Nektari i Xhumasë – Islami, fe e komunikimit

Islami është feja e fjalës së pastër dhe e komunikimit të ndershëm, sepse themeli i tij është Kur’ani, Fjala Hyjnore që zbriti për të udhëhequr njerëzimin drejt së mirës. Që nga fillimi, thirrja islame nuk u përhap me forcë, por me fjalën e butë, me këshillën e mençur dhe me thirrjen e bukur që i drejtohej zemrave.

Në të vërtetë, komunikimi në Islam nuk është vetëm një mjet social, por është edhe një akt adhurimi, sepse fjala e thënë me sinqeritet dhe drejtësi bëhet shkak për afrimin me Allahun.

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) u dërgua si “mëshirë për botët” dhe thirrja e tij ishte shembulli më i lartë i komunikimit me njerëzit. Ai u foli të varfërve dhe të pasurve, të diturve dhe të paditurve, duke i thirrur me urtësi dhe duke respektuar natyrën e secilit.

Fjala e tij nuk ishte vetëm thënie, por pasqyronte zemrën e tij të pastër dhe sjelljen e tij të bukur. Kështu, komunikimi në Islam nuk kufizohet në gjuhë, por shtrihet në sjellje, në buzëqeshje, në respekt dhe në çdo shenjë që lidh zemrat njerëzore.

Kur’ani i Madhërishëm e vlerëson shumë rolin e komunikimit, duke urdhëruar besimtarët që të flasin “fjalë të drejtë” dhe të përdorin “fjalë të buta” kur u drejtohen të tjerëve. Në këtë mënyrë, Islami e ka ngritur komunikimin mbi themele morale, duke e bërë atë urë të besimit dhe të bashkëjetesës.

Çdo fjalë e mirë është sadaka, çdo këshillë e sinqertë është mëshirë, dhe çdo dialog i drejtë është shenjë e besimit. Prandaj, Islami nuk është vetëm fe e adhurimit, por është edhe fe e komunikimit që ndërton lidhje të forta mes njeriut dhe Krijuesit, si edhe mes njerëzve me njëri-tjetrin.

Në ajetin 13 të sures “El Huxhurat”Allahu i Madhëruar thotë:

“O njerëz! Ne ju kemi krijuar prej një mashkulli dhe një femre dhe ju kemi bërë popuj e fise, që të njiheni me njëri-tjetrin. Më i nderuari ndër ju tek Allahu është ai që është më i devotshëm. Vërtet, Allahu është i Gjithëditur dhe njeh çdo gjë.”

Kjo është thirrje që njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin, për të bashkëpunuar në ndërtimin e shoqërisë njerëzore. Duke i dhënë rëndësi këtij aspekti, Islami ka përcaktuar sjelljet dhe etikat që kanë të bëjnë me komunikimin me të tjerët si, për shembull: etikat e të folurit dhe e dialogut, etikat e dëgjimit, etj.

Përcaktimi i etikave të veçanta për komunikimin ndihmon që jeta e myslimanit të jetë më e lartë në nivel, si dhe e mbron atë nga dëmet që mund të shkaktohen për shkak të mosrespektimit të ndonjë etike të komunikimit.

Kur’ani i Shenjtë na udhëzon për etikën e uljes së zërit gjatë bisedës me të tjerët. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ji i matur në ecjen tënde dhe mos e ngri zërin tënd; sepse zërat më të shëmtuar janë zërat e gomarëve!” (Sure “Lukman” 19].

Komunikimi dhe njohja mes njerëzve janë natyrë e lindur te njeriu. Njeriu nuk mund t’i përmbushë nevojat dhe interesat e tij duke qëndruar i izoluar nga të tjerët. Njeriu shtyhet nga natyra dhe nevoja për të komunikuar me vëllanë e tij njeri. Islami është feja e natyrshmërisë (fitretu).

