Në suren “Teube” ajeti 128 Allahu i Madhëruar thotë:
لَقَدْ جَاءَكُمْ رَسُولٌ مِّنْ أَنفُسِكُمْ عَزِيزٌ عَلَيْهِ مَا عَنِتُّمْ حَرِيصٌ عَلَيْكُم بِالْمُؤْمِنِينَ رَؤُوفٌ رَّحِيمٌ
“Tashmë ju ka ardhur një i Dërguar nga gjiri juaj. Atij i vjen rëndë për gjynahet që bëni ju, jua dëshiron të mirën me gjithë zemër që ju të shkoni rrugës së drejtë dhe është i butë e i mëshirshëm me besimtarët.”
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) përfaqëson modelin e përsosur të humanizmit. Në personalitetin e tij ndodheshin të gjitha virtytet dhe vlerat e larta njerëzore. Nuk vjen njeri i tillë si ai.
Ai ishte i ditur, bujar, inteligjent, i përkryer, model i urtësisë, respektit e madhështisë. I guximshëm, i devotshëm dhe mëshirë për mbarë krijesat.
Ai ishte i pamëkatë dhe ishte në piedestalin më të lartë të moralit. Kur’ani i shenjtë thotë: “se ti je me virtyte madhore” (Sure “Kalem”, ajeti 4). Në veprat e tij nuk dukej asnjë mangësi e as në sjelljet e tij kundërshti.
Ai ishte zemërgjerë ndaj vështirësive dhe problemeve. Sakrifikoi ashtu si duhet në rrugën e Allahut të Madhëruar. Ishte i palëkundshëm në luftën përballë fuqive injorante, idhujtare e pagane për të përhapur drejtësinë, lirinë, mëshirën dhe dashurinë.
Për këtë Allahu e bëri shembullin më të mirë për mbarë njerëzit, siç thotë në Kur’anin e shenjtë: Në të Dërguarin e Allahut ka një shembull të mrekullueshëm për atë, që shpreson tek Allahu dhe Dita e Fundit dhe e përmend shumë Allahun.” (Sure “Ahzab”, ajeti 21) Sipas këtij ajeti të bekuar është detyrë e të gjithë njerëzve që ta ndjekin dhe të zbatojnë porositë e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Profeti Muhamed ishte, është dhe do të mbetet mësuesi më i mirë për të gjithë njerëzit. Me anë të Fjalës së Allahut, Kur’anit të shenjtë, ai arriti që ta ndryshojë rrënjësisht shoqërinë e asaj kohe. Ai u bë i dashur për njerëzit sepse ftonte në drejtësi, në dashuri, në vëllazëri, në paqe, në siguri, në solidaritet dhe në dhembshuri.
Misionin e profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) e sqaron Kur’ani i shenjtë ku thotë: “Është Ai që u solli të analfabetëve një të Dërguar nga gjiri i tyre, për t’u lexuar atyre shpalljet e Tij, për t’i pastruar e për t’u mësuar Librin dhe Urtësinë, ndonëse ata më parë ishin vërtet në humbje të plotë.” (Sure “Xhumua”, ajeti 2).
Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) porosit për dijen dhe kërkimin e saj. Në një hadith ai ka thënë: “Kërkimi i diturisë është detyrë e çdo muslimani dhe muslimaneje.” Gjithashtu, ka thënë: “Kërkojeni diturinë prej djepit deri në varr.” Këto porosi profeti ynë i dashur i jepte që shoqëria islame të edukohej dhe të ishte shembull për shoqëritë e tjera në edukim e moral. Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Unë jam dërguar që të përsos moralet e larta.”
Besimtari kryen çdo ditë Mi’raxh. Këtë e bën duke falur pesë kohët e namazit. Në një hadith të profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: “Namazi është Miraxhi i myslimanit”. Kur besimtari fal namazin, ai bisedon me Allahun e Madhëruar pa asnjë ndërmjetës dhe kryen Miraxhin. Pasi jep selam, djathtas dhe majtas, ai kthehet sërish në mesin e njerëzve, në jetën e tij normale, me energji të reja, të cilat i fiton kur fal namazin me përqendrim, vetëdije dhe sinqeritet.
Në trojet tona shqiptare janë përkujtuar gjithmonë Netët e mira Besimtarët e agjërojnë, falin namaze nafile, japin sadeka, kujtojnë të vdekurit e tyre me lutje e me këndim Kur’ani e të tjera vepra të pëlqyeshme.
