Njeriu është qenie shoqërore dhe formohet jo vetëm nga ajo që mëson, por edhe nga ata me të cilët shoqërohet. Shoqëria ka ndikim të drejtpërdrejtë në mendjen, moralin dhe rrugën e jetës së njeriut. Një shoqëri e mirë e afron njeriun me të vërtetën, e nxit drejt së mirës dhe e mbron nga devijimi. Ndërsa shoqëria e keqe mund ta largojë nga vlerat dhe ta çojë drejt gabimit dhe devijimit. Prandaj, Islami i ka kushtuar rëndësi të veçantë zgjedhjes së shokëve, duke e konsideruar shoqërinë e mirë si një mjet edukimi, forcimi të besimit dhe përgatitjeje për sukses në këtë botë dhe në Botën Tjetër. Këtu lind pyetja: Me cilët të shoqërohemi?
Sipas fesë së pastër islame duhet të shoqërohemi me këta njerëz:
1- Të shoqërohemi me ata që na kujtojnë Allahun
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tj!) ka thënë se Dishepujt i thanë Isait a.s.: O Shpirti i Zotit, me kë të shoqërohemi?
Ai u tha atyre: “Me atë që kur ta shikoni, ju kujtohet Allahu; kur të flasë, ju shtohet dituria; dhe kur të shihni veprën e tij, ju bën të dëshironi Botën Tjetër.” (“Tuhfetul Ukûli”, f. 44)
Ky hadith është udhëzim për zgjedhjen e shoqërisë së mirë, sepse shoqëria ndikon drejtpërdrejt në besimin, diturinë dhe orientimin e jetës së njeriut.
Shoqëria e mirë është ajo që të afron me Allahun jo vetëm me fjalë, por edhe me sjellje, përulësi dhe moral. Vetë pamja dhe prania e tij të zgjon ndërgjegjen dhe të kujton Allahun. Shoku i mirë flet me urtësi, këshillon me dije dhe nuk të çon drejt padijes apo fjalëve të kota. Ai të ndihmon të rritesh mendërisht dhe shpirtërisht.
Veprat e tij janë shembull praktik. Adhurimi, ndershmëria dhe përkushtimi i tij të motivojnë për Jetën Tjetër dhe jo për pasionet e kësaj bote. Ai të mëson me vepra, jo vetëm me fjalë. Shoqëria nuk është neutrale. Ajo ka dy gjëra: ose të afron, ose të largon nga Allahu. Duhet të zgjedhim shokë që na forcojnë besimin, na shtojnë dijen dhe na orientojnë drejt së mirës në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër.
2- Të shoqërohemi me të devotshmit dhe të urtët
Njeriu i urtë është ai që vepron dhe flet me mençuri, duke e udhëhequr veten sipas dijes, përvojës dhe moralit të drejtë. Ai di të ndajë të mirën nga e keqja, mendon para se të veprojë, dhe nuk lejon të udhëhiqet nga pasionet, emocionet apo impulsiviteti. Njeriu i urtëmendon dhe vepron me drejtësi dhe maturi, mëson nga përvoja dhe gabimet e veta dhe të të tjerëve, këshillon të tjerët me butësi dhe pa arrogancë, kontrollon pasionet dhe dëshirat e menjëhershme dhe përqendrohet në atë që është e dobishme për shpirtin dhe mendjen. Urtësia nuk është thjesht dije, por aftësia për ta përdorur dijen dhe përvojën në mënyrë të drejtë dhe të dobishme.
Njeriu i devotshëm është ai që respekton dhe ndjek urdhrat e Allahut, i përmbahet moralit të lartë dhe përpiqet të jetojë sipas mësimeve të fesë, duke i dhënë përparësi punëve të mira dhe duke shmangur të këqijat. Njeriu i devotshëm ka besim të fortë dhe kujdes të vazhdueshëm për marrëdhënien me Allahun; Respekton ligjet dhe urdhrat e Allahut; Praktikon drejtësinë dhe moralin e lartë në marrëdhëniet me njerëzit; Bën vepra të mira dhe bamirësi, jo vetëm për shpërblim, por nga bindja dhe sinqeriteti; Kontrollon pasionet dhe dëshirat e kalimtare për hir të Allahut. Devotshmëria nuk është vetëm adhurim formal, por një mënyrë jetese që pasqyron bindje, moral dhe përkushtim ndaj Allahut dhe ndaj njerëzve.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shoqërohu me të urtët: do të plotësohet mendja jote, do të ngrihet shpirti yt dhe do të zhduket padituria jote.” (“Gurarul Hikem”, hadithi 4787).
Me këtë thënie imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se shoqëria me të urtët është çelësi i rritjes së njeriut. Ajo e pasuron mendjen, e lartëson shpirtin dhe e çliron njeriun nga padituria. Shoqëria e mirë ndërton personalitetin dhe e afron njeriun me të vërtetën.
