MËSIME NGA SURJA “ET TIJN”
Në suren “Ibrahim”, ajeti 1, Allahu i Madhëruar thotë:
بِسْمِ اللَّهِ الرَّحْمَٰنِ الرَّحِيمِ الر ۚ كِتَابٌ أَنْزَلْنَاهُ إِلَيْكَ لِتُخْرِجَ النَّاسَ مِنَ الظُّلُمَاتِ إِلَى النُّورِ بِإِذْنِ رَبِّهِمْ إِلَىٰ صِرَاطِ الْعَزِيزِ الْحَمِيدِ
“Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd.”
Mirësia e Kuranit të Shenjtë është e madhe, sepse ai është fjala e Allahut të Lartësuar, që ia zbriti profetit të Tij të fundit, Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Kur’ani ka një vend të veçantë në zemrat e muslimanëve. Ndër mirësitë e Kur’anit është se ai është burimi i udhëzimit, pastrimit shpirtëror, edkumit dhe i shpërblimeve të mëdha. Kushdo që lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, ai shpërblehet për atë lexim dhe çdo shpërblim shpërblehet dhjetëfish. Gjithashtu, Kur’ani ndërmjetëson për njeriun në Ditën e Gjykimit dhe e ngre atë në pozitë dhe grade të lartë në Jetën Tjetër.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Vërtet, Allahu i Lartësuar nuk e ka këshilluar askënd me diçka më të vlefshme sesa ky Kur’an. Ai (Kur’ani) është litari i fortë i Allahut dhe lidhja e Tij e sigurt. Në të gjendet pranvera e zemrës dhe burimet e dijes, dhe zemra nuk gjen pastrim përveçse në të.” (“Nehxhul Belaga”, Hytbja 176; komentuar nga Ibn Ebil Hadijd, vëll. 10, f. 31)
Sot do të flasim për mësimet e sures “Et Tijn”.
Surja “Et Tîjn” ndodhet në xhuzin e tridhjetë të Kur’anit dhe është surja numër 95. Ajo ka zbritur në Mekë dhe ka tetë (8) ajete.
Në këtë sure të bekuar Allahu i Madhëruar thotë:
بِسْمِ اللَّـهِ الرَّحْمَـٰنِ الرَّحِيمِ
وَٱلتِّينِ وَٱلزَّيۡتُونِ (1) وَطُورِ سِينِينَ (2) وَهَٰذَا ٱلۡبَلَدِ ٱلۡأَمِينِ (3) لَقَدۡ خَلَقۡنَا ٱلۡإِنسَٰنَ فِيٓ أَحۡسَنِ تَقۡوِيمٖ (4) ثُمَّ رَدَدۡنَٰهُ أَسۡفَلَ سَٰفِلِينَ (5) إِلَّا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّٰلِحَٰتِ فَلَهُمۡ أَجۡرٌ غَيۡرُ مَمۡنُونٖ (6) فَمَا يُكَذِّبُكَ بَعۡدُ بِٱلدِّينِ (7) أَلَيۡسَ ٱللَّهُ بِأَحۡكَمِ ٱلۡحَٰكِمِينَ (8)
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirëshmit, Mëshirplotit
“Betohem në fikun dhe ullirin.”
“Dhe betohem malin Tur Sinain.”
“Dhe betohem këtë qytet të sigurt.”
“Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur.”
“Pastaj e kthyem atë në më të ultin e të ultëve.”
“Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira; për ata ka shpërblim të pandërprerë.”
“E ç’të bën ty ta mohosh pas kësaj gjykimin?”
“A nuk është Allahu më i miri nga gjykuesit?”
