Bullizimi është i ndaluar në islam

Në ajetin 70 të sures “Isra” Allahu i Madhërur thotë:

}وَلَقَدۡ كَرَّمۡنَا بَنِيٓ ءَادَمَ وَحَمَلۡنَٰهُمۡ فِي ٱلۡبَرِّ وَٱلۡبَحۡرِ وَرَزَقۡنَٰهُم مِّنَ ٱلطَّيِّبَٰتِ وَفَضَّلۡنَٰهُمۡ عَلَىٰ كَثِيرࣲ مِّمَّنۡ خَلَقۡنَا تَفۡضِيلࣰا{

“Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.”

Në këtë ajet Allahu i Madhëruar na kujton se njeriu është i nderuar prej Tij. Njeriu ka dinjitet dhe vlerë të veçantë ndërmjet të gjithë krijesave. Ky nderim nuk është rastësor, por është dhuratë nga Allahu që lidhet me aftësitë, përgjegjësinë dhe rolin e tij në tokë.

Mirëpo, është për të ardhur keq se njerëzit e poshtërojnë një-tjetrin, e fyejnë, e tallin dhe e përççojnë njëri-tjetrin me forma dhe mënyra të ndryshme. Dhe një ndër format e fyerjes e të poshtërimit është bullizmi.

Bullizimi është një dukuri agresive dhe e papëlqyeshme që nënkupton ushtrimin e dhunës dhe të sjelljes agresive nga një individ apo një grup individësh ndaj të tjerëve. Kjo dukuri përhapet më së shumti ndër nxënësit e shkollave. Duke e vlerësuar gjendjen e kësaj dukurie, vihet re se ajo karakterizohet nga përsëritja, domethënë ndodh më shumë se një herë, dhe tregon një çekuilibër në raportin e forcës dhe autoritetit mes njerëzve. Individët që ushtrojnë bullizëm zakonisht përdorin forcën fizike për të arritur qëllimet e tyre ndaj të tjerëve.

Bullizimi është shumë forma: Ndonjëherë është vetëm verbal, në formë talljeje dhe përqeshjeje; ndonjëherë është verbal me qëllim fyerjeje dhe cenimi të nderit; herë të tjera është frikësim dhe kërcënim; ose ndodh duke e penguar viktimën të ecë në rrugë apo duke e detyruar të kalojë në një vend të ngushtë; ose me dhunë ndaj pasurisë dhe sendeve të saj, qoftë duke i shkatërruar ose duke i marrë; dhe në raste më të rënda, mund të arrijë deri në shkelje të nderit në forma të ndryshme.

Feja e pastër islame ka qëndrim të ashpër ndaj dukurive të tilla, si bullizmi, tallja dhe dhunimi i të tjerëve. Ajo i ndalon rreptësisht këto dukuri duke paralajmëruar për pasojat e tyre si në këtë botë, ashtu edhe në Botën Tjetër.

Në ajetin 11 të sures “Huxhurat” Allahu i Madhëruar thotë:

}يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا يَسْخَرْ قَوْمٌ مِنْ قَوْمٍ عَسَى أَنْ يَكُونُوا خَيْرًا مِنْهُمْ وَلَا نِسَاءٌ مِنْ نِسَاءٍ عَسَى أَنْ يَكُنَّ خَيْرًا مِنْهُنَّ وَلَا تَلْمِزُوا أَنْفُسَكُمْ وَلَا تَنَابَزُوا بِالْأَلْقَابِ بِئْسَ الِاسْمُ الْفُسُوقُ بَعْدَ الْإِيمَانِ وَمَنْ لَمْ يَتُبْ فَأُولَئِكَ هُمُ الظَّالِمُونَ{

“O ju që keni besuar! Asnjë burrë prej jush të mos tallet me burra të tjerë, se këta mund të jenë më të mirë se ai. Gjithashtu, asnjë grua të mos tallet me gra të tjera, se këto mund të jenë më të mira se ajo. Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëritjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit! Ata që nuk pendohen, janë vërtet keqbërës.”

