Besimtari nuk e harron Zotin e Tij

Në ajetin 37 të sures “Nur” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ رِجَالٌ لَا تُلْهِيهِمْ تِجَارَةٌ وَلَا بَيْعٌ عَن ذِكْرِ اللَّهِ وَإِقَامِ الصَّلَاةِ وَإِيتَاءِ الزَّكَاةِ ۙ يَخَافُونَ يَوْمًا تَتَقَلَّبُ فِيهِ الْقُلُوبُ وَالْأَبْصَارُ ﴾

“Burra që as tregtia e as shitblerja nuk i largon nga përmendja e Allahut, nga falja e namazit dhe dhënia e zekatit; ata i frikësohen një Dite në të cilën zemrat dhe sytë do të tronditen.”

Ky ajet i bekuar është një përshkrim madhështor i besimtarëve të vërtetë, të cilët janë njerëz që jetojnë në botë, por zemrën e kanë të lidhur me Zotin e tyre.

Ajeti përmend tri gjëra: Përmendjen e Allahut; Faljen e namazit dhe dhënien e zekatit Këto janë shenjat e gjallërisë së shpirtit. Namazi e lidh njeriun me Zotin, ndërsa zekati e lidh me njerëzit.

Pra, besimtar i vërtetë është ai që ka balancë mes adhurimit dhe shërbimit ndaj të tjerëve. Këta janë njerëz që punojnë, tregtojnë, ndërtojnë, por nuk lejojnë që pasuria t’i largojë nga Allahu. Janë besimtarë aktivë, që e bashkojnë dynjanë me Ahiretin. Ata janë të vetëdijshëm dhe të bindur se dynjaja është sprovë, jo qëllim.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Allahu nuk e ndalon tregtinë, as punën e as zotërimin e pasurisë. Ajeti tregon se tregtia është një sprovë. Kush e bën me ndershmëri dhe nuk e pengon nga detyrat fetare, ai është i lavdëruar. Por, nëse tregtia e bën njeriun të harrojë Allahun, atëherë ajo bëhet burim humbjeje. Kur’ani na nxit që të punojmë në këtë jetë dhe në të njëjtën kohë na porosit të mos e harrojmë Jetën Tjetër. Në ajetin 77 të sures “Kasas” Allahu i Madhëruar thotë:

}وَابْتَغِ فِيمَا آتَاكَ اللَّهُ الدَّارَ الْآخِرَةَ وَلَا تَنْسَ نَصِيبَكَ مِنَ الدُّنْيَا{

“Kërko (përpiqu) me atë që të ka dhënë Allahu, Botën Tjetër, por mos harro pjesën tënde nga kjo botë.” (Sure “El Kasas”, ajeti 77)

Allahu na ka dhënë mjete, aftësi, shëndet, dije, pasuri. Mos i përdorim këto vetëm për kënaqësitë e kësaj bote, por për t’u afruar te Allahu me bamirësi, ndihmë, drejtësi e devotshmëri. Pra, t’i përdorim mirsitë e kësaj bote për qëllime shpirtërore.

Feja islame nuk kërkon që njeriu të heqë dorë nga jeta materiale, puna, familja, kënaqësitë e lejuara. Islami është fe e ekuilibrit. Besimtari punon për Botën Tjetër, por jeton me dinjitet edhe në këtë botë.

Pasuria nuk është problem në Islam. Por, pasuria është problem kur ajo pushton zemrën, e errëson dhe e largon atë nga Krijuesi. Nëse pasuria është në dorën tënde dhe Allahu në zemrën tënde, je në rrugën e drejtë. Por, nëse pasuria është në dorën tënde, dhe Allahu është larg nga jeta jote, atëherë je në rrugën e gabuar.

Besimtarët e vërtetë janë të vetëdijshëm se Allahu duhet kujtuar në çdo vend dhe në çdo rrethanë.  Allahu thotë: “…as tregtia dhe as shitblerja nuk i largon nga përmendja e Allahut…” Pra, edhe në zhurmën e tregut, në orarin e punës, në rrugë apo në zyrë, zemra e besimtarit është me Zotin. Ai kujton Zotin me gjuhë, me zemër dhe me vepra.

Fjala “ذِكْرِ اللَّهِ” (përmendja e Allahut) këtu përfshin namazin, leximin e Kur’anit, duanë, kujdesin për hallallin dhe haramin, si dhe çdo gjë që të lidh me Allahun e Madhëruar.

Besimtari nuk e lë përmendjen e Allahut, as në kulmin e punës, sepse zemra e tij është gjithmonë në kujtim të Allahut. Mos lejojmë që puna apo angazhimet të na bëjnë të harrojmë Zotin, sepse përmendja e Tij është burimi i bekimit në punë.

Allahu i përshkruan besimtarët në këtë ajet se janë njerëz të fortë në besim. As tregtia, as puna, as fitimi material nuk i bëjnë që ta harrojnë Zotin. Ata jetojnë në këtë botë, punojnë dhe tregtojnë, por zemra e tyre mbetet me Zotin. Pra, nuk janë skllevër të pasurisë, por përdorues të saj për hir të Allahut. Njeriu mund të jetë tregtar, profesionist apo punëtor, por të mbetet rob i Allahut, jo i pasurisë.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush e kujton Allahun mes njerëzve që e harrojnë Atë, është si një luftëtar që qëndron mes atyre që ikin.”

