Amaneti në thëniet e Profetit Muhamed dhe të Ehli Bejtit (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!)

Në ajetin 58 të sures “Nisa” Allahu i Madhëruar thotë:

}إِنَّ اللّهَ يَأْمُرُكُمْ أَن تُؤدُّواْ الأَمَانَاتِ إِلَى أَهْلِهَا {

“Allahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin…”

Ajeti na mëson se ruajtja dhe kthimi i amanetit nuk varet nga dëshirat, interesat apo marrëdhëniet tona me njerëzit, por është detyrë e vendosur nga Allahu i Madhëruar.

Ajeti kërkon që çdo përgjegjësi, pasuri, besim apo autoritet t’i jepet atij që e meriton, pa padrejtësi dhe pa mashtrim.

Në këtë ajet Allahu na mëson se besimi i vërtetë provohet me ndershmëri, drejtësi dhe besnikëri në çdo amanet që na është besuar.

1- Cili është kuptimi i amanetit?

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala “amanet” është një gjë që ia lëmë dikujt për ta ruajtur e për t’u kujdesur për të.

Në Islam fjala “amanet” (الأمانة) nuk nënkupton vetëm ruajtjen e një sendi material, por përfshin: përgjegjësinë morale, ndershmërinë, besnikërinë ndaj Allahut, respektimin e të drejtave të njerëzve, dhe zbatimin e urdhrave të Allahut. Amaneti është shtyllë e besimit (imanit) dhe themel i karakterit islam.

2- Amaneti në Kur’an

Kur’ani i Shenjtë na flet për amanetin. Në ajetin 72 të sures Ahzab” Allahu i Madhëruar thotë: Allahu i Lartësuar thotë:

﴿ إِنَّا عَرَضْنَا الْأَمَانَةَ عَلَى السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضِ وَالْجِبَالِ فَأَبَيْنَ أَن يَحْمِلْنَهَا وَأَشْفَقْنَ مِنْهَا وَحَمَلَهَا الْإِنسَانُ ۖ إِنَّهُ كَانَ ظَلُومًا جَهُولًا﴾

“Ne ua ofruam amanetin qiejve, tokës dhe maleve, por ata refuzuan ta bartnin dhe u frikësuan prej tij; ndërsa njeriu e mori përsipër. Vërtet, ai është i padrejtë dhe i paditur.”

Sipas këtij ajeti të bekuar amaneti është një barrë e madhe shpirtërore që njeriu e pranoi me vullnet. Kjo e bën njeriun përgjegjës për veprimet e tij para Allahut.

Në ajetin 58 të sures “Nisa” Allahu na urdhëron për kthimin e amanetit të zotit të tij. Ai thotë:

}إِنَّ اللّهَ يَأْمُرُكُمْ أَن تُؤدُّواْ الأَمَانَاتِ إِلَى أَهْلِهَا {

“All’llahu ju urdhëron që amanetet t’jua ktheni atyre që u përkasin…”

Kur’ani i Shenjtë e konsideron ruajtjen dhe kthimin e amanetit si cilësi e besimtarëve. Për këtë në ajetin 8 të sures “Mu’minun” thuhet:

﴿ وَالَّذِينَ هُمْ لِأَمَانَاتِهِمْ وَعَهْدِهِمْ رَاعُونَ﴾

“Dhe ata që i ruajnë amanetet dhe premtimet e tyre.” Pra, ruajtja e amanetit është shenjë dalluese e besimtarit të sinqertë. Kthimi i amanetit është shenjë e besimit të gjallë dhe e moralit të lartë islam.

3- Amaneti në hadithet e Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!)

a- Amaneti është masë vlerësimi

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famiiljen e tij!) ka thënë: “Mos shikoni te shumësia e namazit të tyre, e agjërimit të tyre, e haxhit të tyre, e bamirësisë dhe zërit të tyre gjatë natës (në adhurim), por shikoni te vërtetësia në të folur dhe te ruajtja e amanetit.” (“Biharul Enuar”: vëll. 75, f. 114, hadithi 5).

b- Amaneti është më e mira e besimit

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më e mira e besimit është amaneti, dhe më i shëmtuari i moralit është tradhtia.” (“Gurarul Hikam”: 2905–2906).

c- Amaneti është i detyrueshëm në çdo rast

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nëse ai që e ka goditur me shpatë imam Aliun (Paqja qoftë mbi të!) dhe e ka luftuar atë, do të më kishte besuar një amanet, do të më kërkonte këshillë dhe udhëzim dhe unë e pranoj këtë, unë do t’ia dorëzoja atij amanetin.” (Tenbihul Khauatir: vëll. 1, f.12).

d- Nuk ka besim pa amanet

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famiiljen e tij!) ka thënë: “Nuk ka besim ai që nuk ka amanet.” (Biharul Enuar” vëll. 72, f. 198, haditho nr. 26; “Gurarul Hikam”, hadithi nr. 10767).

e- Amaneti dhe e vërteta

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Amaneti çon drejt të vërtetës.” (Gurarul Hikam”, hadithi nr. 1582).