Këtu shfaqet qartë refuzimi i Islamit për çdo formë të cenimit të dinjitetit dhe pozitës së besimtarit. Nënçmimi i tij është si një sfidë dhe kundërshtim ndaj Zotit, i cili e ka nderuar njeriun dhe e ka lartësuar mbi gjithë krijesat. Një nga format më të zakonshme të kësaj sjelljeje është tallja me besimtarët. Islami na mëson që të respektojmë çdo njeri, pa dallim race, feje, pamjeje, pasurie apo prejardhjeje. Ai që tallet me tjetrin për diçka që nuk e ka zgjedhur vetë, si: pamja, ngjyra, trupi, në të vërtetë ai kundërshton urtësinë e Krijuesit.

Në këtë ajet, Allahu përmend edhe gratë, sepse shpesh talljet, përgojimet dhe nënvlerësimet ndodhin më shpesh në biseda shoqërore ku krijohen grupe e krahasime. Islami dëshiron që as në shoqërinë mashkullore e as në atë femërore të mos ketë asnjë fjalë tallëse që prek nderin e tjetrit.

Ndonjëherë ndodh që një person të quhet me një emër përqeshës ose me një nofkë për shkak të ndonjë rasti apo ngjarjeje, e ajo shndërrohet në emrin e tij, edhe pse i shkakton atij ndjenjë të fortë turpi. Këtë e ka ndaluar edhe Kur’ani në fjalët: “Mos i thërrisni njëri-tjetrit me nofka të këqija; sa i keq është emri i mëkatarit pas besimit!”

Përdorimi i nofkave për të ofenduar të tjerët dhe për t’i bërë objekt talljeje është nga zakonet më të këqija që kanë prekur shoqërinë islame.

Në fund të ajetit, Allahu i Lartësuar thotë: “Ata që nuk pendohen, janë vërtet të padrejtë.” Kjo tregon se tallja, nënçmimi dhe fyerja janë mëkate që kërkojnë pendim të sinqertë. Ne duhet të kërkojmë falje prej Allahut dhe edhe nga personi që kemi lënduar.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Bullizmi është një formë e padrejtësisë dhe agresionit. Allahu thotë në Kur’an: “Mos e kaloni kufirin, sepse Allahu nuk i do ata që kalojnë kufirin.” (Sure “El Bekare”, ajeti 190)

Nofkat, pseudonimet dhe fjalët përçmuese që njerëzit ua vënë njëri-tjetrit janë një formë e poshtërimit dhe talljes. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Myslimani është vëlla i myslimanit; nuk e përçmon, nuk e fyen dhe nuk e turpëron.”

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ruhuni nga padrejtësia, sepse padrejtësia do të bëhet errësirë në Ditën e Gjykimit.” Pra, kush ngacmon tjetrin, qoftë me fjalë apo me vepra, po i bën padrejtësi dhe do të mbajë përgjegjësi për këtë.

Shpesh, fjalët lënë plagë më të thella se goditjet. Islami e ndalon dëmtimin psikologjik me hadithin e njohur të Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Nuk ka dëm dhe as shkaktim dëmi.”

Kjo do të thotë se asnjë njeri nuk ka të drejtë të lëndojë tjetrin, as me dorë, as me gjuhë, as me sjellje. Tallja, përqeshja, përjashtimi apo shpifja – të gjitha janë forma të dëmit psikologjik dhe mëkat i ndaluar.

Bullizimi bie ndesh me moralin islam.Profeti Muhamed Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë:“Besimtari më i përsosur në besim është ai që ka moralin më të mirë.”

