Në ajetin 70 të sures “Ahzab”, Allahu i Madhëruar thotë:
}يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَقُولُوا قَوْلًا سَدِيدًا{
“O që keni besuar, frikësojuni Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën.”
Ajet i lartpërmedur na mëson disa mësime të thella dhe të fuqishme:
Mësimi i parë: E vërteta është detyrë hyjnore për besimtarin
Në këtë ajet Allahu u drejtohet “atyre që kanë besuar”, që do të thotë se thënia e së vërtetës është pjesë thelbësore e besimit. Nuk mjafton vetëm të besosh me zemër, por besimi kërkon sinqeritet dhe drejtësi në fjalë.
Mësimi i dytë: Frika nga Allahu lidhet me sinqeritetin dhe të vërtetën
Kur ajeti thotë “frikësojuni Allahut”, nënkupton që njeriu duhet të ketë vetëdije të lartë për përgjegjësinë para Allahut, sidomos kur flet. Fjalët tona nuk janë të thjeshta. Ato mund të jenë shpëtim ose shkatërrim. Plaga e fkjalës është më e rëndë se plaga e plumbit.
Mësimi i tretë: “Thoni vetëm të vërtetën” – jo ndryshe!
Thënia e ajetit: “Kûlû kaulen sedîda” do të thotë jo vetëm të thuash të vërtetën, por ta thuash në mënyrë të drejtë, të qartë dhe të sinqertë. Dhe kjo përjashton: Gënjeshtrat, hipokrizinë, lajkatimin për interes dhe të mbajturit anën e padrejtësisë.
Mësimi i katërt: E vërteta sjell dobi dhe pastrim
Në ajetin 71 të ssures “Ahzab”, Allahu premton duke thënë “Ai do t’i përmirësojë veprat tuaja dhe do t’ju falë mëkatet…”
Pra, të thuash të vërtetën nuk është vetëm moral i mire, është rrugë drejt faljes hyjnore dhe përmirësimit të jetës.
Mësimi i pestë: Të thuash të vërtetën është akt guximi dhe adhurimi (ibadeti)
Në një kohë ku mashtrimi është i zakonshëm, të thuash të vërtetën është një akt adhurimi, dhe shpesh kërkon guxim. Ky ajet na edukon që besimtari nuk duhet të jetë oportunist, por njeri me karakter të fortë, që flet drejt edhe kur është i vetëm.
Kur’ani e dënon ashpër fshehjen e së vërtetës. Në ajeti 42 të sures “Bekare” thuhet:
}وَلَا تَلۡبِسُواْ ٱلۡحَقَّ بِٱلۡبَٰطِلِ وَتَكۡتُمُواْ ٱلۡحَقَّ وَأَنتُمۡ تَعۡلَمُونَ {
“Mos e përzieni të vërtetën me të pavërtetën, dhe të vërtetën mos e fshihni me vetëdije.”
Ata që fshehin të vërtetën i mallkon Allahu. Këtë e dëshmon ajeti 159 në suren Bekare”, i cili thotë:
“Me të vërtetë, ata që fshehin shpalljet Tona të qarta, pasi ua kemi shpjeguar njerëzve në Libër (Teurat), do të mallkohen nga Allahu dhe do të mallkohen nga ata (engjëj e njerëz) që janë ngarkuar të mallkojnë.”
Të dashur vëllezër dhe motra!
Të jesh besimtar do të thotë të jesh i vërtetë. Fjalët tona janë pasqyrë e devotshmërisë sonë. E vërteta është rrugë drejt Allahut dhe drejt shpëtimit. Në një botë ku gënjeshtra është normale, nuk duhet të mashtrohemi, as të brektisim të vërtetën e as ta përziejmë atë me të pavërtetëë.
Islami e vendos të vërtetën si qendër të besimit dhe veprimit. Në suren “Teube”, ajeti 119 Allahu i Madhëruar thotë:
{يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَكُونُوا مَعَ الصَّادِقِينَ}
“O ju që keni besuar! Frikësojuni Allahut dhe qëndroni me të vërtetët (në fjalë e në vepra).”
Ky është urdhër hyjnor që jo vetëm të flasim të vërtetën, por të jemi me të vërtetët, pra të qëndrojmë gjithmonë në anën e së drejtës edhe kur është e vështirë.
Shembulli më i mirë për ne është Profeti ynë i dashur, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili u njoh që para shpalljes si “Es Sadiku, El Emijn” – i vërteti dhe besniku, i besuari. Ai kurrë nuk e braktisi të vërtetën, edhe kur ajo e solli në konflikt me fisin e tij, me elitën e Mekës, apo me pasojat më të rënda. Një hadith Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) thotë: “Thuani të vërtetën, edhe nëse është e hidhur.”
Në një hadith tjetër thotë: “Thuani të vërtetën, edhe nëse është e hidhur.”
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!), për të cilin Profeti Muhamed ka thënë: “Aliu është me të vërtetën dhe e vërteta është me Aliun”, thoshte: “Mos shiko se kush po flet, por shiko çfarë po thuhet.” Imam Aliu kurrë nuk e ndërroi të vërtetën për interesa politike apo shoqërore. E vërteta për të ishte parimi më i lartë.
