Profeti Muhamed (s.a.a.s) – Mëshirë e dhuruar nga Allahu i Madhëruar

Në ajetin 107 të sures “Enbija” Allahu i Madhëruar thotë:

{وَمَآ أَرْسَلْنَٰكَ إِلَّا رَحْمَةً لِّلْعَٰلَمِينَ}

“Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed) veçse mëshirë për botët.” (Enbija, 107)

Ky ajet i bekuar shpreh në mënyrë të qartë qëllimin e dërgimit të Profetit Muhamed se ai është një dhuratë e mëshirës së Allahut për të gjitha krijesat, jo vetëm për njerëzit e kohës së tij, por për gjithë njerëzimin dhe të gjitha botët (njerëz, xhindë, etj.).

Ajeti shpjegon qartë se Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), nuk ishte thjesht një thirrës, nuk ishte vetëm ligjvënës, por ishte burim mëshire, dashurie dhe udhëzimi për mbarë njerëzimin.

Ky ajet na mëson se mëshira është themeli i mesazhit islam. Islami nuk është fe e dhunës apo e përjashtimit, por fe e mëshire, drejtësie dhe paqeje. Meqenëse kjo fe e prezanton Profetin e saj si mëshirë për njerëzit, atëherë është e arsyeshme se kjo fe kurrë nuk mund të jetë fe e dhunës, siç thotë edhe ajeti 255 në suren “Bekare”: “S’ka detyrim në fe…”

Profeti Muhamed u dërgua jo për të ndëshkuar, por për të udhëzuar dhe shpëtuar njerëzit nga padrejtësia, injoranca dhe mëkati.

Profeti Muhamed ishte shembull i mëshirës në veprim. Në sjelljen, fjalët dhe veprat e tij, ai tregoi mëshirë ndaj të varfërve, jetimëve, armiqve, grave dhe kafshëve. Historia e tij tregon falje edhe ndaj atyre që e përndoqën, e dëmtuan dhe e lënduan. Kur e çliroi Mekën, disa nga shokët e tij thanë: Sot është dita e kasaphanës. Por Profeti Muhamed urdhëroi dhe tha: “Sot është dita e mëshirës.”  Ai tha atyre që e lënduan: “Shkoni ju jeni të lirë.”

Ajeti dëshmon universalitetin e mesazhit të Profetit Muhamed(Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai nuk është një i Dërguar dhe Profet për një komb apo një vend të caktuar, por për të gjithë botën. Përderisa është mëshirë për mbarë botët, ai është i Dërguar dhe Profet për mabrë botët. Kjo e bën mesazhin e Islamit të hapur për të gjitha kulturat, vendet dhe kohët. Prandaj, detyra jonë është ta pasojmë këtë mëshirë. Muslimanët janë të ftuar ta pasojnë këtë shembull duke treguar mëshirë në jetën e përditshme: në familje, në shoqëri, ndaj natyrës dhe ndaj çdo krijese.

Profeti ynë i dashur ka thënë: “Mëshironi ata që janë në tokë që t’ju mëshirojë Ai që është në qiell.”

Bazuar në ajetin 107 të sures “Enbija” dhe në këtë hadith të Profetit Muuhamed duhet që ne të jemi të butë, të mëshirshëm, të dashur dhe të drejtë në marrëdhëniet tona.Tëndihmojmë të tjerët pa pritur shpërblim.Të ndjekimmoralin dhe etikën që na mëson profeti dhe mos jemi të ashpër e të vrazhdë dhe të ftojmë në të mirë me urtësi dhe dashuri.

Të dashur vëllezër dhe motra:

Profeti Muhamed është shfaqje e mëshirës së Allahut, dhe ne si ndjekës të tij jemi të ftuar të përhapim këtë mëshirë në botë, me fjalë, vepra dhe qëndrime.

