Smira në dritën e Kur’anit, Profetit Muhamed dhe Ehli Bejtit

Në ajetin 109 të sures “Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
}وَدَّ كَثِيرٌ مِنْ أَهْلِ الْكِتَابِ لَوْ يَرُدُّونَكُمْ مِنْ بَعْدِ إِيمَانِكُمْ كُفَّارًا حَسَدًا مِنْ عِنْدِ أَنْفُسِهِمْ مِنْ بَعْدِ مَا تَبَيَّنَ لَهُمُ الْحَقُّ فَاعْفُوا وَاصْفَحُوا حَتَّى يَأْتِيَ اللَّهُ بِأَمْرِهِ إِنَّ اللَّهَ عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ{

“Shumë nga ithtarët e Librit, prej smirës që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të arrijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë.”

Një nga sëmundjet më të rrezikshme të zemrës, që Islami e ka trajtuar me shumë seriozitet, është smira (hasedi). Ajo është një sëmundje e brendshme, por pasojat e saj shfaqen në shoqëri, në familje dhe në marrëdhëniet mes njerëzve.

Çfarë është smira?
Smira ka kuptimin e ndjenjës së lakmisë dhe të keqdashjes, që ngjallet kur shohim dikë më mirë se veten po ashtu do të thotë: Të dëshirosh që mirësia, begatia ose suksesi i dikujt tjetër t’i hiqet atij.
Nga lind ndjenja e smirës?
Kjo ndjenjë lind nga mungesa e kënaqësisë me caktimin e Allahut, nga krahasimi i vazhdueshëm me të tjerët, nga dashuria e tepruar për dynjanë. Smira nuk është thjesht një mendim i keq, por kundërshtim i urtësisë së Allahut. Smira lind kur njeriu nuk pranon se mirësitë janë dhuratë nga Allahu.
A e përmend Kur’ani smirën?
Po e përmend. Kur’ani e përmend dhe e dënon qartë smirën. Kur’ani e paraqet smirën si rrezik shpirtëror. Në ajetin 5 të sures “Felek” Allahu i Madhëruar thotë:
}وَمِن شَرِّ حَاسِدٍ إِذَا حَسَدَ {
“Dhe nga e keqja e smirakut kur ai smiron.”
Allahu na mëson të kërkojmë mbrojtje nga smiraku, sepse smira është burim dëmi, qoftë me fjalë, veprime apo energji shpirtërore negative.
Në ajetin 54 të sures “Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:
{أَمْ يَحْسُدُونَ ٱلنَّاسَ عَلَىٰ مَآ ءَاتَىٰهُمُ ٱللَّهُ مِن فَضْلِهِۦ …}
“A mos vallë i kanë zili njerëzit për atë që Allahu u ka dhënë nga mirësia e Tij?…”
Ky ajet na mëson se Begatitë, mirësitë dhe sukseset janë dhuratë e Allahut.Të kesh smirë do të thotë të mos jesh i kënaqur me caktimin e Allahut dhe të dyshosh në drejtësinë e Allahut. Besimtari i vërtetë nuk e mat veten me atë që kanë të tjerët, por me bindjen, falënderimin dhe përpjekjen e tij. Smira nuk e ndryshon atë që Allahu ka dhënë, por dëmton zemrën dhe besimin e smirakut. Rruga e drejtë është kënaqësia me mirësinë e Allahut dhe përpjekja e ndershme, jo smira e zilia ndaj të tjerëve.

