Urrejtja në fjalët e Profetit Muhamed dhe Ehli Bejtit (Paqja qoftë mbi ta!)

Në ajetin 47 të sures “Hixhr” Allahu i Madhëruar thotë:

﴿ وَنَزَعْنَا مَا فِى صُدُورِهِم مِّنْ غِلٍّ إِخْوَٰنًا عَلَىٰ سُرُرٍۢ مُّتَقَٰبِلِينَ ﴾

“Ne do ta heqim urrejtjen nga zemrat e tyre; ata do të rrinë ulur si vëllezër përballë njëri-tjetrit në ndenjëse.”

Në këtë ajet Allahu tregon se shpëtimi i vërtetë nuk është vetëm hyrja në Xhenet, por pastrimi i plotë i zemrës. Xhenneti është vend i zemrave të pastra nga urrejtja. Pa pastrim të brendshëm nuk hyhet në Xhennet. Ky ajet na fton që ta fillojmë këtë pastrim që në këtë botë, duke hequr inatet, urrejtjet dhe duke forcuar vëllazërinë.

Spas Islamit, zemra e njeriut është qendra e besimit, moralit dhe veprave. Ajo mund të jetë burim drite, dashurie dhe mëshire, por mund të jetë edhe burim errësire kur mbushet dhe mbulohet me sëmundje shpirtërore. Një nga sëmundjet më të rrezikshme të zemrës është urrejtja, e cila shkatërron njeriun nga brenda dhe prish marrëdhëniet me Zotin dhe me njerëzit.

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe kuptimi i fjalës urrejtje është: Ndjenjë e fortë armiqësie për dikë a për diçka; është dëshirë e fortë për ta parë keq tjetrin.

Në Islam urrejtja është një gjendje e brendshme e zemrës që lind nga zilia, egoizmi, zemërimi i pakontrolluar ose padrejtësia. Ajo nuk është thjesht ndjenjë, por rrënjë e shumë mëkateve, si: përgojimi, shpifja, padrejtësia, hakmarrja dhe dhuna. Islami e ndalon rreptësisht urrejtjen. Ai urdhëron për falje, mëshirë dhe butësi.

Sipas Kur’anit të Shenjtë urrejtja është në tre lloje:

a) Lloji i parë: Urrejtja përçarëse

Në Kur’an Allahu na paralajmëron se urrejtja është mjet i shejtanit për të prishur shoqërinë dhe për ta përçarë atë. Në ajetin 91 të sures “Maide” Allahu i Madhëruar thotë:

{…إِنَّمَا يُرِيدُ ٱلشَّيۡطَٰنُ أَن يُوقِعَ بَيۡنَكُمُ ٱلۡعَدَٰوَةَ وَٱلۡبَغۡضَآءَ…}

“Shejtani dëshiron të fusë mes jush armiqësi dhe urrejtje.”

Nga ky ajet kuptojmë se urrejtja nuk është thjesht problem personal, por rrezik shoqëror, sepse shkatërron unitetin dhe paqen në shoqëri.

b) Lloji i dytë: Urrejtja që çon në padrejtësi

Kur’ani e lidh urrejtjen me humbjen e drejtësisë. Aty ku ka urrejtje ka padrejtësi.  Në ajetin 8 të sures “Maide” Allahu i Madhëruar thotë:

…}وَلَا يَجۡرِمَنَّكُمۡ شَنَـَٔانُ قَوۡمٍ عَلَىٰٓ أَلَّا تَعۡدِلُواْۚ ٱعۡدِلُواْ هُوَ أَقۡرَبُ لِلتَّقۡوَىٰۖ …{

“…Mos lejoni që urrejtja ndaj një populli t’ju shtyjë të silleni padrejtësisht. Bëhuni të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë.”

Urrejtja e verbon njeriun, e bën të humbasë kriterin e drejtësisë, edhe kur pretendon se po mbron të vërtetën.

c) Lloji i tretë: Urrejtja si pengesë për falje

Allahu i lavdëron ata që e pastrojnë zemrën. Kush mban urrejtje në zemër drita e besimit nuk depërton në zemrën e tij. Zemra që mbart urrejtje është e zbrazët nga mëshira, falja dhe dhembshuria. Prej pasojave të urrejtjes është se ajo pengon faljen, me përjashtim kur njeriu pendohet, pastrohet dhe kthehet te Krijuesi i tij.  Në ajetin 134 të sures “Ali Imran” Allahu i Madhëruar thotë:

{…وَٱلۡكَٰظِمِينَ ٱلۡغَيۡظَ وَٱلۡعَافِينَ عَنِ ٱلنَّاسِۗ وَٱللَّهُ يُحِبُّ ٱلۡمُحۡسِنِينَ}

“…e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit.” Falja e tjetrit është ilaçi i Allahut kundër urrejtjes.

Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti në thëniet e tyre na urdhërojnë që të qëndrojmë sa më larg urrejtjes, sepse:

1) Urrejtja shkatërron besimin

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Urrejtja e fshehur në zemër është sëmundja më e keqe e shpirtit.” (“Gurerul Hikemi). Pra, një zemër plot urrejtje nuk mund të jetë vend i dritës së besimit. Urretja nuk bashkohet kurrë me besimin.

2) Urrejtja shkatërron veprat

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Urrejtja ndaj vëllait besimtar i shkatërron veprat ashtu si zjarri djeg drutë.” (El Kafij). Njeriu mund të falet, të agjërojë, por nëse ka urrejtje në zemrën e tij, ajo ia zhduk shpërblimin.

3) Urrejtja e robëron njeriun

Imam Aliu (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që mban urrejtje, është i burgosuri i saj.” Urrejtja nuk e dëmton të urryerin aq sa e shkatërron vetë zemrën e atij që e mbart urrejtjen.

Të urryerit tek Allahu

Në thëniet e tyre Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) na lajmërojnë se kush janë të urryerit tek Allahu.

I Dërguari i Allahut (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!) ka thënë: “Allahu e urren plakun imoral, të pasurin tiran, të varfrin mendjemadh, lypsin ngulmues, e asgjëson shpërblimin e dhuruesit përbuzës dhe e urren të shthururin e guximshëm gënjeshtar.” (“Tuhaful Ukuli, f. 42).

Imam Aliu (paqja qoftë mbi të) ka thënë: “Krijesa më e urryer për Allahun është ai që përgojon.” (“Gurarul Hikam”, hadithi nr. 3128).

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  ka thënë: “Njerëzit më të urryer për Allahun janë tre: njeriu që fle shumë ditën dhe nuk fal asgjë nga nata, njeriu që ha shumë dhe nuk e përmend emrin e Allahut në ushqimin e tij e as nuk falënderon, dhe ai që qesh shumë pa ndonjë arsye.” (“Kenzul Ummal”, hadithi nr. 21431).

Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  ka thënë: “Krijesat më të urryera për Allahun në Ditën e Kiametit janë: gënjeshtarët, mendjemëdhenjtë, ata që mbajnë urrejtje për vëllezërit e tyre në zemrat e tyre, kur i takojnë vëllezërit, sillen me hipokrizi, dhe ata që kur thirren për te Allahu dhe i Dërguari i Tij, vonohen, por kur thirren për te shejtani dhe urdhri i tij, nxitojnë.” (Kenzul Ummal, hadithi nr. 43975).

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Krijesa më e urryer për Allahun është robi nga i cili njerëzit ruhen vetëm prej gjuhës së tij.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 323, hadithi 4).

Imam Muhamed El Bakir (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Allahu e urren atë që është i fëlliqur në fjalë dhe që e përhap fëlliqësinë.” (“Biharul Enuar”, vëll. 78, f. 176, hadithi 38).

Veprat më të urryera për Allahun

Në thëniet e tyre Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) na lajmërojnë se kush janë vveprat më të urryera për Allahun.

Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Një burrë nga fisi Heth’am erdhi te Profeti Muhamed (Paqja qoftë mbi të dhe mbi familjen e tij!) dhe i tha: ‘Cila vepër është më e urryer për Allahun e Lartësuar?’

Profeti u përgjigj: “Shirku ndaj Allahut (t’i përshkruash shok Atij).”

Burri i tha: ‘Pastaj cila?’

Profeti i tha: “Shkëputja e lidhjeve farefisnore.”

Buuri e pyeti përsëri: ‘Pastaj cila?’

Profeti iu përgjigj: “Të urdhërosh për të keqen dhe të ndalosh nga e mira.” (“El Kafij”, vëll. 2, f. 290, hadithi 4).

Vendet më të urryera për Allahu

Në thëniet e tyre Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) na lajmërojnë se kush janë vendet më të urryera për Allahun.

Imam Bakir (Paqja qoftë mbi të!) transmeton se Profeti (Paqja qoftë mbi të dhe familjen e tij) i tha Xhibrilit: “Cilat janë vendet më të urryera për Allahun e Lartësuar?” Xhibrili i tha: “Tregjet. Dhe njerëzit më të urryer në to janë ata që hyjnë të parët dhe dalin të fundit.” (Biharul Enuar, vëll. 84, f. 4, hadithi 76)

Shkaqet e urrejtjes

Për shkaqet e urrejtjes imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Tre gjëra e sjellin urrejtjen: Hipokrizia (dyftyrësia), padrejtësia, dhe vetëkrenaria (mburrja me veten).” (Tuheful Ukuli”, f. 316)

Dëmet e urrejtjes

Ashtu si çdo sëmundje shpirtërore, edhe urrejtja ka dëmet e saj. ato janë:

a) Dëme shpirtërore. Urrejtja errëson zemrën, dobëson lidhjen me Allahun dhe pengon pranimin e lutjeve.

b) Dëme morale. Urrejtja çon në përgojim, në shpifje dhe në armiqësi. Ajo shkatërron vëllazërinë islame.

c) Dëme shoqërore. Urrejtja sjellpërçarje në familje dhe në shoqëri, sjellkonflikte të vazhdueshmedhe çon nëhumbje e paqes dhe mëshirës.

