Në suren “Kaf” ajetet 16-18 Allahu i Madhëruar thotë:
{ وَلَقَدْ خَلَقْنَا الْإِنْسَانَ وَنَعْلَمُ مَا تُوَسْوِسُ بِهِ نَفْسُهُ وَنَحْنُ أَقْرَبُ إِلَيْهِ مِنْ حَبْلِ الْوَرِيدِ }
{ إِذْ يَتَلَقَّى الْمُتَلَقِّيَانِ عَنِ الْيَمِينِ وَعَنِ الشِّمَالِ قَعِيدٌ }
{ مَا يَلْفِظُ مِنْ قَوْلٍ إِلَّا لَدَيْهِ رَقِيبٌ عَتِيدٌ }
16. “Ne e kemi krijuar njeriun dhe, Ne e dimë çfarë i pëshpërit vetja e tij dhe Ne jemi më afër tij se damari i qafës.”
17. “Dy shënues (engjëj) i rrinë atij nga e djathta dhe e majta.”
18. “Dhe, për çdo fjalë që ai thotë, ka pranë vetes një mbikëqyrës të gatshëm (për ta shënuar atë).
Nga këto ajete të Kur’anit të Shenjtë sqarohet se ne jemi gjithmonë nën vëzhgimin dhe mbikëqyrjen e Allahut të Madhëruar. Është detyrë e çdo njeriu që të jetojë me ndjenjën e mbikëqyrjes së Krijuesit. Njeriu duhet ta dijë se Allahu është i Mirinformuar dhe i Gjithëditur për gjithçka që mendon dhe vepron. Ne vëzhgojmë të jashtmen e njerëzve, kurse Allahu i Madhëruar vëzhgon të jashtmen dhe të brendshmen. Kjo do të thotë se kur njeriu hesht, Allahu e vëzhgon zemrën e tij. Kur lëviz, Allahu i vëzhgon lëvizjet e tij. Kur flet, Allahu vëshgon të folurin e tij dhe dëgjon gjithçka që flet.
Në këto tre ajete të sures “Kaf” gjenden tre realitete madhështore:
Realiteti i parë: Afërsia e Allahut. Allahu thotë: “dhe Ne jemi më afër tij se damari i qafës.”
A keni menduar ndonjëherë se kush është më afër jush? A janë prindërit? A është bashkëshorti apo bashkëshortja? A janë fëmijët? A është shoku juaj më i dashur? Apo ndoshta është damari i qafës, që nga ai varet jeta juaj?
Këtë pyetje na e sqaron ajeti 16 i sures “Kaf”, në të cilin Allahu i Madhëruar na thotë: “Ne e kemi krijuar njeriun dhe e dimë çfarë i përshpërit vetja e tij, dhe Ne jemi më afër tij se damari i qafës.” Pra, sipas këtij ajeti më afër me ne është Krijuesi ynë, Allahu i Madhëruar e i Lartësuar. Dhe për këtë realitet, shumica e njerëzve janë të paditur dhe të pavëmenshëm.
Fraza e ajetit “Ne e kemi krijuar njeriun”, nënkupton, se Allahu është Krijuesi i njeriut duke hedhur poshtë hipotezën helmuese se njeriu e ka prejardhjen nga majmuni. Duke qenë se Allahu është Krijuesi i njeriu, është e pamundur që Ai të mos ketë dijeni për imtësitë e krijesave të Tij dhe për ato që i ka krijuar Vetë.
Ky ajet është një paralajmërim i qartë dhe një ftesë madhështore për ndërgjegjësim dhe reflektim, sepse ne nuk jemi kurrë vetëm! Allahu është gjithmonë me ne, siç thuhet në ajetin 4 të sures “Hadijd”:
…}وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنْتُمْ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ {
“…Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.”
Sa domethënëse është shprehje: “dhe Ne jemi më afër tij se damari i qafës.”. Jeta jonë trupore është lidhur me një damar, që transporton gjakun në zemër e më pas e nxjerr atë prej saj, nëpërmjet një rregulli të mahnitshëm, duke e shpërndarë atë te të gjitha organet e trupit. Nëse ky damar, nuk do të punojë, qoftë dhe një moment të vetëm, njeriu vdes. Asgjë nuk mund t’i fshihet vëmendjes dhe dijenisë së Allahut të Madhëruar! As veprat, as punët, as mendimet, as qëllimet, nuk mund të dalin jashtë dijenisë së Allahut. Ai di çdo gjë: fjalët që s’i themi, mendimet që s’i tregojmë askujt. Në ajetin 89 të sures “A’raf” thuhet: “Zoti ynë i përfshin të gjitha në dijeninë e Tij.”