Ai që bullizon nuk ka moral, nuk ka butësi, nuk ka zemër të pastër. Ai harron se çdo njeri që tall apo fyen është vëlla në fe, ose vëlla në krijim dhe se vlera tek Allahu matet me devotshmëri, jo me pamje, pasuri, apo forcë. Shoqëritë ku njerëzit përqeshin njëri-tjetrin humbin unitetin. Ndërsa një shoqëri ku njerëzit respektojnë njëri-tjetrin, është e bashkuar dhe e fortë.

Islami e ka ndaluar që varfëria të bëhet shkak për tallje ndaj besimtarëve për shkak të veshjes, banesës apo ushqimit të tyre. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush e përbuz një besimtar ose një besimtare, ose e nënvlerëson për shkak të varfërisë apo mungesës së pasurisë, Allahu do ta turpërojë dhe do ta poshtërojë në Ditën e Gjykimit.” (“Biharul Enuar”, vëll. 72, f. 44)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Mos e përçmo askënd, sepse ndoshta ai është mik i Zotit e ti nuk e di.”

Lukmani i urtë i tha birit të tij duke e këshilluar: “O biri im, mos e përçmo askënd për shkak të rrobave të tij të vjetra, sepse Zoti yt dhe Zoti i tij është i njëjti.” (“Biharul Enuar”, vëll. 72)

Në një hadith Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kur të vijë në Ditën e Gjykimit dikush prej atyre që talleshin, do t’i hapet një derë nga Xhenneti dhe do t’i thuhet: ‘Eja!’ Ai do të vijë me trishtim dhe pikëllim, por sapo të afrohet, dera do t’i mbyllet.” (“Kenzul Ummal”, hadithi nr. 8328)

Gjithashtu ka thënë: “Mos e nënvlerësoni asnjë prej myslimanëve, sepse edhe më i vogli i tyre është i madh tek Allahu.” (“Tenbihul Khatir”, f. 25)

Disa hadithe të tjera tregojnë se fyerja e besimtarit është haram (e ndaluar) dhe është konsideruar madje një lloj mosbesimi. Profeti më i nderuar (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Fyerja e besimtarit është mëkat, luftimi kundër tij është kufër, ngrënia e mishit të tij (përgojimi) është mëkat, dhe pasuria e tij është e shenjtë si gjaku i tij.” (“El Kafij”)

Njëherë, një sahabi i tha një tjetri: “O biri i të zezës!”, dhe Profeti (a.s.) iu zemërua shumë: “Ti e ke fyer atë me nënën e tij! Ti je njeri që ende ke në zemër gjurmë të injorancës (xhahilijet).” Ky hadith tregon se racizmi, tallja me ngjyrën, gjuhën apo prejardhjen janë të ndaluara rreptësisht.

Si të trajtohet bullizmi?

Një nga mënyrat më të rëndësishme për trajtimin e dukurisë së bullizmit është forcimi i ndërgjegjes fetare tek individët që në moshë të vogël, dhe mbjellja në zemrat e tyre e virtyteve të mira morale, si falja, barazia, respekti, dashuria, përulësia, bashkëpunimi dhe ndihma ndaj të dobëtit.

Duhet pasur kujdes që fëmijët të rriten në një mjedis të shëndetshëm, larg dhunës dhe shtypjes, si dhe të forcohet tek ata besimi në vetvete dhe të forcohet personaliteti i tyre në të mirë. Po ashtu, mediat duhet të punojnë për përhapjen e programeve arsimore, fetare dhe dokumentare që kanë qëllim edukativ, dhe të shmangin programet që përmbajnë dhunë.

Prindërit duhet të zgjedhin me kujdes programet që ndjekin fëmijët e tyre, të ndërtojnë me ta një marrëdhënie miqësore që në fëmijëri, të mbajnë gjithmonë të hapur derën e dialogut që fëmijët të ndihen të qetë, të sigurojnë lojëra që zhvillojnë aftësitë mendore dhe të shmangin ato që përmbajnë dhunë.