Nga ky hadith mësojmë se shoqëria me njerëz të urtë është burim gjallërie mendore dhe shëndeti shpirtëror. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se të urtët e gjallërojnë mendjen, duke e pasuruar me dije, mendim të drejtë dhe urtësi; e shërojnë shpirtin, duke e pastruar nga dyshimet, shqetësimet dhe prirjet e këqija.
Pra, imam Aliu thekson se shoqëria e mirë nuk është vetëm kënaqësi shoqërore, por nevojë për zhvillimin intelektual dhe moral të njeriut, dhe se zgjedhja e shokëve është zgjedhje për jetën e mendjes dhe qetësinë e shpirtit.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shoqërohu me të devotshmit dhe të urtët dhe bisedo shumë me ta, sepse nëse je i pa ditur do të të mësojnë, e nëse je i ditur do të shtosh dijen.” (“Gurarul Hikemi”, hadithi nr. 4783).
3- Të shoqërohemi me dijetarët
Dijetarët janë trashëgmtarët e profetëve. Ata janë që i frikësohen më shumë Allahut siç thotë Kur’ani i Shenjtë: “Vërtet, ata që i frikësohen më shumë Allahut janë dijetarët.” (Sure “Fatir”, ajeti 28). Dijetarët janë fanarët ndriççes dhe udhëzues të njerëzimit.
Lukmani i urtë (Paqja qoftë mbi të!) i tha djalit të tij: “O biri im! Shoqërohu me dijetarët dhe ulu pranë tyre, sepse Allahu i Lartësuar i ngjall zemrat me dritën e dijes, ashtu siç e ngjall tokën me shiun nga qielli.” (“Biharul Enuar”, vëll. 1, f. 204, hadithi 22)
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shoqërohu me dijetarët, që të jesh i lumtur.” (“Gurarul Hikem”, hadithi nr. 4717)
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shoqërohu me dijetarët sepse, do të shtosh dijen, do të përmirësosh edukatën dhe do të pastrosh shpirtin tënd.” (“Gurarul Hikemi”, hadithi nr. 4786)
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tj!) ka thënë: “Pyetni dijetarët, bisedoni me të urtët dhe shoqërohuni me të varfrit.” (Tuhfetul Ukuli”, f. 41).
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tj!) ka thënë: “Mos rrini veçse me ndonjë dijetar që ju thërret nga pesë gjëra tek pesë të tjera: Nga dyshimi tek bindja, nga hipokrizia tek sinqeriteti, nga lakmia tek frika (ndaj Allahut), nga mendjemadhësia tek përulësia, dhe nga mashtrimi tek këshilla e sinqertë.” (“Bihârul Enuar”, vëll. 74, f. 188, hadithi nr. 18).
4- Të shoqërohemi me të mirët
Njeriu i mirë është ai që ka moral të lartë, vepron drejt dhe e ndihmon të tjerët, duke u përpjekur të bëjë të mirën në çdo aspekt të jetës së tij. Njeriu të mire tregon ndershmëri dhe drejtësi në marrëdhënie me të tjerët. Ka moral dhe sjellje të mirë, si mirësia, durimi dhe bujaria. Ndihmon të tjerët dhe tregon mëshirë ndaj të dobëtëve. I shmanget e keqes dhe gabimeve që mund të dëmtojnë të tjerët. Përpiqet të jetë shembull pozitiv në shoqëri. Pra, njeriu i mirë nuk është vetëm ai që flet për vlera, por ai që i praktikon ato në jetën e përditshme dhe e përhap të mirën përreth vetes.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tj!) ka thënë: “Shoqërohuni me të mirët, sepse nëse bëni ndonjë të mirë, ata ju lavdërojnë; dhe nëse gaboni, nuk ju qortojnë ashpër.” (“Tenbijhul Khauatiri”, vëll. 2, f.122.)
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na mëson se shoqëria me njerëz të mirë sjell mirësi dhe qetësi. Ata e vlerësojnë të mirën, e mbulojnë gabimin dhe këshillojnë me urtësi, duke ndihmuar njeriun të përmirësohet, e jo të poshtërohet.
5- Të shoqërohemi me njerëzit e matur
Njeriu i matur nuk është ai që di gjithçka, por është ai që di kur të heshtë, kur të flasë dhe si të veprojë drejt. Njeriu i matur është ai që udhëhiqet nga mendja, besimi dhe morali, dhe jo nga pasionet. Njeriu i matur e përdor arsyen si dritë dhe besimin si udhërrëfyes. Njeriu i matur është ai që mendon para se të flasë e të veprojë, e peshon pasojën e çdo hapi dhe vepron me urtësi, jo me nxitim apo emocion. Njeriu i matur është ai që e drejton jetën me urtësi, me durim dhe me përgjegjësi, duke zgjedhur gjithmonë atë që është më e dobishme për të dhe për të tjerët.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shoqërohu me të maturit, dhe do të bëhesh më i matur.” (“Gurerul Hikemi”, hadithi nr. 4722).