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Allahu është me robin e Tij kur ai e kujton dhe kur ia përmend emrin.”
Në të vërtetë, reflektimi rreth kësaj të vërtete, e zgjon njeriun dhe e shtyn atë të ndërtojë raporte korrekte me Allahun, të kujdeset për veprat që do t’i shfaqen te libri i tij, në Gjykatën e Drejtësisë Absolute së Allahut. Ky reflektim e nxit atë të zhvendoset prej hutisë te vetëdija, te udhëzimi, përkushtimi e devotshmëria.
Raliteti i dytë: Regjistrimi i çdo vepre
Në ajetin 17 Allahu thotë: “Dy shënues (engjëj) i rrinë atij nga e djathta dhe e majta.”
Kuptimi i këtij ajeti është: Megjithëse Allahu i Madhëruar ka dijeni dhe informacion të plotë rreth veprimtarisë së dukshme të njerëzve dhe të fshehtave të tyre, janë dy engjëj të posaçëm, që janë ngarkuar me regjistrimin e të gjitha veprave dhe fjalëve, të çdo njeriu. Këta dy engjëj e shoqërojnë njeriun vazhdimisht, pa u shkëputur për asnjë moment prej tij. Kjo mënyrë e regjistrimit të veprave, e bën më të fortë argumentin ndaj njeriut gjatë dhënies së llogarisë në Ditën e Gjykimit. Llogaria për veprat e kryera. Këta engjëj do të jenë edhe dëshmitarët e njeriut në Ditën e Llogaridhënies.
Në disa transmetime islame thuhet se engjëlli që qëndron në krahun e djathtë, regjistron veprat e mira, ndërsa engjëlli që qëndron në të majtë, regjistron veprat e këqija. Transmetimet thonë, gjithashtu, se engjëlli i krahut të djathtë është prijësi i engjëllit të krahut të majtë. Nëse njeriu kryen një vepër të mirë, engjëlli i krahut të djathtë e regjistron atë në dhjetëfishin e saj. Ndërsa, kur njeriu kryen një vepër të keqe, engjëlli i krahut të majtë, sapo nis ta regjistrojë, engjëlli i krahut të djathtë, e ndalon ta shkruajë. Kështu që ai ndalet së shkruari për shtatë orë. Nëse gjynahqari i kërkon falje Allahut, brenda këtyre orëve, ai nuk e shkruan si vepër të keqe, por, nëse nuk i kërkon falje Allahut, ai e regjistron atë si një të keqe të vetme. (Tefsiri “Mexhmaul Bejan”, vëll. 9, f. 144).
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shkruesi i veprave të mira është në të djathtën e njeriut, ndërsa shkruesi i veprave të këqija në të majtën e tij. Ai i djathti është prijësi i të majtit. Kur njeriu bën një vepër të mirë, ia shkruan me dhjetë shpërblime. Kur bën një vepër të keqe, engjëlli i djathtë i thotë atij të majtit: Lëre për shtatë orë, ndoshta ai do të thotë tesbih (lartësim për Allahun) ose do të kërkojë falje.” (Transmeton Tabrasi)
Meqenëse Allahu i Gjithmëshirshëm na ka dhënë një shans për t’u penduar para se të shënohet gjynahu, pse e shpërdorojmë këtë mundësi?
Realiteti i tretë: Kontrolli i gjuhës
Në ajetin 18 Allahu thotë: “Nuk nxjerr asnjë fjalë, veçse pranë tij është një mbikëqyrës i gatshëm.” Kjo tregon peshën dhe ndikimin e madh që fjalët kanë në jetën e njerëzve, pasi një fjalë apo një fjali e vetme, mund të ndikojë në përcaktimin e trajektores së shoqërisë drejt të mirës apo drejt të keqes. Ndodh, gjithashtu, që disa njerëz nuk besojnë se fjalët janë pjesë e veprave të tyre. Ata mendojnë se janë të lirë të shprehen dhe të thonë ç’të dëshirojnë, edhe pse fjala është një prej mjeteve më ndikuese dhe më të rrezikshme në jetën e njerëzve.
