Shpeshherë, marrëdhëniet ndërmjet besimtarëve përfshihen nga gjendje ftohtësie dhe largësie. Ky fenomen mund të zhvillohet më tej, duke u shndërruar në armiqësi dhe urrejtje. Me grumbullimin e faktorëve ose me hyrjen e disa mosmarrëveshjeve të veçanta, marrëdhënia mes tyre mund të kthehet, në raste të tjera, edhe në armiqësi të hapur dhe përplasje.
Si e sheh Islami i pastër këtë gjendje të sëmurë? Si paralajmëron ai për rrezikun e saj ndaj vetë besimtarit, si në këtë botë ashtu edhe në Botën Bjetër, dhe ndaj gjendjes shoqërore të besimtarëve? Cilat janë shkaqet më të rëndësishme të armiqësisë që lind ndërmjet besimtarëve? Dhe a ka ndonjë rol realiteti i besimit në shfaqjen e një sëmundjeje kaq shkatërruese mes tyre?
- Armiqësia dhe realiteti i besimit
Hadithet që theksojnë se besimtarët e vërtetë e duan njëri-tjetrin për hir të Allahut janë të shumta: ata këshillojnë sinqerisht njëri-tjetrin, qëndrojnë të bashkuar, e përkrahin njëri-tjetrin, ua plotësojnë nevojat njëri-tjetrit, mbajnë lidhje mes tyre, tregojnë mëshirë, i janë të sinqertë njëri-tjetrit në fjalë dhe në vepra, janë besnikë ndaj njëri-tjetrit, bashkëpunojnë në mirësi dhe devotshmëri.
Me fjalë të tjera, ata janë të plotësuar mes vete: secili prej tyre e mbulon mangësinë e vëllait të tij. Madje, siç ka ardhur në hadithin nga Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) i cili ka thënë : “Besimtari është vëlla i besimtarit, si një trup i vetëm: nëse ankohet një pjesë e tij, e gjithë trupi ndien dhimbjen; dhe shpirtrat e tyre janë nga një shpirt i vetëm.” (“El Kafij, i El Kulejnij, vëll. 2, f. 166).
Kjo sepse realiteti i besimit është lidhja e vërtetë e shpirtrave mes tyre, dhe sepse mishërimi i vërtetë i kuptimit të besimit në vetë ata që e pretendojnë atë është ai që dëshmon saktësinë e lidhjes me Allahun e Madhëruar.
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) gjithashtu, transmeton dhe thotë: “Shpirtrat e dy besimtarëve janë një shpirt i vetëm, dhe shpirti i besimtarit është më i lidhur me Shpirtin e Allahut sesa rrezja e diellit është e lidhur me të.” (“El Kafij, i El Kulejnij, vëll. 2, f. 166).
Prandaj, nëse dy pretendues të besimit e vendosin armiqësinë si kriter në marrëdhënien e tyre, atëherë realiteti i besimit zhduket nga njëri prej tyre ose nga të dy.
Ashtu siç drita e diellit nuk mund të ekzistojë e ndarë prej tij, po kështu edhe realiteti i besimit zhduket kur dy vëllezër bëhen armiq, ose nëse të dy janë në faj, ose të paktën njëri prej tyre, nëse ai është shkaktari i kësaj gjendjeje, ose këmbëngul në të, apo tregohet i pakujdesshëm në parandalimin e saj, kjo sjell largimin nga Allahu i Lartësuar dhe shkakton zemërimin dhe pakënaqësinë e Tij.
- Armiqësia si shkatërruese e veprave
Ashtu siç armiqësia ka pasoja në këtë botë, duke përçarë zemrat, duke ndezur urrejtjen në shpirtrat e besimtarëve, duke prishur qetësinë e marrëdhënieve dhe duke përforcuar gjendjen e ftohtësisë ndërmjet atyre që duhet të jetojnë në mëshirë dhe lidhje të vazhdueshme, po ashtu ajo e bën edhe llogaridhënien e njeriut të vështirë në Ditën e Gjykimit kur ai ka më së shumti nevojë për faljen dhe mëshirën e Allahut, kur ankthi dhe frika për fatin e tij të përjetshëm e mbërthejnë fort:
“Ditën kur as pasuria e as fëmijët nuk do të bëjnë dobi, përveç atij që vjen tek Allahu me zemër të pastër” (Sure “Shuara”, ajeti 89).
Kjo sepse armiqësia është prej atyre gjërave që e asgjësojnë shpërblimin e veprave dhe ia kthejnë njeriut punën e tij të kotë e të dështuar.
Në një hadith të transmetuar nga Ebu Hamza Eth Thumalij, nga imam Ebu Xha’ferr, El Bakir (Paqja qoftë mbi të!), thuhet:
“Nëse besimtari i thotë vëllait të tij: ‘Uf!’, ai del nga mbrojtja e tij (vilajeti); e nëse i thotë: ‘Ti je armiku im’, atëherë njëri prej tyre ka mohuar, sepse Allahu i Lartësuar nuk pranon asnjë vepër nga ai që nxiton të turpërojë një besimtar duke e ekspozuar, dhe nuk pranon vepër nga besimtari që fsheh në zemrën e tij të keqe ndaj një besimtari tjetër.”
Sikur t’u hiqej mbulesa njerëzve dhe të shihnin lidhjen që ekziston mes Allahut dhe besimtarit, qafat e tyre do t’i nënshtroheshin besimtarëve, punët e tyre do t’u lehtësoheshin dhe bindja ndaj tyre do t’u bëhej e butë.” (Libri “El Mu’min”, i Hussein ibn Sa’id El Ahuazi, f. 72.)
Prandaj, hadithi është i qartë se Allahu i Lartësuar nuk e pranon veprën e asnjë besimtari, nëse ai fsheh në zemrën e tij të keqe dhe armiqësi ndaj një besimtari tjetër. Kjo është një nga shfaqjet e mëshirës së Allahut, sepse armiqësia bie ndesh me realitetin e besimit.
Po të kishte lejuar Allahu armiqësinë ndërmjet besimtarëve dhe të mos kishte paralajmëruar për pasojat dhe rrezikshmërinë e saj, do të shuheshin motivet e lidhjes dhe të mëshirës, do të përmbyseshin kriteret e marrëdhënieve mes njerëzve, ashtu siç po ndodh fatkeqësisht në këtë kohë, dhe do të bëhej grumbullimi pas dynjasë dhe shfaqjeve të saj, si dhe përparësia e interesave individuale mbi plotësimin dhe lidhjen shoqërore, kriteri i marrëdhënieve mes njerëzve.
Kjo është diçka që mbush me trishtim zemrat e njerëzve të kujdesshëm dhe të miqve të Allahut.

