Kush është më afër me Profetin Muhamed në jetën tjetër

Ne besojmë se Profeti Muhamed është njeriu më përkryer. Allahu i Lartësuar në Kur’an e lavdëron të Dërguarin e Tij duke thënë: “Vërtet, ti je me një moral të lartë.” (Sure “El Kalem”, ajeti 4)

Ky ajet na qartëson moralin e lartë të Profetit Muhamed. Ajeti na mëson se përderisa jemi prej ndjekësve të Profetit Muhamed, atëherë edhe ne duhet të jemi të pajisur me moral të lartë. Morali qëndron në zemrën e fesë islame. Ai është fryma që e gjallëron besimin. Profeti nuk ishte i njohur vetëm për adhurimet, por ai njihej edhe për butësinë, faljen, durimin dhe respektin ndaj njerëzve.

Në ajetin 159 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë: “Në sajë të mëshirës së Allahut, u solle butësisht me ta (o Muhamed). Sikur të ishe i ashpër dhe i vrazhdë, ata do të largoheshin prej teje…” Drejtësia, dashuria, mëshira, falja, të gjitha janë degë të moralit të mirë.

Islami i urdhëron ndjekësit e tij që të pajisen me morale të mira dhe të largohen nga moralet e këqija. Profeti Muhamed (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Vërtet, unë jam dërguar që të përsos moralet e njerëzve.” (Kenzul Ummal, vëll. 3, f. 16, hadithi 52175.)

Morali i mirë do të jetë pesha më e rëndë në peshoren e punëve në Ditën e Llogaridhënies. Për këtë Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Asgjë nuk peshon më rëndë në peshoren e Ditës së Kiametit se morali i mirë.” 

Morali i keq është dëshmi e braktisjes dhe mohimit të së mirës. Kush ka moral të keq, nuk i afrohet Allahut, përkundrazi largohet prej Tij. Ehe njerëzit, po ashtu, e largojnë dhe e urrejnë. Ai është më larg nga Profeti Muhamed në Ditën e Gjykimit.

Profeti Muhamed ka thënë: “Njeriu më i urryer për Allahun është ai që është i ashpër dhe kundërshtar i fortë në debat.”

Në një hadith tjetër Profeti Muhamed ka thënë: “Morali i keq e prish veprën, ashtu si uthulla e prish mjaltin.” Kushdo që është sprovuar me ndonjë moral të keq, le të luftojë veten për t’u stolisur me moral të mirë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Të gjithë ne dëshirojmë dhe shpresojmë që të jemi me Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në Jetën Tjetër. Këtu lind pyetja: Si arrihet afërsia me Profetin në atë Jetë? Këtë na e sqaron vetë Profeti ynë i dashur, i cili ka thënë:

أقْرَبُکُمْ مِنِّی مَجْلِساً یَوْمَ الْقِیَامَهِ أَحْسَنُکُمْ خُلُقاً وَ خَیْرُکُمْ لِأَهْلِهِ”

 “Më i afërti prej jush me mua në Ditën e Ringjalljes do të jetë ai që ka moralin më të mirë dhe që është më i miri ndaj familjes së tij.”

Ky hadith tregon qartë se afërsia me Profetin në Botën Tjetër nuk arrihet me pasuri, as me pozitë, as thjesht me pretendime se e dua Profetin, por afërsia me Profetin arrihet me sjellje të mirë, me moral të lartë dhe me dashuri ndaj familjes dhe ndaj njerëzve.

Pasuria më e madhe e njeriut është morali i mirë. Morali i mirë është zbukurim për të pasurit, pasuri për të varfrit, dhe stoli për njerëzit e lumtur. Ai që ka moral të mirë, i shtohen begatitë dhe furnizimet. Kurse, ai që ka moral të keq, largimi prej tij është i ëmbël. Njerëzit gëzohen kur largohen prej tij.

Ai që ka moral të mirë, rehaton të tjerët dhe gjen qetësi vetë, dhe shpirtrat tërhiqen drejt tij. Kush ka moral të mirë, fjalët e tij janë të buta, shoqëria me të është e këndshme, dashuria për të bëhet detyrë, miqësia me të bëhet e fortë, dhe shoqërimi me të është i pëlqyer.

Shpërblimet më të larta dhe dhuratat më të mëdha për atë që ka moral të mirë në këtë jetë, është se ai do të jetë më afër Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe në shoqërinë e tij në Jetën Tjetër.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:

قال رسول الله (صل الله علیه و آله): “إنَّ مِن أحبكُم إليَّ، وأقربَكم مِنّيِ مجلسًا يومَ القيامةِ، أحاسنَكم أخلاقًا”

“Më të dashurit tuaj për mua dhe më të afërtit tuaj me mua në Ditën e Gjykimit janë ata që kanë moralin më të mirë.”

