Cilësitë e shoqëruesit të mirë

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shoqëruesi i mirë është një mirësi, ndërsa shoqëruesi i keq është një dënim.” (“Gurarul Hikam”, f. 4719–4720).

Nga kjo thënie e imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) mësojmë një parim shumë të rëndësishëm të jetës. Ai parim është se shoqëria e mirë është dhuratë dhe bekim, sepse ajo të afron te Allahu, të forcon moralin, të nxit për drejtësi, për durim dhe për pastërti të zemrës. Ajo të ndihmon të rritesh e të përmirësohesh. Ndërsa shoqëria e keqe është sprovë dhe dënim, sepse të tërheq drejt gabimeve, të dobëson besimin, të prish karakterin dhe të largon njeriun nga e mira. Zgjedhja e njerëzve që afron pranë vetes përcakton cilësinë e jetës dhe të së ardhmes tënde.

Feja islame është fe shoqërore. Ajo i kushton rëndësi zgjedhjes së shoqëruaesit në këtë jetë. Sigurisht që shoku i mirë ka disa cilësi, të cilat duhet t’i njohim dhe t’i marrim parasysh që mbi bazën e tyre të zgjedhim shokun e duhur. Më të rëndësishmet prej tyre janë:

2– Të të ndihmojë në rregullimin e fees e të jetës

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Shoqëruesi (rafiku) quhet i tillë sepse të shoqëron drejt rregullimit të fesë sate. Pra, kush të ndihmon në rregullimin e fesë tënde, ai është shoqëruesi i vërtetë.” (“Gurerul Hikemi”, f. 424.)

Hadithi na mëson se shoku i vërtetë është ai që të ndihmon të përmirësosh fenë, karakterin dhe jetën tënde. Shoqëria e mirë të afron te Allahu, ndërsa shoqëria e keqe të largon prej Tij. Prandaj, vlera e shokut matet me ndikimin e tij në udhëzimin dhe përmirësimin tënd.

3– Të jetë prej njerëzve të devotshëm

Imam Sadiku (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kërko vëllazërim me të devotshmit, qoftë edhe në errësirat e tokës (në vende të largëta e të vështira). Edhe sikur ta shpenzosh gjithë jetën duke i kërkuar, (bëje këtë), sepse Allahu i Madhëruar nuk ka krijuar në faqen e tokës askënd më të mirë se ata, pas profetëve dhe evlijave. Allahu nuk i ka dhënë njeriut ndonjë dhunti më të madhe sesa suksesin për të shoqëruar ata. Allahu i Madhëruar thotë: “Në atë Ditë, miqtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç të devotshmëve.” (Sure “Zukhruf”, ajeti 67; “Biharul Enuar”, vëll. 71, f. 282.)

Hadithi na mëson se shoqëria e njerëzve të devotshëm është një nga miresitë e mëdha të Allahut. Ata janë burim udhëzimi, qetësie dhe qëndrueshmërie në fe. Miqësitë që nuk bazohen në devotshmëri shpërbëhen Ditën e Gjykimit, ndërsa shoqëria me të devotshmit mbetet dhe të çon drejt shpëtimit.

4– Të jetë i mençur dhe i urtë

Imam Kadhim (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “O Hisham, ruhu nga shoqërimi dhe afërsia me njerëzit, përveç kur të gjesh ndër ta një njeri të mençur e të besueshëm; atëherë shoqërohu me të, por prej të tjerëve largoju ashtu siç iket nga bishat e egra.” (“Biharul Enuar”, vëll. 1, f. 155.)

Nga kjo porosi e imam Kadhimit (Paqja qoftë mbi të!) mësojmë disa mësime thelbësore:

Së pari: Shoqëria ka ndikim të drejtpërdrejtë në karakter dhe fe. Prandaj, njeriu duhet të jetë shumë i kujdesshëm se kë zgjedh pranë vetes.

Së dyti: Jo çdo person është i përshtatshëm për t’u afruar. Shoqëria me njerëz të pamend, të pasigurt apo me moral të dobët është e rrezikshme dhe mund ta dëmtojë njeriun, ashtu siç e dëmton një bishë e egër.

Së treti: Shoqëria e vërtetë bëhet vetëm me një njeri të mençur dhe të besueshëm. Këta janë të vetmit që të përmirësojnë, të këshillojnë drejt dhe nuk të mashtrojnë.

