Lakmia dhe ndikimi i saj te njeriu

Një nga sëmundjet më të rrezikshme të zemrës, për të cilën Kur’ani Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) na kanë paralajmëruar vazhdimisht, është lakmia. Lakmia nuk është thjesht dëshirë për diçka, por është një etje e pangopur që nuk njeh kufi, nuk njeh kënaqësi dhe nuk njeh drejtësi. Lakmia e bën njeriun rob të dynjasë dhe ia errëson shikimin ndaj së vërtetës. Ajo e prish ekuilibrin e shpirtit, e errëson mendjen dhe e largon njeriun nga e drejta, e vërteta dhe nga kënaqësia me caktimin Allahut.

Çfarë është lakmia?

Lakmia është dëshira e tepruar dhe e pakontrolluar për pasuri, pushtet, famë ose kënaqësi, pa marrë parasysh hallallin dhe haramin, të drejtën dhe padrejtësinë.

Lakmia e bën njeriun të mos jetë kurrë i kënaqur në këtë jetë. Edhe kur ka shumë, ai kërkon më shumë; edhe kur është i pasur, ndihet i varfër.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Nëse biri i Ademit do të kishte një luginë me ar, do të dëshironte një të dytë; dhe nuk e mbush barkun e tij veçse dheu.”

Gjithashtu, Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “O Ali! Ta dish se frika, koprracia dhe lakmia janë një natyrë e vetme, që buron nga mendimi i keq (dyshimi i tepruar).” (Ilelu Esh Sherai’”, f. 559, hadithi nr.1)

Lakmia në Kur’an

Në ajetin 19 të sures “Mearixh” Allahu i Madhëruar thotë:

{إِنَّ ٱلۡإِنسَٰنَ خُلِقَ هَلُوعًا}

“Njeriu është krijuar i etur dhe lakmitar.”

Ky ajet tregon se prirja për lakmi ekziston në natyrën njerëzore, por feja ka ardhur për ta edukuar, frenuar dhe drejtuar këtë prirje, jo për ta lënë të lirë.

Gjithashtu, në ajetet 1 dhe 2 të sures “Tekathur” Allahu i Madhëruar thotë:

{أَلۡهَىٰكُمُ ٱلتَّكَاثُرُ (1) حَتَّىٰ زُرۡتُمُ ٱلۡمَقَابِرَ}

“Gara për shtimin e pasurisë dhe të numrit ju ka shpërqendruar, derisa vizituat varret.”

Ky ajet e përshkruan qartë lakminë si një garë shkatërruese që e mashtron njeriun deri në vdekje.

Llojet e lakmisë

Lloji i parë: Lakmia për pasuri dhe dynja

Ky është lloji më i përhapur i lakmisë dhe përfshin grumbullimiin e pasurisë pa kufi, dashurinë e tepruar për paranë, frikën nga dhënia dhe sadakaja. Kjo lakmi e bën njeriun koprrac, të padrejtë dhe të gatshëm të shkelë të drejtat e të tjerëve

Në ajetin 20 të sures “Fexhr” Allahu i Madhëruar thotë:

{وَتُحِبُّونَ ٱلۡمَالَ حُبّٗا جَمّٗا }

“Ju e doni pasurinë me një dashuri të tepruar.”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Lakmia është varfëri e përhershme.” (Nehxhul Belaga). Njeriu lakmitar, edhe nëse ka shumë, nuk ndihet kurrë i pasur.

Lloji i dytë:  Lakmia për pushtet dhe pozitë

Ky lloj i lakmisë shfaqet kur njeriu kërkon autoritet për lavdi personale, dëshiron të sundojë e jo të shërbejë, sakrifikon parimet për interes personal.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush e kërkon pushtetin për veten e tij, ai shkatërrohet.”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dashuria për pushtetin është fillimi i çdo sprove.” Lakmia për pushtet shpesh çon në padrejtësi, shtypje dhe shkatërrim të besimit dhe moralit. Lakmia për pushtet e bën njeriun të harrojë se pushteti është amanet, jo privilegj.

Lloji i tretë: Lakmia për famë dhe lavdërim

Ky është një lloj lakmie e fshehtë. Duke patur këtë lakmi në brendi të tij njeriu dëshiron që njerëzit të flasin mirë për të, edhe pse nuk e meriton, veprat e lavdërueshme i bën për sy e faqe dhe adhurimin e kryen për reputacion, jo për Allahun. Kjo lakmi e shkatërron sinqeritetin dhe e zbraz adhurimin nga shpërblimi.

Në ajetin 188 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:

{وَّيُحِبُّونَ أَن يُحۡمَدُواْ بِمَا لَمۡ يَفۡعَلُواْ}

“Ata duan të lavdërohen për atë që nuk e kanë bërë.”


Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë:“Çdo hipokrizi buron nga dashuria për famë.”Ky lloj i lakmisë është i rrezikshëm sepse fshihet pas veprave të mira.

Lloji i kaërt: Lakmia ndaj epsheve dhe dëshirave

Kjo lakmi shfaqet kur njeriu ndjek epshin pa kufi, në ushqimin, kënaqësinë epshore dhe në shikimin e ndaluar. Kjo lakmi e ul njeriun në nivel instinktesh dhe ia dobëson vullnetin dhe moralin.