Mirësia e leximit të sures “Et Tîn”
Në një hadith të Profetit Muhammed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) thuhet: “Kushdo që e lexon këtë sure, do të përfitojë dy mirësi nga Allahu, kur jeton në këtë botë, të cilat janë: shëndeti dhe besimi. Kur të largohet nga kjo botë, do të marrë sevapet e një dite agjërimi të të gjithë atyre që e kanë lexuar këtë sure.” (Tefsiri “Mexhmaul Bejan”, vëll. 10, f. 510)
MËSIMET NGA SURJA “ETIJN”
Mësimi i parë: Mirësitë e kësaj jete, përfshirë ushqimet e ngrënshme, kanë shenjtërinë e tyre sepse Allahu betohet në disa prej tyre, siç thotë ajeti i parë: “Betohem në fikun dhe ullirin”. Dhe aty ku betohet Krijuesi gjendet bekim i madh. Për këtë duhet të respektohen mirësitë e Allahut. Mirësitë dhe dobitë e fikut dhe të ullirit janë të shumta. Ato mirësi dhe dobi i ka konstatuar edhe mjeksia. Në mjekësinë e lashtë përmendej se përzierja e fikut me mjaltë është e dobishme për stomakun dhe përdoret për përmirësimin e kujtesës.
Në një hadith të Profetit Muhamed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Ushqehuni me vaj ulliri, lyeni trupin me të, sepse është prej pemës së bekuar.”
Në lidhje me ullirin, është thënë: Ai është një ushqim me shije, e shuan etjen dhe qetëson zemërimin, largon zverdhjen e fytyrës, forcon trupin dhe përmirëson tretjen.
Në një hadith të imam Ali ibn Musa Err Rrida (Paqja qoftë mbi të!) thuhet: “Fiku largon aromën e keqe të gojës, forcon mishrat e dhëmbëve dhe kockat, rrit flokët, largon dhimbjen. Duke e pasur atë, nuk është nevoja për ilaçe. Fiku është fryti më i ngjashëm me frutat e Xhennetit.”. (“Biharul Enuar”, vëll. 66, f. 184.)
Fiku përmendet një herë në Kur’an, kurse ulliri përmendet disa herë, dhe të dy kanë përfitime ushqyese dhe kurative. Fiku është i dobishëm për të gjitha moshat dhe nuk përmban sheqer të dëmshëm. Sipas disa transmetimeve, fiku është prej frutave të Xhennetit.
Mësimi i dytë: Ndër nevojat më të rëndësishme materiale të njeriut është shëndeti që vjen nga ushqimi i pastër dhe i sigurtë dhe ushqimi hallall është garant për një shëndet të mirë. Duhet të jemi të kujdesshëm nga përdorimi i ushqimeve. Para fillimit të konsumimit të ushqimit të përmendet emri i Allahut. Po ashtu edhe pas ushqimit të falënderojmë Allahun, Dhënësin, Furnizuesin.
Mësimi i tretë: Shenjtëria e shpalljes hyjnore shtrihet edhe në tokat ku ajo zbret. Shpallja i zbriti në Shpellën Hira Profetit Muhamed por shenjtëria e saj përfshiu edhe tokën përreth saj, Mekën dhe Medinen. E më pas kjo shënjtëri u shtri edhe më gjerë.
Mësimi i katërt: Të qënit e qytetit të Mekës një vend i sigurtë, kjo është përshkak të lutjes së Ibrahimit (Paqja qoftë mbi të!), i cili tha: “Zoti im, bëje këtë vend të sigurt”. Dhe Allahu iu përgjigj kësaj lutjeje duke e bërë Mekën vend të sigurtë. Për ta përforcuar sigurinë e Mekës, Allahu betohet në të, siç thotë në këtë sure (Tijn): “Dhe betohem këtë qytet të sigurt”.
