Në ajetin 71 të sures “Teube” Allahu i Madhëruar thotë:
{وَٱلۡمُؤۡمِنُونَ وَٱلۡمُؤۡمِنَٰتُ بَعۡضُهُمۡ أَوۡلِيَآءُ بَعۡضٖۚ يَأۡمُرُونَ بِٱلۡمَعۡرُوفِ وَيَنۡهَوۡنَ عَنِ ٱلۡمُنكَرِ وَيُقِيمُونَ ٱلصَّلَوٰةَ وَيُؤۡتُونَ ٱلزَّكَوٰةَ وَيُطِيعُونَ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥٓۚ أُوْلَٰٓئِكَ سَيَرۡحَمُهُمُ ٱللَّهُۗ إِنَّ ٱللَّهَ عَزِيزٌ حَكِيمٞ }
“Besimtarët dhe besimtaret janë miq për njëri-tjetrin. Ata urdhërojnë që të bëhen vepra të mira dhe i ndalojnë të këqijat; falin namazin, japin zeqatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata që do t’i mëshirojë Allahu. Se, Allahu me të vërtetë, është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.”
Islami i kushton një rëndësi shumë të madhe vëllazërisë. Vëllazëria në Islam është një nga shtyllat morale më të rëndësishme që forcon unitetin, mëshirën dhe solidaritetin mes besimtarëve. Kur’ani i Shenjtë dhe Suneti I bekuar i Profetit dhe i Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!) e paraqesin umetin si një trup të vetëm, ku çdo individ ka detyrë të kujdeset për tjetrin si për vetveten. Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) e përshkroi vëllazërinë si një lidhje që tejkalon gjakun dhe lind nga besimi, drejtësia dhe zemërbardhësia. Prandaj, Islami e ngre vëllazërinë në nivel të shenjtë, duke i dhënë secilit besimtar të drejta dhe përgjegjësi që sigurojnë harmoni, bashkim dhe paqe në shoqëri.
Vëllazëria ka të drejta që duhen njohur dhe respektuar, në mënyrë që ajo (vëllazëria) të realizojë qëllimet e saj të dëshiruara dhe të arrijë objektivat e saj. Më poshtë po paraqesim dhjetë të drejta prej të drejtave të vëllezërve:
E para: Dashuria për të
Islami rekomandon që besimtari ta dojë vëllanë e tij besimtar. Disa transmetime e konsiderojnë këtë dashuri si një të drejtë të besimtarit ndaj vëllait të tij.
Imam Bakiri (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nga të drejtat e besimtarit ndaj besimtarit është që ai ta mbajë dashurinë për të në zemrën e tij.” (“El Kafij”, i Shejhk El Kulejni vëll. 2, f. 171.).
E dyta: Gëzimi i zemrës së tij
Është transmetuar se i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Kush e gëzon një besimtar, më ka gëzuar mua; dhe kush më ka gëzuar mua, e ka gëzuar Allahun.” (“El Kafij”, i Shejhk El Kulejni vëll. 2, f. 188.).
Imam Bakri (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Allahu nuk është adhuruar me asgjë më të dashur për Të sesa futja e gëzimit në zemrën e besimtarit.” (“El Kafij”, i Shejhk El Kulejni vëll. 2, f. 188.)
E treta Ushqyerja dhe veshja e tij
Është nga të drejtat e besimtarit ndaj vëllait të tij që ta ushqejë kur ai është i uritur dhe ta veshë kur ai është i zhveshur.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Nuk ka besuar në Allahun ai që ngopet ndërsa vëllai i tij besimtar është i uritur, apo ai që është i veshur ndërsa vëllai i tij është i zhveshur.” (“Mekarimul Ahlak” i Tabersiut, Hasan ibn El Fadl, f. 134, botimi 4, Kum, botimet “Esh SherîfE Radhîj”, viti 1412 hixhri).
E katërta: Përmbushja e nevojave të tij
Muslimani duhet t’i plotësojë nevojat e vëllait të tij me aq sa t’ia lejojnë mundësitë. Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur ndonjë musliman ia plotësn nevojën një muslimani tjetër, Allahu i Lartësuar thotë: ‘Shpërblimin tënd e kam marrë përsipër Unë, dhe kënaqësia Ime më e pakët për ty është Xheneti.’” (“El Kafij”, i Shejhk El Kulejni vëll. 2, f. 194.)
Imam Sexhadi (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nevojat e njerëzve ndaj jush janë prej mirësive të Allahut për ju, prandaj mos u lodhni nga këto mirësi.” (“Bihar El Enuar”, i eruditit El Mexhlisij vëll. 71, f. 318.)
E pesta: Ndihma dhe mbrojtja e tij
Njeriu përballet ndonjëherë me situata të vështira ku ka nevojë të ngutshme për ndihmë dhe mbështetje.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Kur një musliman ndihmon një musliman në një vend ku cënohet nderi i tij dhe shkelet shenjtëria e tij, Allahu e ndihmon atë në vendet ku ai ka më shumë nevojë. Kur një njeri braktis mbrojtjen e një musliman në një vend ku cënohet shenjtëria e tij, Allahu do ta braktisë atë në një vend ku ai dëshiron ndihmën e Tij.” (“El Mahxhetu El Bejdha fi Tehdhibl Ihja’, i autorit Fejd Keshani, rishikuar dhe komentuar nga Ali Ekber El Gifari, botimet “Islamijeh” të lidhura me Shoqatën e Mësuesve të Hauzas së Kumit, pa datë, botimi 2, vëll. 3, f. 394.).
