Është transmetuar nga Prijësi i besimtarëve (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Konkuroni në të mirat për vëllezërit tuaj dhe bëhuni prej atyre që i bëjnë ato, sepse Xhenneti ka një derë që quhet ‘e mira’ (el ma’ruf), dhe nuk hyn në të askush përveç atij që ka bërë të mira në jetën e kësaj bote. Me të vërtetë, robi ecën për të plotësuar nevojën e vëllait të tij besimtar dhe Allahu cakton për të dy melekë – njërin në të djathtë dhe tjetrin në të majtë – të cilët kërkojnë falje për të nga Zoti i tij dhe luten për plotësimin e nevojës së tij…” “(Xhami’u Es Se’adt, vëll. 2, f. 238.)
Nga mirësitë e mëdha të Allahut është që njeriu të ketë sukses në kryerjen e një shërbimi apo të mire ndaj vëllezërve të tij, sepse nëse do të kuptonte se çfarë ka përgatitur Allahu i Lartësuar për të, një dhuratë të përjetshme që nuk mbaron, do ta kuptonte që në të vërtetë është e kundërta. Kjo do të thotë se nevojtari dhe ai që merr ndihmë është në të vërtetë ai që po i bën një shërbim ndihmuesit dhe dhuruesit, sepse ai është shkaku që ky i fundit të fitojë këtë dhuratë të Allahut. Prandaj, nuk është e drejtë që t’i ofrohet dikujt mundësia për të ndihmuar të tjerët dhe për t’u dalë në ndihmë, e ai ta humbasë atë mundësi.
Në të vërtetë, kur dikush të troket në derë duke pasur nevojë për ndihmën tënde, ai ka sjellë mëshirën e Allahut të Lartësuar te ti. Prandaj duhet të gëzohesh dhe ta presësh me një fytyrë plot buzëqeshje dhe gëzim. Nëse arrin t’ia plotësosh kërkesën dhe nevojën, atëherë kjo do të jetë një shtesë në veprat e tua të mira dhe një pasuri për Ditën e Kthimit (Ditën e Gjykimit). E nëse nuk mundesh, atëherë përpiqu për ta ndihmuar duke kërkuar kënaqësinë e Allahut të Madhëruar.
Nuk është e hijshme të përballesh me të me një fytyrë të vrenjtur, fjalë të ashpra dhe sjellje poshtëruese, madje edhe kur nuk je në gjendje ta ndihmosh apo t’ia plotësosh kërkesën, sepse paaftësia për të përmbushur kërkesën e tij nuk e justifikon keqtrajtimin e tij, sidomos duke qenë se ai është një shkak nga shkaqet e mëshirës hyjnore, ashtu siç është thënë në hadith: “Çdo besimtar që shkon te vëllai i tij për një nevojë, ai në të vërtetë është mëshirë nga Allahu që i është sjellë dhe i është mundësuar. Nëse ia përmbush nevojën, ai e ka pranuar mëshirën duke e pranuar atë. Por nëse e kthen mbrapsht, ndërkohë që ka mundësi t’ia plotësojë, ai në fakt ka refuzuar një mëshirë nga Allahu i Lartësuar që i ishte sjellë dhe mundësuar për të. Allahu e ruan atë mëshirë për Ditën e Kiametit, dhe atëherë ai që ishte refuzuar nga nevoja e tij do të jetë gjykuesi mbi të: nëse do, do ta drejtojë te vetja, dhe nëse do, te dikush tjetër.” (Po aty, faqja 239.).
Në këshillën e mëparshme, imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) na foli për shpërblimin e madh që është përgatitur për ata që bëjnë mirësi, si shpërblim për ecjen dhe hapat e tyre në përmbushjen e nevojave të vëllezërve të tyre. Ai na tregoi për fushën ku zhvillohet ky tregti fitimprurëse me Allahun dhe të Dërguarin e Tij (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!), me fjalën e tij: “Kushdo që bën mirësi në jetën e kësaj bote…”
Prandaj, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të çmuar dhe të zbukurojmë faqet e ekzistencës sonë me të, dhe nga Krijuesi i Lartësuar na pret shpërblimi më i mirë.
