Në ajetin 8 deri te ajeti 10 i sures “Beled” Allahu i Madhëruar thotë:
أَلَمۡ نَجۡعَل لَّهُۥ عَيۡنَيۡنِ (8) وَلِسَانٗا وَشَفَتَيۡنِ (9) وَهَدَيۡنَٰهُ ٱلنَّجۡدَيۡنِ (10)
“A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy, edhe gjuhë, edhe dy buzë, dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët?”
Fjala është një mjet thelbësor për përcjelljen e informacionit dhe dijeve, për shkëmbimin e përvojave e eksperiencave. Ajo është një element i rëndësishëm i mirëkuptimit dhe komunikimit njerëzor, dhe ka rol të madh në ndërtimin e marrëdhënieve, forcimin e lidhjeve dhe kuptimin e të tjerëve. Fjala ka një melodi që e kuptojnë ata me shije të pastër; dhe mjafton një fjalë për të zgjuar vendosmërinë, për të ringjallur popujt dhe për t’i çuar drejt majave, ashtu siç me të kundërtën kuptohen gjërat.
Fjala është amanet dhe përgjegjësi, dhe ka ndikim si pozitiv, ashtu edhe negativ në nivel individësh e shoqërish. Fjala e mirë mund të jetë burim force dhe nxitjeje, krijimtarie e frymëzimi, mund të ngrejë moralin dhe të inkurajojë të tjerët, të ndezë tek ata shpirtin e garës së shëndetshme. Ndërsa fjala e pamenduar mirë mund të jetë shkak dobësie e plogështie, rrëzimi e mjerimi, shkatërrimi i vetes, prishja e miqësisë dhe rrënimi i personalitetit.
Sa i madh është ndikimi i një fjale, kur një fytyrë e buzëqeshur ta dhuron atë në momentet kur je i zhytur në errësirat e pikëllimit! Atëherë e ndien sikur të ka ardhur një frymëzim i ëmbël, si një aromë e këndshme që mbush zemrën me jetë.
Sa bukur na përshkruan fjalën Allahu i Madhëruar në ajetet 25–26 të sures Ibrahim thotë:
}أَلَمْ تَرَ كَيْفَ ضَرَبَ اللَّهُ مَثَلاً كَلِمَةً طَيِّبَةً كَشَجَرةٍ طَيِّبَةٍ أَصْلُهَا ثَابِتٌ وَفَرْعُهَا فِي السَّمَآءِ* تُؤْتِي أُكُلَهَا كُلَّ حِينٍ بِإِذْنِ رَبِّهَا وَيَضْرِبُ اللَّهُ الأَمْثَالَ لِلنَّاسِ لَعَلَّهُمْ يَتَذَكَّرُونَ{
“A nuk e ke parë se si Allahu ka dhënë si shembull një fjalë të mirë si një pemë të mirë, rrënja e së cilës është e fortë e degët e saj janë në qiell; ajo jep frytin e saj në çdo kohë me lejen e Zotit të saj. Allahu u sjell njerëzve shembuj, ashtu që ata të përkujtohen.”
A e sheh madhështinë e fjalës së mirë, ndikimin e saj dhe vazhdimësinë e mirësisë që sjell? Fjala e mirë është si një vepër e mirë që jep fryt, ashtu si një pemë që sjell fruta të dobishme.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nga shenjat e përsosmërisë së Islamit të njeriut është të flasë pak për atë që nuk e përket.” (“Musned Ahmet ibn Hanbel, vëll. 1, f. 429, hadithi nr. 1732.}
Me këtë thënie Profeti na mëson se një besimtar i vërtetë tregon pjekuri dhe urtësi duke mos u përzier në çështje që nuk i përkasin atij. Heshtja për gjëra të panevojshme është pjesë e moralit të mirë dhe e përmirësimit të vetes në Islam.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Bëjini fjalët tuaja, të cilës ndoshta nuk i jepni rëndësi, një eliksir që ringjall shpirtrat dhe i nxjerr ata nga terri i dhimbjeve që rëndojnë mbi shpatullat e dikujt, plagët e të cilit nuk i di askush, dhe që e kanë lodhur vuajtjet e përsëritura të jetës.
