Llogaria e vetes dhe ndikimi i saj në këtë jetë dhe në Jetën Tjetër

Në ajetin 18 të sures “Hashr” Allahu i Madh`ëruar na porosit e na thotë:

{يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱتَّقُواْ ٱللَّهَ وَلْتَنظُرْ نَفْسٌ مَّا قَدَّمَتْ لِغَدٍۢ ۖ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ خَبِيرٌۢ بِمَا تَعْمَلُونَ}

“O ju që besuat! Kini frikë Allahun dhe le të shikojë çdo njeri se çfarë ka përgatitur për nesër.”  Ky ajet është themeli i vetëllogaritjes. Ai na mëson që të shohim sot se çfarë po përgatisim për Botën Tjetër.

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qoftë mbi të dhe familjen e tij!) i ka thënë Ebu Dherrit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “O Ebu Dherr, llogarite veten tënde para se të të bëhet llogaria, sepse kjo do të ta lehtësojë llogarinë tënde nesër. Pesho veprat e tua para se të peshohen, dhe përgatitu për paraqitjen e madhe, Ditën kur do të paraqitesh dhe asgjë nga ti nuk do t’i fshihet Allahut.”

Të dashur vëllezër dhe motra!

Kush dëshiron shpëtimin nga dënimi i Allahut dhe arritjen e lumturisë së përjetshme, patjetër duhet të mos i besojë plotësisht vetes së tij dhe të mos mashtrohet prej saj. Ai duhet të jetë gjithmonë kërkues e zbulues i mangësive të veta, sepse të metat janë të fshehura brenda vetes. Pas largimit të çdo të mete, do t’i shfaqet një tjetër, ashtu siç ka thënë i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!), se besimtarit nuk i largohet një e metë pa iu shfaqur një tjetër.

Ne duhet të llogarisim vetat tona në çdo kohë dhe ta dijmë se do të vijë dita kur do të japim llogari për veprat tona. Prandaj, le t’i bëjmë llogaritë sot dhe le të përgatisim përgjigjen për Ditën e Llogaridhënies. Prandaj, le t’i llogarisim vetat tona çdo ditë dhe të shohim se ku dhe për çfarë i kemi shpenzuar minutat e jetës tonë. Nëse i kemi shpenzuar në bindje ndaj Allahut, ato do të na sjellin dobi; nëse i kemi shpenzuar në mëkat, do të na sjellin dëm; e nëse nuk i kemi shpenzuar në asgjë, atëherë e kemi shkatërruar dhe humbur kapitalin e tonë që është jeta, duke ia dhënë atë djallit.

Kur të llogarisim veten tonë duhet ta nxisim dhe ta motivojmë atë që të shtojë të mirat. Duhet ta qortojmë veten, ta qortojmë ashpër, të pendohemi sinqerisht dhe të kthehemi tek Allahu. Duhet të përpiqemi të kompensojmë atë që kemi humbur me atë që na ka mbetur nga jeta. Nëse vetja nuk na bindet dhe nuk pranon, atëherë të polemizojmë me të, ta luftojmë dhe ta frenojmë me mendim të drejtë. Të kujtojmë ajetet e Kur’anit, thëniet profetike, dhe paralajmërimet e Allahut dhe t’i zbatojmë ato në jetën tonë sepse ato janë udhëzuesit në këtë jetë dhe shpëtuesit neë Jetën Tjetër.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Një nga shtyllat kryesore të edukimit shpirtëror në Islam është llogaria e vetes. Kjo do të thitë që njeriu ta marrë veten e tij në pyetje para se të merret në pyetje nga Allahu. Llogaria e vetes është çelësi i përmirësimit të jetës në këtë botë dhe shpëtimit në Jetën Tjetër.

1- Kuptimi i llogarisë së vetes

Llogaria e vetes do të thotë që besimtari të rishikojë veprat e tij çdo ditë, të gjykojë qëllimet dhe sjelljet e veta, të pendohet për gabimet dhe të vendosë të përmirësohet.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që e llogarit veten, përfiton; dhe ai që e neglizhon veten, humbet.” (Gurarul Hikem)

2- Llogaria e vetes në Kur’anin Shenjtë

Kur’ani na e kujton vazhdimisht përgjegjësinë personale. Ai na fton që të jemi të kujdesshëm dhe të jetojmë brenda korrnizave të caktuara nga Allahu Fuqiplotë. Në ajetin 18 të sures “Hashr” Allahu na porosit e na thotë:

{يَٰٓأَيُّهَا ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ ٱتَّقُواْ ٱللَّهَ وَلْتَنظُرْ نَفْسٌ مَّا قَدَّمَتْ لِغَدٍۢ ۖ وَٱتَّقُواْ ٱللَّهَ ۚ إِنَّ ٱللَّهَ خَبِيرٌۢ بِمَا تَعْمَلُونَ}

“O ju që besuat! Kini frikë Allahun dhe le të shikojë çdo njeri se çfarë ka përgatitur për nesër.”  Ky ajet është themeli i vetëllogaritjes. Ai na mëson që të shohim sot se çfarë po përgatisim për Botën Tjetër.

