Virtytet në thëniet e Profetit dhe të Ehli Bejtit (a.s)

Në ajetin 34 të sures “Fusilet” Allahu i Madhëruar thotë:

{وَلَا تَسۡتَوِي ٱلۡحَسَنَةُ وَلَا ٱلسَّيِّئَةُۚ ٱدۡفَعۡ بِٱلَّتِي هِيَ أَحۡسَنُ فَإِذَا ٱلَّذِي بَيۡنَكَ وَبَيۡنَهُۥ عَدَٰوَةࣱ كَأَنَّهُۥ وَلِيٌّ حَمِيمࣱ}

“Nuk barazohet e mira me të keqen! Të keqen ktheje me të mirë e atëherë armiku yt do të të bëhet menjëherë mik i ngushtë.”

Ky ajet i Kur’anit është një udhëzim praktik për jetën personale dhe shoqërore. Ky ajet na mëson se virtyti më i lartë është të mos e lejojmë veten të zhytemi në hakmarrje dhe inat, por të veprojmë me mirësi, duke fituar shpirtërisht dhe duke ndërtuar paqe e harmoni në shoqëri.

Fjala virtyt do të thotë: Prirje dhe forcë e brendshme që ka njeriu për të bërë punë të mira. Është vetia më e mirë që ka njeriu, është cilësi e lartë morale e njeriut, do të thotë pastërti e përsosuri morale. Virtyti është një cilësi shpirtërore. Ndonjëherë fjala ‘virtyt’ përdoret edhe për vetë veprën, siç thuhet: ‘Virtytet e veprave’. Me këtë nuk nënkuptohet çdo vepër morale, por ato vepra madhështore për të cilat bërësi i tyre meriton lavdërim të madh.

Në Islam, virtyti ka një pozitë jashtëzakonisht të lartë dhe konsiderohet themeli i një jete të drejtë dhe të devotshme.

Islami erdhi si thirrës për çdo virtyt, paralajmërues dhe ndalues nga çdo ves i keq. Libri i Allahut është i mbushur me ajete dhe sure dhe me shembuj që e forcojnë virtytin dhe ia madhështojnë pozitën. Gjithashtu, ka ajete që ndalojnë nga imoraliteti dhe i qortojnë ata që e bëjnë atë. Po kështu, kemi shumë tekste, rrëfime dhe shembuj nga Sunneti i Profetit dhe i Ehli Bejtit që mësojnë se si ndërtohen virtytet, si të ecet në rrugën e vlerave, si të paralajmërohet nga imoraliteti dhe si të shënohen rrugët e shpëtimit prej tij.

Islami udhëzon njerëzit drejt virtytit dhe sjelljes së mirë. Allahu në Kur’an thotë: “Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën ndaj të afërmve…” (Sure “En Nahl”, ajeti 90) Ky ajet është një udhëzim i përgjithshëm për virtytin dhe sjelljen e ndershme.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij! mbi të) dhe familja e tij e pastër janë shembull i virtytit.Allahu e ka përshkruar në Kur’an duke thënë: “Vërtet, ti je me moral të lartë.” (Sure “El Kalem”, 4).Ai është modeli më i mirë për sjellje të ndershme, mëshirë, drejtësi, sinqeritet dhe përulësi. Kurse në ajetin 33 të sures “Ahzab” Allahu i Madhëruar thotë:

{إِنَّمَا يُرِيدُ ٱللَّهُ لِيُذۡهِبَ عَنكُمُ ٱلرِّجۡسَ أَهۡلَ ٱلۡبَيۡتِ وَيُطَهِّرَكُمۡ تَطۡهِيرࣰا}

“O Familje e Profetit! Në të vërtetë, Allahu do që ta largojë prej jush papastërtinë259 dhe t’ju pastrojë plotësisht.” Bazuar në këto dy ajete, ajetin 4 të sures “Kalem” dhe në ajetin 33 të sures “Ahzab”, na sqarohet se Profeti Muhamed dhe familja e tij e pastër janë më merituesit për t’u ndjekur.

Islami është fe e natyrës së pastër e të shëndoshë. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) u dërgua për t’i plotësuar virtytet e larta të moralit: “Vërtet, unë jam dërguar që të plotësuar virtytet më larta të moralit.”. Kështu që feja islame është fe e virtytit dhe e moralit dhe i urdhëron pasuesit e saj të vishen me virtytet më të mira të moralit. Çdo veprim i mire, si drejtësia, durimi, falja, ndihma ndaj tjetrit, konsiderohet adhurim në Islam, nëse bëhet me qëllim të mirë dhe për hir të Allahut.

Virtyti në Islam nuk është vetëm i lavdërueshëm, por ai është thelbësor. Ai është mjeti për të arritur kënaqësinë e Allahut dhe për të ndërtuar një shoqëri të drejtë e të mëshirshme.

Virtytet kryesore në Islam përfshijnë: Sinqeritetin (ikhlas); Durimin (sabr); Faljen (afun); Mëshirën (rahmetun); Turpin (hajaun); Drejtësinë (adl); Mirësinë (ihsan).

