Në ajetin 18 të sures “Nahl” Allahu i Madhëruar thotë:
}وَإِن تَعُدُّوا نِعْمَتَ اللَّهِ لَا تُحْصُوهَا{
“E nëse përpiqeni t’i numëroni mirësitë e Allahut, nuk do të mund t’i përkufizoni ato.”
Nga ky ajet kuptohet qartë se Allahu është burimi i çdo mirësie. Allahu është Ai që i jep njeriut jetë, ushqim, shëndet, familje, dije dhe udhëzim.
Çdo gjë që kemi në këtë jetë është dhuratë nga Allahu i Plotfuqishëm dhe Bujar. Në ajetin 78 të sures “Nisa” thuhet:
}قُلْ كُلٌّ مِنْ عِنْدِ اللَّهِ فَمَالِ هَؤُلَاءِ الْقَوْمِ لَا يَكَادُونَ يَفْقَهُونَ حَدِيثًا{
“Thuaju: Të gjitha janë prej Allahut”. Ç’është kështu me këtë popull, që nuk kupton asgjë?”
Sa i mrekullueshëm ky ajet dhe sa domethënës edhe për kohën që ne jetojmë. Sa të shumtë janë njerëzit që nuk e kuptojnë se çdo gjë që kanë është nga Krijuesi i Gjithmëshirshëm, mëshira e të cilit përfshin çdo gjë, siç thotë ajeti 156 i sures “A’raf”:
}وَرَحْمَتِي وَسِعَتْ كُلَّ شَيْءٍ{
“Dhe mëshira Ime përfshin çdo gjë.”
Ndërsa në ajetin 20 të sures “Lukman” thuhet Allahu e ka mbuluar njeriun me mirësi e Tij:
}وَأَسْبَغَ عَلَيْكُمْ نِعَمَهُ ظَاهِرَةً وَبَاطِنَةً{
“dhe ju ka mbuluar me mirësitë e Tij të dukshme e të padukshme.”
Mirësitë e dukshmejanë mirësitë që shihen, preken, përjetohen hapur në jetën tonë të përditshme, si përshembull: Shëndeti fizik; uji, ushqimi dhe ajri; familja dhe shoqëria; pasuria dhe mirëqenia; bukuria e natyrës dhe rendi i krijimit; organet e trupit (sy, vesh, gjuhë, duar etj.); siguria dhe paqja. Këto janë të dukshme sepse mund t’i vërejmë me shqisa dhe t’i ndiejmë menjëherë.
Mirësitë e padukshme janë mirësitë që nuk janë të dukshme menjëherë, por kanë ndikim të thellë. Ato janë më shpirtërore, më të brendshme ose më të thella. Për shembull: Imani (besimi) dhe udhëzimi nga Allahu; dituria dhe kuptimi i drejtë; mëshira dhe falja e Allahut; inspirimi për të bërë vepra të mira; qetësia shpirtërore dhe sabri në sprova; ruajtja nga mëkatet pa e ditur; engjëjt që na mbrojnë, lutjet që pranohen fshehtas
Mirësia më e madhe e Allahut për njerëzit është mirësia e besimit, sepse besimi është dritë, udhëzim, lumturi dhe shpëtim në të dyja botët. Në ajetin 103 të sures “Ali Imran” thuhet:
}وَاذْكُرُواْ نِعْمَتَ اللّهِ عَلَيْكُمْ إِذْ كُنتُمْ أَعْدَاء فَأَلَّفَ بَيْنَ قُلُوبِكُمْ فَأَصْبَحْتُم بِنِعْمَتِهِ إِخْوَاناً وَكُنتُمْ عَلَىَ شَفَا حُفْرَةٍ مِّنَ النَّارِ فَأَنقَذَكُم مِّنْهَا{
“Kujtoni mirësinë e Allahut për ju, sepse, kur ishit në armiqësi, Ai i pajtoi zemrat tuaja e, në saje të mirësisë së Tij, u bëtë vëllezër. Dhe ju ishit buzë greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej saj.”
Mirësia këtu është për Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij !), i cili nëpërmjet mesazhit të Allahut e shpëtoi jo vetëm Gadishullin arabik nga errësira e politeizmit, zullumit, mohimit e injorancës, por mbarë njerëzimin duke e nxjerrë atë një dritën e monoteizmiit, drejtësisë, dijes dhe udhëzimit.
Mirënjohja në Islam është një shtyllë e besimit, ndërsa mosmirënjohja është rrënjë e devijimit.
Edhe pse Allahu i jep mirësi njeriut çdo moment, prapseprapë njeriu tregohet mosmirënjohës dhe arrogant ndaj Dhënësit të mirësive, Allahut Fuqiplot e Bujar, siç thotë ajeti 6 në suren “Adijat”:
}إِنَّ الإِنسَانَ لِرَبِّهِ لَكَنُودٌ{
“Me të vërtetë, njeriu është mohues i mirësive të Zotit të tij.”
Njeriu shpesh e harron Allahun kur është në mirëqenie. Përdor mirësitë për gjynahe dhe ia atribuon suksesin vetes së tij. Allahu ia mëson njeriut të folurin, por ai përdor gjuhën për shpifje dhe përçarje.
Në ajetin 28 të sures “Ibrahijm” Allahu i Madhëruar thotë:
}أَلَمْ تَرَ إِلَى الَّذِينَ بَدَّلُواْ نِعْمَةَ اللّهِ كُفْراً… {
Kush janë mosmirënjohësit e përmendur në Kur’an?