Në ajetin 14 të sures “Isra” Allahu i Madhëruar thotë:

{ٱقۡرَأۡ كِتَٰبَكَ كَفَىٰ بِنَفۡسِكَ ٱلۡيَوۡمَ عَلَيۡكَ حَسِيبࣰا}

“Lexoje librin tënd! Ti sot mjafton të jesh llogaritës i vetes tënde.”

Ky ajet nënkupton drejtësinë hyjnore. Çdo njeri do ta lexojë vetë librin e jetës së tij dhe do ta kuptojë qartë se çfarë ka bërë, pa pasur nevojë për dëshmitarë të tjerë. Ai do të jetë vetë gjykuesi i vetes së vet. Njeriu do të përballet me veprat e veta dhe do të mbajë përgjegjësi për to. Askush nuk do ta dijë më mirë gjendjen e tij sesa vetë ai, kur t’i paraqitet libri i veprave në Ditën e Gjykimit. Në Ditën e Gjykimit, njeriu do ta shohë vetë rezultatin e veprave të tij, prandaj llogaria në këtë botë është më e lehtë dhe më e dobishme.

3- Llogaria e vetes në hadithet e Profetit (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Llogariteni veten para se të llogariteni dhe peshojini veprat tuaja para se t’ju peshohen.”

Ky hadith na mëson se muhasebja është përgatitje për Ditën e Madhe të Llogarisë.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Më i mençuri nga të mençurit është ai që llogarit vetveten dhe vepron për atë që vjen pas vdekjes. Ndërsa më i marri nga të marrët është ai që shkon pas dëshirave të veta dhe shpreson tek Allahu vetëm me ëndërrime.” (Burimi: “Biharul Enuar”, vëll. 70, f. 69, hadithi 16.)

Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Njeriu nuk është nga të devotshmit (muttakin) derisa ta llogarisë vetveten më ashpër sesa ortakët njëri-tjetrin; të dijë prej nga e ka ushqimin, prej nga e ka pijen, prej nga e ka veshjen, a janë nga e lejuara apo nga e ndaluara?” (“Mekarimul Akhlak”, vëll. 2, f. 375)

4- Llogaria e vetes në hadithet e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi të!)

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Llogariteni vetveten për veprat që keni bërë, kërkojini asaj ta kryejë detyrimet që i janë ngarkuar, merrni nga e përkohshmja për të përhershmen dhe furnizohuni e përgatituni para se të dërgoheni (në Botën Tjetër).” (“Gurarul Hikem”, hadithi nr. 4934)

Imam Kadhimi (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk është prej nesh ai që nuk i bën llogari vetes çdo ditë. Nëse ka bërë vepër të mirë, le t’i kërkojë Allahut shtim dhe ta falënderojë Atë; e nëse ka bërë vepër të keqe, le t’i kërkojë falje Allahut për të dhe të pendohet tek Ai.”  (“El Ikhtisas”, f. 243, përmendur në Biharul Enuar”, vëll. 70, f.72, hadithi 24, kaptina 45.)

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Kur të shkosh në shtrat, shiko çfarë ke futur në barkun tënd dhe çfarë ke fituar gjatë ditës. Kujto se je i vdekur dhe se do të kthehesh (te Allahu).” (“Biharul Enuar”, vëll. 71, f. 267, hadithi 17; “Ed Da’uat” i Er Rauendij, f. 123, hadithi 302)

5- Ndikimi i llogarisë së vetes në këtë jetë

Llogaritja e vetes sjell dobi të mëdha në këtë jetë. Ajo përmirëson moralin dhe njeriu bëhet më i durueshëm, më i drejtë dhe më i sinqertë. Forcon marrëdhëniet shoqërore, sepse duke llogaritur veten e tij njeriu korrigjon gabimet ndaj të tjerëve. Llogaritja e vetes sjell qetësi shpirtërore, sepse e mban ndërgjegjja gjithmonë të pastër. Llogaritje e vetes të mbron nga mëkatet, sepse njeriu bëhet i vetëdijshëm për pasojat e gjynaheve dhe të mëkateve.