Çfarë thotë Profeti dhe Ehli Bejti për virtytin?

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të de mbi familjen e tij!): “O njerëz! Më i miri prej jush është ai që është i përulur kur është i ngritur (në pozitë), që është asket kur është i pasur, që është i drejtë kur është i fuqishëm, që tregon durim kur ka mundësi për hakmarrje. Vërtet, më i miri është ai që merr nga dynjaja vetëm aq sa i mjafton, që jeton me ndershmëri dhe përgatitet për udhëtimin e përhershëm.” (E’lamu Ed Dijni”, f. 337, hadithi 15)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Krenaria e njeriut qëndron në virtytin e tij, jo në prejardhjen e tij.” (Gurarul Hikem”, hadithi 6539

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Koka e virtyteve është zotërimi i zemërimit dhe ndalimi i epshit.” (“Gurarul Hikam”, hadithi 5237)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ruajtja e gjuhës dhe dhënia e bamirësisë janë prej virtyteve më të mira të njeriut.” (“Gurarul Hikam”, hadithi 4899)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush bën mirë ndaj atij që i ka bërë keq, ka përmbledhur të gjitha virtytet.” (“Gurarul Hikam”, hadithi 8905)

Imam Muhamed El Xhevad (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Virtytet janë katër lloje: E para është urtësia, dhe themeli i saj është mendimi; E dyta është ndershmëria, dhe baza e saj është përmbajtja nga epshet; E treta është forca, dhe themeli i saj është përmbajtja nga zemërimi; E katërta është drejtësia, dhe mbështetja e saj është ekuilibri i forcave të shpirtit.” (“Keshful Gumme”; vëll. 3, f.138.)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ngjitja drejt virtyteve është e vështirë, por shpëtuese, ndërsa rënia drejt veseve është e lehtë, por shkatërruese.” “Gurarul Hikem” hadithi 1136)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur sprovat e vështira vijnë njëra pas tjetrës, atëherë shfaqen virtytet e njeriut.” (“Gurarul Hikem”, hadithi 6204.)

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kur njerëzit të mblidhen në Ditën e Ringjalljes, një zë do thërrasë: “Ku janë njerëzit e virtytit?” Disa njerëz do ngrihen dhe do nisen me shpejtësi drejt Xhennetit. Engjëjt do t’u dalin përpara dhe do t’u thonë: “Po ju, pse nxitoni kaq shumë drejt Xhennetit?” Ata do thonë: “Ne jemi njerëzit e virtytit”. Engjëjt do pyesin: “Çfarë ishte virtyti juaj?” Ata do përgjigjen: “Kur na bënin padrejtësi, ne falnim. Kur silleshin keq ndaj nesh, ne duronim. Kur silleshin me injorancë, ne tregonim maturi.”  Atëherë do t’u thuhet: “Hyni në Xhennet. Sa shpërblim i mirë për ata që vepruan!” (“Tenbihul Khavatir”, 1/ 124

Si mbrohet virtyti?

Virtyti mbrohet duke mbjellë ndjenjën e turpit, të ndershmërisë e të maturisë në shpirtrat e djemve dhe vajzave që në fëmijëri. I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të de mbi familjen e tij!) ka thënë: ‘Ndjesia e turpit nuk sjell veçse mirësi’.

Virtyti mbrohet me edukimi mbi virtytet dhe moralet e larta, si dëlirësia, xhelozia për mbrojtjen e nderit, trimëria dhe burrëria… Prandaj, duhet që edukimi moral duhet të fillojë që në vegjëli.

Virtyti mbrohet duke mbyllur rrugët e imoralitetit.  Dhe që të mbrohet virtyti, patjetër duhet të forcohet ndjenja fetare, të ngulitet vlera e moralit dhe të ruhet nderi, pastëria, lavdia dhe krenaria. Duhet të sqarohet se çdo gjë e keqe, fjalë, vepër, moral e cënojnë virtytin dhe e njollosin atë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Morali dhe vlerat janë forcë për popujt dhe mbrojtje për shoqëritë. Dëlirësia është pastërti dhe nder, turpi është pjesë e besimit, ndërsa mëkati është faj dhe mangësi. Veprat e turpshme janë shkatërruese të burrërisë, dobësuese të fesë dhe rrënuese të moralit.

Nëse duam të jetojmë të lumtur në këtë jetë dhe të jemi të shpëtuar në Jetën Tjetër, atëherë le pajisemi me virtyte e me morale të larta.

Në ajeti 6 të sures “Tahrim” Allahu i Madhëruar na urdhëron e na thotë:

}یا أَیُّهَا الَّذِینَ آمَنُوا قُوا أَنْفُسَکُمْ وَ أَهْلِیکُمْ ناراً وَقُودُهَا النّاسُ وَ الْحِجارَةُ عَلَیْها مَلائِکَةٌ غِلاظٌ شِدادٌ لایَعْصُونَ اللّهَ ما أَمَرَهُمْ وَ یَفْعَلُونَ ما یُؤْمَرُونَ{

“O ju, që keni besuar! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët kurrë nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, por i zbatojnë menjëherë ato.”