Bëjini fjalët tuaja të ngrihet lart, me degë të forta, që nuk i tundin stuhitë e brendshme dhe që nuk i thyejnë veglat e shkatërrimit që trokasin në shpirtin e atij njeriu të dobët. Bëje fjalën tënde të përballet me dëshpërimin dhe pikëllimin brenda tij.
Jini me fytyrë të qeshur dhe buzëqeshës ashtu siç ishte më i miri i krijesave, i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!). Ai i vizitonte njerëzit me një buzëqeshje të ëmbël, ishte i thjeshtë, i butë, i sjellshëm dhe gjithmonë i gëzuar; i priste njerëzit me një buzëqeshje të madhe dhe i përshëndeste i pari me selam. Për ne ai është shembull i lartë, prej tij mësojmë mirësinë në të folur dhe pastërtinë e gjuhës. Siç ka thënë Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Besimtari nuk është sharës, as mallkues, as i pahijshëm e as i vrazhdë.”
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le të thotë fjalë të mira ose le të hesht…” Sa e mrekullueshmekjo porosi e të dashurit të zemrave tona. Kjo është më e mëshirshme për ty dhe për të tjerët. Bëhu ndikues i mirë që ringjall shpirtin kur ai është pranë shuarjes. Ji dora që i zgjatet atij kur është shtrirë i dorëzuar; ji shtysa që e nxit të vazhdojë dhe të ecë përpara. Mos u bashko me vështirësitë e kohës, në ndihmë kundër tij.
Profeti Dauud (Paqja qoftë mbi të!) i tha Sulejmanit (Paqja qoftë mbi të!): “O biri im, mbaj heshtje të gjatë, përveç kur bëhet fjalë për diçka të mirë, sepse pendimi për heshtjen e tepërt një herë është më i mirë sesa pendimi për shumë fjalë të tepërta. O biri im, sikur fjala të ishte prej argjendi, atëherë heshtja do të duhej të ishte prej floriri.” (El Biharu”, vëll. 71, f. 277, hadithi 13.)
Kjo porosi tregon vlerën e madhe të heshtjes dhe përmbajtjes në të folur. Profeti Dauud e mëson të birin, hazreti Sulejmanin se është më e mençur të heshtësh dhe të pendohesh një herë për një rast kur duhej të flisje, sesa të flasësh shumë e të pendohesh shumë herë për fjalë të kota apo të dëmshme. Fjala ka vlerë, por heshtja ka vlerë më të lartë, sepse ajo ruan njeriun nga gabimet dhe e mban mendjen të kthjellët.
Fjala e mirë nuk të kushton as mund, as para. Shpërndaje atë sa të kesh mundësi, mos prit shpërblim në ndonjë të mirë tjetër përderisa mund të flasësh. Sepse ndikimi i fjalës është i madh në shpirtrat tanë. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njeriu ka dy virtyte: mendjen dhe të folurin; me mendje përfiton, e me të folur përfitojnë të tjerët.” (“Gurarul Hikam”, hadithi nr. 7356.)
Sa shumë fjalë na kanë hedhur në thellësitë e mjerimit, na kanë rrëzuar aq rëndë sa nuk kemi mundur të ngrihemi dot më. Dhe sa shumë fjalë na kanë ngritur lart në retë e shpresave, na kanë forcuar besimin në vetvete dhe na kanë bërë të arrijmë gjëra që kurrë nuk e mendonim se do t’i arrinim, vetëm për shkak të një fjale.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Bëj kujdes nga fjalët e shëmtuara (të pahijshme), sepse ato i tërheqin njerëzit e ulët drejt teje dhe i largojnë njerëzit fisnikë prej teje.” (Gurarul Hikam”, hadithi nr. 2722.)
Po, një fjalë mund të ringjallë një shpirt që është pranë shuarjes. Ne nuk dimë asgjë të vërtetë për tjetrin që kemi përballë, edhe nëse përpiqemi të zbulojmë tiparet e jetës së tij dhe mendojmë se dimë shumë për të. Në të vërtetë, ne dimë vetëm sipërfaqen, pamjen e jashtme. Nuk dimë asgjë për betejat dhe luftërat e tij të brendshme në jetë, as sa shumë ka duruar vetëm që të qëndrojë përballë nesh dhe të na flasë.