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Amaneti sjell rizkun, kurse tradhtia sjell varfërinë.” (“Biharul Enuar”, vëll. 78, f.60, hadithi nr. 138).

f- Ruajtja e amaneti të shpëton në Jetën Tjetër

Lukmani i urtë (Paqja qoftë mbi të!) i ka thënë djalit të tij: “O biri im, ruaje amanetin që të shpëtosh në këtë botë dhe në Botën Tjetër. Ji i besueshëm dhe do të jesh i pasur.” (“Me‘aniul Ahbar”, f. 253, hadithi nr. 1)

g- Kujt nuk duhet t’i besohet amaneti

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi famiiljen e tij!) ka thënë: “Kush ia beson një amanet dikujt që nuk është i besueshëm, nuk ka mbrojtje nga Allahu, sepse Ai (Allahu) e ka ndaluar ta besosh atë.” (“Biharul Enuar”, vëll. 103, 179, hadithi nr. 3)

4- Format e amanetit në Islam

Në Islam, amaneti përfshin:

1- Amanetin ndaj fesë: Ky amanet përfshin zbatimin e urdhrave të Allahut.

2- Amanetin ndaj dijes. Duhet që dija të mos përdoret në dëm të njerëzimit.

3- Amanetin ndaj pasurisë: Ky lloj amaneti përfshin ndershmërinë në punë dhe në tregti.

4- Amanetin ndaj përgjegjësisë. Ky lloj amaneti përfshin drejtësinë në poste dhe në autoritet. Pra, cilitdo që i besohet një post drejtimi duhet ta dijë se ai post është amanet.

5- Amanetin ndaj familjes: Ky amanet përfshin edukimin e fëmijëve dhe drejtësinë ndaj bashkëshortit/bashkëshortes.

6- Amanetin ndaj vetes: Ky lloj amaneti përfshin ruajtjen e gjymtyrëve e të shqisave (syrit, veshit, gjuhës) nga mëkatet. Trupi është amanet.

7- Amanetin ndaj njerëzve: Ky lloj amaneti përfshin kthimin e amaneteve, ruajtjen e sekreteve, sinqeritetin në të folur, përmbushjen e premtimeve dhe përpikmërinë në punë.

8- Amaneti ndaj zemrës dhe shpirtit. Ashtu si na i dhuroi Allahu të pastër, edhe ne duhet t’ia kthejmë të pastër nga çdo gjynah e mëkat.

5- Pasojat e shkeljes së amanetit

Sipas haditheve të Profetit dhe të Ehli Bejtit (Paqja e Allahut qoftë mbi ta!) prej pasojave të shkeljes e të tradhëtisë së amanetit janë: shkatërrimi i besimit, humbja morale dhe shoqërore, çon në hipokrizi, dhe çon në llogari të rëndë në Jetën Tjetër.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Bazuar në ato që përmendëm më lart themi se amaneti në Islam është urdhër nga Allahu i Plotfuqishëm, është themel i besimit, është shenjë e moralit islam, dhe provë e vërtetë e njeriut.

Një shoqëri që ruan amanetin është e qëndrueshme. Një shoqëri që e humb atë, humb besimin, drejtësinë dhe bekimin e Allahut. Amaneti forcon besimin mes njerëzve, sjell drejtësi dhe stabilitet. Ndërsa neglizhenca e tij çon në shkatërrim dhe humbje të të drejtave. Përmbushja e amanetit është një shtyllë për arritjen e sigurisë dhe lidhjes sociale, dhe është një nga cilësitë që ruan të drejtat në shoqërinë njerëzore në përgjithësi dhe dhe atë islame në veçanti.

Islami e konsideron tradhtinë në amanet si një nga shenjat e hipokritëve. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë për hipokritin: “Kur i besohet diçka, ai tradhton.”

Në ajetin 27 të sures “El Enfal” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا لَا تَخُونُوا اللَّهَ وَالرَّسُولَ وَتَخُونُوا أَمَانَاتِكُمْ وَأَنتُمْ تَعْلَمُونَ﴾

 “O që keni besuar! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije.”

Qofshim prej atyre që i ruajnë amanetet dhe ua kthejnë ato të ziotëve të tyre!