Smira është rrënja e mëkateve të mëdha
Sipas Kur’anit të Shenjtë dhe historisë islame, smira ka qenë shkaku i mosbindjes së Iblisit ndaj Allahut. Smira ka qenë arsyeja e vrasjes së parë në tokë (Kabili ndaj Habilit). Smira ka qenë dhe është burim i armiqësive mes popujve dhe familjeve. Smira shkatërron zemrën e smirakut para se të dëmtojë tjetrin.
Smira në thëniet e Profetit dhe të Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!)
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ruhuni nga smira, sepse smira i ha veprat e mira ashtu si zjarri e ha drurin.”
“Xhami‘ul Akhbar”, f. 451, hadithi 1266.
Sipas këtij hadithi të Profetit tonë të dashur smira e shkatërron shpërblimin e ibadeteve, e zbraz zemrën nga drita e imanit dhe e bën njeriun të pakënaqur edhe kur ka shumë.
Në një hadith tjetër Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Zilia gati sa nuk e ka mposhtur kaderin (caktimin e Allahut).” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 307, hadithi 4.)
Nga ky hadith kuptojmë se kush smiron, nuk po lufton tjetrin, por po lufton caktimin e Allahut, dhe në këtë luftë humbet vetë smiraku, sepse smira nuk e ndryshon caktimin (kaderin), por e shkatërron imanin dhe veprat e njeriut. Ajo e largon zemrën nga dorëzimi ndaj Allahut dhe e çon drejt padrejtësisë, urrejtjes dhe pakënaqësisë.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Zilia nuk sjell veçse dëm dhe mllef që dobëson zemrën tënde dhe sëmur trupin tënd.” “El Biharu”, vëll. 73, f. 256, hadithi nr. 29
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Smira është burgosje e shpirtit.” (Gurerul Hikem”, hadithi nr. 372)
Dhe: “Smira është kurthi më i madh i Iblisit.” (“Gurerul Hikem”, hadithi nr. 1133)
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ruhuni që të mos keni smirë ndaj njëri-tjetrit, sepse rrënja e kufrit është smira.” “El Kafi”, vëll. 8, f. 8, hadithi nr. 1.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Smira është më e keqja e sëmundjeve.” (Gurerul Hikem”, hadithi nr. 332)
Dhe: “Shëndeti i trupit vjen nga mungesa e smirës.” (“Nehxhul Belaga”, urtësia nr. 256.
I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Allahu i Lartësuar i tha Musait, birit të Imranit: ‘O bir i Imranit, mos i ki smirë njerëzit për atë që u kam dhënë nga mirësia Ime, mos i drejto sytë nga ajo, dhe mos e ndiq me dëshirën tënde, sepse smiraku është i zemëruar ndaj mirësive të Mia dhe kundërshton ndarjen që kam bërë mes robëve të Mi.’” (El Kafi”, vëll. 2, f. 307, hadithi nr. 6.
Shenjat e smirakut
Për shenjat e smirakut i Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Shenjat e zilqarit janë katër: përgojimi, lajkatimi, gëzimi ndaj fatkeqësisë dhe smira.” “Tuhaful Ukuli”, f. 22.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Smiraku nuk gjen qetësi, sepse zemra e tij digjet nga ajo që Allahu u ka dhënë të tjerëve.”
Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Lukmani i tha të birit: Zilqari ka tre shenja: përgojon kur tjetri nuk është i pranishëm, bën lajka kur është prezent dhe gëzohet kur tjetri goditet nga fatkeqësia.” (“El Hisal”, f. 121, hadithi 113.)
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Smiraku është gjithmonë i sëmurë, edhe nëse trupi i tij duket i shëndetshëm.” (Gurarul Hikem” hadithi nr. 1963.)
Dhe: “Smiraku është i zemëruar ndaj kaderit (caktimit të Allahut).” (“Gurarul Hikem” hadithi nr. 1270.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Smiraku gëzohet me të këqijat dhe hidhërohet me të mirat (e të tjerëve).” “Gurarul Hikem”, hadithi nr. 1474

Si të kurohemi nga smira?
Islami ka caktuar disa hapa praktikë për shërimin nga smira që janë:
Hapi i parë: Kënaqësia me caktimin e Allahut. Të jemi të vetëdijshëm se çdo begati ndahet me urtësi të Allahut.
Hapi i dytë: Lutja për tjetrin. ProfetiMuhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) na mëson se lutja për tjetrin e pastron zemrën.
Hapi i tretë: Falënderimi për atë që kemi. Kush falënderon, Allahu ia shton begatinë.
Hapi i katërt: Kujtimi i Jetës Tjetër. Të jemi të vetëdijshë e të bindur se kjo jetë është e përkohshme, shpërblimi i përhershëm është te Allahu në Jetën Tjetër.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Smira nuk i pakëson begatitë e tjetrit, por i shkatërron veprat dhe qetësinë e vetes. Besimtari i vërtetë gëzohet për mirësinë e tjetrit, i dorëzohet drejtësisë së Allahut, e pastron zemrën para se të rregullojë sjelljen.
Lusi Allahun të na pastrojë zemrat nga smira, të na bëjë prej atyre që gëzohen për të mirën e të tjerëve, dhe të na zbukurojë me moralin e Profetit Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe të Ehli Bejtit të tij! Allahu na e pastroftë zemrën dhe na e forcoftë imanin!