Pastërtia si themeli i fesë dhe pasqyrë e besimit

Në zemrën e Islamit qëndron një parim thelbësor që i jep kuptim çdo akti të jetës fetare: pastërtia (taharah). Islami e shikon pastërtinë jo vetëm si një gjendje higjienike, por si një gjendje shpirtërore që ndikon drejtpërdrejt në pranimin e adhurimit dhe afërsinë me Zotin.

Në Kur’an dhe në mësimet profetike e të Ehli Bejtit (a.s), pastërtia trajtohet si një urdhër hyjnor, një gjendje që e afron njeriun me të Bukurin, të Pastërtin dhe të Madhërishmin, Krijuesin e së bukurës, Allahun.

Kur’ani flet me një dashuri të veçantë për të pastërtit. Në Suren el-Bekare, ajeti 222, Allahu i Madhëruar thotë:

“Vërtet, Allahu i do ata që pendohen shumë dhe i do ata që pastrohen.”

Kjo dashuri hyjnore nuk kufizohet vetëm në pastrimin e jashtëm, por përfshin një gjendje të përhershme të kthimit, të pendesës dhe të pastrimit të zemrës.

Hadithet e Profetit dhe të Imamëve të Ehli Bejtit e ndriçojnë këtë kuptim. Në një thënie të transmetuar nga Imam Sadiku (a.s) në Bihar al-Anuar thuhet:

“Pastërtia është dritë, dhe drita është nga Zoti. Ai që jeton me taharah, jeton nën dritën e mëshirës hyjnore.”
(Bihar al-Anuar, vëll. 81, f.30)

Kjo dritë nuk është thjesht simbolike, por një realitet shpirtëror që reflektohet në sjellje, në lutje, në marrëdhënien me të tjerët dhe me Krijuesin. Në një hadith tjetër, Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë:

“Pastërtia është gjysma e besimit.”

Kjo thënie nënkupton se pa pastërti, njeriu nuk mund ta jetojë gjysmën më themelore të fesë së tij.

Për çdo besimtar që kërkon të përjetojë namazin si një takim me Zotin, pastrimi është urdhri i parë. Teksa njeriu shkon drejt sexhades së tij dhe kërkon të afrohet me Zotin, duhe të ketë parasysh që të dal para Allahut me gjendjen e tij më të pastër.

Allahu i Madhëruar thotë nëKur’anin Famëlartë se:

“O besimtarë! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, kurse kokën fshijeni me dorë të lagët; lani edhe këmbët deri në nyje…”
(Sure Maide, ajeti 6)

Ky ajet nuk është vetëm një udhëzim teknik për abdesin, por një manifestim i përgatitjes së brendshme dhe të jashtme për të qëndruar përballë të Madhit. Imam Aliu (a.s) thoshte:

“Kur merr abdes, mos u kujdes vetëm për ujin mbi fytyrë, por për dritën në shpirt. Le të jetë abdesi yt përgatitje për takimin me Zotin tënd.”
(Bihar al-Anwar, vëll. 80, f.258)

Këto fjalë e ngritin abdesin në një nivel të thellë shpirtëror – ku çdo pikë uji bëhet një pikë mëshire dhe çdo lëvizje është një rit hyjnor që afron njeriun me burimin e pastrimit absolut.

Pastërtia në Islam nuk është vetëm një veprim që bëhet para namazit, por një gjendje që duhet të shoqërojë çdo moment të jetës. Profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) është transmetuar të ketë thënë:

“Nuk i pranohet namazi njeriut pa pastërti. E nuk i pranohet zemra e atij që i afrohet Zotit me papastërti të brendshme.”
(Bihar al-Anwar, vëll. 83, f.248)

Ky hadith e thekson rëndësinë që besimtari të jetë jo vetëm i pastër në trup, por edhe në zemër, në qëllim dhe në mendim. Në njeriu rrit pastërtinë e tij shpirtërore, dashur pa dashur I reflektohet ajo dritë dhe pastërti dhe neë fytyrën dhe sjelljet e tij.

Gjithashtu, pastërtia është kusht për leximin e Kur’anit, për prekjen e njeriut për të bërë mirë, për qëndrimin në xhami, për agjërimin dhe për shumë akte të tjera. Imam Muhamed al-Bakiri (a.s) ka thënë:

“Mos e prek Fjalën e Zotit nëse je xhunub, sepse ai që është i papastër nuk e ndien peshën e Fjalës hyjnore.”
(Bihar al-Anwar, vëll. 89, f.192)

Islami, duke qenë një fe që përshtatet me realitetin, ofron alternativa kur kushtet janë të vështira. Kur mungon uji, Kur’ani e lejon tejemumin në rastet:

“E nëse jeni të sëmurë ose në udhëtim… dhe nuk gjeni ujë, atëherë bëni tayammum me tokë të pastër.”
(Surah al-Ma’idah, 5:6)

Ky rregull është një tregues i qartë i mëshirës së Islamit dhe parimit se pastrimi është për Zotin, jo për vështirësim të jetës. Imam Sadiku (a.s) e shpjegon këtë ajet kështu:

“Zoti nuk dëshiron ta lodhë robin e Tij, por të mbajë lidhjen me Të të gjallë. Edhe toka kur preket me qëllim të pastërtisë bëhet dritë për shpirtin.”
(Bihar al-Anwar, vëll. 84, f.193)

Pastërtia në dritën e Kur’anit dhe mësimeve të Profetit dhe Ehli Bejtit, është jo vetëm bazë e fesë, por edhe thelb i sinqeritetit të shpirtit. Ajo nuk kufizohet me larjen e trupit, por përfshin një përkushtim të përhershëm ndaj pastrimit të zemrës, gjuhës, mendimeve dhe veprimeve. Ajetet dhe hadithet që u përmendën e bëjnë të qartë se Zoti nuk sheh vetëm trupin që pastrohet, por edhe qëllimin që ndriçon në shpirtin e atij që pastron veten për Të.

Pastërtia është urë drejt dritës. Është përgatitje për takim me të Shenjtin. Është një prekje mëshire në tokë që përhap aromën e parajsës.