Ndërsa imam Husejni (Paqja qoftë mbi të!), nipi i Profetit, u ngrit kundër një regjimi të korruptuar dhe mashtrues si ai i Jezidit, jo për pushtet, por për të mbrojtur të vërtetën dhe për të ndaluar shtrembërimin e fesë. Ai ka thënë: “A nuk e shihni se e vërteta nuk zbatohet dhe e pavërteta nuk ndalohet?”
Në ditët tona, mashtrimi merr forma të ndryshme: lajme të rreme, manipulim në rrjete sociale, drejtues që gënjejnë, njerëz që shesin ndërgjegjen për interes.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka paralajmëruar dhe ka thënë: “Do të vijë një kohë kur gënjeshtari do të besohet dhe i vërteti do të konsiderohet gënjeshtar. Besnikut nuk do t’i besohet, dhe tradhtari do të quhet i besueshëm. Do të flasin të paaftët në emër të shoqërisë.”
A nuk jemi në këtë kohë? E vërteta shpesh nuk është e lehtë për t’u thënë. Kërkon guxim përballë frikës, presionit dhe interesave. Kjo është një kohë që e kërkon njeriun e guximshëm, që nuk hesht përballë padrejtësisë, që nuk bën kompromis me të vërtetën, edhe kur është i vetëm.
Detyra jonë si besimtarë ndaj të vërtetës në këtë kohë
Të dashur vëllezër dhe motra!
Jetojmë në një kohë ku e vërteta shpesh shtypet, dhe mashtrimi shpërndahet me shpejtësi përmes teknologjisë, mediave dhe madje edhe përmes njerëzve që kanë ndikim. Në një epokë të tillë, qëndrimi pranë së vërtetës është një akt guximi dhe besimi. Mbrojtja e së vërtetës është një nga detyrat më fisnike dhe një nga sfidat më të mëdha të jetës. Në Islam dhe në çdo moral të lartë, ajo kërkon guxim, urtësi dhe qëndrueshmëri.
Në këtë kohë, detyra jonë ndaj të vërtetës është:
– Të jemi të vërtertë në fjalë dhe vepra.
– Të mos i nënshtrohemi presionit të shoqërisë apo të interesit.
– Të qëndrojmë me të vërtetën, edhe në situate të vështira.
– Të edukojmë brezat me dashuri për të vërtetën.
– Të themi të vërtetën jo në mënyrë fyese ose të ashpër. Por të veprojmë siç na mëson Kur’ani në ajetin 125 të sures “Nahl”: “Thirr në rrugën e Zotit tënd me urtësi dhe këshillë të mirë.”
– Nuk mjafton ta mbrojmë të vërtetën vetëm me fjalë. Duhet që ta veprojmë atë. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Besimtari më i fortë është ai që kur vepron sipas së vërtetës, nuk e pengon as urrejtja e njerëzve, as dashuria e tyre.”
– Të mos përhapim thashetheme ose gjëra të paverifikuara. Të zbatojmë thënien e Allahut në ajetin 6 të sures “Huxhuratë, e cila thotë: “O ju që keni besuar! Nëse ndonjë njeri i pandershëm ju sjell ndonjë lajm, sigurohuni mirë (në është i vërtetë), për të mos i bërë dëm ndokujt padashje, e të pendoheni pastaj për atë që keni bërë.”
– Të luftojmë gënjeshtrën me argumente dhe sjellje të mirë. Në suren “Isra”, ajeti 36 thuhet: “Dhe mos ndiq atë që nuk e di, sepse dëgjimi, shikimi dhe zemra, për të gjitha këto do të pyetesh.”
– Të jemi shembull i së vërtetës në jetën tone. Pra, zbatues të saj. Nëse i zbatojmë këto që përmendëm do të jemi prej mbrojtësve të vërtetës dhe të përhapjes së saj.
Të dashur vëllezër dhe motra!
E vërteta mund të jetë rrugë e vështirë, por është rruga e shpëtimit. Por Allahu na thotë në Kur’an se e vërteta është triumfuese dhe e pavërteta është e paqëndrueshme, siç thotë në ajetin 81 të sures “Isra”:
}وَقُلْ جَآءَ ٱلْحَقُّ وَزَهَقَ ٱلْبَٰطِلُ ۚ إِنَّ ٱلْبَٰطِلَ كَانَ زَهُوقًا{
Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti e treguan me jetën e tyre se sa i çmuar është parimi i së vërtetës. Ne duhet të jemi pasuesit e tyre të denjë.
Allahu na bëftë nga ata që thonë dhe veprojnë sipas të vërtetës, dhe që nuk e shesin atë për pak përfitim të kësaj bote, siççthotë në ajetin 135 të sures “Nisa”:
{يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ كُونُواْ قَوَّٰمِينَ بِٱلۡقِسۡطِ شُهَدَآءَ لِلَّهِ وَلَوۡ عَلَىٰٓ أَنفُسِكُمۡ أَوِ ٱلۡوَٰلِدَيۡنِ وَٱلۡأَقۡرَبِينَۚ}
“O ju që besuat! Jini mbrojtës të drejtësisë dhe dëshmitarë për hir të Allahut, edhe sikur kundër vetes suaj, prindërve apo të afërmve…”