Me këtë thënie imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se sjellja dhe karakteri formohen nga shoqëria. Duke u shoqëruar me njerëz të matur, njeriu mëson maturinë dhe urtësinë, ndërsa shoqëria e keqe e njeriun shtyn drejt gabimit.
6- Të shoqërohemi me të varfërit
Shoqërimi me të varfrit rrit mirënjohjen dhe kënaqësinë me atë që Allahu na ka dhënë, dhe na largon nga lakmia dhe materializmi. Nxit bamirësinë dhe solidaritetin, sepse shoqërimi me të varfrit të mëson të ndihmosh dhe të japësh pa pritur shpërblim. Zvogëlon egoizmin dhe vetëkënaqësinë, duke kuptuar realitetin dhe vështirësitë e të tjerëve. Forcon karakterin shpirtëror, durimin dhe përulësinë. Rrit kujdesin për të drejtën dhe drejtësinë sociale, duke u bërë më i ndjeshëm ndaj nevojave të të tjerëve. Shoqërimi me të varfrit nuk është vetëm akt bamirësie, por edhe mjet edukimi shpirtëror dhe moral për njeriun.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shoqërohu me të varfrit, dhe do të shtosh mirënjohjen.” (“Gurarul Hikem”, hadithi nr. 4723).
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Lum kush shoqërohet me dijetarët e feve dhe të mëshirës dhe përzihet me të dobëtit dhe të varfrit.” (“Tefsirul Kummij”, vëll. 2, f. 70).
7- Të shoqërohemi me të drejtët
Njeriu i drejtë është ai që vepron me ndershmëri, paanshmëri dhe moral të lartë, duke respektuar të drejtën e të tjerëve dhe duke zbatuar drejtësinë në çdo aspekt të jetës.Njeriu i drejtë e nderon të drejtën dhe nuk bën padrejtësi ndaj askujt. Aivepron me paanshmëri, pa favorizuar dikë për interes personal. Emban fjalën dhe premtimet. Mbron të dobëtit dhe të drejtën, duke mos lejuar shtypjen ose shfrytëzimin. Nxit drejtësinë edhe në marrëdhëniet shoqërore dhe personalePra, njeriu i drejtë është shembull i integritetit dhe moralit të lartë, dhe veprimet e tij reflektojnë përkushtimin ndaj së vërtetës dhe drejtësisë.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Alahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tj!) ka thënë: “O biri i Mes’udit! Shoqërohu me të drejtët, me vëllezërit e devotshëm dhe me asketët (ata që lënë pas kënaqësitë e kësaj bote), sepse Allahu i Lartësuar tha në Libër: ‘Atë ditë shokët (miqtë) janë armiq për njëri-tjetrin, përveç të devotshmëve’.” (“Mekarimul Akhlak”, vëll. 2, f. 348).
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na mëson se shoqëria me të drejtët dhe të devotshmit e forcon besimin dhe e mbron njeriun nga devijimi. Asketët na mësojnë të mos lidhemi tepër pas kënaqësive kalimtare të kësaj bote. Shoqëritë që ndërtohen vetëm mbi interes dhe pasione do të shndërrohen në armiqësi në Ditën e Gjykimit. Vetëm shoqëria e bazuar në devotshmëri mbetet e dobishme dhe shpëtuese në Jetën Tjetër.
Pra, hadithi thekson se shoku i vërtetë është ai që të afron me Allahun, sepse vetëm një shoqëri e tillë sjell dobi si në këtë botë, ashtu edhe në Botën Tjetër.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Shoqërimi me të mirët, me të urtët, me dijetarët, me të devotshmit me të drejtët dhe me të varfërit sjell:
Forcim të besimit (imanit) dhe kujtim të vazhdueshëm të Allahut
Moral të lartë dhe sjellje të mirë, sepse njeriu ndikohet nga shokët
Dije dhe urtësi, përmes këshillave dhe shembullit të tyre
Qetësi shpirtërore dhe siguri, sepse ata këshillojnë me butësi
Mbrojtje nga gabimet dhe devijimi, pasi të largojnë nga e keqja
Dobi në Jetën Tjetër, sepse kjo shoqëri nuk kthehet në armiqësi në Ditën e Gjykimit
Shoqërimi me të mirët është bekim, sepse të bën më të mirë në sjellje, më të fortë në besim dhe më të përgatitur për Botën Tjetër.
Imam Zejnul Abidin (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Qëndrimi me njerëzit e mirë është thirrje drejt përmirësimit.” (Biharul Enuar”, vëll. 78, f.141, hadithi 35.)

