Mësime nga surja “Ed Duha”

Surja “Duha” është surja e 93 e Kur’anit dhe ndodhet në xhuzin e 30. Ka zbritur në Mekë dhe ka 11 ajete. Në këtë sure Allahu i Madhëruar thotë:

وَٱلضُّحَىٰ (1) وَٱلَّيۡلِ إِذَا سَجَىٰ (2) مَا وَدَّعَكَ رَبُّكَ وَمَا قَلَىٰ (3) وَلَلۡأٓخِرَةُ خَيۡرٞ لَّكَ مِنَ ٱلۡأُولَىٰ (4) وَلَسَوۡفَ يُعۡطِيكَ رَبُّكَ فَتَرۡضَىٰٓ (5) أَلَمۡ يَجِدۡكَ يَتِيمٗا فَـَٔاوَىٰ (6) وَوَجَدَكَ ضَآلّٗا فَهَدَىٰ (7) وَوَجَدَكَ عَآئِلٗا فَأَغۡنَىٰ (8) فَأَمَّا ٱلۡيَتِيمَ فَلَا تَقۡهَرۡ (9) وَأَمَّا ٱلسَّآئِلَ فَلَا تَنۡهَرۡ (10) وَأَمَّا بِنِعۡمَةِ رَبِّكَ فَحَدِّثۡ (11)

Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshrëshmit, Mëshirplotit,

1. “Betohem në shkëlqimin e paradites”

2. “Betohem në natën kur terret e qetësohet,”

3. “Se Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të urren (o i Dërguar)”

4. “Natyrisht, Jeta Tjetër për ty është më e mirë se kjo jetë,”

5. “E, sigurisht që Zoti yt do të të japë ty, sa të jesh i kënaqur.”

6. “A nuk ishe jetim e Ai të dha strehë?”

7. “A nuk të gjeti të paditur (për Islamin) e të udhëzoi?”

8. “A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt?”

9. “Prandaj, mos e shtyp jetimin,”

10. “Lypësin mos e shty me ashpërsi”

11. “Dhe flit për mirësinë e Zotit tënd.”

Mirësitë e leximit të sures “Ed Duha”

Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) se ka thënë: “Kush e lexon këtë sure (pra suren Duha), do të jetë prej atyre që Allahu është i kënaqur me të, dhe Muhamedi do të ketë të drejtë të ndërmjetësojë për të. Për lexuesin e kësaj sureje do të ketë dhjetë të mira për çdo jetim dhe nevojtar.” (Burimi: Tefsiri “Mexhmaul Bejan”, vëll. 10, f. 503.)

Sigurisht, kjo vlerë e leximit është për ata që e lexojnë dhe veprojnë sipas asaj që lexojnë.

Shkaku i zbritjes

Për sa i përket shkakut të zbritjes së kësaj sureje janë transmetuar hadithe të shumta. Transmetimi më i qartë është ai në të cilin Ibn Abasi thotë: ‘Kishin kaluar pesëmbëdhjetë ditë e Profetit Muhammed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) nuk po i zbriste shpallja. Politeistët thanë: Zoti e ka braktisur Muhamedin dhe e ka bërë armik. Nëse ju thoni të vërtetën, se çështja juaj është nga ana e Allahut, atëherë përse shpallja nuk vjen në mënyrë të rregullt? Pasi politeistët thanë këto fjalë, zbresin ajetet e kësaj sureje, për t’u dhënë përgjigje atyre”. Sipas një hadithi, kur kjo sure zbriti, Profeti Muhamed (Paqja e bekimi i All’llahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) i tha Xhebrailit: “U vonove, po të prisja me shumë entuziazëm.” Unë kam qenë më shumë i përmalluar dhe më i etur për ty, por unë jam rob e urdhrat i marr nga Krijuesi dhe asgjë nuk më shpallet pa Urdhër të Krijuesit! – tha Xhibraili. Në një transmetim tjetër thuhet se koha e ndërprerjes së shpalljes ka qenë dy apo tre ditë e net.

Qëllimi i kësaj ndërprerjeje mund të ketë qenë që njerëzit ta kuptonin se gjithçka që ekziston është nga Allahu dhe se Profeti nuk ka pushtet mbi shpalljen, as për kohën dhe as për sasinë e saj.

Dëshmia që Allahu nuk e ka braktisur Profetin është se Ai në fillim betohet në paraditen dhe në natën e pastaj thotë: “Se Zoti yt nuk të ka braktisur e as nuk të urren (o i Dërguar)”. Një dëshmi tjetër është se Allahu i drejtohet Profetit personalisht në këtë sure të shkurtër plot trembëdhjetë herë.

