Mësime nga surja Jasijn – ajetet 45 – 47

Në suren “Isra”, ajeti 9, Allahu i Madhëuar thotë: 

إِنَّ هَذَا الْقُرْآنَ يَهْدِي لِلَّتِي هِيَ أَقْوَمُ وَيُبَشِّرُ الْمُؤْمِنِينَ الَّذِينَ يَعْمَلُونَ الصَّالِحَاتِ أَنَّ لَهُمْ أَجْرًا كَبِيرًا

“Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh.”

Kush jeton në errësirë, ëndërron për dritën. Kush jeton në humnerë nuk i njeh majat. Kjo jetë që ne jetojmë, e cila është e mbushur me errësira, lëndime e fatkeqësi, nuk është jeta e vërtetë, sepse jeta që dëshiron Allahu të jetojmë është më e këndëshme dhe më e lartë. Jetën tonë duhet ta bazojmë mbi këshillat, porositë dhe dispozitat e Krijuesit. 

Për sot do të flasim për mësimet që përmbajnë ajetet 45-47 të sures Jasijn në të cilat Allahu thotë:

وَإِذَا قِيلَ لَهُمُ اتَّقُوا مَا بَيْنَ أَيْدِيكُمْ وَمَا خَلْفَكُمْ لَعَلَّكُمْ تُرْحَمُونَ وَمَا تَأْتِيهِم مِّنْ آيَةٍ مِّنْ آيَاتِ رَبِّهِمْ إِلاَّ كَانُوا عَنْهَا مُعْرِضِينَ وَإِذَا قِيلَ لَهُمْ أَنفِقُوا مِمَّا رَزَقَكُمْ اللَّهُ قَالَ الَّذِينَ كَفَرُوا لِلَّذِينَ آمَنُوا أَنُطْعِمُ مَن لَّوْ يَشَاء اللَّهُ أَطْعَمَهُ إِنْ أَنتُمْ إِلاَّ فِي ضَلالٍ مُّبِينٍ

45. Kur atyre u thuhet: “Druajuni asaj që keni para jush dhe asaj që është pas jush, me qëllim që Allahu t’ju mëshirojë” (ata nuk ia vënë veshin).

46. Sa herë që atyre u vjen ndonjë nga shenjat e Zotit të tyre, ata i shmangen asaj.

47. E kur atyre u thuhet: “Jepni nga ato që ju ka dhënë Allahu”, atëherë, mohuesit u thonë besimtarëve: “Pse, ne do t’i ushqejmë ata që, po të donte Allahu, do t’i ushqente Vetë? Ju jeni vërtet në humbje të qartë!”

Ajetet e përparme flisnin për argumentet e ndryshme të Allahut. Kurse ajetet në fjalë flasin për kundërpërgjigjen e mohuesve, të cilët i kundërshtuan me kokëfortësi e ashpërsi të hapur argumentet e Allahut. Gjithashtu, këto ajete shpjegojnë qartë se Profeti (Paqja dhe bekimi i All‟llahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) jo vetëm që i ftonta ata që të besonin në kumtin që ai kumtonte, por njëkohësisht edhe i paralajmëronte për dënimin e dhimbshëm të All‟llahut.

NGA KËTO AJETE MËSOJMË:

1- Të ftohen njerëzit në rrugëne  Zotit të tyre duke i urdhëruar që të bëjnë punë të mira dhe duke i ndaluar nga bërja e të këqijave. 

2- Frika ndaj Allahut është sekreti i fitimit të mëshirës së Allahut. Besimtarët e vërtetë i frikësohen vetëm Allahut të Madhëruar, kurse jobesimtarët i frikësohen çdo gjëje që është e fortë dhe e fuqishme mbi këtë Tokë. 

