Për sot do të flasim për mësimet që përmbajnë ajetet 13 deri te ajeti 17 i sures Jasin. Në këto ajete Allahu i Madhëruar thotë:
وَاضْرِبْ لَهُم مَّثَلاً أَصْحَابَ الْقَرْيَةِ إِذْ جَاءَهَا الْمُرْسَلُونَ
إِذْ أَرْسَلْنَا إِلَيْهِمُ اثْنَيْنِ فَكَذَّبُوهُمَا فَعَزَّزْنَا بِثَالِثٍ فَقَالُوا إِنَّا إِلَيْكُم مُّرْسَلُونَ
قَالُوا مَا أَنتُمْ إِلاَّ بَشَرٌ مِّثْلُنَا وَمَا أَنزَلَ الرَّحْمَن مِن شَيْءٍ إِنْ أَنتُمْ إِلاَّ تَكْذِبُونَ
قَالُوا رَبُّنَا يَعْلَمُ إِنَّا إِلَيْكُمْ لَمُرْسَلُونَ
وَمَا عَلَيْنَا إِلاَّ الْبَلاغُ الْمُبِينُ
13. Përmendu atyre shembullin e banorëve të qytetit, kur u erdhën të dërguarit.
14. Ne u dërguam atyre dy vetë, që ata i quajtën gënjeshtarë. Pastaj i përforcuam të dërguarit me një të tretë e ata thanë: “Ne, me të vërtetë, jemi dërguar te ju!”
15. Banorët u thanë: “Ju jeni vetëm njerëz si ne, e i Gjithëmëshirshmi nuk ju ka shpallur asgjë; ju vetëm gënjeni”.
16. Ata u përgjigjën: “Zoti ynë e di që ne jemi vërtet të dërguar te ju
17. dhe kemi detyrë vetëm që të shpallim qartë”.
Këto ajete, flasin për historinë e disa Profetëve të mëparshëm, të cilët u dërguan për të udhëzuar në Rrugën e Drejtë adhuruesit e idhujve, që i vinin shok Allahut në adhurim.
NGA KËTO AJETE MËSOJMË:
1- Historia e të shkuarve është mësimi më i mirë për të sotmit dhe për ata që do vijnë.
2- Duhet që edukuesi dhe predikuesi të kenë njohuri rreth historisë.
3- Shembujt më të mirë për të sqaruar diçka janë shembujt real dhe jo ato fantazues e të bazuar në iluzione. Të gjitha shembujt që përmned Kur’ani janë realë e të vërtetë.
4- Ajo që është e rëndësishme te historia është mësimi që ajo përmban. Ndërsa vendi, populli, gjuha apo numri i bonarëve në atë vend që ka ndodhur historia nuk janë të rëndësishme.
5- Të dërguarit (paqja e Allahut qoftë mbi ta!) shkonin te njerëzit dhe nuk prisnin që njerëzit të shkonin tek ata.
6- Disa njerëz besojnë në ekzistencën e Allahut mirëpo ata mohojnë profetësinë duke thënë se Allahu na ka dhënë intelektin dhe nuk kemi nevojë as për profetë e as për shpallje. Sigurisht që ky është besim i gabuar dhe e ka bazën te mosnjohja e e Allahut ashtu siç e meriton, siç thotë ajeti 91 i sures En’am: Ata nuk e vlerësojnë siç duhet Allahun, kur thonë: “Allahu nuk i ka zbritur asgjë njeriut.” Në një hadith thuhet se për njerëzit Allahu ka dy argumenete, të jashtëm që janë librat dhe profetët dhe të brendshëm që është intelekti.
7- Thirrja në Rrugën e vërtetë dhe të urdhëruarit në të mirë e të ndaluarit nga e keqja ka raste që mund të kërkojë praninë e më shumë se një personi. “Pastaj i përforcuam të dërguarit me një të tretë”
8- Kokëforcia është një sëmundje për të cilën nuk gjendet ilaç. Për shkak të saj u përgënjeshtruan dhe u mohun të dërguarit.