S’ka dyshim se këto Netë të Mira e kanë mbajtur gjallë Islamin në Shqipëri e gjetkë. Më thelbësorja është që në këto Netë të begata ne duhet të ulemi dhe të bëjmë llogaritë e vetave tona dhe të pyesim veten: Sa e kemi ndjekur profetin Muhamed? Sa i kemi zbatuar porositë e tij në jetën tonë? Profeti Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Bëjini llogarinë e vetave tuaja para se t’ju bëhet llogaria.”
Në këto Netë duhet të mësojmë se profeti Muhamed u dërgua mëshirë për mbarë njerëzit. Të mësojmë se Allahu e dërgoi atë përgëzues për punëmirët se ata do të shpërblehen me Xhennet dhe paralajmërues për punëkëqinjtë se ata do të dënohen me ndëshkim të rëndë në Jetën Tjetër, nëse nuk pendohen për punët e këqija të tyre.
Të mësojmë se profeti Muhamed u dërgua për të përhapur moralet e mira. U dërgua për të përhapur dijen, pastërtinë, drejtësinë, vëllazërinë, dashurinë, respektin dhe harmoninë. U dërgua për të zhdukur moralet e këqija, injorancën, paditurinë, padrejtësinë, shtypjen, urrejtjen, armiqëisnë, vrasjen, grabitjen…etj.
Në këto Netë të hapim Kur’anin e shenjtë dhe të lexojmë ajetet që flasin për qëllimin e dërgimit të profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) me qëllim që të njihemi sa më shumë me personalitetin e profetit tonë të dashur.
Me përmendjen e këtyre ndodhive duhet të mësojmë se Kur’ani nuk ka zbritur për ta mbajtur në shtëpi për bereqet, apo mbrojtje e ruajte. Nuk ka zbritur që të varet nëpër makina apo në zyra e institucione. Kur’anin duhet ta varim në zemrat tona në mendjet tona në ndërgjegjet tona. Kur’ani duhet të jetë prijësi ynë në këtë jetë. Profeti Muhamed ishte Kur’ani folës. Allahu e bëri atë shembullin dhe modelin më të mirë. Sa përfitojmë ne nga ky shembull dhe nga model?
Me përmendjen e këtyre ndodhive duhet të mësojmë se:
– Allahu është i Plotpushtetshmi dhe Ndihmësi i të zgjedhurve të Tij.
– Profeti Muhamed është njeriu më i lartë, më i përkryer dhe më madhështori.
– Mësojmë lidhjen mes Qabes dhe Xhamisë “El Aksa” dhe se të dyja këto xhami janë të shenjta.
– Të gjithë urdhrat në të mira dhe ndalimet nga të këqijat i kanë ardhur profetit Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) nga Allahu i Madhëruar nëpërmjet melekut Xhebrail (Paqja qoftë mbi të!).
Të dashur vëllezër dhe motra!
Allahu i Madhëruar thotë në Kur’anin e shenjtë: “O Profet! Ne të kemi dërguar ty si dëshmitar, sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues; njëkohësisht (të kemi çuar) si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij dhe si pishtar ndriçues. Jepu lajmin e mirë besimtarëve se Allahu ka (përgatitur) për ata dhunti të madhe.” (Sure “Ahzab”, ajetet 45-47)
Sa të mrekullueshëm këto ajete! Vallë, sa përfitojmë ne nga drita e këtij pishtari ndriçues në jetën tonë? A jemi prej atyre që Allahu ka përgatitur mirësi e dhunti të shumta? Qëllimi i përkujtimit të këtyre netëve të mira është që ne të mendojmë thellë rreth këtij ajeti, rreth Kur’anit në tërësi dhe rreth jetës së profetit Muhamed (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Në ajetin 105 të sures Teube Allahu na thotë:
وَقُلِ ٱعْمَلُواْ فَسَيَرَى ٱللَّهُ عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُۥ وَٱلْمُؤْمِنُونَ ۖ وَسَتُرَدُّونَ إِلَىٰ عَٰلِمِ ٱلْغَيْبِ وَٱلشَّهَٰدَةِ فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ
“Thuaj: Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.” https://youtu.be/tP-x1PbcENg