Profeti Muhamed është mëshirë e dhuruar nga Allahu i Madhëruar për besimtarët, për jobesimtarët, për xhindët, madje edhe për natyrën dhe kafshët, sepse ai solli mësime që ruajnë krijesat dhe ekuilibrin e jetës.

Është transmetuar nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “I Dërguari i Allahut nuk ishte as i ashpër, as i rreptë, as përqeshës, as sharës, as qortues. Ai ishte mëshirë që ecte mes njerëzve.” (“Biharul Anuar”, vëll. 16, f. 153)

Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se Profeti ka thënë:
“Unë jam dërguar për të plotësuar virtytet më fisnike të moralit.” (“Biharul Anuar”, vëll. 68, f. 382). Pa dyshim që prej moraleve të larta është edhe mëshira ndaj të tjerëve.

Po ashtu, transmetohet se Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Unë jam mëshirë e dhuruar.” (“Biharul Anuar”, vëll. 16, f. 95). Këto thënie tregojnë se vetë identiteti i Profetit ishte mishërim i mëshirës Allahut në tokë.

Të qënit e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) mëshirë nuk është sllogan por një e vërtetë praktike që e dëshmon historia. Ai e shfaqi mëshirën në sjelljen e tij, në veprat e tij dhe në moralin e tij. Në ajetin 159 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:

}فَبِمَا رَحْمَةٍۢ مِّنَ ٱللَّهِ لِنتَ لَهُمْ ۖ وَلَوْ كُنتَ فَظًّا غَلِيظَ ٱلْقَلْبِ لَٱنفَضُّواْ مِنْ حَوْلِكَ ۖ …}

“Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje…”

Në sajë të mëshirës së tij ai i falte armiqtë, siç ndodhi kur çliroi Mekën. Ai nuk u hakmor ndaj atyre që e kishin përndjekur, por tha: “Sot nuk ka qortim për ju, shkoni të lirë!”

Në sajë të mëshirës së tij ai kishte dashuria për jetimët dhe kujdesej për ta. Profeti ka thënë: “Unë dhe kujdestari i jetimit do të jemi së bashku në Xhenet.”

Në sajë të mëshirës së tij ai kishte dhembshuria për kafshët. Nuk lejonte që kafshët të ngarkoheshin më shumë se fuqia e tyre dhe e qortonte atë që i keqtrajtonte.

Të dashur vëllezër dhe motra:

Detyrat tona sot në këto ditë janë:

Të kuptojmë se feja islame është fe e mëshirës, jo e dhunës. Dhe këtë t’ua mësojmë edhe të tjerëve duke ndjekur mësimet e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).

Të ndjekim moralin e Profetit në marrëdhëniet tona: me familjen, fqinjët, dhe shoqërinë.

Të shpërndajmë dritë dhe shpresë tek njerëzit, ashtu siç bëri Profeti Muhamed, duke u bërë pasqyra të mëshirës së tij në kohën tonë.

Të dashur vëllezër dhe motra:

Profeti Muhamed është një mirësi e madhe. Në ajetin 128 të sures “Teube” Allahu I Madhëruar thotë:

{لَقَدْ مَنَّ ٱللَّهُ عَلَى ٱلْمُؤْمِنِينَ إِذْ بَعَثَ فِيهِمْ رَسُولًا مِّنْ أَنفُسِهِمْ يَتْلُواْ عَلَيْهِمْ ءَايَٰتِهِۦ وَيُزَكِّيهِمْ وَيُعَلِّمُهُمُ ٱلْكِتَٰبَ وَٱلْحِكْمَةَ وَإِن كَانُواْ مِن قَبْلُ لَفِى ضَلَٰلٍۢ مُّبِينٍ}

“Allahu u bëri një të mirë të madhe besimtarëve, kur në mesin e tyre dërgoi një të Dërguar nga vetë ata, i cili u lexon atyre shpalljet e Tij, i pastron ata dhe u mëson Librin dhe urtësinë, ndonëse më parë ata ishin në humbje të qartë.”

