Në ajetin 42 të sures “El A’raf”, Allahu i Madhëruar e i Lartësuar thotë:
}وَٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَعَمِلُواْ ٱلصَّٰلِحَٰتِ لَا نُكَلِّفُ نَفۡسًا إِلَّا وُسۡعَهَآ أُوْلَٰٓئِكَ أَصۡحَٰبُ ٱلۡجَنَّةِۖ هُمۡ فِيهَا خَٰلِدُونَ{
Allahu i Lartësuar thotë: “E ata që besuan dhe bënë vepra të mira, Ne nuk ngarkojmë asnjë njeri përtej mundësisë së tij, ata janë banorët e Xhenetit, aty do të qëndrojnë përgjithmonë.”
Nga ky ajet mësojmë se besimi dhe veprat e mira janë çelësi i shpëtimit. Nuk mjafton vetëm të besosh me fjalë, duhen edhe vepra konkrete që pasqyrojnë atë besim. Po ahstu ajeti na mëson se Drejtësia e Allahut është absolute. Askush nuk do të sprovohet apo ngarkohet përtej asaj që mund të përballojë. Askush nuk dënohet padrejtësisht. Çdo njeri gjykohet sipas mundësive dhe përpjekjeve të tij.
Ajeti na mëson se përfundimi i atyre që besojnë dhe veprojnë mirë është i mirë, i përjetshëm, i sigurtdhe i merituar. Prandaj, ji besimtar i sinqertë, bëj çfarë mundesh në kufijtë e mundësive të tua dhe mos i shkel kufijtë e caktuar. Allahu nuk është i padrejtë dhe shpërblimi yt nuk do të humbasë.
Në emisionin e shkuar folëm për nëntë bekimet e besimit në këtë jetë.
Sot do të flasim për bekimet më të rëndësishme të besimit në Botën Tjetër që Allahu ua ka premtuar besimtarëve në Kur’anin Shenjtë.
Në Kur’anin e Shenjtë përmenden bekime madhështore të besimit në Botën Tjetër që Allahu ua jep atyre që kanë besuar me sinqeritet. Këto bekime janë e drejta e tyre dhe është shpërblim për veprat e tyre të mira në këtë jetë. Prandaj Allahu i Madhëruar i ka veçuar besimatrët me ato bekime, duke i dalluar nga të tjerët.
Nuk ka dyshim se bekimet e Botës Tjetër janë më të larta në gradë, më të qëndrueshme dhe më të nevojshme për njeriun, sepse në Ditën e Gjykimit asgjë nuk do t’i bëjë dobi përveç besimit të tij, bindjes së tij të fortë dhe zemrës së pastër.
Në çastet e vdekjes, në varr, në peshore, në Urën e Siratit, në llogari e në tubimin e madh, vetëm veprat dhe sinqeriteti i tij do ta ndihmojnë njeriun. Ndër bekimet më të rëndësishme të besimit në Botën Tjetër, sipas Kur’anit janë:
Bekimi i parë: Përfundimi i mirë (vdekja e mirë):
Nw ajetin 32 tw sures “Nahl” Allahu i Lartësuar thotë:
{ٱلَّذِينَ تَتَوَفَّىٰهُمُ ٱلۡمَلَٰٓئِكَةُ طَيِّبِينَ يَقُولُونَ سَلَٰمٌ عَلَيۡكُمُ ٱدۡخُلُواْ ٱلۡجَنَّةَ بِمَا كُنتُمۡ تَعۡمَلُونَ}
“Ata që ue marrin engjëjt shpirtërat duke qenë të pastër (punëmirë), u thonë: ‘Paqja qoftë mbi ju! Hyni në Xhennet për shkak të asaj që keni bërë.’”
Përfundimi i mirë është sprova më e madhe për besimtarin përballë tundimeve dhe vështirësive që e shoqërojnë gjatë jetës së tij. Në fund të jetës së njeriut djalli përpiqet më shumë që ta largojë nga rruga e drejtë. Por Allahu i mëshiron besimtarët dhe u dërgon engjëjt që t’i presin me paqe dhe gëzim, duke u thënë se për ta është përgatitur Xhenneti.