Si ta shërojmë urrejtjen sipas Islamit?

Rrugët e shërimit të urrejtjes sipas Islamit janë:

Së pari: Vetëdijesimi. Të kuptojmë se urrejtja është mëkat i zemrës, jo thjesht ndjenjë. Ajo e sëmur dhe e vdes zemrën.

Së dyti: Falja e të tjerëve. Profeti Muhamed (Paqja e bekimet e Allahut qofshin mbi të dhe mbi familjen e tij!)  ka thënë:“Më i forti nuk është ai që mposht të tjerët, por ai që e kontrollon veten kur zemërohet.”

Së treti: Lutja për tjetrin. Imam Sadiku (Paqja qoftë mbi të!) këshillon të lutemi për atë që na ka bërë padrejtësi, sepse kjo e shkrin urrejtjen.

Së katërti: Përkujtimi i Jetës Tjetër (Ahiretit). Kur kujtojmë llogarinë para Allahut, zemra zbutet. Të gjithë do e lëmë këtë botë dhe do të kthehemi te Jeta e Vërtetë. Do të shkojmë atje ku nuk do të na bëjë dobi as pasuria e as fëmija, vtë se të shkuarit me zemër të pastër e të bardhë.

Të dashur vëllezër dhe motra!

Urrejtja është zjarr që djeg fillimisht zemrën e atij që e mban. Kur’ani, Profeti Muhamed dhe Ehli Bejti (Paqja qoftë mbi ta!) na mësojnë se besimtari i vërtetë ka zemër të pastër, falëse dhe të butë. Çlirimi nga urrejtja nuk është dobësi, por fuqi shpirtërore dhe shenjë e besimit të fortë. Në një hadith thuhet: “Zemrat e pastra janë vendbanimi i dritës së Allahut.”

Sa bukur na mëson Kur’ani i Shenjtë në ajetin 10 të sures “Hashr” ku thuotë:

{وَٱلَّذِينَ جَآءُو مِنۢ بَعۡدِهِمۡ يَقُولُونَ رَبَّنَا ٱغۡفِرۡ لَنَا وَلِإِخۡوَٰنِنَا ٱلَّذِينَ سَبَقُونَا بِٱلۡإِيمَٰنِ وَلَا تَجۡعَلۡ فِي قُلُوبِنَا غِلّٗا لِّلَّذِينَ ءَامَنُواْ رَبَّنَآ إِنَّكَ رَءُوفٞ رَّحِيمٌ }

“Edhe ata që erdhën pas tyre, thonë: “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë urrejtje ndaj besimtarëve! O Zoti ynë, Ti je vërtet i Butë dhe Mëshirëplotë!”

Ndërsa në ajetin 43 të sures “El A’raf” Allahu I Madhëruar thotë:

﴿ وَنَزَعْنَا مَا فِى صُدُورِهِم مِّنْ غِلٍّۢ تَجْرِى مِن تَحْتِهِمُ ٱلْأَنْهَٰرُ ۖ وَقَالُواْ ٱلْحَمْدُ لِلَّهِ ٱلَّذِى هَدَىٰنَا لِهَٰذَا وَمَا كُنَّا لِنَهْتَدِىَ لَوْلَآ أَنْ هَدَىٰنَا ٱللَّهُ ۖ لَقَدْ جَآءَتْ رُسُلُ رَبِّنَا بِٱلْحَقِّ ۖ وَنُودُوٓاْ أَن تِلْكُمُ ٱلْجَنَّةُ أُورِثْتُمُوهَا بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ ﴾

“Ne do ta shkulim urrejtjen nga kraharori i tyre. Te këmbët e tyre do të rrjedhin lumenj dhe ata do të thonë: “Qoftë lavdëruar Allahu që na udhëzoi në këtë. Ne nuk do të ishim udhëzuar, sikur të mos na udhëzonte All’llahu. Pa dyshim, të dërguarit e Zotit tonë kanë sjellë të vërtetën”. Dhe një zë do t’i thërrasë: “Ky është Xhenneti që ju e keni merituar për atë që keni punuar.”

Qofshim prej atyre që e shtypin zemërin, që i falin të tjerët dhe që nuk mbartin urrejtje në zemrat e tyre!