- Shërbimi ndaj njerëzve është shërbim ndaj Allahut
Është transmetuar nga imami Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), transmetohet: “Kush i plotëson një nevojë vëllait të tij mysliman, është sikur t’i ketë shërbyer Allahut të Madhëruar gjatë gjithë jetës së tij.” (“Gauali El Le’ali”, vëll. 1, f. 374.).
Imami Khomeini (Zoti e mëshiroftë!) thotë: ‘Le t’i përgatisin vetet e tyre të dashurit tanë të nderuar për shërbimin ndaj Islamit dhe popullit të shtypur, dhe le t’i shtrëngojnë rripat për t’u vënë në shërbim të robërve të Allahut, sepse ky shërbim është vetë shërbim ndaj Allahut.’
Ky hadith fisnik na zbulon thellësinë dhe realitetin e shërbimit njerëzor, duke na treguar se ai është një shërbim hyjnor për sa kohë që synimi është për hir të Allahut dhe për të fituar kënaqësinë e Tij. E nëse qëllimi është për t’u mburrur, për të fituar simpatinë e njerëzve me ndikim apo për t’u dukur dhe për t’i bërë përshtypje të tjerëve, atëherë nuk ka asnjë dyshim se ajo nuk konsiderohet si shërbim ndaj Allahut të Madhëruar, por vetëm si shërbim ndaj njerëzve për të fituar një pozitë kalimtare në këtë botë të përkohshme.
- Shërbimi ndaj njerëzve është vepra më e mirë
Sa herë që shërbimi bëhet sinqerisht për hir të Allahut, ai është nga veprat më të mira dhe më të dashura për Allahun e Madhëruar. Imami Khomeini (Zoti e mëshiroftë!) ka thënë: ‘Nuk mendoj se ka adhurim më të mirë se shërbimi ndaj të varfërve.’
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!), ka thënë: “Të eci bashkë me një vëlla për të plotësuar një nevojë të tij, derisa ajo të përmbushet, është më e dashur për mua sesa të liroj një mijë skllevër dhe të përgatit për luftë në rrugë të Allahut një mijë kuaj të pajisur me të gjitha mjetet.” (Biharul Enuar”, vëll. 74, f. 316.).
Në një hadith tjetër: “Allahu i Madhëruar ka thënë: Krijesat janë familja Ime, dhe më i dashuri prej tyre për Mua është ai që është më i butë dhe më i kujdesshëm ndaj tyre, dhe që përpiqet më shumë në përmbushjen e nevojave të tyre.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 199.).
Imam Bakir (Paqja qoftë mbi të!) na rrëfen për shkallën e dashurisë dhe përparësisë që ai i jepte shërbimit ndaj të varfërve: “Të kujdesem për një familje myslimane, t’u shuaj urinë dhe t’i vesh në mënyrë që të mos kenë nevojë të shtrijnë dorën te të tjerët, është më e dashur për mua sesa të kryej haxh një herë, pastaj një herë tjetër dhe një tjetër… derisa të arrij në dhjetë herë, pastaj një tjetër dhe një tjetër… derisa të arrij në shtatëdhjetë herë.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 195.)
- Frytet e shërbimit ndaj njerëzve
Në transmetimet e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi të!) gjendet një shpjegim i mjaftueshëm dhe i plotë mbi ndikimet dhe pasojat pozitive që vijnë nga shërbimi ndaj njerëzve, në forma dhe mënyra të ndryshme. Madje, është bërë përparësi për çdo lloj shërbimi sipas fryteve që ka. Por këtu do t’i përmendim të gjitha së bashku, pa hyrë në ndarje të veçanta për secilën, për shkak të kufizimit të hapësirës.
1- Siguri në Ditën e Gjykimit
Është transmetuar nga imam Musa El Kadhim (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Me të vërtetë, Allahu ka robër në tokë që kujdesen për nevojat e njerëzve, ata do të jenë të sigurt në Ditën e Gjykimit.” (“Biharul Enuar”, vëll. 74, f. 319.).
2- Një milion shpërblime
Është transmetuar nga imam Bakir (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kush përpiqet të plotësojë nevojën e vëllait të tij mysliman duke kërkuar kënaqësinë e Allahut, Allahu do t’i shkruajë atij një milion (një mijë mijë) vepra të mira.”( “El Kafij”, vëll. 2, f. 197.).