Ata janë:Njeriu në përgjithësi (Sure “Adijat”, ajeti 6); Bijtë e Israilit (Sure “Bekare”, ajeti 59; shumë ajete të tjera); Mosbesimtarët e Mekës (Sure “Nahl”, ajeti 112); Njerëzit që harrojnë pas shpëtimit (Sure “Junus”, ajeti 21); Njeriu i pasur e mendjemadh (Sure “Kehf”, ajetet 35–42) “Vallë, a nuk i sheh ata që mirësinë e Allahut e kanë ndërruar me mohim…?”
Duhet ta dimë se mosmirënjohja nuk e dëmton Allahun dhe as nuk e pengon Atë për zbritjen e mirësive, sepse Ai është i Pasuri Absolut dhe ne jemi të varfër dhe nevojtarë gjithmonë.
Në ajetin 26 të sures “Lukman” thuhet:
}یَا أَیُّهَا النَّاسُ أَنْتُمُ الْفُقَرَاءُ إِلَى اللَّهِ ۖ وَاللَّهُ هُوَ الْغَنِیُّ الْحَمِیدُ{
“O njerëz! Ju jeni të varfër e nevojtarë për Allahun, kurse Allahu s’ka nevojë për asgjë dhe është i Denjë për çdo lavd.”
Kurse në ajetin 26 të sures “Lukman” thuhet:
}لِلَّهِ مَا فِي ٱلسَّمَٰوَٰتِ وَٱلۡأَرۡضِۚ إِنَّ ٱللَّهَ هُوَ ٱلۡغَنِيُّ ٱلۡحَمِيدُ{
“Allahut i përket gjithçka, që gjendet në qiej dhe në Tokë. Vërtet, Allahu është i Vetëmjaftueshmi (i pasuri Absolut) dhe i Denji për lavdërim.”
Mosmirënjohja dëmton vetë mosmirënjohësin, sepse mosmirënjohja bëhet shkak i largimit të mirësisë prej tij.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: Allahu, i Lartësuar dhe i Bekuar, thotë: “O biri i Ademit! Nuk po vepron drejt me Mua: Unë të afrohem ty me mirësi, ndërsa ti më largohesh me mëkate. E mira Ime zbret vazhdimisht mbi ty, ndërsa e keqja jote ngjitet vazhdimisht drejt Meje. Engjëlli fisnik nuk pushon të më sjellë nga ti çdo ditë dhe natë një vepër të shëmtuar.”
Dhe prej veprave të shëmtuara është edhe mosmirënjohja ndaj Allahut.
Si të jemi mirënjohës ndaj Allahut?
Të jemi mirënjohës ndaj Allahut me zemër: Ta ndiejmë vlerën e çdo mirësie. Le ta bëjmë zemrën tonë më të ndjeshme ndaj mirësive të Allahut.
Të jemi mirënjohës ndaj Allahut me gjuhë: Ta themi sa më shumë: “Elhamdulilah”, falënderimi i takon Allahut, sepse në Kur’an thuhet: “Nëse tregoheni mirënjohës, Unë do t’jua shtoj edhe më shumë begatitë e Mia.” Çdo ditë, të falënderojmë për të paktën një gjë.
Të jemi mirënjohës ndaj Allahut me vepra. T’i përdorim mirësitë në rrugë të drejtë dhe në shërbim të shoqërisë.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Ajo që e siguron vazhdimësinë e mirësisë dhe e pengon largimin e saj, është falënderimi ndaj saj.
Kurse ajo që sjell zhdukjen e mirësisë, është mohimi dhe mosmirënjohja ndaj mirësisë.
I Dërguari i Allahut (paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Silluni mirë me mirësitë, mos u bëni të mërzitshëm ndaj tyre dhe mos i largoni ato, sepse rrallëherë një mirësi largohet prej një populli dhe kthehet përsëri tek ata.”
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njeriu më i mirë ndaj mirësive është ai që vazhdon ta ruajë atë që ka në dorë përmes falënderimit, dhe që e përballon atë që i ka ikur me durim.”
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Silluni mirë me mirësitë përpara se t’ju largohen, sepse ato zhduken dhe dëshmojnë për zotëruesin e tyre për atë që ka bërë me to.”
Imam Ali El Hadi (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ruajini mirësitë përmes sjelljes së mirë ndaj tyre dhe kërkoni shtim të tyre përmes falënderimit ndaj tyre.”
Në një hadith thuhet: “Në Ditën e Gjykimit, do të sillet njeriu më mirënjohës dhe ai më mosmirënjohës; dhe Allahu do t’i kujtojë secilën mirësi që i është dhënë dhe si është përgjigjur ndaj saj.”
Të dashur vëllezër dhe motra !
Pa asnjë dyshim, mirësia më e madhe në përgjithësi është Islami, me të cilin Allahu na ka mirësuar dhe na ka bekuar. Në ajetin 3 të sures “Maide” Allahu i Madhëruar thotë :
}الْيَوْمَ أَكْمَلْتُ لَكُمْ دِينَكُمْ وَأَتْمَمْتُ عَلَيْكُمْ نِعْمَتِي وَرَضِيتُ لَكُمُ الإِسْلاَمَ دِيناً{
“Sot e përsosa për ju fenë tuaj dhe e plotësova mbi ju mirësinë Time dhe zgjodha për ju Islamin si fe.”. Prandaj le ta ruajmë Islamin nga risitë dhe gjërat që e shëmtojnë atë. Le ta zbatojmë atë në jetën tonë.
O Allah, na jep sy për të parë mirësitë e Tua! Na jep zemër për të të dashur! Na ruaj nga mosmirënjohja! Bëna prej atyre që falënderojnë e nuk harrojnë! O Zot i botëve!