Të dashur vëllezër dhe motra!

Sot, në kohën e telefonave, rrjeteve sociale dhe shpërqendrimeve, ky hadith bëhet edhe më i vërtetë. Nëse e kujton Zotin në një botë që e ka harruar, ti je vërtet ndër të dalluarit. Besimtarët e vërtetë janë të bindur se namazi dhe zekati janë shtyllat që mbajnë shpirtin dhe e ruajnë atë. Ajeti na mëson ta përmendim Allahun në çdo rrethanë, sepse kjo është forca që na mbron nga humbja shpirtërore. Kushdo që kujton Allahun në mes të zhurmës së botës, ai ruan paqen e shpirtit dhe dritën e zemrës. Zemra që e përmend Zotin, nuk errësohet kurrë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

            Besimtarët e vërtetë janë të bindur se frika ndaj Ditës së Gjykimit është garanci për moralin. Ajeti përfundon me fjalët: “…ata i frikësohen një Dite në të cilën zemrat dhe sytë do të tronditen.” Frika nga ajo Ditë e madhe është sekreti i qëndrueshmërisë morale. Kur njeriu e di se çdo veprim do t’i dalë përpara Allahut, ai nuk mashtron, nuk gënjen, nuk bën padrejtësi. Kjo frikë nuk është frikë që të paralizon, por frikë që të edukon. Besimtarët e mbajnë këtë Ditë gjithmonë para syve të tyre, prandaj nuk mashtrohen nga rehatia e kësaj bote. Kujtimi i Ditës së Gjykimit i mban zemrat të zgjuara dhe i largon nga mëkatet. Mos e lejojmë që dynjaja të na marrë zemrën.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mos shih madhësinë e mëkatit, por madhësinë e Atij që i bën mëkat.”

Frika ndaj Ditës së Gjykimit ruan ndërgjegjen. Kur njeriu e harron Ditën e Gjykimit, ai bëhet i padrejtë, mashtrues dhe i etur për fitim të ndaluar (haram). Frika ndaj Allahut është mbrojtja më e madhe kundër padrejtësisë dhe prishjes në çdo kohë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Ky ajet është shumë aktual edhe për kohën e sotme. Jetojmë në kohën e shpejtësisë, konsumit dhe garës për pasuri. Shumë njerëz nuk kanë më kohë për Zotin, për familjen apo për shpirtin e tyre. Ky ajet na fton të rindërtojmë lidhjen me Zotin, edhe në mes të punës e jetës së përditshme.

Ky ajet na mëson se vlera e vërtetë e njeriut nuk matet me pasurinë, por me besimin dhe me përkushtimin ndaj Allahut. Puna dhe tregtia janë të bekuara kur bëhen me hallall dhe me zemër që e kujton Allahun. Droja ndaj Allahut dhe ndaj Ditës së Gjykimit e ruan njeriun nga padrejtësia dhe e shtyn drejt adhurimit dhe përsosmërisë shpirtërore.

Ky ajet përshkruan njerëzit e përkryer në besim. Ata që e mbajnë gjallë përmendjen e Allahut në çdo rrethanë, e bëjnë adhurimin përparësi, dhe nuk harrojnë se pas dynjasë vjen një Ditë llogarie.

Ky ajet është një thirrje për t’u zgjuar shpirtërisht në një kohë ku shumë njerëz janë bërë robër të punës, pasurisë dhe teknologjisë. Na mëson se suksesi nuk matet me fitim material, por me atë sa e mban gjallë lidhjen me Allahun, pavarësisht gjithçkaje që të rrethon. Ky ajet është një portret i njeriut të suksesshëm në sytë e Allahut:

Të dashur vëllezër dhe motra!

Ky ajet përshkruan njeriun ideal të kohës sonë:

Ai punon dhe është aktiv në shoqëri.

Fiton me hallall, jep zekatin, jep khumsin dhe ndihmon të tjerët.

Ai nuk e lë namazin, sado i zënë të jetë.

Ai e kujton Allahun në çdo kohë dhe në çdo situatë. Kjo është mënyra se si mund të jesh modern, por njëkohësisht edhe besimtar i vërtetë.

            Mesazhi i këtij ajeti për ne sot është: ‘Jetoni në këtë botë, por mos e lini këtë botë të jetojë brenda jush. Mbajeni përmendjen e Allahut si dritë që ndriçon çdo hap të jetës suaj.

Islami nuk na thotë të heqim dorë nga kjo botë, por ai na thotë që të mos e bëjmë këtë botë qëllimin tonë përfundimtar. Islami na urdhëron të ndërtojmë në këtë botë dhe jo të shkatërrojmë. Islami na thotë se kjo botë është ura, jo shtëpia. Prandaj, le ta përdorim mirë, që të arrijmë te qëllimi i vërtetë, që është kënaqësia e Allahut dhe lumturia e përhershme.

O Allah, na bëj prej atyre që puna nuk i largon nga përmendja Jote, që zemrat e tyre janë të gjalla me përmendjen Tënde! Na bëj prej atyre që e falim namazin me përkushtim, japim zekatin me sinqeritet dhe e kujtojmë Ditën kur do të qëndrojmë para Teje me shpresë dhe drojë! Amin, o Zot i botëve!