Gjithashtu, në ajetet 30-31 të sures “Fusilet” Allahu i thotë:
{إِنَّ ٱلَّذِينَ قَالُواْ رَبُّنَا ٱللَّهُ ثُمَّ ٱسۡتَقَٰمُواْ تَتَنَزَّلُ عَلَيۡهِمُ ٱلۡمَلَٰٓئِكَةُ أَلَّا تَخَافُواْ وَلَا تَحۡزَنُواْ وَأَبۡشِرُواْ بِٱلۡجَنَّةِ ٱلَّتِي كُنتُمۡ تُوعَدُونَ (30) نَحۡنُ أَوۡلِيَآؤُكُمۡ فِي ٱلۡحَيَوٰةِ ٱلدُّنۡيَا وَفِي ٱلۡأٓخِرَةِۖ وَلَكُمۡ فِيهَا مَا تَشۡتَهِيٓ أَنفُسُكُمۡ وَلَكُمۡ فِيهَا مَا تَدَّعُونَ}
“Ata që thanë: Zoti ynë është Allahu, pastaj qëndruan të drejtë, mbi ta zbresin engjëjt (duke thënë): Mos kini frikë e mos u trishtoni dhe gëzohuni me Xhenetin që ju është premtuar. Ne jemi miqtë tuaj në jetën e kësaj bote dhe në Botën Tjetër; aty do të keni gjithçka që dëshironi dhe çdo gjë që kërkoni.”
Bekimi i dytë: Forcimi në fjalën e drejtë:
Në ajetin 27 të sures “Ibrahim” Allahu i Lartësuar thotë:
{يُثَبِّتُ ٱللَّهُ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ بِٱلۡقَوۡلِ ٱلثَّابِتِ فِي ٱلۡحَيَوٰةِ ٱلدُّنۡيَا وَفِي ٱلۡأٓخِرَةِۖ وَيُضِلُّ ٱللَّهُ ٱلظَّٰلِمِينَۚ وَيَفۡعَلُ ٱللَّهُ مَا يَشَآءُ}
“Allahu i forcon ata që besuan me fjalën e qëndrueshme në këtë botë dhe në Botën Tjetër.”
Në disa tefsire (komentime të Kur’anit), ky ajet është i lidhur me pyetjen e dy engjëjve në varr. Allahu e forcon besimtarin që t’i përgjigjet: Kush është Zoti yt? Cila është feja jote? Kush është Profeti yt? Dhe besimtari përgjigjet me qetësi: Zoti im është Allahu, feja ime është Islami dhe Profeti im është Muhamedi (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!).
Fraza e ajetit “me fjalën e qëndrueshme” nënkupton se Allahu i forcon për shkak të qëndrueshmërisë së tyre në këtë fjalë gjatë jetës. Sa më shumë që njeriu e përsërit dhe mediton mbi fjalën “La ilahe il’la Allah” (Nuk ka zot tjetër përveç Allahut), aq më thellë ajo rrënjoset në mendjen dhe zemrën e tij.
Prandaj, ai që e përmend vazhdimisht dhe e kupton thellë këtë dëshmi në jetën e tij, Allahu do ta forcojë me të edhe pas vdekjes dhe do t’ia kujtojë në varr, në mënyrë që të dalë fitimtar.
Bekimi i tretë: Siguria nga frika më e madhe:
Në ajetin 103 të sures “Enbija” Allahu i Madhëruar thotë:
{لَا يَحۡزُنُهُمُ ٱلۡفَزَعُ ٱلۡأَكۡبَرُ وَتَتَلَقَّىٰهُمُ ٱلۡمَلَٰٓئِكَةُ هَٰذَا يَوۡمُكُمُ ٱلَّذِي كُنتُمۡ تُوعَدُونَ}
“Ata nuk do t’i trishtojë frika më e madhe, dhe engjëjt do t’i presin duke u thënë: ‘Kjo është dita që ju është premtuar.’”
Rreth frazës “frikës më të madhe”, komentuesit kanë përmendur disa mendime: Disa thonë se ajo është fryrja e fundit e Surit për ringjallje; të tjerë thonë se është momenti i vdekjes; e disa kanë thënë se është mbyllja e Zjarrit të Xhehennemit mbi banorët e tij, gjë që shkakton tmerrin më të madh në gjithë krijimin.
