Në ajetin 110 të sures “Ali Imran”, Allahu i Lartësuar thotë:
}كُنْتُمْ خَيْرَ أُمَّةٍ أَخْرَجَتْ لِلنَّاسِ تَأْمُرُونَ بِالْمَعْرُوفِ وَتَنْهَوْنَ عَنِ الْمُنْكَرِ وَتُؤْمِنُونَ بِاللَّهِ{.
“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin, (sepse) ju urdhëroni në të mirën, e ndaloni të keqen dhe besoni Allahun…”
Është e natyrshme që kur të flasim për një shoqëri të lumtur, duhet të flasim për një sërë kriteresh që lidhen me çështjen e lumturisë, të cilat ndikojnë si te individi ashtu edhe te shoqëria. Ajo që po përjetojnë sot shumë prej shoqërive nga çrregullimet dhe trazirat, ngjan me gjendjen e një të sëmuri në grahmat e fundit që nuk ka më fuqi të rikthejë jetën tek vetja. Nëse nuk i njohim shkaqet, mjetet dhe mekanizmat e lumturisë së shoqërisë, nuk do të jemi në gjendje ta përmirësojmë këtë gjendje të sëmurë në një gjendje të shëndetshme. E nëse nuk bëhet ky përmirësim, bota njerëzore do të vazhdojë të endet në errësira, në probleme edhe më të rënda se ato që përjetoi gjatë kohës para ardhjes së Islamit.
Ja ku jemi sot, përballë një injorance (xhahilijeti) të dytë, në shumë prej përmasave të saj të mëdha e të vogla, madje më e rëndë se e para, sepse sot janë përhapur epidemi si egoizmi, vetëpëlqimi, pabarazia shoqërore, trashëgimia e pushtetit brenda disa familjeve, si dhe fanatizmi ndaj gjuhës, fisit dhe prejardhjes.
Islami e trajton çështjen e lumturisë shoqërore që nga rrënjët dhe ka vendosur themele të sigurta për lumturinë e njeriut dhe ndërtimin e tokës, duke vendosur zgjidhje për çdo formë shkeljeje ndaj këtyre themeleve. Madje Islami paraqet një model praktik në këtë fushë, një model që vazhdon të ndriçojë deri sot. Njerëzimi vazhdon të lodhet duke kërkuar bregun e lumturisë, të cilin Islami na e ka treguar që para dhjetëra shekujsh përmes Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij të pastër!).
Në emisionin e sotëm do të ndalemi tek themelet kryesore të Islamit për lumturinë shoqërore. Ato themele janë:
Themeli parë: Parimi i besimit
Shoqëria e shëndoshë është ajo që beson në praninë e Allahut në këtë ekzistencë dhe e ndërton doktrinën e saj mbi këtë bazë. Ajo shoqëri e shëndoshë është shoqëria që beson në Allahun, të dërguarit e Tij dhe profetët e Tij, në librat e Tij, dhe në Ditën e Fundit. Mohimi i këtyre bazave të besimit e bën njeriun të mos shenjtërojë asgjë përveç interesave të veta, edhe nëse ato bien mbi kurrizin e të tjerëve. Dhe për këtë njeriu është i hutuar
Themeli i dytë: Adhurimi i Allahut të Lartësuar
`Në ajetin 92 të sures “Enbija” Allahu i Madhëruar thotë:
{إِنَّ هَـٰذِهِۦٓ أُمَّتُكُمْ أُمَّةًۭ وَٰحِدَةًۭ وَأَنَا۠ رَبُّكُمْ فَٱعْبُدُونِ}
“Vërtet, ky është ummeti juaj, ummet i vetëm, e Unë jam Zoti juaj, prandaj më adhuroni Mua!”
Adhurimi nuk është një sjellje thjesht individuale dhe një lidhje personale me Allahun e Madhëruar, por është një sjellje shoqërore që e praktikojnë të gjithë pjesëtarët e ummetit dhe që shfaqet në sjelljet dhe në veprat e tyre.
Prandaj Allahu e konsideroi adhurimin rezultat të parë të fuqizimit në tokë, siç thotë në ajetin 41 të sure “Haxh”:
}الَّذِينَ إِن مَّكَّنَّاهُمْ فِي الْأَرْضِ أَقَامُوا الصَّلَاةَ وَآتَوُا الزَّكَاةَ وَأَمَرُوا بِالْمَعْرُوفِ وَنَهَوْا عَنِ الْمُنكَرِ ۗ وَلِلَّهِ عَاقِبَةُ الْأُمُورِ{
“Ata, të cilëve, nëse u japim pushtet në tokë, kryejnë faljet, japin zeqatin, urdhërojnë kryerjen e veprave të mira dhe pengojnë atë që është e mbrapshtë. Tek Allahu është fundi i të gjitha çështjeve.”