Ky efekt shpirtëror shihet edhe nëse nevoja nuk përmbushet, për sa kohë personi është përpjekur me sinqeritet. E nëse nevoja përmbushet, shpërblimi është edhe më i madh. Ky hadith gjithashtu thekson se qëllimi duhet të jetë për hir të Allahut dhe jo për sy të botës apo për përfitime personale.
3- Shpërblimi i adhurimit për 9000 vjet
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush përpiqet të plotësojë nevojën e vëllait të tij besimtar, është sikur të kishte adhuruar Allahun për nëntë mijë vjet, agjëruar ditën dhe falur namaz gjatë gjithë natës.” (“Biharul Enuar”, vëll. 74, f. 315.).
4- Allahu kujdeset për të
Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Kush kujdeset për nevojat e vëllait të tij besimtar mysliman, Allahu kujdeset për nevojat e tij për aq kohë sa ai kujdeset për nevojën e të vëllait.” (“Emalij” i Et Tusij, f. 97.).
5- Melekët kërkojnë falje për të
Në një hadith: “Kur robi ecën për të përmbushur nevojën e vëllait të tij besimtar, Allahu i cakton dy melekë, një në të djathtë dhe një në të majtë, të cilët kërkojnë falje për të nga Zoti dhe luten që t’i plotësohet nevoja.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 195.).
6- Shpërblimi i luftëtarëve në rrugë të Allahut
Është transmetuar nga Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!): “Kush ecën për të ndihmuar vëllain e tij dhe për t’i sjellë dobi, ai ka shpërblimin e luftëtarëve në rrugën e Allahut.” (“Theuabul A’mali”, f. 340.).
7- Shpërblimi i sa’jit (ecjes) mes Safas dhe Mervës
Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Ai që ecën për nevojën e vëllait të tij është si ai që bën ecjen (sa’jin) mes Safasë dhe Mervasë.” (“Tuhaful Ukuli”, f. 303.).
8- Sikur të kishte adhuruar Allahun gjithë jetën
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Kush plotëson nevojën e vëllait të tij besimtar, është sikur të kishte adhuruar Allahun gjatë gjithë jetës.” (“Mijzanul Hikmeti”, hadithi nr. 4461.)
9- Fiton Xhennetin
Është transmetuar nga imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Nuk e përmbush një mysliman nevojën e një myslimani tjetër pa e thirrur Allahu i Madhëruar: ‘Unë e marr përsipër shpërblimin tënd, dhe nuk jam i kënaqur për ty me asgjë më pak se Xhenneti.’” (“Mijzanul Hikmeti”, hadithi nr. 4465.)
10- Veshtje nga Xheneti
Në një hadith thuhet: “Kush i dhuron një besimtari një veshje kur ai është i zhveshur, Allahu do ta veshë me mëndafshin e Xhenetit. E kush i jep veshje një besimtari nga pasuria e tij, do të mbulohet me mbrojtjen e Allahut për aq kohë sa të qëndrojë ndonjë copë e asaj veshjeje.”( “El Kafij”, vëll. 2, f. 205.).
11-Lehtësim në çastet e vdekjes
12- Zgjerim i varrit nga Allahu
13- Melekët e presin me përgëzim
Këto katër përfitime janë përmendur në një hadith të përmbledhur të transmetuar nga Kulejni në “El Kafij”: “Kush i dhuron vëllait të tij një veshje për dimër apo verë, është detyrë e Allahut që ta veshë me rrobat e Xhennetit, t’ia lehtësojë agoninë e vdekjes, t’ia zgjerojë varrin dhe ta takojnë melekët me përgëzim kur të dalë nga varri.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 204.).
14- Pranimi i veprave
Është transmetuar nga imam Kadhim (Paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “Vepra e fundit që ju mbyll punët është përmbushja e nevojave të vëllezërve tuaj dhe të bëni mirë ndaj tyre, për aq sa keni mundësi. E nëse jo, nuk do të pranohen prej jush veprat.” (“Biharul Enuar”, vëll. 75, f. 379.).

