Në ajetin 56 të sures “Dhariajt” Allahu i Madhëruar thotë:
{وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنْسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ}
“Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.”
Ky ajet na mëson se: Qëllimi kryesor i ekzistencës së njeriut dhe xhindëve është adhurimi i Allahut, jo jeta pa drejtim apo vetëm ndjekja e dëshirave.
Na mëson se adhurimi nuk kufizohet vetëm në rituale (namaz, agjërim), por përfshin njohjen e Allahut, bindjen ndaj Tij dhe jetesën sipas udhëzimeve të Tij.
Na mëson se njeriu është krijuar me një mision të lartë: të jetë rob i vetëdijshëm, i lirë nga robëria ndaj pasioneve dhe krijesave.
Na mëson se vlera e njeriut matet me shkallën e adhurimit dhe devotshmërisë, jo me pasurinë apo pushtetin.
Na mëson se njeriu është krijuar për të jetuar një jetë me kuptim, duke e njohur, adhuruar dhe respektuar Allahun në çdo aspekt të jetës.
Por për shkak të egos, harresës, mashtrimeve të djallit dhe të dhënit pas dynjasë dhe bukurive të saj kalimtare, njeriu largohet nga Krijuesi dhe Furnizuesi i tij. Megjithatë, Allahu nuk e ka mbyllur kurrë derën e kthimit. Kthimi tek Allahu fillon me pendimin. Pendimi (teubeja) nuk është vetëm ndalesë nga mëkati, por rikthim i zemrës te Zoti i saj.
Kthimi tek Allahu në thëniet e Profetit dhe të Ehli Bejtit nënkupton pendimin e sinqertë (teubetun nasuhatun) dhe kthimin tek Ai me zemër dhe me vepra. Në ajetin 8 të sures “Tahrim”, Allahu I amdhëruar thotë:
}يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا تُوبُوا إِلَى اللَّهِ تَوْبَةً نَّصُوحًا عَسَىٰ رَبُّكُمْ أَن يُكَفِّرَ عَنكُمْ سَيِّئَاتِكُمْ وَيُدْخِلَكُمْ جَنَّاتٍ تَجْرِي مِن تَحْتِهَا الْأَنْهَارُ يَوْمَ لَا يُخْزِي اللَّهُ النَّبِيَّ وَالَّذِينَ آمَنُوا مَعَهُ ۖ نُورُهُمْ يَسْعَىٰ بَيْنَ أَيْدِيهِمْ وَبِأَيْمَانِهِمْ يَقُولُونَ رَبَّنَا أَتْمِمْ لَنَا نُورَنَا وَاغْفِرْ لَنَا ۖ إِنَّكَ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ{
“O ju, që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj, Ditën, kur Allahu nuk do ta turpërojë Profetin dhe ata që besuan bashkë me atë. Drita e tyre do të shkëlqejë para tyre dhe në të djathtë të tyre. Ata do të thonë: “O Zoti ynë, përsose dritën tonë dhe falna ne! Vërtet Ti je i Fuqishëm për çdo gjë”.
Kthimi tek Allahu përfshin: pendesën për mëkatet, vendosmërinë për të mos u kthyer më tek ato, kthimin dhe përmbushjen e të drejtave (të njerëzve), përmbajtjen pas udhëzimit profetik, përkushtimin ndaj besimit dhe veprave të mira.
Pendimi i sinqertë është i domosdoshëm në çdo kohë, para se të vijë çasti i pakthyeshëm, që është vdekja.
Në ajetin 31 të sures “Nur” Allahu i Lartësuar thotë:
﴿وَتُوبُوا إِلَى اللَّهِ جَمِيعًا أَيُّهَا الْمُؤْمِنُونَ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ﴾
“Kthehuni të penduar te Allahu të gjithë, o besimtarë, që të shpëtoni.”
