërkimin e dijes nga lindja e deri në vdekje, siç ka thënë Profeti Muhammed (Paqja dhe bekimet e All’llahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Kërkoje diturinë që nga djepi deri në varr.” Disa juristë islamë (fukahatë) me këtë ajet kanë argumentuar se jobesimtarët nuk mund të sundojnë mbi myslimanët nga ana e të drejtave dhe të qeverisjes. Duke parë përgjithësinë në këtë ajet, nuk është e largët që ky ajet gjithashtu ta përfshijë këtë çështje. Ajo që tërheq vëmendjen në këtë ajet është fitorja e myslimanëve. Është përdorur fjala “fet’h” për fitoren e myslimanëve, ndërsa për fitoren e jobesimtarëve është përdorur fjala “nasijb”. Kjo tregon se fitorja e jobesimtarëve është pjesë e kufizuar dhe kalimtare, kurse fitorja dhe triumfi i vërtetë në fund u takon besimtarëve. Përzgjedhur nga “Komentimi i Përsosur i Kur’anit”, i autorit Shejh Nasr Mekarim Shirazi.