Në origjinalitet, fjala “dal’lun” ka kuptimin e devijimit nga e vërteta. Po ashtu, vjen edhe me kuptimin e diçkaje të humbur, siç thotë imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!): “Urtësia është e humbura e besimtarit.” (Nehxhul Belaga, urtësia nr. 80).  Në këtë sure, kjo fjalë nënkupton mungesën e njohjes për të vërtetën dhe jo devijim. Sepse, Profeti ishte i pastër para zbritjes së shpalljes dhe i mbrojtur nga gjërat e ndaluara. Ai nuk merrte pjesë në ritet idhujtare, nuk bënte padrejtësi apo mëkate. Pra, ka qenë i udhëzuar dhe i pagabueshëm.  Këtë e mbështet edhe ajeti 2 i sures “Nexhm”, i cili thotë: “se shoku juaj (Muhamedi s.a.a.s.), nuk ka humbur e nuk ka devijuar.”  Pra, profeti Muhamed nuk ka devijuar as edhe një moment. Është jashtë logjike që një njeri I devijuar më parë të jetë udhëzues dhe mëshirë për mbarë njerëzimin.

MËSIMET E SURES “ED DUHA”

Edhe kjo sure e begatë përmban mësime të ndryshme mjaft të dobishme. Eruditi dhe komentuesi i Tesijrit “Nur”, Shejkh Muhsin Keraeti ka përmendur 30 mësime të sues “Ed Duha”, të cilët janë:

Mësimi i parë: Drita e ditës dhe errësira e natës, si dhe qetësia që sjell nata, janë begati madhështore për të cilat Allahu është betuar: “Betohem në shkëlqimin e paradites” dhe “Betohem në natën kur terret e qetësohet.” Ky betim sqaron vlerën dhe mirësinë e madhe të paradites dhe të natës.

Mësimi i dytë: Të ndalojmë gjuhën e thashethemeve me vendosmëri dhe të mbyllim dyert e sulmeve ndaj njerëzve të pastër.

Mësimi i tretë: T’i përgjigjemi pyetjeve, qëndrimeve, përfundimeve të nxituara dhe gjykimeve të pasakta me plot qartësi dhe sinqeritet.

Mësimi i katërt: Nuk i takon edukatorit të braktisë atë të cilin e ka marrë përsipër që ta edukojë. Kur kjo zbatohet në mesin e njerëzve të zakonshëm, vallë a është e mundur që Allahu të braktisë të Dërguarin e Tij? Sigurisht që jo, siç thotë edhe ajeti: “Zoti yt nuk të ka braktisur.”

Mësimi i pestë: Të mos mendojmë se ndërprerja e mirësisë për një periudhë është shenjë e zemërimit të Allahut apo e mungesës së vëmendjes së Tij ndaj nesh.

Mësimi i gjashtë:  Frazat “Mos e shtyp jetimin” dhe “Lypësin mos e shty me ashpërsi”, janë urdhëresa që përmbajnë mirësjellje, nderim dhe respektim për të jetimët dhe nevojtarët.

Mësimi i shtatë:  Mirësitë e Jetës Tjetër nuk përfshihen nga zhdukja apo mangësia siç ndodh me mirësitë e dynjasë. Për këtë ajeti: “Natyrisht, Jeta Tjetër për ty është më e mirë se kjo e para (dynjaja).”

Mësimi i tetë: Allahu e ka mbrojtur profetin e Tij nga çdo lloj zemërimi në këtë botë dhe në Botën Tjetër.

Mësimi i nëntë: Si kompensim të ndërprerjes së shpalljes, Allahu i premtoi Profetit të Tij atë që e kënaq: “Dhe Zoti yt do të të japë, e ti do të jesh i kënaqur.”

Mësimi i dhjetë: Sikur njerëzit të zotërojnë tërë dynjanë, ata nuk do të jenë të kënaqur. Përmbushja e premtimit të Allahut do të jetë në Jetën Tjetër.

Mësimi i njëmbëdhetë: Allahu i Lartësuar dëshironte që Profeti të ishte i kënaqur si në këtë botë, ashtu edhe në Botën Tetër, siç bëri me ndërrimin e kibles: “Ne do të të kthejmë në një drejtim që do të kënaqë ty.” (Sure “El Bekare”, ajeti 144). Edhe në Botën Tjetër, Allahu do ta kënaqë Profetin me dhënien e ndërmjetësimit (shefa’atit), që ai të ndërmjetësojë për njerëzit.  Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ajo që i jepet Profetit në Botën Tjetër është ndërmjetësimi (shefa’ati).”

Mësimi i dymbëdhjetë: Udhëheqësi duhet të jetë i vetëdijshëm për dhimbjet dhe vuajtjet për të ndjerë dhimbjet dhe vuajtjet e të tjerëve. Profeti Muhamed e dinte se ç’është dhimbja e të qënit jetim.

            Mësimi i trembëdhjetë: Nuk ka pengesa për jetimin për të arritur përsosmërinë, sepse edhe Profeti ynë i dashsur ishte jetim dhe arriti në kulmin e përsomërisë.

            Mësimi i katërmbëdhjetë: Njeriu mund të jetë i panjohur dhe i pavlerë tek njerëzit, por ai mund të ketë vlerë të lartë tek Allahu. Dhe ai që ka vlerë të lartë tek Allahu, Allahu është strehuesi dhe përkrahësi i tij.

