Shkaqet e lumturisë sipas Imam Aliut – pjesa e parë

Hud” ajeti 105 Allahu i Lartësuar thotë:

﴿يَوْمَ يَأْتِ لاَ تَكَلَّمُ نَفْسٌ إِلاَّ بِإِذْنِهِ فَمِنْهُمْ شَقِيٌّ وَسَعِيدٌ﴾

“Ditën kur askush nuk do të flasë pa lejen e Tij; prej tyre do të ketë të palumtur dhe të lumtur.”

Sipas këtij ajeti të bekuar në Ditën e Gjykimit, asgjë nuk ndodh pa lejen e Allahut dhe njerëzit do të ndahen qartë në dy grupe: të lumturit dhe të palumturit. Kjo ndarje bëhet sipas veprave dhe besimit të tyre në këtë botë. Ata që kanë jetuar me besim dhe kanë bërë vepra të mira do të jenë të lumtur, ndërsa ata që kanë zgjedhur rrugën e gabuar do të jenë të palumtur. Dita e Gjykimit është dita e së vërtetës absolute, ku del në pah rezultati i jetës së njeriut në këtë botë.

Sipas imam Aliut, lumturia e vërtetë nuk gjendet tek pasuria, pozita apo kënaqësitë kalimtare, por tek pastërtia e zemrës, devotshmëria dhe sjelljet morale. Ai thekson se njeriu i lumtur është ai që kontrollon dëshirat, ruan karakterin, është i drejtë, falës, i përmbajtur ndaj mëkateve dhe i dobishëm për të tjerët. Mirësia, besimi dhe ndërgjegjja e pastër janë burimet e lumturisë së qëndrueshme.

Të gjithë ne e dëshirojmë lumturinë. Mirëpo arritja e lumturisë ka shkaqet e veta. Prijësi i besimtarëve, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka përmendur disa shkaqe të lumturisë. Në këtë artikull do të përmendim dhjetë shkaqe prej shkaqeve të lumturisë sipas imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) që janë:

Shkaku i parë:  Marrja mësim nga të tjerët

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “I lumtur është ai që mëson nga të tjerët dhe merr mësim.” (“Tuheful Ukuli”, f. 111.)

Hadithi na fton të jemi vëzhgues, të mendojmë dhe të mësojmë nga realiteti që shohim, që rruga jonë të jetë më e drejtë dhe më e lumtur. Ky hadith na mëson, gjithashtu, se lumturia vjen kur njeriu e ndërton jetën mbi mençuri.

Ai njeri që mëson nga përvojat e të tjerëve, e kursen veten nga sprovat dhe vështirësitë e panevojshme. I mençuri mëson nga çdo njeri. Ai mëson nga i sinqerti si të sillet, ndërsa nga gënjeshtari mëson çfarë të shmangë.

Shkaku i dytë: Sinqeriteti në bindje dhe në adhurim

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “I lumtur është ai që është i sinqertë në bindjen dhe adhurimin e tij.”  (“Ujunul Hikemi uel Meuaidhi”, f. 47.)

Nga ky hadith mësojmë se sinqeritetiështë çelësi i lumturisë së vërtetë. Ai na mëson se jo çdo adhurim apo bindje ka peshë, por ka peshë vetëm ai adhurim dhe ajo bindje që buron nga një zemër e pastër dhe që bëhet vetëm për hir të Allahut. Lumturia shpirtërore dhe e përhershme vjen nga lidhja e pastër me Allahun, jo nga forma e jashtme, apo për sy e faqe. Nuk mjafton thjesht të adhurosh, por duhet të jesh i sinqertë në këtë adhurim, duke pasur qëllime të pastra, pa hipokrizi apo interes personal.

Hadithi na udhëzon që cilësia e veprës, pra, sinqeriteti në të, është më e rëndësishme se sasia, dhe se lumturia e njeriut lidhet drejtpërdrejt me pastërtinë e zemrës dhe qëllimin e tij në raport me Allahun.

Shkaku i tretë: Nënletëtësimi i asaj që mungon

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “I lumtur është ai që e nënvlerëson atë që i mungon.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 2 f. 1303.)

Kjo do të thotë se i lumturi nuk trishtohet për gjërat që nuk i ka arritur apo përfitimet që i kanë ikur, sepse ai e di se çdo gjë vjen nga urtësia e Allahut dhe çdo humbje ka një të mirë të fshehur. Shejtani mundohet ta mashtrojë njeriun duke ia zbukuruar atë që i mungon, që ta bëjë të urrejë atë që ka. Por, kur njeriu arrin ta fitojë atë që kërkonte, shpesh e kupton se ajo nuk i solli tjetër veçse shqetësim e lodhje.

Shkaku i katërt: Përgatitja për Botën Tjetër

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Jini të devotshëm ndaj Allahut, o robtër e Allahut, me devotshmërinë e një njeriu të arsyeshëm, të cilit mendimi ia ka preokupuar zemrën.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 2 f. 1303.)

Njeriu i arsyeshëm dhe i devotshëm bën dallimn mes kujdesit për këtë botë dhe përgatitjes për Botën Tjetër. Ai e ka kaluar këtë botë në mënyrë të lavdëruar dhe ka përgatitur furnizimin për Botën Tjetër me lumturi. Ndër momentet më të bukura që i përjeton njeriu janë ato kur ai ndërton jetën e tij të Përjetshme përmes veprave të mira, bindjes ndaj Allahut dhe afrimit tek Ai përmes adhurimeve që kryen.

Shkaku i pestë:  Veprimi sipas dijes

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Veproni sipas dijes dhe do të jeni të lumtur.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 2 f. 1303.)