9- Armiqësia dhe kokëforcia nuk duhet të jenë shkak që të hiqet dorë nga arritja te qëllimi dhe synimi. Por duhet që të mblidhen të gjitha fuqitë në arritjen e qëllimeve, ashtu siç vepronin të Dërguarit e Allahut (alejhim selam).
10- Është e mundur që Allahu të dërgojë më shumë se një profet apo të dërguar në një kohë të vetme.
11- Numri i thirrësve dhe i predikuesve të jetë në bazë të nevojës së shoqërisë.
12- Nëse i ngarkohet dikujt një detyrë ai nuk duhet lënë i vetëm por duhet mbështetur dhe duhet ndihmuar, siç thotë ajeti 14 prej ajeteve në fjalë: “Pastaj i përforcuam të dërguarit me një të tretë”
13- Lartësimi dhe poshtërimi janë në dorën e Allahut siç thotë edhe ajeti 26 i sures Ali Imran: “…Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash…“. Mirëpo nuk duhet harruar se edhe njeriu me veprat e tij dhe me qëndrimet e tij, ai e lartëson dhe e poshtëron veten e vet.
14- Jobesimtarët nuk arrijnë ta perceptojnë dhe ta kuptojnë shpirtëroren, sepse ata shohin vetëm të dukshmen dhe i quajnë njerëzit të njëjtë siç thotë ajeti 15: “Banorët u thanë: “Ju jeni vetëm njerëz si ne…”
15- Kokëforcia çon në mohimin e ardhjes së mesazhit. Të tillë ishin janë dhe do të jenë jobesimtarët kokëfortë e kryeneçë. Në ajetin 15 të ajeteve në fjalë thuhet: “…e i Gjithëmëshirshmi nuk ju ka shpallur asgjë; ju vetëm gënjeni”. Kokëforcia çon në përgënjeshtrim.
16- Përballë mohimit të vazhdueshëm të jobesimtarëve dhe propagandës së tyre, duhet që zemrat të qetësohen me përmendjen e Allahut. Të mos biem pre e propagandës devijuese. Duhet të jemi të bindur se Allahu i ka dërguar profetët, siç thotë ajeti 16: “Zoti ynë e di që ne jemi vërtet të dërguar te ju.” Pra, i ka dërguar profetët (as) për të mirën e njerëzve me qëllim që të ecin në rrugën e mirësisë dhe të largohen nga rruga e keqja.
17- Detyra e profetëve dhe e të dërguarve është përcjellja e mesazhit dhe sqarimi i tij. “…dhe kemi detyrë vetëm që të përcjellim qartë”. Në ajetin 40 të sures Rra’ad thuhet: “…detyra jote është të kumtosh Shpalljen, se llogaria është te Ne.” فَإِنَّمَا عَلَيْكَ الْبَلَاغُ وَعَلَيْنَا الْحِسَابُ
18 – Kur dikush thotë se e ndjek fati i keq, ose kur bëhet pesimist, ose kur begatitë e Allahut largohen prej tij, le ta dijë mirë se shkak për të gjitha këto janë ato të këqija e të liga që ai mbart në thellësi të shpirtit të tij, janë mendimet e tij të degraduara dhe punët e tij të liga. Ai e ka mbushur botën e tij të brendshme me besimin dhe adhurimin e idhujve, egos duke ndjekur dëshirat e ulëta dhe duke plotësuar epshet e tij. Kështu që, ai vetë i ka ndërprerë begatitë e Allahut të Lartësuar.
19- Nëse shoqëria ndihet pesimiste, shkaku për këtë është se ajo ka tejkaluar çdo kufi duke bërë mëkate dhe e ndot veten me ndyrësinë e imoraliteteve. Ndërsa ata që synojnë vetëm punën e mirë në shoqëri tallen, injorohen dhe kërcënohen. https://youtu.be/5NnkeZAukt4

