Shkaqet e lumturisë së vërtetë sipas Imam Aliut – pjesa e dytë

Në suren “Hud” ajeti 105 Allahu i Lartësuar thotë:

﴿… فَمِنْهُمْ شَقِيٌّ وَسَعِيدٌ﴾

“… prej tyre do të ketë të palumtur dhe të lumtur.”

Në pjesën e parë të kësaj teme përmendëm dhjetë shkaqe prej shkaqeve të lumturisë sipas imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!). Sot do të përmendim katërmbëdhjetë shkaqe të tjera të lumturisë sipas imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!), të cilat janë:

Shkaku i parë: Llogaritja e vetvetes:

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që llogarit veten është i lumtur.“ (Mijzanul Hikmeh”, vëll. 1, f. 620.”)

Njeriu që llogarit veten përmirëson të metat, largon veset dhe punon për të ngritur anët pozitive të shpirtit. Sa më shumë të llogarisë vetveten, aq më shumë rritet lumturia e tij, dita e tij sotme është më e mirë se ajo e djeshme, dhe e nesërmja do të jetë më e mirë se e sotmja.

Shkaku i dytë: Pastrimi dhe përmirësimi i vetes:

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) thotë: “Ai që mundohet të përmirësojë vetveten është i lumtur. Kush e neglizhon veten duke u dhënë pas kënaqësive, bëhet i mjerë dhe largohet (nga e mira).” (Mijzanul Hikmeh”, vëll. 1, f. 620.”)

Ai që lë pas lirinë e dëshirave dhe punon për t’u rritur shpirtërisht, arrin lumturinë e vërtetë. Ajeti i 9 dhe 10 në suren “Shems” tregon se fitorja dhe suksesi varen nga përmirësimi i vetes, ndërsa humbja e qartë vjen nga neglizhenca: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.”

Shkaku i tretë Përmirësimi i shoqërisë:

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Nga përsosmëria e lumturisë është përpjekja për përmirësimin e shoqërisë.” (“Meusuatu Rhadijth Ehlil Bejt”, vëll. 6, f. 91.)

Lumturia e vërtetë nuk qëndron vetëm te vetja, por te angazhimi për ta përmirësuar shoqërinë. Njeriu bëhet i plotësuar kur kontribuon në të mirën e përbashkët. Hadithi na mëson se lumturia nuk është vetëm një ndjenjë personale, por një rezultat i përpjekjes sonë për të bërë shoqërinë më të mirë. Sa më shumë të kontribuosh në të mirën e të tjerëve, aq më i plotësuar dhe më i lumtur bëhesh vetë.

Shkaku i katërt: Lidhja me Allahun

Duhet që njeriu të jetë gjithmonë i lidhur me Allahun, në çdo gjë që i ndodh, qoftë e mirë apo e keqe.  Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Gjenden tri gjëra, kush i ruan, është i lumtur: E para: Kur të të shfaqet një mirësi, falëndero Zotin; E dyta: Kur të vonohet furnizimi yt, kërko falje nga Zoti; E treta: Kur të të godasë ndonjë vështirësi, thuaj shpesh: ‘La havle ve la kuvvete illa billah’ (S’ka fuqi e s’ka forcë përveçse te Zoti).”

Këtu lumturia qëndron në kthimin tek Allahu që ka në dorë sundimin dhe pushtetin e çdo gjëje. Një njeri i tillë nuk dehet nga mirësitë, nuk verbohet nga mungesa e furnizimit, e as nuk dëshpërohet nga sprovat. Prandaj hadithi i përmendur i lidh tre gjendjet me tre veprime:  mirësinë me falënderimin, mungesën e furnizimit me istigfarin (kërkimin e faljes), dhe,  vështirësinë me falënderim dhe mbështetje te Allahu.

Shkaku i pestë:  Pastërtia nga urrejtja dhe smira

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Zemra e lirë nga urrejtja dhe smira është nga shkaqet e lumturisë së njeriut.” (“Mijzanul Hikmeh”, vëll. 2, f. 1303.”)

Nuk është e fshehtë se veset e këqija e lodhin shpirtin e njeriut. Ai që ka mendime të këqija për të tjerët, mbetet gjithnjë i pasigurt e dyshues në marrëdhënie. Ai që e mbush zemrën me smirë e urrejtje, keqëson sjelljen e tij ndaj të tjerëve. Prandaj, shpirtrat e besimtarëve në Xhennet janë të pastra nga këto sëmundje, siç thotë Allahu i Lartësuar: “Dhe Ne do t’u heqim nga zemrat e tyre çdo mëri; nën ta do të rrjedhin lumenj.” (Sure “El A‘raf”, ajeti 43)

Shkaku i gjashtë: Bujaria

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Bujaria është njëra nga dy lumturitë.” (“Mijzanul Hikmeh”, vëll. 2, f. 1304.”)

Sepse njeriu bujar ndien dhimbjet e njerëzve dhe e përjeton vuajtjen e tyre. Ai e di se pasuria që ka është një sprovë nga Zoti, për të parë se si do të veprojë me të.

Kështu, ai kërkon shpërblimin dhe mëshirën e Zotit duke ndihmuar të tjerët dhe duke lehtësuar hallet e tyre. Përmes bujarisë, njeriu pastron shpirtin dhe përjeton një ndjenjë të thellë kënaqësie dhe paqeje, sepse kjo cilësi fisnike përfshin shumë virtyte të larta që i japin shpirtit dritë dhe gëzim.

Shkaku i shtatë:  Ruajtja e sekreteve

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ruajtja e sekretit është një pjesë e lumturisë.” (“Mijzanul Hikmeh”, vëll. 2, f. 1304.”)

Ai njeri që nuk ruan sekretet apo çështjet e tij personale, do të jetojë i shqetësuar dhe i pasigurt nga frika e keqinterpretimeve ose e përhapjes së tyre. Ai bëhet i varur nga reagimet dhe prirjet e të tjerëve, dhe kështu një pjesë e jetës së tij kalon në duart e të huajve, duke humbur qetësinë dhe lumturinë. Ndërsa njeriu që është i përmbajtur dhe i ruan sekretet e tij, është i qetë në të gjitha çështjet e tij, i lirë nga këto shqetësime, dhe i varur vetëm nga mendja dhe vendimi i vet.

Shkaku i tetë: Vazhdueshmëria në adhurim

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Vazhdimësia në adhurim është dëshmi e arritjes së lumturisë.” (“Mijzanul Hikmeh”, vëll. 2, f. 1305.”)

Qëndrueshmëria në adhurim tregon afërsi dhe shoqëri shpirtërore midis Zotit dhe robit të Tij. Njeriu, kur është i lidhur me diçka që i sjell kënaqësi, nuk e braktis atë. Njeriu që braktis adhurimin dhe bindjen ndaj Allahut do të thotë se ai nuk ka shijuar ëmbëlsinë e besimit dhe lidhjes me Të. Për këtë arsye, profetët dhe të dërguarit, si dhe njerëzit e devotshëm, janë dalluar për shumë adhurim dhe përkushtim në veprat e obliguara dhe të pëlqyera, derisa i trajtonin ato si të domosdoshme. Kjo, sepse ata përjetonin kënaqësinë dhe gëzimin shpirtëror që buron nga adhurimi.

Shkaku i nëntë: Bërja e veprave të mira dhe e punëve të pastra

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Arritja e lumturisë është me nxitimin drejt veprave të mira dhe punëve të pastra.” (“Mijzanul Hikmeh”, vëll. 2, f. 1305.”).

Nxitimi këtu nënkupton se njeriu që është i lumtur, përpiqet të shpërndajë lumturinë te të tjerët. Ai gëzohet kur sheh të tjerët të lumtur dhe nxiton të bëjë ato që u sjellin gëzim njerëzve, duke bërë mirësi dhe vepra të dobishme për shoqërinë. Në këtë mënyrë, ai dhe shoqëria rreth tij bëhen më të lumtur.

Shkaku i dhjetë: Përfundimi i mirë (Husnul ‘akibeh)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “E vërteta e lumturisë është që njeriu ta përfundojë jetën e tij me lumturi, dhe e vërteta e fatkeqësisë është që ai ta përfundojë jetën e tij me mjerim.” (“Mijzanul Hikmeh”, vëll. 2, f. 1305.”)

Përfundimi i mirë është matësi i Botës Tjetër. Mjerë ata që bënë vepra të mira në këtë botë, ishin në mesin e besimtarëve dhe luftëtarëve, por më pas u mashtruan nga dëshirat dhe zbukurimet e kësaj bote, nga pozitat dhe pasuria, dhe shiten ndërgjegjen e tyre tek armiqtë, duke u kthyer kundër familjes, shokëve, madje edhe kundër Imamëve të tyre. Këta janë më të mjerët në këtë botë për shkak të rrugës që ndoqën, dhe më të humburit në botën tjetër për shkak të ndëshkimit që do të marrin.

Shkaku i njëmbëdhjetë:  Braktisja e kësaj bote dhe puna për Botën Tjetër

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më i lumturi prej njerëzve është ai që e braktis kënaqësinë e përkohshme për një kënaqësi të përhershme.” (“Mijzanul Hikmeh”, vëll. 2, f. 1305.”)

Ai që e ka qëllimin më të madh Allahun e Maadhëruar, jeton i kënaqur në këtë jetë, sepse frytet e veprave të mira që bënë në këtë botë do t’iI vjelë në Ditën e Gjykimit.

Po ashtu, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!)  ka thënë: “Më i lumturi në këtë botë është ai që e braktis atë, dhe më i lumturi në Botën Tjetër është ai që punon për të.” (“Mijzanul Hikmeh”, vëll. 2, f. 1305.”)

Shkaku i dymbëdhjetë:  Shoqërimi me njerëz fisnikë

I Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më i lumturi prej njerëzve është ai që shoqërohet me njerëz fisnikë.” (“Mijzanul Hikmeh”, vëll. 2, f. 1305.”)

Kush shoqërohet me njerëz të ulët, jeton me gjëra të pavlera, me fjalë boshe dhe thashetheme. Por, ai që shoqërohet me njerëz fisnikë, jeton me çështje të mëdha, me ideale të larta dhe e kalon jetën e tij duke mbajtur përgjegjësi për kauza madhore.

Njeriu në këtë botë është përmbledhje e asaj që mban në zemrën e tij, e asaj që jep, dhe e mënyrës se si i rendit prioritetet e jetës së tij.

Shkaku i trembëdhjetë: Zuhdi, asketizmi (thjeshtësia dhe mospërkushtimi ndaj kësaj bote)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më të lumturit ndër njerëz janë ata që janë më asketikë (më të përmbajtur nga kjo botë).” (“Mijzanul Hikmeh”, vëll. 2, f. 1306.”)

Sikur asketizmi të ishte si ushqim për lumturinë, sa më shumë të shtohet, aq më shumë shtohet edhe lumturia. A ka lumturi më të madhe se zemra e lirë nga lidhjet me kënaqësitë e përkohshme të kësaj bote? E gjithë fatkeqësia e njeriut është për shkak të lidhjes së tepruar me dëshirat tokësore. Por, nëse ai shkëputet prej tyre, do të hyjë në portën e gjerë të lumturisë së vërtetë.

Shkaku i katërmbëdhjetë: Përmendja e Allahut (Dhikri)

Në ajetet 123 dhe 14 të sures “Ta Ha” Allahu i Madhëruar thotë: “Kush ndjek udhëzimin Tim, ai nuk do të humbasë dhe nuk do të jetë i mjerë. Por kush shmanget nga përmendja Ime, ai do të ketë një jetë të ngushtë.”

Të shmangurit nga përmendja e Allahut nënkupton të jesh i zënë me gjëra të tjera, sepse kur zemra lidhet me botën dhe pasuritë e saj, njeriu e harron përmendjen e Zotit dhe nuk e sheh më si përparësi.

Ndërsa në ajetin 28 të sures “Rra’d” Allahu i Madhëruar thotë: “Vërtet, me përmendjen e Allahut qetësiohen zemrat?”

Një zemër e qetë është themeli i lumturisë së vërtetë. Përmendja e Allahut largon ankthin, frikën dhe shqetësimet, duke sjellë paqe të brendshme. Njeriu që ka paqe në zemër, e shikon jetën ndryshe: me shpresë, besim dhe stabilitet. Lumturia nuk është vetëm gëzim i jashtëm, por është gjendje e brendshme e qetësisë, e cila sipas ajetit arrihet me përmendjen e Allahut. Ajeti tregon se burimi më i qëndrueshëm i lumturisë është lidhja e zemrës me Allahun. Qetësia shpirtërore është rrënja e lumturisë së vërtetë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Islami na mëson se lumturia e vërtetë nuk vjen nga pasuria apo jeta e jashtme, por nga qetësia e zemrës. Ajo arrihet duke qenë pranë Allahut, duke bërë vepra të mira, duke pasur moral të pastër, duke ndihmuar njerëzit. Kur njeriu balancon anën shpirtërore me atë materiale, Allahu i jep një jetë të bukur dhe të qetë. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë se njeriu nuk është i lumtur duke jetuar vetëm për veten. Lumturia rritet: duke bërë mirë, duke falur të tjerët, duke ndihmuar të varfrit, dhe duke larguar padrejtësinë.