Ai njeri që vepron sipas dijes së tij është i qetë me veten dhe e di se dituria e tij është argument përpara njerëzve dhe Allahut. Kur punon sipas dijes, njeriu eliminon çdo pengesë dhe kështu bëhet një nga më të lumturit, sepse lumturia tij ka dy burime: dijen dhe veprimin mbi të.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nëse dëshiron të jesh më i lumturi me atë që di, atëherë vepro.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 2 f. 1303.)

Shkaku i gjashtë:  Shmangia e papunësisë dhe dëshirës për lehtësim

Imam Aliu (a.s.) ka thënë: “Sa e largët është arritja e lumturisë për atë që mbështetet në përtaci dhe dembelizëm.” “Gurerul Hikemi”, 2479)

Hadithi është një thirrje për punë të ndershme, disiplinë dhe vetëpërmirësim, si rrugë drejt lumturisë së vërtetë në këtë botë dhe në Tjetrën.

Papunësia është sëmundje vdekjeprurëse; ajo shkatërron kohën dhe ia bën njeriun të paaftë për të përmbushur qëllimin e krijimit të tij. Shejtani e mashtron njeriun me vonesë dhe hezitim për ta shmangur nga veprat e mira dhe për ta larguar nga adhurimi.

Shkaku i shtatë: Të shoqëruarit me dijetarët

 Imam Aliu (Paqja qoftë) ka thënë: “Të shoqëruarit me dijetarët sjell lumturi.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 1, f. 402.)

Shoqërimi i dijetarëve ndriçon mendjet, përmirëson zemrat, fitohen shpërblime, përhapet dituria, realizohet lumturia dhe arrihet kënaqësia e Allahut. Shoqëria më e mirë është ajo që ndriçon shpirtin dhe edukon moralin.

Shkaku i tetë:  Besimi (imani)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Me besimin (imanin) njeriu arrin majën e lumturisë dhe fundin e kënaqësisë.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 2 f. 1303.)

Besimi (imani) është lidhja mes njeriut dhe Allahut që e mban larg mëkateve dhe e shtyn drejt adhurimeve dhe veprave të mira. Besimi e mbron lumturinë dhe ndalon shpërqendrimet dhe shkujdesjet.

Gjithashtu, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Të lumturit janë mbrojtur me anë të besimit, ndërsa fatkeqët janë lënë në humbje për shkak të mëkatimit, pasi argumenti u ishte bërë i qartë me shpjegim, dhe pasi u ishin treguar qartë shenjat e së vërtetës dhe rruga e udhëzimit.”  (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 2 f. 1303.)

Kjo thënie thekson se lumturia vjen përmes besimit dhe bindjes, ndërsa fatkeqësia vjen nga pasimi i epsheve dhe bërja e mëkateve.

Shkaku i nëntë: Palëkundshmëria në dashurinë për Ehli Bejtitn (Paqja qoftë mbi ta!)

Me vilajetin (besnikërinë dhe ndjekjen eudhëheqjes së drejtë të caktuar nga Allahu), plotësohet besimi dhe forcohet.Vilajeti ndriçon rrugëndhe sjell lumturinë e vërtetë të shoqëruar me lloje të ndryshme të mirësive të Allahut. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) i ka thënë imam Aliut: “I lumturi i vërtetë është ai që të do dhe të bindet ty.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 2 f. 1303.)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më të lumturit janë ata që njohin meritat tona, afrohen tek Allahu përmes nesh, na duan me sinqeritet, veprojnë sipas udhëzimeve tona dhe shmangin atë që ne kemi ndaluar; ata janë me ne në jetën e përhershme.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 2 f. 1303.)

Kjo tregon se njohja e pozitës së Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!), dashuria dhe bindja ndaj tyre, janë pjesë e lumturisë së plotë.

Shkaku i dhjetë: Llogaritja e vetvetes

Është transmetuar nga imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kush e llogarit veten e tij, është i lumtur.” (“Mijzanul Hikmeti”, vëll. 1, f. 620.). Ai që e llogarit veten punon për ta përmirësuar atë, duke u pastruar nga njollat e veset dhe mëkatet që janë ngjitur në të, dhe punon për të ngritur anën pozitive brenda saj. Sa më shumë që njeriu ta llogarisë veten, aq më i lumtur bëhet, sepse ditët e tij nuk mbesin të njëjta. Dita e sotme e tij është më e mirë se djeshmja, dhe e nesërmja e tij është më e mirë se sotmja, e kështu me radhë. Dhe kjo është vetë lumturia.

Të dashur vëllezër dhe motra këto ishin dhjetë shkaqet e para të lumturisë sipas imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!). InshaAllah në emisionin e ardhshëm do të paraqesim shkaqet e tjera të lumturisë sipas imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!).

Do e mbyll temën e sotme me ajetin 108 të sures “Hud”, i cili thotë:

{وَأَمَّا ٱلَّذِينَ سُعِدُواْ فَفِي ٱلۡجَنَّةِ خَٰلِدِينَ فِيهَا مَا دَامَتِ ٱلسَّمَٰوَٰتُ وَٱلۡأَرۡضُ إِلَّا مَا شَآءَ رَبُّكَۖ عَطَآءً غَيۡرَ مَجۡذُوذٖ}

“Kurse të lumturit, do të hyjnë në Xhennet, ku do të qëndrojnë përherë, derisa të jenë qiejt dhe Toka, veç si të dojë Zoti yt. Kjo është dhuratë e pandërprerë.”

Qofshim prej të lumturve në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër!