E vërteta në thëniet e Profetit dhe Ehli Bejtit

Në ajetin 119 të sures “Teube” Allahu i Madhëruar thotë:

يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱتَّقُواْ ٱللَّهَ وَكُونُواْ مَعَ ٱلصَّـٰدِقِينَ

“O ju që keni besuar! Jini të devotshmë ndaj Allahut dhe bëhuni me ata që janë të vërtetë!”

Ky ajet na porosit për dy gjëra shumë të rëndësishme për jetën e një besimtari:

E para: Devotshmëria ndaj Allahut, që do të thotë të jesh i vetëdijshëm për praninë dhe mbikqyrjen e Allahut në çdo hap të jetës, të ruhesh nga mëkatet dhe të jetosh sipas udhëzimeve të Allahut të Madhëruar.

E dyta: Shoqërimi dhe qëndrimi me njerëz të vërtetë e të sinqertë, sepse të qëndrosh pranë njerëzve të vërtetë të ndihmon edhe ty të jesh i vërtetë dhe larg gënjeshtrës, hipokrizisë dhe devijimeve.

Drejtësia, e vërteta dhe ndershmëria janë shenja të besimit të vërtetë. Besimtari duhet të kërkojë shoqëri të mirë që flet të vërtetën dhe e ndihmon në udhën e drejtë. E vërteta është pjesë e qenësishme e devotshmërisë ndaj Allahut.

Si e përshkruan Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) të vërtetën?

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “E vërteta është shpirti i të folurit.”
(“Gurarul Hikam”, hadithi nr. 387)

Me këtë thënie imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se e vërteta i jep jetë, vlerë dhe kuptim fjalës. Ashtu si shpirti e gjallëron trupin, e vërteta e gjallëron të folurin, e bën atë të sinqertë, të besueshëm dhe të dobishëm. Pa të vërtetën, fjala është e zbrazët dhe pa ndikim. Imam Aliu na fton që gjithmonë të flasim të vërtetën, sepse vetëm atëherë fjala jonë ka peshë morale dhe vlerë reale.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “E vërteta është përsosmëria e fisnikërisë.” (“Gurarul Hikam”, hadithi nr. 1056)

Me këtë hadithi imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se thelbi dhe kulmi i fisnikërisë njerëzore është e vërteta. Njeriu bëhet fisnik jo për shkak të pozitës apo fjalëve të bukura, por sepse qëndron i palëkundur në të vërtetën, edhe kur ajo është e vështirë. Pra, përsosmëria e karakterit fisnik arrihet përmes të vërtetës, sepse ajo është themeli i ndershmërisë, drejtësisë dhe moralit të lartë.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “E vërteta është gjuha e së vërtetës.”
(“Gurarul Hikam”, hadithi nr. 375).

Kuptimi i kësaj thënieje të imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) është se e vërteta është mjeti kryesor me të cilin shprehet realiteti dhe drejtësia; pa të, fjala humbet kuptimin dhe besueshmërinë. Ashtu si gjuha shërben për të shprehur mendimet, e vërteta shërben për të shfaqur drejtësinë, besimin dhe sinqeritetin e njeriut. Njeriu që flet të vërtetën, në fakt flet në emër të drejtësisë dhe realitetit, ndërsa gënjeshtra është “gjuhë” e së pavërtetës dhe e mashtrimit. Imam Aliu na mëson se e vërteta është shenja dalluese e besimit dhe e moralit të lartë, dhe se vetëm përmes saj fjala bëhet e pastër, e drejtë dhe e dobishme.

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Bukuria është: drejtësia në të folur me të vërtetën, dhe përsosmëria është sjellja e mirë me sinqeritet.” (Kenzul Ummal, hadithi nr. 6853)

Hadithi na thotë se vlera e vërtetë e njeriut nuk qëndron te pamja e jashtme, por te morali dhe karakteri i tij.