Por, cilado qoftë kjo frikë e madhe, besimtarët nuk do të frikësohen. Ata do të jenë të mbështjellë me qetësi, siguri dhe paqe, në një kohë kur të gjithë të tjerët do të dridhen nga tmerri dhe frika.
Bekimi i katërt: Përjetësia në Xhennet:
Në ajetet 10-11 të sures “El Mu’minun” Allahu i Lartësuar thotë për besimtarët:
﴿أُوْلَئِكَ هُمُ الْوَارِثُونَ * الَّذِينَ يَرِثُونَ الْفِرْدَوْسَ هُمْ فِيهَا خَالِدُونَ﴾
“Ata janë trashëgimtarët, të cilët do të trashëgojnë Firdeusin (Xhennetin më të lartë); ata do të jenë aty përgjithmonë.” Pra, fjala këtu është për Përjetësinë, pas së cilës nuk ka më asnjë lloj fitoreje apo nderimi më të madh.
Bekimi i pestë: Llogaria e lehtë:
Në ajetet 7-9 të sures “El Inshikak” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿فَأَمَّا مَنْ أُوتِيَ كِتَابَهُ بِيَمِينِهِ * فَسَوْفَ يُحَاسَبُ حِسَابًا يَسِيرًا * وَيَنقَلِبُ إِلَى أَهْلِهِ مَسْرُورًا﴾
“Sa për atë që i jepet libri i tij në të djathtë, ai do të japë llogari të lehtë dhe do të kthehet te familja e tij i gëzuar.”
Llogaria e lehtë do të thotë që atij i paraqiten veprat e veta. I thuhet se kjo është vepra e mirë dhe ajo është mëkati. E më pas ai shpërblehet për të mirën dhe i falet mëkati. Kjo është llogaria e lehtë, sepse në të nuk ka as vështirësi, as hetim të rreptë, e as pyetje të tipit “pse e bëre këtë?”.
Nëse dikush do të pyetej me hollësi, nuk do të kishte dot as justifikim, as dëshmi, dhe do të turpërohej. Por ai që kalon përmes llogarisë së lehtë, kthehet te familja e tij në gëzim, fitimtar me shpërblimin dhe i sigurt nga ndëshkimi.
Nga fraza “do të llogaret”, nënkuptohet se Allahu e bën llogarinë drejt për drejt me robin e Vet, në mënyrë të fshehtë midis Tij dhe atij. Dëshmia për këtë është se Allahu ka veçuar jobesimtarët me fjalën se “nuk do t’u flasë atyre”, e kjo tregon se Ai u flet besimtarëve, pra llogaria e tyre është me nder dhe me komunikim hyjnor.
Bekimi i gjashtë: Shpëtimi nga Zjarri:
Në ajetin 72 të sures “Merjem” Allahu thotë:
﴿ثُمَّ نُنَجِّي الَّذِينَ اتَّقَوا وَّنَذَرُ الظَّالِمِينَ فِيهَا جِثِيًّا﴾
“Pastaj Ne do t’i shpëtojmë ata që kanë pasur frikë (Allahun), ndërsa zullumqarët do t’i lëmë aty (në Zjarr) të përkulur.”
Ky ajet vjen pas fjalës së Allahut:
﴿وَإِن مِّنكُمْ إِلَّا وَارِدُهَا كَانَ عَلَى رَبِّكَ حَتْمًا مَّقْضِيًّا﴾
“Nuk ka asnjë prej jush që të mos kalojë (mbi zjarrin e Xhehenemit); ky është vendim i prerë i Zotit tënd.” (Sure “Merjem”, ajeti 71).
Pra, të gjithë njerëzit do të kalojnë mbi zjarr, por Allahu do t’i shpëtojë besimtarët e devotshëm, ndërsa të padrejtët, kriminelët dhe jobesimtarët do t’i lërë të përkulur brenda në zjarr.