 Islami e ka bërë komunikimin detyrë për myslimanin. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe flisni mirë me njerëzit!” (Sure “El Bekare”, ajeti 83), pra është e domosdoshme të ketë komunikim me të tjerët.

Dhe:: “Pasha kohën! Njeriu është me të vërtetë në humbje, përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, dhe këshillohen për të vërtetën dhe këshillohen për durimin”. (Sure “El Asr”).

Këshillimi për të vërtetën dhe për durim është kulmi i komunikimit shoqëror dhe themeli i tij. Kjo sure tregon qëllimin më të lartë të komunikimit shoqëror: shpëtimin nga çdo humbje dhe arritjen e suksesit në këtë botë dhe në Botën Tjetër.

Sikur i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) të qëndronte në shtëpinë e tij dhe të mos i takonte njerëzit, kjo mirësi e madhe- Mesazhi islam nuk do të kishte mbërritur tek ta. Por Profeti shkonte tek ta, takohej me haxhinjtë gjatë haxhit, u sillte atyre udhëzimin dhe dritën, kujdesej për ta, i dhimbseshin ata etj. Pa komunikim mes njerëzve nuk përhapet as e mira, as dija, dhe as nuk ndërtohet vendi.

Kur’ani i Shenjtë dhe Synneti i bekuar janë të mbushur me udhëzime që na nxisin për të folur mirë, për të përdorur një gjuhë të bukur, dhe për të zgjedhur fjalën e mirë që ndreq dhe nuk prish. Dhe të gjitha këto për të fituar kënaqësinë e Allahut.

Islami ka vendosur rregulla të qarta për komunikimin; ndër to janë:

1. Fjala e mirë: Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Fjala e mirë është sadaka (lëmoshë)”

2. E vërteta në të folur: Allahu i Lartësuar thotë: “O ju që keni besuat! Kijeni frikë Allahun dhe jini me të vërtetët.” (Sure “Teube”, ajeti 119].

3. Butësia dhe mirësia: Allahu i Lartësuar thotë: “Në saje të mëshirës së Allahut ti ishe i butë me ta. E, sikur të ishe i vrazhdë dhe i ashpër në zemër, ata do të ishin larguar prej teje.” [Ali Imran: 159].

Ai që u kthehet burimeve të Islamit, Kur’anit të Shenjtë dhe Haditheve të ndritura të Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), e kupton qartë se shumë nga porositë, detyrimet dhe ligjet islame synojnë të largojnë pengesat mes individëve, mes njeriut dhe vëllait të tij njeri.

Prandaj, Islami na fton te shoqëria e dashurisë, komunikimit, bashkëpunimit, vëllazërisë dhe solidarësisë, te shoqëria pa barriera psikologjike e shoqërore mes pjesëtarëve të saj, te shoqëria e lidhur nga brenda. Dhe vetëm atëherë ajo mund të jetë shembull i fjalës së Allahut: “Dhe kapuni fort pas litarit të Allahut të gjithë së bashku!” (Sure “Ali Imran”, ajeti 103).

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë, mëshirën dhe dhembshurinë e tyre ndaj njëri-tjetrit është si trupi i vetëm; kur dhemb një pjesë, reagon i gjithë trupi me pagjumësi dhe ethe.”

Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Është e detyrueshme për myslimanët që të përpiqen në ndërtimin e marrëdhënieve mes tyre, të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe ta ndihmojnë njëri-tjetrin me dashuri, të përkrahin ata që kanë nevojë dhe të tregojnë dhembshuri për njëri-tjetrin, derisa të bëheni ashtu siç ju urdhëroi Zoti juaj, të mëshironi njëri-tjetrin, të keni dhembshuri për njëri-tjetrin dhe të jeni të shqetësuar për atë që është humbur nga jeta e tjetrit, ashtu siç ishin Ensarët në kohën e Profetit të Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).”

Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Bashkohuni me njerëzit në atë mënyrë që, kur të vdisni, ata të qajnë për ju, dhe kur të mungoni, ata të mërziten për ju.”