Gjithashtu, ky hadith i Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na mëson se bukuria e njeriut shfaqet në drejtësinë dhe sinqeritetin në të folur, pra, të thuash të vërtetën pa padrejtësi, pa mashtrim dhe pa hipokrizi. Kjo është bukuria e vërtetë dhe jo zbukurimi me veshje të bukura materiale.

Po ashtu, Profeti ynë i dashur na mëson me këtë thënie se përsosmëria morale arrihet përmes sjelljes së mirë të shoqëruar me sinqeritet, jo thjesht me forma të jashtme apo sjellje të shtirura.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na udhëzon që fjalët tona të jenë të drejta dhe të vërteta; veprat tona të jenë të mira dhe të bëra me zemër të pastër; njeriu fisnik është ai që bashkon të vërtetën në gjuhë me mirësinë në sjellje. Profeti thekson se duhet t’i jepet përparësi etikës së brendshme ndaj pamjes së jashtme, dhe se morali i sinqertë është shenja e besimit të vërtetë.

Sa nevojë kemi në këto ditë për këto mësime madhështore të Profetit Muhamed kur shohim se gënjeshtra ka mbuluar shoqëritë njerëzore dhe e vërteta është e fshehur!

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “E vërteta sjell bereqet, ndërsa gënjeshtra është fatkeqësi.” (“Biharul Enuar”, vëll. 77, f. 67, hadithi 6)

Sa madhështore dhe sa edukative kjo thënie e Profetit tonë të dashur. Me këtë hadith ai na mëson se e vërteta është burim bereqeti dhe mirësie në jetë, sepse ajo sjell qetësi, besim dhe sukses si në këtë botë ashtu edhe në Botën Tjetër. Ndërsa gënjeshtra është shkak fatkeqësie, pasi ajo prish marrëdhëniet, largon bereqetin dhe çon në pasoja të rënda morale e shpirtërore.

Me këtë thënie Profeti (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na fton që ta bëjmë të vërtetën parim të jetës sonë, sepse ajo është rruga e sigurt drejt mirëqenies dhe shpëtimit.

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Stolia e të folurit është e vërteta.”
(“Emalij” i Sadukut, f. 395, hadithi 1)

Të flasësh të vërtetën është zbukurim për njeriun. Imam Sadiku na thotë në këtë hadoth se bukuria dhe vlera e fjalës qëndron te e vërteta. Fjalët, edhe nëse janë të bukura në formë, humbin vlerën e tyre kur nuk janë të vërteta. Ndërsa e vërteta e zbukuron të folurin, i jep besueshmëri njeriut dhe e bën fjalën e tij të pranuar e të respektuar. Imam Sadiku na fton që ta stolisim gjuhën me të vërtetën, sepse ajo është themeli i moralit, i besimit dhe i marrëdhënieve të shëndosha mes njerëzve.

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Mbahuni pas së vërtetës, sepse ajo është një prej dyerve të Xhennetit.”
(“Tarijkhu Bagdad”, vëll. 11, f. 82)

Në Islam, të thuash të vërtetën dhe të jetosh me ndershmëri nuk është vetëm virtyt, por rrugë drejt lumturisë dhe shpëtimit përfundimtar. E vërteta është themeli i karakterit të lartë moral dhe udhërrëfyes për jetën e një besimtari.E vërteta është bukuri në fjalë dhe sinqeriteti është përsosmëri në vepra. E vërteta është një prej dyerve që të çon në Xhennet.

E vërteta dhe besimi

S’ka dyshim se besimi ka lidhje të fortë me të vërtetën. Ajo është stoilia e besimit. Kurrë nuk bashkohet besimi me gënjeshtrën. Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “E Vërteta është shtylla e Islamit dhe mbështetja e besimit.” (“Gurarul Hikam”, hadithi nr. 1754)

Gjithashtu, ka thënë: “E vërteta është amaneti i gjuhës dhe stolia e besimit.” (“Gurarul Hikam”, hadithi nr. 1451)

Nga këto thënie të imam Aliut (Paqja qoftë mbi të!) mësojmë se e vërteta nuk është vetëm një virtyt moral, por themel mbi të cilin qëndron Islami dhe shenjë e gjallë e besimit të vërtetë. Pa të vërtetën, as fjalët dhe as besimi nuk kanë vlerë të plotë.