Ky ajeti bekuar na mëson se:
Pendimi është i domosdoshëm për të gjithë. Thirrja u drejtohet të gjithë besimtarëve, duke treguar se askush nuk është i përjashtuar nga nevoja për pendim.
Pendimi është rruga e shpëtimit. Shpëtimi në këtë botë dhe në Ahiret lidhet drejtpërdrejt me kthimin e sinqertë te Allahu.
Pendim duhet të jetë i vazhdueshëm. Pendimi nuk është një veprim i njëhershëm, por një gjendje e vazhdueshme vetëpastrimi dhe përmirësimi.
Mëshira e Allahut është e gjerë. Fakti që Allahu i thërret besimtarët të pendohen tregon hapjen e derës së mëshirës dhe faljes për të gjithë.
Shpëtimi arrihet duke u kthyer vazhdimisht dhe me sinqeritet te Allahu, duke pranuar gabimet dhe duke u përpjekur për përmirësim moral e shpirtëror.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Pendimi nuk duhet të jetë vetëm fjalë, por duhet të jetë ndryshim i brendshëm.
Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Ai që pendohet nga mëkati është sikur të mos kishte mëkat.” (“Biharul Enuar”).
Ehli Bejti na mëson se pendimi i vërtetë nuk është vetëm me gjuhë.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Pendesa e zemrës është vetë pendimi.” (“Gurerul Hikam”). Pra, kthimi te Allahu fillon nga zemra që dhemb, jo nga gjuha që justifikohet.
Allahu e do kthimin e robit.Në ajetin 222 të sures “Bekare” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ التَّوَّابِينَ﴾
“Vërtet Allahu i do ata që pendohen.”
Allahu nuk e urren mëkatarin që kthehet, por Ai e do atë. Kjo është një nga shprehjet më të thella të mëshirës së Allahut ndaj robit të Tij.
Imam Xha’ferr Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Cilido rob që bën një mëkat dhe pendohet për të, Allahu ia fal atij atë mëkat para se të kërkojë faljen e tij (mëkattit).” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 427
Kthimi te Allahu është kthim në natyrën e pastër (el fitratu). Në ajetin 30 të sures “Rrum” Allahu i Madhëruar thotë:
﴿فِطْرَتَ اللَّهِ الَّتِي فَطَرَ النَّاسَ عَلَيْهَا﴾
“(Kjo është) natyra e Allahut me të cilën i krijoi njerëzit.”
Mëkati është largim nga natyra e pastër, ndërsa pendimi është kthim në veten e vërtetë.
Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Lotët nuk thahen veçse nga ashpërsia e zemrës, dhe zemrat nuk ashpërsohen veçse nga shumësia e mëkateve.” (“Biharul Enuar”, vëll. 67, f. 55.)
Pendimi i sinqertë nuk është vetëm nga frika e dënimit, por nga malli për Allahun e Madhëruar.
Imam Zejnul Abidini (Paqja qoftë mbi të!) në përgjërimin e të penduarve thotë: “O Allah, unë u largova prej Teje jo nga mohimi, por nga dobësia e shpirtit tim…”
Kthimi i vërtetë është rikthim i dashurisë, jo vetëm ikje nga ndëshkimi.
Kthimi te Allahu nuk është dobësi, por forcë shpirtërore. Nuk është humbje, por shpëtim. Nuk është fund, por fillim i ri. Allahu nuk don poshtërimin e robit të Tij, por don ngritjen e tij në gradat më të larta. Në ajetin 53 të sures “Zumer”, Allahu i Madhëruar thotë:
﴿قُلْ يَا عِبَادِيَ الَّذِينَ أَسْرَفُوا عَلَى أَنْفُسِهِمْ لَا تَقْنَطُوا مِنْ رَحْمَةِ اللَّهِ﴾
“Thuaj: O robtë e Mi që keni bërë padrejtësi ndaj vetes, mos u dëshpëroni nga mëshira e Allahut…”
Ky ajet është shpresë, mëshirë dhe kthim tek Allahu, pa humbur shpresën, pavarësisht sa të mëdha kanë qenë gabimet e njeriut.