Mësimi i pestë: Njeriu zotëron përparësi mbi të gjitha krijesat nga aspekti i krijimit: “Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur”. Allahu e ka krijuar njeriun në trajtën më të përkryer, si nga ana fizike, ashtu edhe nga ajo mendore e shpirtërore, sepse te njeriu, Allahu ka vendosur talent dhe e ka përgatitur për t’u ngjitur lart. Allahu ka vendosur tek njeriu një botë të madhe, i ka dhënë shumë dinjitet, dhe e ka nderuar atë, siççthotë në ajetin 70 të sures “Isra”: “Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit…”
Mësimi i gjashtë: Edhe Allahu i Lartësuar e ka nderuar njeriun, e ka dalluar nga krijesat e tjera me intelektin, por, njeriu, me të gjitha këto mundësitë që i janë dhënë, nëse do të dalë nga rruga e drejtë, do të bjerë aq poshtë, saqë do të shkojë drejt Esfele Safilijn (në gjendjen më të ulët). Është vetë njeriu ai që e lartëson veten e tij, po ashtu është vetë njeriu që e ul veten e tij në shkallët më të ulëta duke ndjekur egon, epshet dhe dëshirat e tij të shfrenuara. Ajo që synohet me: “Pastaj e kthyem në më të ultin e të ultëve” është largimi i një grupi njerëzish nga natyra e pastër (el fitra).
Mësimi i shtatë: Njeriu është më i miri i krijesave, por kur ai bie, bëhet më i poshtër se të gjitha krijesat: “Ne e krijuam njeriun në formën më të bukur, pastaj e kthyem atë në më të ultin e të ultëve”.
Mësimi i tetë: Besimtarët e sinqertë e të devotshëm të cilët bëjnë vepra të mira, ata nuk e ulin eten e tyre dhe as nuk e poshtërojnë atë. Ata jetojnë më nder e krenari në këtë jetë duke iu bindur Allahut, të Dërguarit të tij, Profetit Muhamed, familjes së tij të pastër dhe shokëve të tij besnikë e të zgjedhur të cilët nuk u tunduan nga bukuritë e pëvlera të kësaj jete. Në këtë sure Allahu I Madhëruar thotë: “Përveç atyre që besuan dhe bënë vepra të mira; për ata ka shpërblim të pandërprerë.”
Mësimi i nëntë: Largësia nga besimi dhe vepra e mirë janë shkaku i rënies, ndërsa besimi është faktori që e largon njeriun nga rënia apo poshtërimi: “në më të ultin e të ultëve, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira”.
Mësimi i dhjetë: Allahu është Krijuesi i njeriut dhe Ai gjykon me drejtësi. Ai është më i Drejti i gjykuesve, siç thotë edhe ajeti i fundit i sures “Tijn”: A nuk është Allahu më i miri nga gjykuesit?
Në një hadith thuhet se, kur Profeti Muhammed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe familjen e tij!) lexonte suren “Et tijn” dhe, kur arrinte tek ajeti: “A nuk është Allahu Gjykatësi më i mirë”, thoshte: “Sigurisht. Dhe unë jam dëshmitarë për këtë.”. (Tefsiri “Mexhmaul Bejan”, vëll. 10, f. 512.).
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ata që duan ta kuptojnë ashtu siç duhet Kur’anin dhe përmbajtjen e tij sa herë që e lexojnë, duhet që të largojnë pengesat që gjenden në brendinë e tyre me qëlim që të shohin dritën e vërtetë të këtij libri të shenjtë.
Ata që qëndrojnë pas pengesave të shumta, nuk e kuptojnë dritën dhe hamendësojnë se mund ta perceptojnë atë, mirëpo ata janë të paaftë ta perceptojnë dritën e vërtetë.
Vërtet, kthimi tek Kur’ani është kthim në jetën që i përshtatet njeriut. Nëse kthimi tek Kur’ani bëhet me bindje të plotë, do të dallohej shumë qartë e vërteta nga e pavërteta dhe e gjithë njerëzia do të ecte në rrugën e lumturisë si në këtë jetë ashtu edhe në Jetën Tjetër.
Allahu na mundësoftë të jemi prej atyre që e kuptojnë Kur’anin dhe e zbatojnë atë në jetën e tyre!
O Allah! Na e ndriço jetën me dritën e Kur’anit!