E vërteta në të folur

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Mos shikoni (vetëm) te shumësia e faljes së tyre, agjërimit të tyre, haxhit, bamirësisë dhe përmendjes së zëshme të Allahut gjatë natës, por shikoni te e vërteta në të folur dhe dorëzimi i amanetit.” (“Biharul Enuar”, vëll. 71, f. 9, hadithi 13)

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Vërtet, Allahu i Lartësuar nuk ka dërguar asnjë profet përveçse me detyrën për të folur të vërtetën dhe për të dorëzuar amanetin, si ndaj të mirit ashtu edhe ndaj të ligut.” (“E Kafi, vëll. 2, f. 104, hadithi 1)

Veprat e jashtme si falja, agjërimi dhe haxhi janë të rëndësishme, por nuk vlejnë pa të vërtetën në të folur dhe pa ndershmëri në ruajtjen e amaneteve. Këto janë tipare themelore të çdo profeti dhe çdo besimtari të vërtetë.

E vërteta është të shpëton

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “E vërteta të shpëton, edhe nëse e ke frikë; ndërsa gënjeshtra të shkatërron, edhe nëse ndihesh i sigurt me të.” (“Gurarul Hikam”, hadithi nr. 1118).

I vërteti dhe gënjeshtari

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Njeriu i vërtetë është në buzë të shpëtimit dhe dinjetit, ndërsa gënjeshtari është në buzë të humnerës dhe poshtërimit.”(“Nehxhul Belaga”, Hytbja 86.)

E vërteta të çon drejt shpëtimit dhe dinjitetit, ndërsa gënjeshtra të afron drejt rrënimit dhe turpit. Kjo thënie e imam Aliut tregon qartë pasojat morale dhe shpirtërore të sjelljes së ndershme kundrejt asaj mashtruese.

Në një hadith tjetër imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “E vërteta është përmirësimi i çdo gjëje, ndërsa gënjeshtra është prishja e çdo gjëje.” (“Gurarul Hikam”, hadithi nr. 1115). Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na mëson se e vërteta është themel i çdo vlere të mirë dhe shpëtimi, ndërsa gënjeshtra është burim i çdo shkatërrimi.

Këto janë thëniet e Profetit dhe të Ehli Bejtit për të vërtetën. Është detyrë e çdo myslimani që të njihet me trashëgiminë madhështore të Ehli Bejtit të Profetit Muhamed, sepse ata nuk janë thjesht emra por janë rruga e Profetit, mbartësit e mesazhit të tij dhe sqaruesit më të mirë të këtij mesazhi të nderuar. Ata janë të vërtetët e vërtetë, prandaj të kapemi pas tyre.

Sa bukur na porosit Allahu i Madhëruar në ajetet 70 dhe 71 në suren “Ahzab” ku thotë:

}يَـٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱتَّقُواْ ٱللَّهَ وَقُولُواْ قَوۡلࣰا سَدِيدࣰا70 يُصۡلِحۡ لَكُمۡ أَعۡمَٰلَكُمۡ وَيَغۡفِرۡ لَكُمۡ ذُنُوبَكُمۡۗ وَمَن يُطِعِ ٱللَّهَ وَرَسُولَهُۥ فَقَدۡ فَازَ فَوۡزًا عَظِيمًا{

“O ju që keni besuar! Jini të devotshmë ndaj Allahut dhe thoni vetëm të vërtetën. Ai do t’jua bekojë veprat tuaja dhe do t’jua falë gjynahet. Kush i bindet Allahut dhe të Dërguarit të Tij, do të arrijë një fitore madhështore.”

Qofshim prej të vërtetëve dhe prej përkrahësve të së vërtetës!