Në këtë ajet Allahut i drejtohet jo vetëm të devotshmit, por edhe mëkatarit. Ai i quan “robtë e Mi”, edhe ata që kanë bërë padrejtësi ndaj vetes.
Ajeti na mëson se asnjë mëkat nuk është më i madh se mëshira e Allahut. Dëshpërimi nga mëshira e Tij është vetë një gabim i rëndë.
Ajeti na mëson se dera e pendimit është gjithmonë e hapur, për sa kohë njeriu është gjallë dhe sinqerisht kthehet tek Allahu.
Ajeti rrëzon ndjenjën e humbjes, vetëpërçmimit dhe dorëzimit shpirtëror, duke e zëvendësuar me shpresë dhe besim.
Sado larg të ketë shkuar njeriu në gabim, rruga e kthimit tek Allahu mbetet gjithmonë e hapur, sepse mëshira e Tij e tejkalon zemërimin.
Prandaj, ky ajet konsiderohet si “ajeti më shpresëdhënës i Kur’anit”, sepse fton çdo zemër të thyer të kthehet pa frikë dhe pa dëshpërim.
Mos hezito të kthehesh tek Allahu, edhe nëse mëkatet e tua janë shtuar shumë. Sepse Ai që të mbuloi ty ndërsa ishe nën çatinë e mëkatit, nuk do të të braktisë kur të jesh nën krahët e pendimit.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Kur themi se kthimi te Allahu është forcë shpirtërore, kjo ka kuptimin e forcës mbi vetveten. Kthimi te Allahu (pendimi dhe afrimi me Të) i jep njeriut fuqinë të mposhtë egon, pasionet dhe mëkatin. Njeriu nuk dorëzohet, por ngrihet përsëri.
Kthimi te Allahu është forcë shpirtërore ka kuptimin e qetësisë dhe sigurisë së brendshme. Kur njeriu kthehet te Allahu, zemra çlirohet nga barra e fajit, frikës dhe ankthit. Kjo qetësi është një forcë e brendshme që e stabilizon njeriun përballë vështirësive.
Kthimi te Allahu është forcë shpirtërore ka kuptimin e rikthimit të drejtimit të jetës. Kthimi te Allahu i jep jetës kuptim dhe orientim. Njeriu e di pse jeton dhe ku po shkon, dhe kjo vetëdije e bën shpirtërisht të fortë.
Kthimi te Allahu është forcë shpirtërore ka kuptimin e shpresës dhe rezistencës ndaj dëshpërimit Pendimi e mbron njeriun nga dëshpërimi. Ai beson se dera e mëshirës është gjithmonë e hapur, prandaj nuk thyhet nga gabimet.
Kthimi te Allahu është forcë shpirtërore ka kuptimin e lidhjes me Burimin e fuqisë. Duke u kthyer te Allahu, njeriu lidhet me Burimin absolut të fuqisë, dhe kjo lidhje i jep forcë për të përballuar sprovat e jetës.
Kthimi te Allahu nuk është dobësi apo dorëzim, por forcë shpirtërore, sepse e pastron zemrën, e forcon vullnetin dhe i jep njeriut shpresë, qetësi dhe qëndrueshmëri.
Të dashur vëllezër dhe motra!
Jemi në muajin e begatë të Sha’banit. Le ta shfrytëzojmë këtë muaj për t’u kthyer tek Allahu me pendim të sinqertë.
Në çdo ditë e natë le të themi 70 herë: أسْتَغْفِرُ اللهَ وَأسْأَلُهُ التَّوْبَةَ “Kërkoj falje nga Allahu dhe i kërkoj Atij pendim.”
Kjo është një lutje e shkurtër dhe shumë e vlefshme për pastrimin e shpirtit, kthimin dhe afrimin me Allahun.

