Pasojat e zemërimit

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “I forti nuk është ai që rrëzon të tjerët (me forcë fizike), por i forti është ai që e zotëron veten e tij në momentin e zemërimit.” (Tenbîh el-Khaëâtir, vëll. 1, fq. 122)

Ky hadith na mëson se forca e vërtetë nuk matet me muskuj apo pushtet, apo me pasuri, por me aftësinë për të kontrolluar vetveten, veçanërisht në zemërim. Njeriu që e sundon zemërimin e tij është i mençur dhe shpirtërisht i fortë. Sipas Islamit, fuqia më e madhe është fuqia mbi egon, jo mbi të tjerët.

Kush thellohet në Librin e Allahut e kupton se ai nuk është vetëm një Libër ligjesh, por është udhëzues i plotë për jetën dhe manuali më i mirë për të. Prej Kur’anit të Shenjtë mund të nxirren mësime për të gjitha aspektet e jetës. Të gjitha ligjet, parimet dhe udhëzimet e Kur’anit janë në përputhje me sjelljen njerëzore. Kur’ani e organizon dhe e disiplimon në mënyrë të mrekullueshme jetën e njeriut.

Një nga çështjet që e përmend Kur’ani i Shenjtë është edhe zemërimi. Kur’ani e pranon se zemërimi është ndjenjë njerëzore dhe e udhëzon njeriun ta kontrollojë zemërimin, jo të udhëhiqet prej tij. 

Në ajetin 134 i sures “Ali Imran” në të cilin Allahu i Madhëruar thotë:

}الَّذِينَ يُنْفِقُونَ فِي السَّرَّاءِ وَالضَّرَّاءِ وَالْكَاظِمِينَ الْغَيْظَ وَالْعَافِينَ عَنِ النَّاسِ ۗ وَاللَّهُ يُحِبُّ الْمُحْسِنِينَ{

“të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do punëmirët.”

Ky ajet lavdëron ata që japin haptasi dhe fsheurazi, ata që kanë durim dhe vetëkontroll në momente zemërimi dhe nuk hakmerren, por falin ata që u kanë bërë padrejtësi. Falja dhe butësia janë shenja të bamirësisë së vërtetë, dhe Allahu i do ata që veprojnë me mirësi, mëshirë dhe fisnikëri ndaj të tjerëve, edhe kur kanë arsye të zemërohen. Kjo është një shenjë e pjekurisë shpirtërore.

Kur’ani dhe mësimet e Profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) i kushtojnë rëndësi të madhe kontrollit të zemërimit si pjesë e ndërtimit moral dhe shpirtëror të njeriut.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Ne nuk duhet të zemërohemi, sepse zemërimi i pakontrolluar sjell pasoja të këqija, si në shpirt, marrëdhënie dhe besim. Kur’ani i Shnejtë, Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti i tij i pastës na porosisin që të mos zemërohemi sepse zemërimi ka shumë pasoja negative. Prej pasojave negative që sjell zemërimi përmendim:

1- Zemërimi errëson arsyen

Njeriu, kur zemërohet, e humb arsyen dhe kthehet në një qenie të paekuilibruar në sjellje e lëvizje, saqë njerëzit përreth tij habiten me veprimet e tij, e madje edhe ai vetë, pasi qetësohet, habitet me ato që ka bërë.

Në gjendje zemërimi, njeriu mund të sulmojë edhe njerëzit më të afërt pa qenë i vetëdijshëm për atë që bën. Ai mund të përlyejë duart me gjakun e të pafajshmëve, të vrasë, të plagosë, të shkatërrojë, të vjedhë e të bëjë dëme, sikur të ishte një bishë e egër.

Është transmetuar nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Zemërimi prish mendjet dhe e largon njeriun nga e vërteta.”

Gjithashtu, imam Aliu ka thënë: “Mendimi i saktë njihet vetëm në kohë zemërimi.”

Për këtë arsye, në hadithet islame thuhet se nëse dëshironi të provoni mençurinë dhe urtësinë e një njeriu, shikoni se si sillet në gjendje zemërimi dhe sa aftësi ka për të kontrolluar veten nga e keqja e kësaj force shpërthyese.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Fillimi i zemërimit është çmenduri, dhe fundi i tij është pendim.” Ai që e ndalon veten në fillim, shpëton nga pendimi në fund.

2- Zemërimi është rrezik për besimin

Zemërimi çon në zbehjen dhe zhdukjen graduale të besimit të njeriut, sepse njeriu i zemëruar kryen mëkate që errësojnë zemrën. Me këtë errësim, rrezikohet zhdukja e besimit.

Profeti Muhamed (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Zemërimi prish besimin ashtu si uthulla prish mjaltin.”  Zemërimi shuan butësinë dhe mëshirën nga zemra.

3- Zemërimi prish marrëdhëniet

Një fjalë e thënë me zemërim mund të shkatërrojë miqësi, familje, dashuri dhe respekt. Kur njeriu është i qetë dhe fal, ai ruan bashkimin dhe harmoninë, që janë shumë të rëndësishme në Islam.

