Roli i abdesit në jetën shpirtërore

Në ajetin 6 të sures “Maide” Allahu i Madhëruar thotë: “O ju që keni besuar! Kur doni të falni namaz, lani fytyrën dhe duart deri në bërryla, dhe me dorë të lagët fshijeni kokën dhe këmbët deri në nyje. Nëse jeni të papastër (si pasojë e marrëdhënieve bashkëshortore apo e derdhjes së farës), pastrohuni (duke u larë krejtësisht)! Por, në qoftë se jeni të sëmurë (që mund t’ju dëmtojë uji) ose gjendeni në udhëtim, ose ndonjëri nga ju vjen pas kryerjes së nevojës natyrore, ose nëse keni pasur marrëdhënie me bashkëshortet e nuk gjeni ujë, atëherë gjeni dhé të pastër dhe fshini fytyrat e duart me të. Allahu nuk dëshiron t’ju krijojë ndonjë vështirësi, por dëshiron t’ju pastrojë dhe t’i plotësojë dhuntitë e Tij ndaj jush, që të jeni falënderues.”

Sot do të flasim për një temë që në pamje të parë mund të duket e thjeshtë dhe rutinë, por në të vërtetë, në dritën e Kur’anit dhe fjalëve të Profetit dhe imamëve të Ehli Bejtit, ai ka një rol thelbësor në ndërtimin shpirtëror të besimtarit. Bëhet fjalë për abdesin.

Pastërtia është parakusht për shumë adhurime

Abdesi (pastrimi ritual) është kusht për faljen e namazit, i cili është shtylla më e rëndësishme e Islamit pas shehadetit (dëshmisë së besimit). Pa abdes, nuk pranohet namazi. Kjo do të thotë se: Pastrimi i jashtëm është një pjesë e domosdoshme e adhurimit dhe përgatitjes shpirtërore, ndaj i jepet vlerë e madhe në Islam.

Besimi përfshin pastërtinë e jashtme dhe të brendshme. Besimi në Islam nuk është vetëm një çështje zemre apo mendimi. Ai përfshin: Besimin me zemër, shprehjen me gjuhë dhe veprimin me gjymtyrë.

Abdesi, si akt i pastrimit trupor, përfaqëson pastërtinë e jashtme, e cila përplotësohet me pastërtinë e brendshme që buron nga besimi dhe devotshmëria. Kështu, abdesi përbën “gjysmën” e përpjekjes për të qenë i pastër dhe besimtar i plotë.

Pastërtia është gjendje shpirtërore dhe morale. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Pastërtia është gjysma e besimit” kuptimi nuk është vetëm higjiena, por një stil jetese që reflekton kujdes, rregull, dhe ndërgjegje ndaj Allahut.

Abdesi nuk është vetëm një akt fizik, por edhe një pastrim shpirtëror. Në hadithe thuhet se me çdo pikë uji që bie nga trupi gjatë abdesit, njeriut i shlyhen mëkate të vogla.

1. Abdesi – Gjysma e Besimit

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Abdesi është gjysma e besimit.” (“Biharul Enuar”, vëll. 80, f. 238, hadithi 12)

Ky hadith tregon se:

1- Besimi nuk është i plotë pa pastrimin e trupit dhe shpirtit.

2- Abdesi është themelor për adhurimin dhe jetën shpirtërore të një muslimani.

3- Pastrimi i jashtëm është një hyrje drejt pastrimit të brendshëm dhe afrimit me Zotin.

Pra, abdesi nuk është thjesht përgatitje për namaz, por një pjesë përbërëse e vetë besimit. Besimtari pa abdes është sikur pa gjysmën e përgatitjes shpirtërore për t’u lidhur me Allahun.

2. Abdesi si pastrim fizik dhe shpirtëror

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  ka thënë: “Kur muslimani merr abdes, mëkatet e tij dalin nga veshët, sytë, duart dhe këmbët e tij; dhe nëse ulet, ulet i falur.” (“Kenzul Ummal”, 26031)

Gjymtyrët me të cilat njeriu mëkaton, duart, sytë, veshët, pastrohen përmes ujit të abdesit, që është simbol i mëshirës dhe i faljes së Allahut.

3. Abdesi në kushte të vështira ka shpërblim të madh

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  ka thënë: “Kush e merr abdesin plotësisht në të ftohtë të madh, ka shpërblim të dyfishtë; kush e merr në të nxehtë të madh, ka shpërblim të njëfishtë.” (“Kenzul Ummal”, 26059)

Ky është një mësim që na nxit të mos e shohim abdesin si barrë, por si një mundësi për të fituar afërsinë e Allahut, sidomos kur merr përpjekje dhe vullnet.

4. Abdesi dhe largimi i mëkateve

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  ka thënë: “Marrja e plotë e abdesit në kushte të vështira, ecja drejt xhamive dhe pritja e namazit pas namazit tjetër, i lajnë mëkatet si uji që pastron papastërtinë.” (“Kenzul Ummal”, 26027)

Gjithashtu, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  ka thënë: “Kur robi merr abdes, mëkatet e tij rrëzohen rreth tij, ashtu siç bien gjethet e një peme.” (“Kenzul Ummal”, 26030)

5. Efektet e abdesit në jetën materiale

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Abdesi para dhe pas ushqimit e largon varfërinë.” (“Ilalu Esh Sherai’”, f. 283)

Ky hadith na tregon se pastrimi dhe disiplina fetare kanë ndikim edhe në begatinë materiale, duke përforcuar lidhjen mes moralit, pastrimit dhe jetesës së bekuar.

6. Abdesi dhe vetëdija për Zotin

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Kush e përmirëson abdesin, pastaj ecën drejt xhamisë, ai është në namaz për sa kohë nuk e prish abdesin.” (“Biharul Enuar”, vëll. 80, f. 237, 11)

Kjo nënkupton një gjendje të vazhdueshme të afrimit me Zotin, jo vetëm në momentin e faljes, por edhe në kohën ndërmjet namazeve.

Të dashur vëllezër dhe motra,

Abdesi është shumë më tepër sesa një akt përgatitor për namaz. Ai është një pastrim, një disiplinë, një lidhje shpirtërore, një mundësi për të fshirë mëkatet dhe për t’u çliruar nga pesha e shpirtit. Abdesi është si një derë për në mëshirën e Allahut.

Le të kujdesemi për të, jo vetëm në formë, por edhe në zemër.

O Zot, bëna prej atyre që e marrin abdesin me vetëdije, me pastërti zemre dhe sinqeritet. Laj mëkatet tona me ujin e mëshirës Tënde, dhe na jep pastërti në këtë botë dhe në botën tjetër!