Vërtet, frika ndaj Allahut, në fshehtësi dhe haptazi, është prej cilësive të besimtarëve të vërtetë. Për këtë Allahu i Madhëruar në Kur’an thotë: “…Ju mos iu frikësoni atyre, por frikësohuni prej Meje, nëse jeni besimtarë.” (Sure Ali Imran”, ajeti 175.) Dhe: “Me të vërtetë, ata që dridhen nga frika e Zotit të tyre, që besojnë në shpalljet e Zotit të tyre, që nuk i shoqërojnë asgjë (në adhurim) Zotit të tyre, dhe që, kur japin atë që japin, zemrat e tyre i kanë plot frikë, ngaqë do të kthehen te Zoti i tyre.” (Sure “Mu’minun”, ajetet 57- 60.)

Po të mos jetë kjo veti te njeriu, ai kurrë nuk pendohet dhe nuk nënshtrohet përpara Krijuesit të tij. Frika është shkak i lumturisë së njeriut në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër.  

Frika e vërtetë duhet të jetë vetëm nga Allahu, siç thotë ajeti 40 i sures “Bekare”: “…Vetëm prej Meje duhet të frikësoheni.”

Frika nga Allahu është një pemë e begatë, e cila nëse forcohet në zemër, degët e saj do të përhapen në të gjitha gjymtyrët dhe për çdo kohë do ta japë frutën e saj, me lejen e Zotit të saj dhe kjo frutë është vepra e mirë, fjala e mirë dhe sjellja e mirë.  

Frika nga Allahu nuk të lë të bësh gjynahe dhe gabime. Ajo të zgjon ndërgjegjen, të zbut zemrën dhe të mbron nga egoja.  

Frika nga Allahut është ajo që i nxit njerëzit për çiltërsi në veprat e tyre. Janë vepra që nuk kërkojnë asnjë shpërblim nga njerëzit por vetëm nga Allahu.

Frika nga Allahu është dashuri për Allahun. Frika nga Allahu është njohje e Allahut. Sa më shumë të shtohet njohja e Allahut te njeriu, aq më shumë afrohet ai tek Allahu dhe aq më shumë njihet ai me atributet e Allahut.

3- Për të vërtetuar diçka duhet të paraqiten disa argumente logjikë të vërtetë.

4- Argumenete e Allahut janë të shumta në këtë ekzistencë, por, fatkeqësisht të pakët janë ata që i besojnë ato. Në ajetin 46 prej ajeteve në fjalë thuhet: Sa herë që atyre u vjen ndonjë nga shenjat e Zotit të tyre, ata i shmangen asaj.

5- Te mohuesit nuk ndikojnë as argumentet shpirtërorë, as argumentet që shihen në botën e jashtme, as kërcënimi, as paralajmërimi dhe as përgëzimi për mëshirën hyjnore; mohuesit nuk e pranojnë mendimin logjik, nuk pranojnë as çështjen e ndjenjave, nuk pranojnë as natyrën e pastër të krijimit; me kundërshtimin e tyre, mohuesit e kanë vënë veten në sprovë me një verbëri të plotë, madje aq e madhe është verbëria e tyre, sa nuk kanë mundësi të shohin as sendet që kanë afër vetes dhe nga kjo verbëri mohuesit nuk bëjnë dot dallim as në mes errësirës së natës dhe Diellit të mesditës.

6-  Kokëforcia e njeriut arrin deri në atë masë saqë ai i shpërfill argumentet nuk e dëgjon këshillën.

7- Ai që nuk zotëron një vizion të drejtë dhe nuk dëshiron të mbajë përgjegjësi, do të përballet me devijimin dhe me veprat e këqija.  

8- Duhet ta dijmë se gjithçka që kemi është nga Allahu i Plotfuqishëm e Bujar. Prandaj që duhet të japim nga ajo që na është dhënë.

9- Mosbesimi është shkak i mosdhënies siç thotë ajeti i 47 prej ajeteve në fjalë: “mohuesit u thonë besimtarëve: “Pse, ne do t’i ushqejmë ata që, po të donte Allahu, do t’i ushqente Vetë?”

10- Dhënia është shenjë e besimit.

11- Njeriu arrin deri aty sa që mendon se mosbesimi dhe kopracia janë e drejtë kurse besimi dhe shpenzimi janë të gabuara.   https://fb.watch/vEq2oyJZwJ/