Bindja e fortë në kohë dyshimesh dhe krizash

Jetojmë në kohë ku dyshimet, krizat dhe sprovat janë bërë të shumta. Çdo ditë ndeshemi me lajme që tronditin mendjet, me ide që synojnë të dobësojnë besimin, me padrejtësi e sprova që lëkundin zemrat. Pikërisht në këto momente, bëhet dallimi midis atyre që kanë bindje të fortë dhe atyre që kanë bindje të dobët dhe luhatje në besim.
Çfarë është bindja (el jekijnu)?
Bindja (el jekinu) është besimi i vendosur, i sigurt në përputhje me realitetin, që nuk zhduket nga dyshimet, sado të forta të jenë ato. Bindja e fortë është besimi i thellë dhe i palëkundur në të vërtetën e Allahut, në premtimet e Tij dhe në udhëzimin e Tij, pa dyshim e pa hezitim.
Fjala “jekijn”, bindje, është përmendur në Kur’an njëzet e tre herë në forma të ndryshme.
I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Imamët e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), kanë nxitur që njeriu të zbukurohet me këtë cilësi, siç dëshmojnë shumë hadithe të transmetuara prej tyre.
Bindja (el jekijnu) është themeli i qëndrueshmërisë shpirtërore. Edhe nëse zemra është e gjallë me këshillë dhe e lirë nga lakmia, ajo mbetet e brishtë pa bindje të fortë. Bindja është si rrënja e pemës. Sa më e thellë të jetë, aq më i fortë është trungu përballë erërave të dyshimit dhe krizës.
Kur njeriu ka bindje të plotë: nuk e humb shpresën në vështirësi, nuk e trondit dyshimi në fe, nuk e mashtron pasuria apo fama, dhe nuk e ndalon frika në rrugën e drejtë.
Allahu në Kur’an i lavdëron ata që kanë bindje. Këtë e lexojmë në ajetin 15 të sures “Huxhurat” që thotë”: “Vetëm ata janë besimtarë të vërtetë, të cilët besojnë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij e pastaj nuk dyshojnë.”
Bindja është forca e zemrës që e ruan nga rënia. Bindja e fortë është drita e zemrës që nuk fiket edhe kur errësohet bota. Ajo është forca që e mban njeriun në këmbë kur rrethanat e jetës e trondisin.
Cilat janë shenjat e bindjes?
Këtë na e sqaron thënia e imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Dëshira e zjarrtë (për ahiretin) është shenjë e atyre që kanë bindje të plotë.” (Burimi: “Gurerul Hikem”, hadithi nr. 663).
Shkallët e Jekijnit (bindjes së sigurt)
Nga ajetet kur’anore kuptohet se bindja (jekini) ka tri shkallë, të cilat janë të njohura dhe të sqaruara nga dijetarët e etikës si më poshtë:
Dija e bindur (Ilmul Jekijin):

Ky është një besim i palëkundur dhe i saktë që përputhet me realitetin. Arrihet përmes arsyetimit me shkaktarët dhe pasojat. Shembull: bindja për ekzistencën e zjarrit duke parë tym.
Pamja me bindje (Ajnul jekijn)):

Do të thotë ta shohësh të kërkuarën me syrin e brendshëm dhe të zemrës, dhe kjo është më e qartë se shikimi me syrin e jashtëm. Kjo shkallë është ajo që i referohet Imam Aliu (a.s.) kur thotë: “Nuk e adhuroj Zotin pa e parë”. Kjo arrihet përmes ushtrimeve shpirtërore, pastrimit dhe çlirimit të plotë të shpirtit. Shembull: bindja për ekzistencën e zjarrit kur e sheh atë me sy.
E vërteta e bindur (Hakkul Jekijn):
Kjo është kur arrihet një njësi shpirtërore dhe lidhje e vërtetë midis të kuptuarit dhe gjësë që kuptohet, pra midis njeriut që e percepton dhe gjësë që perceptohet, në atë mënyrë që ai që kupton e sheh veten si një rrezatim prej saj dhe të pandarë prej saj. Ai gjithmonë sheh me syrin e brendshëm derdhjen e dritës dhe ndikimeve nga ajo te ai. Shembull: bindja për ekzistencën e zjarrit kur hyn brenda tij pa u djegur.

Të dashur vëllezër dhe motra!
Dyshimi është arma e shejtanit. Ai mundohet t’i futë njerëzit në paqartësi duke u pëshpëritur: “A është feja e vërtetë? A vlen ende durimi? A më sheh Zoti? A më dëgjon Zoti?”
Kur njeriu ka bindje të plotë e të fortë, ai e di se pas çdo errësire vjen drita, pas çdo sprove vjen lehtësimi, dhe se asgjë nuk ndodh pa urtësinë e Allahut.
Allahu na ka lajmëruar se bindja nuk qëndron pa sprova.
Në ajetin 2 të sures “Ankebut” thuhet:
{أَحَسِبَ ٱلنَّاسُ أَن يُتۡرَكُوٓاْ أَن يَقُولُوٓاْ ءَامَنَّا وَهُمۡ لَا يُفۡتَنُونَ}

“Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!
Sprova ka qenë është dhe do të qëndrojë deri në fund të kësaj jete. Edhe ata që ishin para nesh u sprovuan, siç thotë ajeti 3 i po kësaj sureje:
}وَلَقَدۡ فَتَنَّا ٱلَّذِينَ مِن قَبۡلِهِمۡۖ فَلَيَعۡلَمَنَّ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ صَدَقُواْ وَلَيَعۡلَمَنَّ ٱلۡكَٰذِبِينَ {

“Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.”
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tijka thënë: “Çudi e madhe është me çështjen e besimtarit, sepse çdo gjë për të është e mirë: nëse e godet ndonjë mirësi, ai falënderon, dhe kjo është mirë për të. Nëse e godet ndonjë fatkeqësi, ai duron, dhe kjo është mirë për të.”
Të dashur vëllezër dhe motra!
Krizat, qofshin shpirtërore, ekonomike apo shoqërore, janë si furra që shkrin metalin. Ajo që mbetet pas është ari i pastër i besimit. Në kohë krizash, besimtari e ruan qetësinë, e forcon lidhjen me Allahun dhe e ushqen zemrën me dhikër (përmendje), namaz dhe dua.
Shembulli për këtë kemi profetin Jusuf (Paqja qoftë mbi të!), i cili, në pus, në burg, dhe kur iu bë padrejtësi. Në të gjtha këto raste bindja e tij nuk u dobësua.

Çfarë thotë Profeti dhe Ehli Bejti për bindjen?

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Me të vërtetë, njerëzve nuk u është dhënë në këtë botë asgjë më e mirë se bindja (el jekijnu) dhe shëndeti. Prandaj, kërkojini ato prej Allahut.” (Burimi: “Kenzul Ummal”, hadithi 7334)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sa e madhe është lumturia e atij njeriu zemra e të cilit përgëzohet me freskinë e bindjes (el jekijnu).” (Burimi: “Gurarul Hikem”, haditho 9556)
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Gjërja më e mirë që hidhet në zemër është bindja e sigurt, (el jekijnu).” (Burimi: “Emali Es Saduk”, f. 395, hadithi1)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Bindja (el jekijnu) është koka e fesë.” (Burimi: “Gurarul Hikem”, hadithi 852)

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Durimi është gjysma e besimit, ndërsa bindja (el jekinu) është i gjithë besimi.” Burimi: “Kenzu’l Ummal”, hadithi nr. 7331.)

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Besimtari ka forcë në fe, vendosmëri në butësi, dhe besim të mbështetur në bindje.” Burimi: “Biharul Enuar”, vëll. 67, f. 271, nr. 3)

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nuk ka vepër pa nijet (qëllim), dhe nuk ka adhurim pa bindje.” (Burimi: Biharul Enuar, vëll. 77, f. 168, nr. 6)

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Veprimi i vazhdueshëm, sado i vogël, por mbi bazën e bindjes së plotë (jekinit), është më i dashur tek Allahu sesa veprat e shumta pa bindje të plotë.” (Burimi: “El Kafij”, vëll. 2, f. 57, nr. 3

Shenjat e atij që ka bindje të sigurt (el jekinu)

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shenjat e atij që ka bindje janë gjashtë:
E para: Është i bindur në Allahun me të vërtetë, prandaj beson në Të;
E dyta: Është i bindur se vdekja është e vërtetë, prandaj i druhet asaj;
E treta: Është i bindur se Ringjallja është e vërtetë, prandaj ka frikë nga turpërimi (në Ditën e Gjykimit);
E katërta: Është i bindur se Xhenneti është i vërtetë, prandaj dëshiron të shkojë atje;
E pesta: Është i bindur se Zjarri (Xhehennemi) është i vërtetë, prandaj përpiqet ta shpëtojë veten prej tij;
E gjashta: Është i bindur se llogaria (gjykimi) është e vërtetë, prandaj e llogarit veten e tij.” (Burimi: “Tuhaful ‘Ukuli”, f. 20)

Të dashur vëllezër dhe motra!
Bindja e fortë në kohë dyshimesh dhe krizash është shenjë e besimtarit të vërtetë.
Ajo është si rrënja e thellë e pemës që nuk e shkul as stuhia më e fortë.
E lus Allahun që të na dhurojë bindje të patundur, durim në sprovë, qetësi në ankth dhe shpresë në çdo vështirësi!
O Zoti ynë, na jep durim, forcoje bindjen tonë dhe na bëj të vdesim si muslimanë të bindur ndaj Teje.
اللهم ارزقنا اليقين وحسن الظن بك، وثبّت رجاءك في قلوبنا حتّى لا نرجو سواك ولا نلجأ إلا إليك يا أرحم الراحمين
O Allah, na dhuro bindje të plotë dhe mendim të mirë për Ty! Forcoje shpresën tek Ti në zemrat tona, derisa të mos shpresojmë në askënd tjetër përveç Teje
dhe të mos kërkojmë strehë veçse tek Ti! O Mëshiruesi më i madh ndër mëshiruesit!