Bekimi i shtatë: Drita që ndriçon rrugën drejt Xhennetit:
Në ajetin 12 të sures “El Hadijd” Allahu i Lartësuar thotë:
﴿يَوْمَ تَرَى الْمُؤْمِنِينَ وَالْمُؤْمِنَاتِ يَسْعَى نُورُهُم بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَبِأَيْمَانِهِم بُشْرَاكُمُ الْيَوْمَ جَنَّاتٌ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا ذَلِكَ هُوَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ﴾
“Atë ditë kur do t’i shohësh besimtarët dhe besimtaret, drita e tyre do të ndriçojë përpara tyre dhe në të djathtën e tyre. (U thuhet atyre:) Përgëzohuni sot me kopshte nën të cilat rrjedhin lumenj, ku do të qëndroni përgjithmonë! Kjo është fitorja e madhe.”
Në tefsir thuhet se drita e vërtetë është vetë Allahu, dhe drita e dijes e cila ndriçon zemrën është më e denjë të quhet “dritë” sesa drita e syrit. Prandaj, njohja e Allahut është drita që ndriçon në Ditën e Gjykimit.
Sipas kësaj, shkalla e dritës së çdo njeriu atë ditë është në përpjesëtim me shkallën e njohjes dhe besimit të tij në këtë botë.
Allahu thotë: ﴿بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَبِأَيْمَانِهِم﴾ , “përpara tyre dhe në të djathtën e tyre”), sepse të lumturit do ta marrin librin e veprave nga këto anë, ndërsa të mjerët do ta marrin nga e majta ose nga pas shpine.
Bekimi i tetë: Pritja madhështore nga engjëjt:
Në ajetin 73 të sures “Zumer” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿وَسِيقَ الَّذِينَ اتَّقَوْا رَبَّهُمْ إِلَى الْجَنَّةِ زُمَرًا حَتَّى إِذَا جَاؤُوهَا وَفُتِحَتْ أَبْوَابُهَا وَقَالَ لَهُمْ خَزَنَتُهَا سَلَامٌ عَلَيْكُمْ طِبْتُمْ فَادْخُلُوهَا خَالِدِينَ﴾
“Dhe ata që kanë pasur frikë nga Zoti i tyre do të dërgohen në Xhenet në grupe; kur të arrijnë tek ai dhe të hapen portat e tij, rojtarët (engjëjt) do t’u thonë: ‘Paqe mbi ju! Ju jeni të pastër, hyni pra në të përgjithmonë!’”
Nuk ka dyshim se Dita e Gjykimit është ditë ankthi, shqetësimi dhe pritjeje, por Allahu do t’i çlirojë besimtarët nga çdo frikë dhe brengë me nderimin dhe pritjen madhështore që u ka përgatitur në hyrje të Xhennetit.
Dhe në një ajet tjetër thuhet:
﴿وَالمَلاَئِكَةُ يَدْخُلُونَ عَلَيْهِم مِّن كُلِّ بَابٍ * سَلاَمٌ عَلَيْكُم بِمَا صَبَرْتُمْ فَنِعْمَ عُقْبَى الدَّارِ﴾
“Engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (duke u thënë): Paqja mbi ju për durimin tuaj! Sa përfundim i bukur është ky vendbanim!”
Ky ajet përcjell një mesazh shumë të qartë dhe të fuqishëm që është se durimi në këtë jetë shpërblehet me paqe të përhershme në Jetën Tjetër.
Thënia “Engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë…” tregon një nderim të veçantë për besimtarët që kanë duruar sprovat, padrejtësitë, fatkeqësitë, dhe kanë qëndruar të qëndrueshëm në besim dhe vepra të mira. Ata nuk do të marrin thjesht një shpërblim, por do të përshëndeten nga engjëjt vetë, duke u thënë: “Paqja qoftë mbi ju për durimin tuaj!” Ky është kulmi i nderimit. Dhe më pas vijon pohimi: “Sa përfundim i bukur është ky vendbanim!”
Ky vendbanim është Xhenneti, vendi i shpërblimit të përjetshëm. Ajeti na mëson se durimi nuk është thjesht virtyt moral, por çelës për shpëtim dhe nderim te Allahu. Prandaj, qëndro i palëkundur, duro me besim, dhe përgatitu për një shpërblim që ia vlen çdo vështirësi.
Allahu na bëftë prej besimtarëve të devotshëm e të sinqertë në këtë jetë!