6- Ndikimi i llogarisë së vetes në Jetën Tjetër

            Llogaritja e vetes në këtë jetë shndërrohet në shpëtim në Jetën Tjetër. Kush e llogarit veten e tij në këtë jetë, do të ketë llogari më të lehtë para Allahut në Jetën Tjetër, do të jetë i shpëtuar, sepse duke llogaritur veten çdo ditë njeriu pendohet për të këqijat dhe gjynahet, kështu që largohet nga kjo jetë I pastër për shkak të pendimit.  Ai që e llogarit veten e tij në këtë jetë do të jetë afër Allahut në Jetën Tjetër. Ai që e llogarit veten e tij në këtë jetë do të hyjë në Xhennet me mëshirën e Allahut.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më e lehtë është llogaria e atij që e ka llogaritur veten në këtë botë.”

7- Si ta praktikojmë llogarinë e vetes?

Së pari: Çdo mbrëmje të pyesim veten: Çfarë bëra sot për Allahun?

Së dyti: Të krahasojmë veprat tona me Kur’anin dhe Sunetin e Profetit dhe të Ehli Bejtit.

Së treti: Të pendohemi menjëherë për gabimet.

Së katërti: Të vendosim synime konkrete për përmirësim.

Së pesti: Të lutemi që Allahu të na ndihmojë në pastrimin e shpirtit.

8- Gjëra për të cilat njeriu do të pyetet

Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) ka thënë: “Nuk do të lëvizin këmbët e robit në Ditën e Kiametit derisa të pyetet për katër gjëra: Për jetën e tij, në çfarë e kaloi; Për rininë e tij, në çfarë e shteroi; Për pasurinë e tij: nga e fitoi dhe në çfarë e shpenzoi; Dhe për dashurinë ndaj nesh, Ehli Bejtit.” (“E Khisal”, f. 253, hadithi 125).

Të dashur vëllezër dhe motra!

Jemi në fund të vitit 2025. Le të jetë llogaria e vetes në fund të këtij vitit një ndalesë e ndërgjegjshme për të parë rrugën që kemi bërë dhe për të përgatitur hapin e radhës drejt Allahut.

Të ndalemi me sinqeritetpara gjithçkaje; të gjejmë një moment qetësie,të bëjmë nijet për t’u përmirësuar,të kërkojmë ndihmën e Allahut.

Në fund të këtij viti të pyesim veten tonë:A i kam falur namazet në kohë?Si ka qenë lidhja ime me Kur’anin në vitin 2025?A kam qenë i sinqertë në adhurim apo jo?A jam penduar për mëkatet?Nëse kemi mangësi të bëjmë teube dhe të marrim vendim për përmirësim.

Të pyesim vetat tona: A kemi lënduar dikë me fjalë apo vepra? A kemi qenë të drejtë, të butë, të mëshirshëm e të sjellshëm? A kemi falur apo kem mbajtur inate e mëri? Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Lum ai që e angazhon veten me përmirësimin e vetes dhe nuk merret me të metat e të tjerëve.”

Nëse kemi gabuar, të kërkojmë faljeje dhe të rregullojmë  marrëdhëniet.

Të shohim moralin dhe sjelljen personale: Vallë a kemi gënjyer, a kemi përgojuar, a kemi thënë fjalë të kota? Si kanë qenë shikimet dhe mendimet tona? A kemi qenë të durueshëm? A e kemi kontrolluar zemërimin? A kemi qenë modestë e të sinqertë?

Në këtë fund viti tëreflektojmë e të pyesim veten: Si e kam shpenzuar kohën këtë vit? A kam investuar në dije dhe vepra të mira? Sa kohë kam humbur në gjëra të padobishme?

Llogaritja e vetes nuk është vetëm qortim. Në këtë fund viti të falënderojmë Allahun për çdo të mirë, për shëndetin, familjen, besimin, për çdo sukses dhe për çdo sprovë. Allahu i Madhëruar thotë: “Nëse falënderoni, do t’jua shtoj (mirësitë).” (Sure “Ibrahim”, ajeti 7)

Në këtë fund viti të vendosim qëllimet për vitin që do të vijë: qëllim për adhurim (p.sh. namazi në kohë), për moralin (p.sh. kontrolli i gjuhës), për dijen dhe shërbimin ndaj të tjerëve.Kush e llogarit veten në fund të vitit ai pastron ndërgjegjen, forcon besimin dhe përgatitet për Jetën Tjetër

Llogaria e vetes është pasqyrë e besimit dhe çelës i suksesit në të dy botët. Ai që e llogarit veten sot, do të gjejë rehati nesër; ai që e harron sot, do të pendohet kur pendimi nuk do të vlejë.

Në ajetet 9 dhe 10 të sures “Shems” Allahu i Madhëruar thotë:

{قَدۡ أَفۡلَحَ مَن زَكَّىٰهَا (9) وَقَدۡ خَابَ مَن دَسَّىٰهَا (10)}

“Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.”

Të lutemi e të themi:  O Allah! Na fal për atë që kaloi, na beko atë që vjen dhe na bëj prej atyre që e përmirësojnë veten para se të qëndrojnë para Teje.