Ndoshta një fjalë e thënë pa qëllim do të zgjojë plagë të heshtura brenda tij, plagë që i ka mbajtur të fjetura për vite të tëra. Me shumë mund ka arritur të qetësojë dhimbjen që ato i shkaktuan, por nuk ka dhimbje më të rëndë sesa dhimbja e shpirtit.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sa shumë fjalë janë më depërtuese se shigjetat.” (“Gurarul Hikam”, hadithi nr 5322).
Me këtë thënieimam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se fjala mund të ketë një fuqi të jashtëzakonshme. Ajo mund të dëmtojë, lëndojë apo të ndikojë më thellë se një shigjetë fizike. Një fjalë e padrejtë, fyerje apo shpifje mund të plagosë shpirtin e njeriut më shumë se një armë. Në anën tjetër, edhe fjala e mirë ka fuqi të madhe: ajo mund të shërojë, të forcojë, dhe të ndryshojë zemra.
Me këtë thënie imam Aliu na nxit të jemi të kujdesshëm në fjalët që themi, sepse gjuha mund të plagosë më shumë se arma.
Pse, në vend që të nxjerrim nga goja fjalë që lëndojnë shpirtrat e të tjerëve, të mos nxjerrim fjalë që forcojnë zemrat e tyre të brishta, duke i ndihmuar të vazhdojnë dhe të përballen me jetën? Pse të mos përhapim fjalë të bukura mes nesh, që të ndihmojmë njëri-tjetrin përballë pengesave të shumta të kësaj jete, e cila, sa herë që mendojmë se kemi kaluar njërën dhe marrim frymë të lehtësuar, menjëherë na del një tjetër përpara?
Fjala është si ilaçi. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Fjala është si ilaçi: pak prej tij të sjell dobi, por shumë prej tijj të vret.” (“Gurarul Hikam”, hadithi nr. 2182)
Me këtë thënie imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na paralajmëron që të flasim me maturi dhe masë. Ashtu si ilaçi që në sasi të vogël shëron, por në sasi të madhe bëhet helm, edhe fjala, kur është e matur dhe e drejtë, sjell dobi, por kur teprohet në të folur, pa menduar apo pa qëllim të mirë, mund të bëhet shkatërruese për njeriun dhe për të tjerët.
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Të folurit është pushim për shpirtin, ndërsa heshtja është pushim për mendjen.” (Biharul Anuar, vëll. 71, f. 276, hadithi nr. 6)
Kjo thënie e ima Sadikut (Paqja qoftë mbi të!) tregon për ekuilibrin e nevojshëm mes të folurit dhe heshtjes. Njeriu ka nevojë të shprehet, sepse fjala e çliron dhe e lehtëson shpirtin. Por, në të njëjtën kohë, heshtja e ruan mendjen nga hutia, gabimet dhe nxitimi. Pra, urtësia qëndron në të diturit kur duhet të flasësh dhe kur duhet të heshtësh.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Një hadith mjaft të bukur të Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), i cili ka thënë: “Në Xhennet ka dhoma të cilat nga brenda duken nga jashtë, dhe nga jashtë duken nga brenda. Ato do t’i banojnë nga umeti im ata që e kanë pastruar fjalën e tyre, kanë ushqyer të tjerët, kanë përhapur selamin (përshëndetjen e paqes), kanë agjëruar vazhdimisht dhe kanë falur namazin e natës ndërsa njerëzit flenë.” (“Ma‘ani El Akhbar”, f. 251, hadithi nr. 1)
Ky hadith i nderuar tregon se jeta e pastër, fjala e mirë, bamirësia dhe adhurimi i sinqertë janë rruga drejt dhuratave të mëdha të Xhennetit.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Thoni fjalë të mira që të njiheni për to, dhe bëni vepra të mira që të jeni prej njerëzve të së mirës.” (Biharul Anuar, vëll. 71, f. 311, hadithi nr. 9)
Me këtë thënie imam Aliu na mëson se mirësia duhet të shfaqet si në fjalë, ashtu edhe në vepra. Kur njeriu flet mirë, tregon për pastërtinë e zemrës dhe edukatën e tij. Kur vepron mirë, ai bëhet pjesë e njerëzve të së mirës, të dashur për Zotin dhe për krijesat. Pra, fjala e mirë është pasqyra e karakterit, dhe vepra e mirë është prova e besimit.
Qofshim prej punëmirëve dhe prej atyre që thonë vetëm fjalë të mira!