Domethënë ata e kalojnë adhurimin e tyre nga niveli individual në nivelin shoqëror që lidhet me të gjithë shoqërinë.
Themeli i tretë: Bindja ndaj Profetit (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Imamëve të pastër (Paqja qoftë mbi ta!):
Kjo nënkupton dhënien e besës ndaj imamit që përfaqëson vazhdimësinë e rrugës së Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), dhe që është kreu i autoritetit dhe udhëheqësi ndaj të cilit është detyrë të tregohet besnikëri. Rreth tij do të sillet llogaria e njerëzve Ditën e Kiametit. Në ajetin 59 të sures “Nisa”, Allahu i Lartësuar thotë:
{يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَأُولِي الْأَمْرِ مِنْكُمْ}
“O ju që keni besuar! Bindjuni All’llahut, bindjuni të Dërguarit dhe atyre që drejtojnë punët tuaja.”
Madje, thelbi i bindjes ndaj Allahut dhe të Dërguarit shfaqet në bindjen ndaj imamit që është i detyrueshëm për t’u bindur në kohën dhe epokën tënde. Prandaj, në ajetin 71 të sures “Isra”Allahu thotë:
{يَوْمَ نَدْعُو كُلَّ أُنَاسٍ بِإِمَامِهِمْ}
“Ditën, kur Ne do t’i thërrasim të gjithë popujt me prijësin (imamin) e tyre…”
Themeli i katërt: Parimi i vëllazërisë
Në ajetin 10 të sures “Huxhurat” Allahu i Madhëruar thotë:
{إِنَّمَا الْمُؤْمِنُونَ إِخْوَةٌ فَأَصْلِحُوا بَيْنَ أَخَوَيْكُمْ ۚ}
“Vërtet, besimtarët janë vëllezër, prandaj bëni pajtim midis vëllezërve tuaj.”
Kjo nënkupton që çdo individ të dojë për tjetrin atë që do për veten, dhe që të gjithë të respektojnë të drejtat dhe detyrat që ka përcaktuar sheriati mes tyre. Sheriati islam e ka konsideruar neglizhimin e të drejtave të vëllazërisë si neglizhim në fe. Për këtë arsye pajtimi në ajet vjen si degëzim i vëllazërisë, sikur të thotë se nëse këto të drejta pësojnë ndonjë dëm, atëherë të gjithë duhet të ndërhyjnë për të korrigjuar gjendjen, në mënyrë që shoqëria të mbetet e bashkuar dhe e fortë.
Themeli i pestë: Parimi i bashkëpunimit
Në ajetin 2 të sures “Maide” Allahu i Madhëruar thotë:
}وَتَعَاوَنُوا عَلَى الْبِرِّ وَالتَّقْوَىٰ ۖ وَلَا تَعَاوَنُوا عَلَى الْإِثْمِ وَالْعُدْوَانِ ۚ{
“Bashkëpunoni me njëri-tjetrin në mirësi dhe devotshmëri, e mos ndihmoni njëri-tjetrin në mëkat dhe armiqësi.”
Nuk është e fshehtë se shumë prej çështjeve madhore të bamirësisë dhe punës së mirë nuk mund t’i përballojë një individ i vetëm. Prandaj sheriati ka bërë thirrje për domosdoshmërinë e bashkëpunimit mes anëtarëve të shoqërisë për përmbushjen e këtyre detyrave, nëpërmjet institucioneve civile, shoqatave dhe organizimeve të ngjashme.
Themeli i gjashtë: Parimi i urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na ka paralajmëruar për rrezikun e moszbatimit të tij. Vetëm duke zbatuar këtë parim, formohet “ummet i vetëm” që Allahu e përshkroi në fjalën e Tij: “Ju jeni populli më i mirë i nxjerrë për njerëzimin: urdhëroni për të mirën, ndaloni nga e keqja dhe besoni në Allahun.”
Themeli i shtatë: Parimi i barazisë
Në një shoqëri islame, të gjithë janë vëllezër të barabartë para ligjit. Nuk ka askënd që është mbi ligjin, sado i lartë të jetë pozicioni i tij. Një shoqëri që ndëshkon të dobëtin, por jo të fuqishmin, është shoqëri që i mëson bijtë e saj të bëhen ujqër të egër. Shoqëria që ndëshkon një grup dhe i fal të tjerët, ose një popull dhe jo popujt e tjerë, është shoqëri injorante (xhahilije). I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë:
“O njerëz, Zoti juaj është një dhe babai juaj është një. Nuk ka asnjë përparësi arabi ndaj jofarabiut, as jofarabiut ndaj arabiut, as të kuqit ndaj të ziut, as të ziut ndaj të kuqit – përveçse me devotshmëri. Allahu i Lartësuar ka thënë: ‘Më i nderuari prej jush te Allahu është ai që është më i devotshëm.’” IBUrimi: “Ma’denul Xheuahiri ue Rijadatul Khauatiri”, vëll. 1, f. 21.)