Gjithashtu, është e nevojshme të vëzhgohen sjelljet e fëmijëve që në moshë të hershme, të identifikohen dhe korrigjohen sjelljet e gabuara, të monitorohet përdorimi i internetit dhe rrjeteve sociale, të shmanget boshllëku (mungesa e angazhimit), dhe të investohen energjitë dhe aftësitë e individëve në programe dhe aktivitete të dobishme për ta.

Duhet, gjithashtu, të ofrohet ndihmë psikologjike si për bullizuesin, ashtu edhe për atë që bie viktimë e bullizmit, në mënyrë që të trajtohen shkaqet dhe pasojat që rrjedhin prej tij. Së fundi, duhet të zhvillohen fushata ndërgjegjësuese për të gjitha moshat lidhur me sjelljen e ngacmimit dhe mënyrat për ta parandaluar atë.

Bullizuesi duhet të pendohet sinqerisht, të kërkojë falje nga ata që i ka lënduar dhe të ndryshojë sjelljen e tij. I bullizuari ka të drejtë të kërkojë të drejtat e tij dhe të mos dorëzohet përballë padrejtësisë. Shoqëria ka për detyrë të ndërhyjë për të ndaluar bullizmin, qoftë në shkollë, në punë apo në rrjetet sociale, dhe të krijojë një mjedis të sigurt e të drejtë për të gjithë.

Islami është fe e mëshirës, respektit dhe dashurisë. Bullizmi është e kundërta e këtyre vlerave. Kush përqesh, fyer apo poshtëron të tjerët, në fakt ka zemër të sëmurë dhe largim nga mëshira e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e përçmues.” Prandaj, le ta ndalojmë gjuhën, duart dhe sjelljet tona nga çdo gjë që lëndon të tjerët. Le të përpiqemi të jemi burim dashurie dhe sigurie për njerëzit rreth nesh. Siç ka thënë Profeti: “Myslimani është ai nga gjuha dhe dora e të cilit njerëzit janë të sigurt.”

Të dashur vëllezër dhe motra!

Surja El Huxhurat është surja e moralit dhe e unitetit.

Ajo na mëson si të jetojmë me dinjitet, respekt dhe dashuri në këtë jetë.

Le të jemi ata që qeshin me mirësi, por kurrë në dëm të tjetrit.

Le të jemi ata që flasin me butësi, që përmirësojnë, jo që lëndojnë.

Mos e gjykojmë askënd nga pamja. Ndoshta ai që ti e përçmon për rrobat e thjeshta, ai e kalon natën me adhurim e me lutje dhe ditën nuk dëmton as milingonën.

Mos krenohemi me pasurinë, pozitën apo diturinë, sepse këto janë mirësi kalimtare. Ajo që vlen është devotshmëria.

Të ruajmë gjuhët tona. Fjalët janë si thika: mund të shërojnë, por edhe të plagosin.

T’i edukojmë fëmijët dhe të rinjtë me frymën e respektit, dashurisë dhe jo me frymën e përçmimit e të talljes.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Bullizmi çon në falimentim në Ditën e Gjykimit

Profeti (paqja qoftë mbi të) ka paralajmëruar: “A e dini kush është i falimentuari?”

Sahabët thanë: “Ai që nuk ka pasuri.” Profeti tha: “Jo, i falimentuari i umetit tim është ai që vjen Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim dhe zekat, por ka fyer këtë, ka shpifur për atë, ka goditur tjetrin… dhe veprat e tij të mira u jepen atyre që i ka dëmtuar. Kur t’i mbarojnë veprat e mira, i jepen atij mëkatet e tyre, pastaj hidhet në zjarr.”

Allahu na ruajtë! Prandaj le të jemi të kujdësshëm.

“O Zot, pastroji gjuhët tona nga tallja dhe përgojimi, mbushi zemrat tona me mëshirë dhe mirësi, dhe na bëj prej atyre që dëgjojnë fjalën dhe ndjekin më të mirën prej saj!”