Mësimi i pesëmbëdhjetë: Përmendja e mirësive të Allahut gjallëron shpirtin e falëndërimit dhe të shërbimit ndaj të tjerëve.

Mësimi i gjashtëmbëdhjetë: Të kujtojmë ditët e dobësisë sonë kur një ditë të na vijë fuqia dhe forca. Prandaj, mos e shfrytëzojmë për keq fuqinë dhe forcën që na vjen.

Mësimi i shtatëmbëdhjetë: Mirësitë e Allahut zbresin përmes ndërmjetësimit. Srehimi i Allahut për Profetin ishte përmes xhaxhait të tij Ebu Talibit (Paqja qoftë mbi ata të!) dhe bërja e tij të panevojshëm për njerëzit ishte përmes zonjës Hatixhe (Paqja qoftë mbi ata të!).

Mësimi i tetëmëdhjetë: Strehimi i jetimi dhe pasurimit të tij materialisht është çështje e Allahut, siç thotë ajeti 8 i kësaj sureje: “A nuk ishe nevojtar e të bëri të mos ia kesh nevojën askujt?”

Mësimi i nëntëmbëdhjetë: Nëse kujtojmë vështirësitë tona të mëparshme, atëherë ne nuk do ti dëbojmë të varfrit dhe të dëshpëruarit: Prandaj, mos e shtyp jetimin,” dhe “Lypësin mos e shty me ashpërsi”

Mësimi i njëzet: Kujdesi për jetimin është për shkak të sprovës së tij dhe të anës psikologjike, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm ndaj tij, siç na mëson kjo sure: “Prandaj, mos e shtyp jetimin.”, pras mos i flit ashpër. Nëse neglizhohen nevojat e jetimit, atëherë shoqëria do të përballet me prishje morale dhe shoqërore të shumta. Mungesa e dashurisë për jetimin mund ta bëjë atë njeri të ngurtë në zemër dhe problematik për shoqërinë.

Mësimi i njëzet e një: Mirësitë janë nga Allahu, prandaj mos të bëhemi arrogantë ndaj tyre duke i përdorur aty ku zemërohet Dhënësi i mirësive, Allahu Bujar.

Mësimi i njëzet e dy: Shfaqja e mirësisë është shenjë falënderimi për të. Për këtë na urdhëron edhe ajeti i fundit i kësaj sureje: “Dhe flit për mirësinë e Zotit tënd.”. Pra,duhet qëtë tregohen hapur mirësinë e Tij, me fjalë, vepra dhe sjellje.  

Mësimi i njëzet e tre: Butësia dhe mirësia e Allahut në të kaluarën është shkak për shpresë në të ardhmen. Kjo do të thotë se: Allahu që u përkujdes në të kaluarën kur ishe jetim dhe i varfër, është Ai që do ta bëjë të ardhmen tënde më të mirë se e kaluara. Dhe ashtu ndodhi me Profetin Muhamed (s.a.as.)

Mësimi i njëzet e katërt: Vërtet, Allahu jep shumë edhe kur kërkon pak. Ai është që e pasuron të varfrin dhe dëshiron që ne të mos e përçmojmë të varfrit. Ai është që e strehon jetimin dhe dëshiron nga ne që të mos jemi të ashpër me të.

Mësimi i njëzet e pesë: Allahu jep pa i kërkuar dhe para se të kërkohet, kështu që ne të ndihmojmë të tjerët, të paktën kur ata na kërkojnë ndihmë.

Mësimi i njëzet e gjashtë: Mos t’i shikojmë të mirat si rezultat të dijes apo përpjekjeve tona dhe mos të mos krenohemi, por t’i konsiderojmë ato si mirësi nga Allahu. Çdo gjë që kemi është nga Allahu.

Mësimi i njëzet e shtatë: Përkujtimi i mirësive na shpëton nga dëshpërimi dhe rrënimi, si dhe na shton aftësinë për të përballuar vështirësitë e jetës. Kur përkujtojmë mirësitë kjo do të thotë se jemi të lidhur me Dhënësin e Mirësive, Allahun Fuqiplot. Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) se ka thënë: “Të flasësh për begatinë e Allahut është falënderim, ndërsa ta lësh atë është mosbesim.” (“El Uesa’il”, vëll. 84, f. 4).  

Mësimi i njëzet e tetë: Dashuria dhe mëshira ndaj jetimëve është më e mirë për ta se ushqimi dhe veshmbathja.

Mësimi i nëzet e nëntë: Kur të përballemi me sëmundje, varfëri apo sprova të tjera, është mirë që të përmendim mirësitë e tjera që kemi, sepse në këtë qëndron ilaçi i shërimit.

Mësimi i tridhjetë: Gjithmonë të përmendim mirësitë e Allahut në jetën tonë. Të mos i shfrytëzohen ato për mburrje apo mendjemadhësi. Por duhet të jemi mirënjohës dhe të përulur.

Falënderimi i takon Allahut, Sunduesit të botëve