Mesazhi i këtij hadithi për ne është se vlera më e madhe e njeriut para Allahut dhe Profetit Muhamed është morali i tij i mirë. Ai që sillet me butësi, drejtësi dhe dashuri ndaj njerëzve, fiton dashurinë e Profetit dhe afërsinë me të në Botën Tjetër. Morali i mirë është rruga më e shkurtër drejt afërsisë me Profetin Muhamed dhe kënaqësisë së Allahut të Madhëruar. Morali është kriteri që përcakton afërsinë tonë me Allahun dhe me Profetin Muhamed.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Në hadithin që po flasim, ndër të tjera Profeti Muhamed na thotë: “… më i miri prej jush është ai që është më i miri me familjen e tij.” Kjo tregon se kriteri i vërtetë i karakterit të njeriut nuk është sjellja në publik, por sjellja në shtëpi. Në shoqëri, njeriu mund të sillet mirë për sy të botës, por në shtëpi zbulohet natyra e tij e vërtetë.

Kur’ani e përmend jetën bashkëshortore si burim paqeje dhe mëshire. Në ajetin 21 të sures “Rrum” Allahu i Madhëruar thotë:  

 {وَمِنْ ءَايَٰتِهِۦٓ أَنْ خَلَقَ لَكُم مِّنْ أَنفُسِكُمْ أَزْوَٰجًا لِّتَسْكُنُوٓاْ إِلَيْهَا وَجَعَلَ بَيْنَكُم مَّوَدَّةً وَرَحْمَةً ۚ إِنَّ فِى ذَٰلِكَ لَءَايَٰتٍۢ لِّقَوْمٍۢ يَتَفَكَّرُونَ}

“Dhe ndër shenjat e Tij është që Ai krijoi për ju bashkëshorte që të gjeni prehje tek to, dhe vendosi ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë.”  Ky ajet i bekuar na mëson se marrëdhëniet familjare duhet të ndërtohen mbi dashuri, butësi dhe respekt të ndërsjellë gjë që na bën të jemi afër Profetit Muhamed në Jetën Tjetër.

Në një hadith tjetër të Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) na qartësohet se kush është më i afërti te ai në Jetën Tjetër. Ai ka thënë: “Më i afërti prej jush me mua nesër (në Ditën e Ringjalljes), dhe ai që do të ketë më shumë të drejtë për ndërmjetësimin tim, është më i sinqerti në gjuhën e tij, më i besueshmi në ruajtjen e amanetit, ai me moralin më të mirë, dhe ai që është më i afërti me njerëzit (në dashuri dhe mirësi).”

Në këtë hadith mësojmëseafërsia me Profetin (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në Botën Tjetër fitohet përmes sinqeritetit, besnikërisë, moralit të bukur dhe dashurisë ndaj njerëzve. Afërsia me Profetin Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) në Botën Tjetër nuk fitohet me fjalë apo pozita, apo me pasur, apo me kostum e me kollare, as me uniforma mbi kurriz, por arrihet me vepra që pasqyrojnë zemrën e pastër dhe karakterin profetik.

Të dashur vëllezër e motra!

Në një botë ku komunikimi është bërë i lehtë dhe zemrat janë larguar nga njëra-tjetra, morali i mirë është shpëtimi. Në kohën kur shumë familje përballen me ftohtësi, grindje dhe mungesë të durimit, hadithi i Profetit është si një dritë udhërrëfyese dhe na fton që të sillemi mirë me bashkëshorten dhe fëmijët. Mos e ngrejmë zërin, mos fyejmë, mos jemi të ashpër e të vrazhdë. Të ndihmojmë në shtëpi, siç ndihmonte Profeti. Të krijojmë atmosferë mëshire e respekti, sepse aty fillon ndërtimi i shoqërisë së drejtë. Moralet e mira fitohen me përpjekje dhe durim, dhe arrihen me edukim dhe vetëkontroll.

Nëse dëshirojmë të jemi pranë Profetit Muhamed në Ditën e Kiametit, duhet të pasqyrojmë moralin e tij në jetën tonë. Le të fillojmë nga shtëpia jonë, nga zemra jonë, nga fjala jonë e përditshme. Sepse me moralin e mirë fitohet afërsia me Profetin, fitohet dashuria e Allahut dhe shpëtimi në Botën Tjetër.

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Unë jam garant për një shtëpi në pjesën më të lartë të Xhennetit për atë që ka moral të mirë.”

O Zot, na zbukuro me moralin e bukur! Na bëj të dashur ndaj familjeve tona!
Na afro me Profetin Tënd të dashur në Ditën e Gjykimit! Dhe na dhuro hyrjen në Xhennet me ata që i ke bekuar!