Në dritën e mësimeve islame, bëhet e qartë se komunikimi nuk është thjesht shkëmbim fjalësh, por një përgjegjësi shpirtërore që pasqyron nivelin e besimit dhe moralit të njeriut. Një fjalë e butë mund të zbusë zemrat më të ashpra, ashtu si një fjalë e padrejtë mund të shkaktojë plagë të thella. Prandaj, besimtari i vërtetë mësohet që të jetë i kujdesshëm në shprehjen e tij, duke e bërë fjalën mjet të mirësisë dhe të paqes.

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Besimtari nuk është sharës, nuk mallkon, nuk flet fjalë të shëmtuara dhe as të ndyra.” (Bihar al-Anwar).

Ky hadith na kujton se komunikimi është tregues i besimit, dhe kush e ruan gjuhën e tij, ruan edhe zemrën e tij. Përmes këtij mesazhi të qartë, Islami na mëson që komunikimi të jetë gjithmonë i lidhur me etikën dhe me ndërgjegjen fetare.

Nuk mjafton vetëm të lutesh dhe të adhurosh, por duhet edhe të ndërtosh ura me njerëzit përreth teje, duke u bërë burim i fjalës së mirë, i këshillës së urtë dhe i buzëqeshjes që sjell qetësi në zemrat e të tjerëve. Kur’ani i Madhërishëm na urdhëron: “Thuaju, robërve të Mi, që të flasin atë që është më e mira. Në të vërtetë, djalli mbjell ngatërresa ndërmjet tyre. Vërtet, djalli është armik i hapët i njeriut (Sure Isra, ajeti 53).

Ky ajet na kujton se çdo komunikim i pastër është një mbrojtje nga veset dhe një mjet për të forcuar lidhjet njerëzore.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në fund, mund të themi se Islami është fe që e ndërton jetën mbi komunikimin e drejtë dhe të pastër, sepse pa të nuk mund të ketë as mirëkuptim, as vëllazëri, e as bashkëjetesë. Fjala e mirë është dritë, dhe kjo dritë ndriçon rrugën e individit dhe të shoqërisë. Për këtë arsye, komunikimi në Islam është më shumë se një nevojë sociale – është një detyrim shpirtëror, që e lidh njeriun me Zotin dhe e afron me njerëzit. Ai që e përdor fjalën për të përhapur të mirën, është pasues i rrugës së Profetit dhe një pasqyrim i vlerave të vërteta islame.

Islami është fe që e sheh komunikimin si një nga shtyllat themelore të jetës së besimtarit.

Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij) ishte shembulli më i madh i këtij parimi, sepse ai e përhapi mesazhin hyjnor jo me dhunë, por me urtësi e fjalë të ëmbla. Ai tha: “Fjala e mirë është sadaka.” (Bihar al-Anwar).

Komunikimi në Islam është i lidhur ngushtë me moralin, dhe nuk pranohet që një besimtar të ketë gjuhë të ashpër apo zemër të ngurtë. Përkundrazi, ai duhet të bëhet si uji i pastër që shuan etjen e zemrave dhe qetëson shpirtërat.

Në këtë kuptim, Islami e shndërron komunikimin në një urë që lidh tokën me qiellin, sepse fjala e mirë që del nga gjuha e një besimtari është si një lutje që ngrihet tek Allahu. Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Njeriu fshihet nën gjuhën e tij.” (Bihar al-Anwar).

Pra, personaliteti dhe vlera e një individi maten përmes komunikimit të tij. Një shoqëri e ndërtuar mbi komunikim të drejtë është një shoqëri e bashkuar, e drejtë dhe paqësore. Prandaj, mbyllim këtë temë duke theksuar se Islami, si fe e komunikimit, është një thirrje për fjalë të buta, për dialog të ndershëm dhe për ndërtimin e marrëdhënieve që pasqyrojnë mëshirën dhe drejtësinë hyjnore.