Së katërti: Ruajtja e vetes është përgjegjësi fetare. Largimi nga shoqëritë e dëmshme nuk është arrogancë, por mbrojtje e moralit dhe fesë. Prandaj, zgjidh shokë të mençur e të besueshëm, sepse ata të ngrenë, ndërsa shoqëria e gabuar të shkatërron.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Zhvillimi i zemrave (dhe pastërtia e tyre) arrihet përmes shoqërimit me njerëzit e mençur.” (“Gurerul Hikem”, f. 429.)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shoqërohu me njeriun me mendje dhe me fe, sepse ai është shoku më i mirë.” (“Gurerul Hikem”, f. 429.)

Nga këto dy thënie të imam Aliut mësojmë se zemra e njeriut pastrohet, qetësohet dhe përmirësohet kur shoqërohet me njerëz të mençur dhe të devotshëm. Shoku i vërtetë është ai që ka mendje të shëndoshë dhe fe të drejtë, sepse ai të udhëzon, të ruan nga gabimet dhe të ndihmon të rritesh shpirtërisht e moralisht. Në anën tjetër, shoqëria e gabuar e dëmton zemrën dhe e largon njeriun nga drejtësia. Pra, zgjidh shokë të mençur dhe të devotshëm, sepse prej tyre vjen pastrimi i zemrës dhe përmirësimi i jetës.

Imam Aliu (a.s.) ka thënë: “Shoqërimi me të urtët është jetë për mendjen dhe shërim për shpirtin.” (“Gurarul Hikam”, hadithi 9875).

5– Të jetë ndalues i padrejtësisë dhe dhunës

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shoku i vërtetë është ai që të ndalon nga padrejtësia dhe dhuna, dhe të ndihmon në bamirësi dhe mirësi.” (“Gurerul Hikem”, f. 415.)

6– Të mos flasë keq për ty kur zemërohet me ty

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush nga vëllezërit e tu zemërohet me ty tri herë dhe nuk thotë asgjë të keqe për ty, merre atë si mik për veten tënde.” (“Uesailu Esh Shiati”, vëll. 12, f. 147.)

Ky hadithi na mëson se shok i vërtetë është ai që e kontrollon veten edhe kur zemërohet. Ai nuk flet keq, nuk shpërthen dhe nuk të lëndon me gjuhë, edhe pse mund të ketë arsye për t’u mërzitur. Kjo tregon se ai ka karakter të fortë, moral të lartë dhe sinqeritet në shoqëri.

Prandaj, nëse dikush zemërohet tri herë me ty dhe e ruan gjuhën dhe respektin ndaj teje, ai është një shok i rrallë, i besueshëm dhe i denjë për t’u mbajtur pranë.

7– Të jetë këshillues kur sheh ndonjë mangësi tek ti

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Miku i sinqertë është ai që të këshillon për mangësinë tënde, të ruan në mungesën tënde dhe të vë përpara vetes (kur ka nevojë).”

Nga ky hadith mësojmë se shoku i sinqertë nuk është ai që thjesht të buzëqesh apo të lavdëron, por ai që të do me zemër dhe tregon vlerë në tri mënyra: Të këshillon për mangësitë e tua, pra të ndihmon të përmirësohesh, jo të mbetesh në gabim. Të ruan dhe të mbron në mungesën tënde, duke të mbrojtur nderin dhe reputacionin. Të jep përparësi ndaj vetes kur ke nevojë, duke treguar bujari dhe besnikëri. Pra, shoku i vërtetë është pasqyrë e sinqertë, mbrojtës i ndershëm dhe mbështetës i sacrifices, një thesar që duhet vlerësuar dhe ruajtur.

8– Të të ndihmojë në bindjen ndaj Allahut

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që të ndihmon në bindjen (ndaj Allahut), ai është shoku më i mirë.” “Gurerul Hikemi”, f. 416.)

Shoku i mirë është ai që të afron te Allahu, të ndihmon në rregullimin e fesë dhe është prej të devotshmëve. Ai është i mençur, i besueshëm dhe të shton dituri. Të ndalon nga padrejtësia, nuk të përgojon as kur zemërohet, të këshillon me sinqeritet për mangësitë e tua dhe të ruan në mungesën tënde. Është bamirës, i drejtë dhe të ndihmon në bindjen ndaj Allahut. Shoqëria me të sjell mirësi në zemër dhe stabilitet në jetë.

Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shoqërohuni me të mirët, sepse nëse bëni ndonjë të mirë, ata ju lavdërojnë; dhe nëse gaboni, nuk ju qortojnë ashpër.” (“Tenbijhul Khauatir”, vëll. 2, f. 122.”