Themeli i tetët: Parimi i përgjegjësisë dhe i shpërblimit
Domethënë që njeriu të mbajë përgjegjësi për mendimet, veprat dhe fjalët e tij. Me fjalë më të qarta, zbatimi i ligjit të shpërblimit dhe ndëshkimit, që çdo njeri të shpërblehet sipas veprës së tij. Nëse është e mirë, të shpërblehet me të mirë; nëse është e keqe, të marrë ndëshkimin përkatës. Dhe të marrë shpërblimin e tij pa shfrytëzuar një njeri tjetrin.
Themeli i nëntë: Parimi i drejtësisë
Çdo individ ka të drejtat e tij shoqërore, ekonomike, fetare, politike, e të tjera. Këto të drejta nuk janë pronë e një grupi të caktuar, të një familjeje të veçantë, të atyre që kanë pushtet, para, apo të atyre që ua kanë shitur vetet e tyre ndikimeve të huaja jashtë kufijve të vendit. Në atë shqoqëri ku sundon drejtësia, aty gjendet lumturia. Feja islame është fe e drejtësisë dhe e dënon ashpër padrejtësinë dhe të padrejtët.
Themeli i dhejtë: Parimi i respektimit të njeriut në të gjitha çështjet e tij
Ajo që synohet këtu është shenjtëria e njeriut, të cilin Allahu e nderoi mbi të gjitha krijesat dhe ia nënshtruar tërë universin, pa marrë parasysh fenë e tij, bindjet apo mënyrën e të menduarit. Ai ka të drejtë të praktikojë ritet e tij fetare dhe besimet e tij. Njeriu ka shenjtërinë dhe të drejtat e tij civile, të drejtën për arsim, mjekim, punë, dhe sigurime shoqërore, të cilat i fiton vetëm pse është njeri.
Themeli i njëmbëdhjetë: Parimi i virtytit
Domethënë të pajisesh me moral të mire, në mendim, në fjalë dhe në vepra. Allahu i Madhëruar thotë:
{إِلَّا مَنْ أَتَى اللَّهَ بِقَلْبٍ سَلِيمٍ}
“Përveç atij që vjen te Allahu me zemër të pastër.”
Prandaj, Sheriati islam thekson fuqishëm rëndësinë e moralit të lartë, lidhjes familjare, etikës familjare, solidaritetit shoqëror, bashkëpunimit dhe veprave të tjera etike që e ngrejnë shoqërinë në nivelet më të larta të qytetarisë.
Të dashur vëllezër dhemotra!
Islami na urdhëron të lidhim marrëdhënie me atë që na i ka ndërprerë, të duam atë që na urren, të respektojmë atë që ka qëllime të këqija ndaj nesh, të sillemi me dashuri ndaj të gjithëve në emër të vëllazërisë e jo në emër të llogarive dhe pasurive. Të kemi mendim të mirë për njerëzit që edhe ata të kenë mendim të mirë për ne, të bashkëpunojmë në vend të egoizmit, ta interpretojmë veprën e tjetrit për mirë dhe të mos dyshojmë pa të drejtë në njëri-tjetrin. Të mos e prishim jetën duke akuzuar njëri-tjetrin, ose duke tallur, ose duke përgojuar njëri-tjetrin. Sepse shoqëritë janë vlera dhe parime para çdo gjëje tjetër. Sado e lartë të jetë një shoqëri, nëse moralet dhe vlerat njerëzore nuk janë sunduese në të, asaj shoqërie nuk do t’i shkruhet qëndrueshmëri dhe vazhdimësi.
Në ajetin 105 të sures “Hud” Allahu i Madhëruar thotë:
}يَوْمَ يَأْتِ لَا تَكَلَّمُ نَفْسٌ إِلَّا بِإِذْنِهِ فَمِنْهُمْ شَقِيٌّ وَسَعِيدٌ{
“Kur të vijë ajo ditë, njeriu mund të flasë vetëm me lejen e Tij. Disa prej tyre do të jenë të mjerë e disa të lumtur.”
Qofshim prej të lumturve në këtë jetë dhe ne Jetën Tjetër!