Pyetja që lind, është: Cilat janë fjalët, që shkruajnë këta engjëj?! Ka shumë mendime, lidhur me këtë çështje. Një pjesë e komentuesve kanë thënë se ata shkruajnë çdo fjalë që del nga goja e njeriut, duke përfshirë këtu edhe ulërimat rënkimet që shkaktohen prej dhimbjeve. Ndërkohë që disa të tjerë, besojnë se ata shkruajnë shprehjet e mira dhe shprehjet e këqija, veprat e obliguara, veprat e pëlqyeshme, të ndaluara, haram, të papëlqyera, mekruh.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Njeriu hedh (e nxjerr) një fjalë pa menduar dhe për shkak të saj bie në zjarr më larg se distanca midis lindjes dhe perëndimit.” Fjala është si shigjeta, e cila kur del, nuk kthehet. Çdo fjalë që themi shkruhet. Nuk ekziston “ishte shaka” ose “ishte thjesht fjalë”, apo “fjalët i merr era”.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Bazuar në këto tre realitete madhështore, lind pyetja: Çfarë të bëjmë
Si përgjigje të kësaj pyetjeje themi:
– Të jetojmë me ndjenjën e afërsisë së Allahut me ne. Para se të mendojmë bërjen e mëkatit të pyesim veten: Si muna ta bëjë këtë mëkat para Atij që më sheh gjithmonë dhe është më afër meje se damari i qafës time?
– Të ruajmë mendimet. Të pastrojmë zemrën nga mendimet e këqija, sepse ato janë fara e veprave të këqija.
– Të kontrollojmë gjuhën. Të flasim vetëm atë që është e dobishme dhe e pëlqyeshme te Allahu dhe tek njerëzit.
– Të shfrytëzojmë orët e faljes së namazeve. Nëse gabojmë, të pendohemi menjëherë.
– Të jemi gjithmonë përmendës të Allahut dhe falënderues të Tij për mirësitë që na jep.
– Të kujtojmë Ditën e Llogarisë. Çdo fjalë dhe vepër do të dalë para syve tanë nesër në Ditën e Llogaridhënies.
– Kudo që të jemi, kudo që të shkojmë, të jemi të vëmendshëm e të kujdesshëm. Të jetojmë si ata njerëz që e dinë se janë gjithmonë nën shikimin dhe vëzhgimin e Allahut të Madhëruar dhe nën shënimin e engjëjve, sepse Kur’ani na thotë: “Çdo njeri do të shohë atë që ka bërë.” (Sure “Et Tekathur”, ajeti 7)
Të dashur vëllezër dhe motra!
Njeriu, që jeton me ndjenjën se Allahu është më afër tij dhe se Ai e mbikëqyr në çdo moment, ai njeri nuk do e shohë tmerrin e Ditës së Kiametit.
Njeriu, që jeton me ndjenjën e mbikëqyrjes së Allahut të Madhëruar, ka fituar dashurinë dhe kënaqësinë e Allahut e kjo është fitorja më e madhe.
Njeriu, që jeton me ndjenjën e besimit në Allahun e Madhëruar, do ta ketë të lehtë largimin nga kjo jetë. Inshallah.
Atëherë, është detyra jonë që t’i frikësohemi Allahut haptas dhe fshehtas, sepse Zoti ynë është i Mirinformuar për gjithçka që bëjmë ne. Atij nuk i shpëton asgjë nga fjalët dhe veprat tona, sado të vogla të jenë ato. Nesër, në Ditën e Llogarisë ne do t’i shohim të gjitha veprat tona. Ato janë të regjistruara dhe të shënuara në librin e veprave tona. Këtë e dëshmon edhe Kur’ani i Shenjtë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë dhe kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (Sure “Zelzele”, ajetet 7-8).
Gjithmonë të kujtojmë thënien e Allahut të Madhëruar, i cili na thotë:
{وَقُلِ ٱعْمَلُواْ فَسَيَرَى ٱللَّهُ عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُۥ وَٱلْمُؤْمِنُونَ ۖ وَسَتُرَدُّونَ إِلَىٰ عَٰلِمِ ٱلْغَيْبِ وَٱلشَّهَٰدَةِ فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ}
“Thuaj: Punoni, se Allahu, i Dërguari i Tij dhe besimtarët do të shohin punën tuaj. Së shpejti do të ktheheni tek Ai që di të dukshmen dhe të padukshmen e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë.” (Sure “Teube”, ajeti 105).