A nuk duhet kujtuar kjo mirësi? A nuk duhet gëzuar për këtë mirësi? Sigurisht që duhet.

Të dashur vëllezër dhe motra:

Profeti është mëshirë dhe çdo krijesë u krijua për ta nderuar dhe për ta respektuar atë.

Profeti Muhamed është mëshirë, të cilën ai e derdhi mbi të gjithë njerëzit, madje edhe mbi të gjitha krijesat.

Profeti Muhamed është mëshirë e dhuruar nga Zoti i botëve për të gjitha mendjet dhe zemrat. Ai është burim i diturisë, njohjes dhe urtësisë. Është si uji i jetës së përjetshme dhe si burim i mirësisë dhe i bekimit të pa kufi.

Profeti Muhamed është mëshirë, i cil solli udhërrëfyesin e përjetshëm, Kur’anin e Shenjtë që është mëshirë, dritë dhe udhëzim.

Profeti Muhamed është mëshirë. Ai është i dashuri i Allahut, të Gjithëmëshirshmit, të Mëshirueshmit, dhe është në piedestalin e moralit të lartë.

Profeti Muhamed është mëshirë. Po të mos ishte ai, toka do të ishte kthyer në shkretëtira të frikshme.

Profeti Muhamed është mëshirë. Me dritën e tij filloi krijimi. Të gjithë profetët që u shfaqën mbi faqen e tokës mbartën rrezatimin e dritës së tij dhe begatitë e tij.

Profeti Muhamed është mëshirë. Çdo bukuri tjetër nuk është veçse një shfaqje nga shfaqjet e tij dhe një pasqyrim i imazhit të tij. Asnjë lule nuk çel në botë veçse prej dritës së tij. Po të mos ishte ai, nuk do të ekzistonte asgjë.

Profeti Muhamed është një lule e shenjtë prej drite të pastër, që nuk vyshket kurrë, përkundrazi, çdo ditë shton freskinë dhe bukurinë.

Profeti Muhamed është mëshirë. Allahu i Madhëruar flet për vlerën dhe pozitën e tij dhe e përshëndet me lutje dhe bekim. Prandaj edhe ne ta duam, ta respektojmë ta nderojmë, ta ndihmojmë, ta kujtojmë dhe të zbatojmë sunnetin e tij të pastër në jetën tonë.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) është mëshira më e madhe që Allahu i ka dhuruar botës. Ai na la një amanet të qartë: Kur’anin dhe Ehli Bejtin e tij të pastër, që të mos humbasim kurrë rrugën. Le të përpiqemi ta pasqyrojmë mëshirën e tij në jetën tonë, që të jemi ndër ata që e ndjekin në këtë botë dhe fitojnë shoqërinë e tij në Botën Tjetër.

Në ajetin ajeti 28 të sures “El Hadid” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَآمِنُوا بِرَسُولِهِ يُؤْتِكُمْ كِفْلَيْنِ مِنْ رَحْمَتِهِ وَيَجْعَلْ لَكُمْ نُورًا تَمْشُونَ بِهِ وَيَغْفِرْ لَكُمْ وَاللَّهُ غَفُورٌ رَحِيمٌ ﴾

“O ju që keni besuar, kini frikë Allahun dhe besoni në të Dërguarin e Tij. Ai (Allahu) do t’ju japë dy pjesë nga mëshira e Tij dhe do t’ju bëjë një dritë me të cilën do të ecni, dhe do t’ju falë. Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë.” 

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), sipas transmetimeve, ka thënë se “dy pjesët e mëshirës” janë: Mëshira në këtë jetë (dynja), e cila përfshin udhëzimin, suksesin dhe jetesën me iman (besim) dhe mëshira në Jetën Tjetër (Ahiret), e cila përfshin faljen, Xhennetin dhe afrimin tek Allahu.

Allahu na bëftë pasues të vërtetë të Profetit dhe të familjes së tij të pastër e të ndritur dhe shokëve të tij të zgjedhur!