Në ajetin 23 të sures “Xhathije”Allahu i Madëruar thotë:

{أَفَرَءَيۡتَ مَنِ ٱتَّخَذَ إِلَٰهَهُۥ هَوَىٰهُ …}

“A e ke parë atë që e ka marrë epshin e tij për zot?”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush ia dorëzon veten epshit, e ka shkatërruar veten.” Lakmia ndaj epsheve e ul njeriun nga dinjiteti i tij njerëzor.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Lakmia poshtëron dhe e bën njeriun të mjerë.” (Gurerul Hikem”, hadithi nr. 869.)

Ndikimi i lakmisë te njeriu

1- Ndikimi shpirtëror

Lakmia e ngurtëson zemrën, largon nga Allahudhe shuan kënaqësinë shpirtërore.

Njeriu lakmitar është gjithmonë i shqetësuar, i frikësuar, i pakënaqur dhe me zemër të ndryshkur. Në ajetin 14 të sures Allahu thotë:

{كَلَّاۖ بَلۡۜ رَانَ عَلَىٰ قُلُوبِهِم مَّا كَانُواْ يَكۡسِبُونَ}

“Jo, por zemrat e tyre janë ndryshkur nga ajo që kanë vepruar.”

Imam Zejnul Abidini (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Lakmia e errëson zemrën dhe e shuan dritën e besimit.”

2- Ndikimi moral

Lakmia sjell gënjeshtrën, mashtrimin dhe tradhtinë. Njeriu lakmitar fillon të justifikojë çdo gabim për hir të interest personal.

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Lakmia mbjell armiqësi dhe korr poshtërim.”

3- Ndikimi shoqëror

Një shoqëri e sunduar nga lakmia humb drejtësinë, humb solidaritetin shton varfërinë dhe urrejtjen. Lakmia prish marrëdhëniet mes njerëzve dhe krijon ndarje e mospajtime.

3. Ndikimi në Ahiret

Lakmia e tepruar e lidh zemrën me dynjanë dhe e bën njeriun të harrojë llogarinë në Jetën Tjetër. Njeriu duhet të dijë se në Jetën Tjetër nuk do t’i bëjë dobi as pasuria e as fëmija, siç thotë Allahu i Madhëruar në suren Shua’ra, ajetet 88-89:

{يَوۡمَ لَا يَنفَعُ مَالٞ وَلَا بَنُونَ (88) إِلَّا مَنۡ أَتَى ٱللَّهَ بِقَلۡبٖ سَلِيمٖ }

“Dita kur pasuria dhe fëmijët nuk do të bëjnë dobi, përveç atij që i vjen Allahut me zemër të pastër.”

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!.) ka thënë: “Më i rrezikshmi për robin është epshi që ndiqet dhe lakmia që sundon.”

Si të shërohemi nga lakmia?

Mjetet e shërimit nga lakmia janë: Kënaqësia me dhënien dhe caktimin e Allahut; Përkujtimi i vdekjes dhe i Jetës Tjetër; Sadekaja dhe dhënia për hir të Allahut; Fuqizimi i besimit dhe i vetëpërmbajtjes dhe shoqërimi me njerëz të devotshëm

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Pasuria e vërtetë nuk është bollëku i pasurisë, por kënaqësia e zemrës.”

Në ajetin 9 të sures “Hashr” Allahu i Madhëruar thotë:

{…وَمَن يُوقَ شُحَّ نَفۡسِهِۦ فَأُوْلَٰٓئِكَ هُمُ ٱلۡمُفۡلِحُونَ}

“…Ai që ruhet nga lakmia e vetes së tij, ai është prej të shpëtuarve.”

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kënaqësia është pasuri që nuk shteron.”

Në çfarë është e lavdërueshme lakmia

Për këtë imam MuhamedE-Bakiri (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk ka lakmi më të mirë se garimi për shkallët e larta (në Ahiret).” (“Tuheful Ukul”, f. 286)

Të dashur ëllezër dhe motra!

Lakmia është një sprovë e madhe dhe vazhdueshme për njeriun. Kur’ani Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) nuk na thërrasin të braktisim dynjanë, por të mos bëhemi robër të saj. I lirë është ai që e sundon lakminë, ndërsa i robëruar është ai që sundohet prej saj, lakmisë

Lakmia është një sëmundje e zemrës që e robëron njeriun dhe ia shkatërron qetësinë. Islami nuk na fton në varfëri, por në ekuilibër, kufizim të dëshirave dhe në liri shpirtërore. I lumtur nuk është ai që ka më shumë, por ai që ka zemër të kënaqur dhe lidhje të fortë me Allahun.

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Lakmitari është i privuar (nga të mirat), dhe për më tepër është i qortuar për çdo gjë që lakmon. E si të mos jetë i privuar, kur ai ka ikur nga lidhja me Allahun e Lartësuar?!” (Misbahu Esh S heri’a”, f. 187).

Imam Aliu (a.s.) ka thënë: “Refuzimi i lakmisë ia pret rrugën etjes së madhe për pasuri dhe dëshirave të pangopura.” (“Gurerul Hikem”, hadithi nr. 5396)

Në ajetin 84 të sures “Maide” thuhet:

}وَنَطْمَعُ أَنْ يُدْخِلَنَا رَبُّنَا مَعَ الْقَوْمِ الصَّالِحِينَ{

“…Dhe lakmojmë që edhe neve Zoti Ynë do të na bashkojë me njerëzit e mirë?!”

Allahu na bëftë prej atyre që kanë zemra të shkëputura nga lakmia, të pastra, të kënaqura dhe të mbushura me besim!