4- Zemërimi lëshon gjuhën dhe shkaton humbjen e argumentit

Zemërimi mund të prishë mënyrën e të folurit dhe të menduarit të njeriut, duke e bërë të thotë fjalë të pavërteta ose të papërgjegjshme.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Zemërimi i fortë ndryshon të folurën, i pret argumentet dhe e largon të kuptuarin.”

5- Zemërimi dëmton zemrën dhe shpirtin

Urrejtja dhe zemërimi i vazhdueshëm mbjellin ligësi në shpirt.

6. Zbulon të metat

Zemërimi i nxjerr në shesh të metat e fshehta të njeriut. Në gjendje të zakonshme, njeriu e mban veten nën kontroll dhe nuk i shfaq dobësitë e tij para të tjerëve, duke ruajtur kështu nderin dhe respektin e tij.

Por kur zemërimi ndizet brenda tij, ai i heq mbulesat dhe maskat nga realiteti i brendshëm, i thyen prangat e arsyes dhe nxjerr në pah dobësitë e tij, gjë që e bën të humbasë personalitetin dhe pozitën e tij në sytë e njerëzve.

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Sa shok i keq është zemërimi – ai zbulon të metat, afron të keqen dhe largon të mirën.”

7. Zemërimi çon në sundimin e shejtanit mbi njeriun

Zemërimi ia hap rrugën shejtanit për të sunduar mbi njeriun dhe për ta futur në grackat e tij, gjë që e çon në mëkate dhe të këqija. Kjo ndodh sepse besimi dhe arsyeja janë dy pengesa të forta kundër sulmeve të shejtanit, por gjatë zemërimit ato dobësohen dhe tkurren, duke e lënë njeriun të pambrojtur përballë ndikimit të tij. Shejtani atëherë hyn lehtësisht në zemrën e njeriut, sundon mbi të dhe aktivizon elementët e së keqes në shpirtin e tij.

Në një hadith thuhet: Kur Profeti Nuh (Paqja qoftë mbi të!) iu lut Zotit të tij kundër popullit të vet, që pastaj u mbytën, i erdhi Iblisi (i mallkuar qoftë!) dhe i tha: “O Nuh, ti ke një të mirë tek unë dhe dua të të shpërblej për të.” Nuh i tha: “Më neveritet që të kem ndonjë të mirë tek ti, por çfarë është ajo?”

Iblisi i tha: “Ti u lute kundër popullit tënd dhe ata u mbytën. Dhe tani nuk më ka mbetur njeri për ta devijuar. Jam në pushim deri sa të lindë një brez tjetër që unë ta mashtroj. Por dëshiroj të të shpërblej duke të këshilluar: Më kujto në tri raste, sepse në ato raste jam më afër njeriut: Kujtomë kur zemërohesh; Kujtomë kur gjykon mes dy vetave; Kujtomë kur je vetëm me një grua e s’ka asnjë tjetër me ju.”

Ky tregim na mëson se zemërimi është një nga portat më të mëdha për hyrjen e shejtanit në shpirtin e njeriut, ndaj kujdesi dhe kontrolli i vetes në ato momente është një akt i besimit dhe urtësisë.

Të dashur vëllezër dhe motra! Në mbyllje po përmend një porosi të Profetit Muhamed për imam Aliun. Pa dyshim që kjo porosi vlen edhe për ne sot.

I Dërguari i Allahut (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i tha Imam Aliut (paqja qoftë mbi të!): “O Ali! Mos u zemëro. E nëse zemërohesh, ulu dhe medito mbi fuqinë e Zotit ndaj robëve të Tij dhe mbi durimin e Tij ndaj tyre. Dhe nëse dikush të thotë: ‘Kije frikë Allahun!’, atëherë ndalo zemërimin tënd dhe kthehu tek durimi yt.” (Tuhaful ‘Ukul, f. 14)

Kjo porosi na mëson si ta kontrollojmë zemërimin. Ajo na thotë që:

Të kujtojmë fuqinë dhe mëshirën e Allahut, i Cili ka durim me ne edhe kur gabojmë.

Të ulemi, ose të largohemi nga vendi i zemërimit.

Të pranojmë këshillën, nëse dikush na kujton të kemi frikë Allahun.

Në këtë mënyrë, njeriu ruan qetësinë, shmang mëkatin dhe pasqyron moralin e besimtarit të vërtetë.

Imam Musa Kadhim (Paqja qoftë mbi të!), i cili njihej si shtypësi i zemërimit, ka thënë: “Kush e përmban zemërimin, Allahu do t’i mbushë zemrën e tij me siguri dhe besim.”

Vetëpërmbajtja përballë zemërimit sjell qetësi, forcë shpirtërore dhe dashuri hyjnore. Zemërimi sjell armiqësi, ndërsa durimi sjell qetësi Njeriu që nuk zemërohet lehtë është i dashur nga të tjerët dhe i qetë në shpirt, sepse ai nuk mbart urrejtje. Kurse ai që zemërohet shpesh, jeton i trazuar dhe me stres të vazhdueshëm.

Prandaj, mos u zemëro! Duro, beso, adhuro!