Dhe kushdo që ndihmon vëllanë e tij besimtar, Allahu do ta ndihmojë atë.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Allahu është në ndihmë të besimtarit, përderisa besimtari është në ndihmë të vëllait të tij besimtar.” (“Biharul Enuar”, i eruditit El Mexhlisi, vëll. 71, f. 312.)
E gjashta: Falja e gabimeve të tij
Nga të drejtat e vëllait besimtar është që ai t’ia falë gabimet dhe t’ia mbulojë të metat, sepse ai nuk është engjëll i pagabueshëm. Besimtari është njeri dhe ndonjëherë mund t’i ndodhë të gabojë. Njeriu herë pas here gabon e herë pas here vepron drejt. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njerëzit më të këqij janë ata që nuk falin gabimin dhe nuk mbulojnë të metën.” (“Gurarul Hikem ue Durarul Kelim”, i autorit Temimij El Amedi, Abdul Uahid ibn Muhammed, verifikuar dhe korrigjuar nga Sejjid Mehdi Rexhai, Kum, botimet “Darl Kitabil Islami”, 1410 h., botimi 2, f. 411.)
Dhe: “Vëllai yt më i keq është ai që të detyron ta durosh (sjelljen e tij) dhe të shtyn të kërkosh falje (për gjëra që s’i ke bërë).” (“Gurarul Hikem ue Durarul Kelim”, i autorit Temimij El Amedi, Abdul Uahid ibn Muhammed, verifikuar dhe korrigjuar nga Sejjid Mehdi Rexhai, Kum, botimet “Darl Kitabil Islami”, 1410 h., botimi 2, f. 418.)
E shtata: Lehtësimi i vështirësive të tij
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Kush e nderon vëllanë e tij musliman me një fjalë të butë dhe ia largon vështirësinë, do të jetë gjithmonë nën hijen e Allahut dhe i mbuluar me mëshirën e Tij, për aq kohë sa vazhdon ta bëjë këtë (ta nderojë dhe t’ia lehtësojë vështirësinë vëllait të tij).” (“El Kafij”, i Shejhk El Kulejni vëll. 2, f. 206.)
E teta: Këshillimi i tij
Nga të drejtat e ndërsjella mes miqve është edhe dhënia e këshillës së sinqertë.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij) ka thënë: “Secili prej jush le ta këshillojë vëllanë e tij ashtu siç e këshillon veten e vet.” (“El Kafij”, i Shejhk El Kulejni vëll. 2, f. 208.)
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ji këshillues për krijesat e Allahut për hir të Allahut, sepse nuk do ta takosh Atë (Allahun) me ndonjë vepër më të mirë se kjo.” (“El Kafij”, i Shejhk El Kulejni vëll. 2, f. 164.)
E nënta: Ta ruash atë në mungesë
Muslimani duhet ta ruajë dhe mbrojë vëllain e tij besimtar në mungesë, dhe të parandalojë çdo dëm që mund t’i vijë atij.
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), në lidhje me këtë, ka thënë: “Ji mbështetje për të, sepse edhe ai është mbështetje për ty. Kur të jetë larg, ruaje në mungesën e tij; dhe kur të jetë i pranishëm, vizitoje, nderoje dhe respektoje, sepse ai është nga ti dhe ti je prej tij.” (“El Kafij”, i Shejhk El Kulejni vëll. 2, f. 170.)
E dhjeta: T’ia duash atij atë që ia do vetes tënde
Një njeri e pyeti imam Sadikun (Paqja qoftë mbi të!): “Më këshillo.” Imami i tha: “Të këshilloj me devotshmëri ndaj Allahut dhe me mirësinë ndaj vëllait tënd musliman. Duaje për të atë që e do për veten tënde dhe urreje për të atë që e urren për veten tënde.” (“El Emalij” i Shejkh Et Tusij, f. 97.)
Të dashur vëllezër dhe motra!
Në përfundim, mund të themi se të drejtat e vëllezërve përfaqësojnë një nga vlerat më të rëndësishme shoqërore dhe shpirtërore që njeriu mban gjatë jetës. Vëllazëria nuk është vetëm lidhje gjaku, por edhe përgjegjësi, kujdes, respekt dhe mirëkuptim i vazhdueshëm. Ajo ndërtohet mbi dashurinë e sinqertë, mbi mbështetjen në ditë të vështira dhe mbi gëzimin e përbashkët në ditë të mira.
Kur vëllezërit i respektojnë të drejtat e njëri-tjetrit, familja forcohet, shpirti qetësohet dhe shoqëria bëhet më e shëndetshme. Mirësia, falja, komunikimi i mirë dhe ruajtja e nderit e dinjitetit të njëri-tjetrit janë themelet që e bëjnë këtë lidhje të qëndrueshme dhe të bekuar.
Prandaj, ruajtja e këtyre të drejtave nuk është vetëm një detyrë morale, por edhe një rrugë drejt paqes së brendshme dhe harmoni së përbashkët. Vëllezërit që qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, që e duan dhe e ndihmojnë njëri-tjetrin, bëhen shembull për të tjerët dhe krijojnë një trashëgimi vlerash që mbetet për brezat që vijnë.
Në ajetin 10 të sures “Huxhurat” Allahu i Madhëruar thotë:
{إِنَّمَا ٱلۡمُؤۡمِنُونَ إِخۡوَةٞ فَأَصۡلِحُواْ بَيۡنَ أَخَوَيۡكُمۡۚ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَ لَعَلَّكُمۡ تُرۡحَمُونَ}
“Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, prandaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që ju të mëshiroheni.”

